“Çështja çame- Mision i{Pa}mundur 1920-2014″ i autorit Gëzim Zilja, arrinë në Bibliotekën e Vatrës/
Biblioteka e Vatrës, është nga më të pasurat në Diasporën shqiptare. Këtu ruhen botime të hershme, që nga vitet 1908 e deri botimet më të fundit të vitit 2014. Janë këtu abetaret e para, gazetat e revistat që nisën në fillim të shekullit, përkthimet e para të Nolit dhe Konicës, koleksionet e Diellit dhe Gazetave të tjera që u publikuan në Diasporë etj. Kohë pas kohe, autorë të ndryshëm nga diaspora dhe vendlindja, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia sjellin botimet e tyre në Bibliotekën e Nolit dhe Konicës.
Një ndër librat që solli këto ditë vatrani Teki Gjonzeneli, ish i burgosur politik, janë dy kopje të Librit” të Gëzim Ziles”Çështja Çame- Mision i{Pa}mundur 1920-2014″. Librat janë me dedikim, njëri për bibliotekën e Vatrës dhe tjetri për Editorin e Diellit. Faleminderit Gëzim Zilja!
Informojmë tc intersuarit se libri mund të merret për t’u lexuar nga biblioteka e VATRES, natyrisht me të drejtë kthimi.
Autori Zilja, i njohur si deputet dhe kryebashkiak i Vlorës- si dhe në publicistikë, veçanërisht pas ngjarjeve të vitit tragjik të shqiptarëve, 1997, ka qenë kurajoz dhe denoncues i së keq, denoncues i ashpër i skenarëve që sollën vitin tragjik.Libri i tij”Unë e pashë kush e dogji Vlorën’ botuar në vitin 2000, është jo vetëm një dëshmi dhe denoncim kundër antikombëtarëve, por edhe një traktat kurajoz patriotik.
Gëzim Zilja ka lindur në qytetin e Vlorës më 6 Shtator 1951. Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes në gjimnazin”Ali Demi”. Në vitin 1974 mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, fakulteti i Shkencave, dega Matematikë. Në vitin 1996 zgjidhet deputet në Parlamentin e Shqipërisë dhe njëherësh Kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në korrik të vitit 1997 vendoset në qytetin e Tiranës dhe punon si gazetar. Në vitin 2003-2008 punoi në Presidencën e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht punon në Kontrollin e Lartë të Shtetit.
LIBRAT E BOTUAR
1- Unë e pashë kush e dogji Vlorën-2000
2- Vrasës dhe shpëtimtarë-2001
3- Drejt Perëndimit-2004
4- Ismaili, një histori Shqiptare-2007
5- Scaner 2009
6- Çështje Familjare
7-“Çështja çame- Mision i{Pa}mundur 1920-2014”
Libri më i fundit i tij, “Çështja çame- Mision i{Pa}mundur 1920-2014” ndërthur burimet historike em analizat gjakftohta të autorit duke sfiduar edhe ata që e përdorin “çështjen” për përfitime të çastit politike.
urori Zilja publikisht ngre zërin kundër abuzimit më Çështjen Çame. Ja deklarimi i tij përmes librit:” Unë dëshiroj të jem shumë i gabuar në arsyetimet dhe analizat e mia. Por, faktet, mjerisht më çojnë gjithëmonë tek i njëjti përfundim” Me”Çështjen Çame” po abuzohet”.
Nga natyra, shkruan Zilja, nuk jam pesimist. Po di të them me siguri se trupat e gjyshërve dhe etërve të dëbuar nga Çamëria të varrosur në Shqipëri, nuk gjejnë prehje. Atyre u rëndojnë mbi kocka pllakat e varrit, ndërsa shpirtrat me kohë kanë marrë arratinë dhe enden ditë e natë si ca zogj të vetmuar pa fole, gërxheve, pllajave, fushave e limanëve të Çamërisë së dashur, ku u lindën dhe u larguan me kokën pas….”
Libri me publiçistikë u botua në Tiranë më 2014-tën nga Mirgeeralb. Libri ka 190 faqe dhe kushton 600 lekë. Ky botim nis me “Histori e shkurtër e popullsisë çame”, vijon me: Memorandumi i vitit 1947, Përfaqësimi Politik i Komunitetit çam në Parlament, Çështja Çame një çështje mbarëkombëtare; Deputetët çamë dhe detyrat e tyre, Çështja Çame midis veprimit politik dhe teorive pa bukë; Pesë deputetë pro çështjes Çame; Presidenti dhe varrezat greke; Helli grek dhe patriotizmi i munguar i qeveritarëve; Pse mbroj Himarën dhe jo Bollanot; Falsiteti i takimit të çamëve pe presidentin, Prapë për ultranacionalistët grekë; Ultranacionalistët grekë kafshojnë; Mbi çështjen çame dhe spekullimet ndaj saj; Varrezat monumentale në Kllogjer dhe në Paramithi; Çështja çame dhe-një nga kërkesat e PDIU-së; Përkujtimi i masakrës greke ndaj çamëve; Çështja Çame dhe përrallat e PDI-së; Në përvjetorin e themelimit të “Shoqatës Atdhetare Çamëria”; PDIU-mulliri që nuk bluan për çështjen çame; Çështja çame dhe kolltukët e qeverisë; Histori me kampionë Vorio-Epiriotë; Kush ëshët Spiro Spiromilo; PDIU dhe 68 Vjetori i masakrës grekie; PDIU ekspasion mbi adminsitratën shqiptare; Çështja Çame sërish e tradhëtuar; Rezoluta e vitit 2004-turpi i politikës shqiptare; Kthimi i PDIU-së në zyrë pune; Një fiasko tjetër për çështjen çame; Gjumë i rëndë i PDIU-së; Autorë të huaj për problemin çam; Këngë folklorike për historinë e Çamërisë.
Libri mbyllet më disa fotografi, që paarqesin pamje nga Krahina e Çamërisë si dhe veprimtaritë atdhetare dhe politike lidhur me çamërinë.
Nga libri kemi shkëputur një nga artikujt e publikuar:(Gazeta Dielli)
****
Çështja çame dhe përrallat e PDIU-së
Ndoshta nuk do të merrja përsipër të shkruaja sërish për çështjen çame, por ajo që pashë para disa ditësh në tubimin e PDIU-së me çamët e Vlorës me të vërtetë më trishtoi. Salla e teatrit “Petro Marko” ishte plot e përplot me ata njerëz të mirë, të ngulur prej më shumë se gjashtëdhjetë vitesh në Vlorë e që ende qajnë për kthimin e pronave të tyre. Tubimi, se këtu qëndron paradoksi, u bë që çamëve tu bëhej thirrje të ndjeheshin krenarë që ishin shqiptarë dhe që po nuk e quajtën veten të tillë ata dhe të tjerët PDIU-ja do t’i penalizojë me ato amendamentet e propozuara në parlament nga vet ajo. Madje Idrizi shkoi dhe më tej dhe e cilësoi Partinë e çamëve si garantë të censusit e cila sipas një të përditshme deklaronte se “… INSTAT-i do të shënojë në statistikat e veta që personi në fjalë është shqiptar dhe një gjobë 1 milionë lekë do të paguhet nga ai që ka dhënë deklarim të rremë”.
Me sa duket çamët e Vlorës e më gjerë e zgjidhën çështjen që djeg, përvëlon e kullon gjak dhe po kontribuojnë edhe për çështje të tjera në Shqipëri. Jo keq kjo e fundit, se Shqipëria ka nevojë kudo dhe kurdoherë për bijtë e saj. Po problemi çam sipas mendimit tim po braktiset e anashkalohet me ndërgjegje nga krerët e PDIU-së për të përfituar kapital politik.
Së pari, një tubim i çamëve në Vlorë për të sensibilizuar vetveten me sloganin: “Ji krenar që je shqiptar” madje se do të dënoheshin me 1(një) milion lekë po nuk u shkruajtën të tillë, më duket fare i panevojshëm dhe fyes. Nuk mendoj se ka ndonjë çam brenda kufijve të Shqipërisë, e theksoj një të vetëm, që të deklarohet jo shqiptar, jo se janë vërtetësish të tillë, por në kushtet kur dheu i të parëve, Çamëria e dashur, u mungon dhe ua kanë vjedhur, ata ndjehen njëqindfish shqiptarë. Fjalët e mëtejshme nuk do të kishin vlerë. Ana tjetër serioze e problemit të censusit është se Konventa për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare të Këshillit të Europës sanksionon si parim të vetëm lidhur me përkatësinë e tij kombëtare vetëdeklarimin e individit. Idrizi do t’i gjobitë, por Konventa e KE-së nuk e lejon…
Po le t’i kthehemi problemit çam dhe çështjeve që rreket të zgjidhë PDIU-ja duke spekuluar me çamët dhe problemin çam.
Kanë kaluar mbi 20 vjet kur Shqipëria kaloi nga diktatura në një sistem demokratik. Midis shumë problemeve të lëna në harresë ishte dhe ajo e çështjes çame. Qysh në fillimet e demokracisë u organizuan në shoqatën “Çamëria” me qendër në qytetin e Vlorës dhe shpalosën hapur qëllimin e tyre: Njohjen dhe kthimin e pronave në Çamëri. Kishte shumë entuziazëm, shumë patriotizëm dhe shumë vullnet nga krerët e kësaj shoqate vullnetarësh. Më vonë shoqata e pa të arsyeshme të kthehej në parti me kryetar çamin e mirë, Tahir Muhedini. Partia mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës “Çamëria” me ndonjë ndryshim të vogël. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Në krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi, çam, me kombësi shqiptare. Për arsye të ndryshme të dy deputetët krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president Tahir Muhedinin. U gjetën tre karrige që krerët mund të rrinin rehat. Si e kam theksuar dhe herë të tjera çështja çame është shumë e vështirë për tu zgjidhur, por e thjeshtë në të proceduar. E para është që liderët ta kenë seriozisht, ta dëshirojnë me gjithë mendjen e dijen dhe të hidhen në veprim në shërbim të çështjes çame. Në vitin 2006 sipas deklaratave të kreut të PDI-së Tahir Muhedini, është dërguar në Strasburg dosja e mohimit të të drejtave të çamëve, nga shteti grek. Le ta besojmë që kjo ka ndodhur. Pavarësisht se kurrë nuk u bë e njohur përmbajtja e kësaj dosjeje, pas pesë vjetësh nuk ka asnjë përgjigje nga Gjykata e Strasburgut. Ndërkohë me dhjetëra shqiptarë që i janë drejtuar Strasburgut privatisht kanë marrë përgjigje dhe shumë prej tyre u janë kthyer tokat ose dëmshpërblimi që kanë kërkuar. Nuk është një çështje identike sepse çamët duhet të hedhin në gjyq qeverinë greke për pronat e tyre por një përgjigje Strasburgu do të jepte. Nuk ka një të tillë as andej, as nga Tahir Muhedini.
Në fillimet e tij Idrizi dhe Tahiri premtuan mjaft për zgjidhjen e çështjes çame. Ata shkuan deri në SHBA, ku takuan kongresmenë e senatorë të shumtë dhe prej andej sollën lajme se DASH-i po shqyrton çështjen çame. Nuk kemi parë deri më sot ndonjë prononcim nga DASH-i as nga ndonjë senator apo kongresmen qoftë dhe privatisht nga ata që takuan krerët e rinj çam. Nga ana tjetër Idrizi dhe Tahiri, kanë deklaruar më shumë se një herë për pajtimin e një studioje avokatie me qendër në Britani që do të merret me çështjen çame. Edhe kjo është një fiasko e plotë sepse asnjëherë nuk është deklaruar emri dhe avokatet e kësaj studioje. Le të shpresojmë që ky lajm të jetë i vërtetë dhe ndonjë ditë të kemi një prononcim nga Departamenti Amerikan i Shtetit për çështjen në fjalë. Qysh nga kthimi i krerëve çam nga Amerika, shtator 2010, për çështjen çame nuk është lëvizur as edhe një hap para qoftë në rrafshin kombëtar qoftë dhe atë ndërkombëtar.
Slogani i PDIU-së në zgjedhjet lokale ishte “Unë e dua Shqipërinë”. Pra është fjala për ngulitjen e dashurisë për Shqipërinë te shqiptarët. Nuk shikoj asnjë pikë takimi këtu me problemin çam. Do të kuptoja në qoftë se slogani do të ishte: “Unë e dua Çamërinë”
Ai slogan vuri si primar jo çështjen çame por atë kombëtare. Nuk ka asgjë të keqe këtu por Idrizi me Tahirin ta thonë shkoqur qëllimin e partisë së tyre dhe mos të spekulojnë me çamët dhe çështjen e tyre të shenjtë. PDIU-ja është në koalicion me PD-në prej vitit 2009, por pas dy vitesh ajo nuk ka arritur të jetë realisht në qeveri dhe është mjaftuar me ndonjë drejtor të policisë ndërtimore apo asaj të patentave të makinave, poste mjaft të përfolur për korrupsion dhe larg idealeve të çamëve. Pra ajo po përdoret në këtë drejtim vetëm si fasadë. Mirë do të ishte që të vendosej në opozitë me PD-në dhe PS-në, duke mbrojtur në parlament e kudo çështjen çame dhe atë kombëtare. Realisht ajo e ka gojën e mbyllur dhe rezulton e shitur “xhaba”, pa poste përfaqësuese në qeveri dhe pa efekt në integrimin çam në politikë.
Në zgjedhjet lokale PDIU-ja mori rreth 63 mijë vota, shumë më tepër se PDI-ja në vitin 2009. Ajo shtatëdhjetëfishoi votat në qarkun e Kukësit (vetëm 11 në 2009 dhe 730 në vitin 2011). Por ama në qytete me popullsi çame si Vlora, Fieri e Durrësi, nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm të shifrave. Po shohim se votat e këshilltarëve çamë në gjithë bashkitë, komunat e qarqet kalojnë sa majtas, djathtas për favore të vogla dhe interesa vetjake, që nuk kanë të bëjnë fare me problemin çam. Së fundmi PDIU-ja po harxhon energji, forca dhe para për një problem që nuk ka të bëj me çështjen çame, me atë të censusit. Madje ajo ende nuk ka një taktikë dhe strategji të qartë ose një plan qoftë dhe afatgjatë të çështjes çame. Të merresh me politikë do të thotë tu shërbesh të tjerëve, të sakrifikosh për ta dhe jo për kapital e përfitime personale. Mendoj që kjo parti duhet të heqë dorë nga përfaqësimi çam dhe të vazhdojë të hapet për të gjithë, përndryshe do të vazhdojë të dobësojë edhe më çështjen çame. E thënë shkoqur krerët e PDIU-së përdorin votat e çamëve për poste e përfitime dhe merren me të kur kanë kohë. U morën me zgjedhjet lokale, tani me censusin, pastaj me zgjedhjet parlamentare që të sigurojnë prapë kolltukun e deputetit etj. Por çështja çame nuk mund të zgjidhet duke qenë një nga pikat e programit të PDIU-së ose e kujtdo partie tjetër. Çamëve u duhet një shoqatë ose parti që të merret vetëm me çështjen çame, ashtu si ka qenë. Ndryshe votat çame do të shpërdorohen si deri tani dhe do të shërbejnë për nja dhjetë, njëzetë apo pesëdhjetë çamë dhe jo çamë, për të plotësuar qejfet e tyre siç po ndodh realisht me të zgjedhurit në qeverisjen lokale. Gjithsesi kjo çështje me futjen nën ombrellën e Shpetim Idrizit dhe të Dashamir Tahirit, duket e braktisur plotësisht. Të vetmit që kanë përfituar nga PDIU-ja janë krerët, miqtë dhe të afërmit e tyre me ca poste ku nxirren para mbi dhe nën dorë. Ndërkombëtarizimi i problemit çam nuk shihet gjëkundi dhe situata është shumë herë me keq se në fillimet e themelimit të “Shoqatës Atdhetare Çamëria”. Të paktën atëherë kishte entuziazëm dhe shpresë, që tashmë duket se po fiken nga dita në ditë.
SHWNIM: PWR ATA QW DUAN TW DWRGOJNW LIBRAT E TYRE NW BIBLIOTEKWN W VATRWS, MUND TW PWRDORIN ADRESWN:
VATRA 2437 SOTHERN BLVD
BRONX, NY 10458
USA