
In politics, nothing happens by accident. If it happens, you can bet it was planned that way. (Franklin D.Roosevelt)/
NGA ALFONS GRISHAJ/
Vendosja e një ministri të diktaturës në krye të Parlamentit, ministra të akuzuar për drogë e korupsion, varfëria dhe shtypja e vegjëlisë puntore, rritja e privilegjeve dhe majmëria shoganëve, janë vetëm disa nga “bëmat” e rilindësve, të cilët, me forcën e kartonit po e çojnë Shqipërinë drejt kolapsit. Rama po teston përditë nervin e opozitës dhe durimin e popullit. Ai ndoshta beson vërtet se vota “pleblishitare” e zgjedhjeve të qershorit ishte meritë personale e tij. Sepse, në shoqërinë tonë, duket sikur ka zënë vend idea që “fitimtarit” i quhet fitore e merituar qoftë kur vjedh votat, qoftë edhe kur kundërshtarët, për shkaqe tashmë të ditura, nuk ngrihen në nivelin e “rivalitetit”. Ai beson gjithashtu, se do ia dalë ta konsumojë mandatin e dytë me plot nge dhe si t’ia dojë qefi, edhe pse si politikan, tashmë me përvojë, duhet ta dijë që është në kuotën më të ulët të mbështetjes në karrierën e tij, gjë që do të shqetësonte çdo politikan perëndimor e do ta nxiste drejt kthesave të ngjitjes. Por, Rama nuk e gëzon vetdijen e politikanit perëndimor.
Këtë e tregoi akti i fundit i shkeljes së Kushtetutës, duke zgjedhur një zonjë (!) në krye të prokurorisë, pa votat e kërkuara ligjërisht. (Le të lëmë mënjanë për një çast, se cila është kjo zonjë, që edhe pse zyrtare e ligjit, pranoi, në rrethanat e një konflikti politik, me ambicjen për një mandat të përkohshëm, të shndërrohej në një instrument ndezës. Me këtë rast vlen të shtrohet moralisht pyetja se ç’garanci ka pavarësia e pushtetit të drejtësisë edhe pas reformës së bujshme…)
Vjedhja e votave të opozitës për të hapur votimin dhe futja e gardistëve me dhunë në parlament rikonfirmoi papërgjegjshmërinë e drejtimit arrogant e banal Rama – Ruçi, të cilët, vunë militantizmin e bodigardëve mbi mandatet e popullit, duke vulosur në këtë mënyrë aktin antikonstitucional të ngjashëm me një grusht shteti. Dhe siç ndodh rëndom në këto raste, Pozita “fajësoi” opozitën për revoltën dhe denoncoi 10 deputetë për ndjekje penale, përfshirë dhe dy zonja… Akuza më e rëndë duket se ra mbi zonjën Kryemadhi, që paska siluruar një këpucë mbi Kokë-Ministrin e Shllavarisë, dhe se paska përdorur një fjalor vulgar ndaj drejtuesve të drogës dhe krimit. Çudi e madhe, pushteti paska fuqi magjike të të emancipojë e të të ngrejë me ashensor nga vulgarizmi në majat e qytetarisë, madje aq lart sa të harrosh sjelljet e tua banale në opozitë. E pra, ata nuk janë aq të largëta në kohë. Përkundrazi, kur sheh se në ç’ mënyrë provokuese sillet qeveria e sotme me opozitën, s’ke si të mos vlerësosh maxhorancën e shkuar për sensin e masës dhe maturinë. Në fakt, një qeveri që mbështeti drogën dhe fitoi në sajë të saj, nuk është për t’u siluruar me këpucë (megjithëse jam kundër dënimeve ekstreme), por për ligjin e Rodrigo Duterte, President i Filipineve (shihe këtë se tejkalon parimet e demokracisë).
Qeveria Shqiptare, si në drejtimin e vendit ashtu dhe në politikën ndërkombëtare është totalisht e çorientuar, dhe këtë e tregoi me votën kundër aleatit strategjik Sh. B. A. në OKB, 129 – 9, 35 abstenime, lidhur me çështjen e Jeruzalemit. Neo-komunistët, harruan votën e Wilsonit, luftën e Klintonit, vendimin e Bushit për hyrjen e Shqipërisë në NATO.
Shqiptarëve të majtë, iu dha rasti vetëm njëherë për të treguar mençuri klasike nacionalistë, por nuk e përdorën. Atyre nuk u intereson e nesërmja e bashkimit të Kombit, por “Internacionalizmi Proletar”. Përfshirja jonë në “lojërat” e diplomacisë është reminishencë e enverizmit megallomanik. Çështja e Izraelit është një çështje e tejzgjatur dhe Sh. B. A. janë të interesuar ta mbyllin njëherë e mirë këtë kapitull duke respektuar në rradhë të parë parimin e vetvendosjes, pastaj dhe historinë e një populli, i cili ka mbijetuar përgjatë diskriminimeve shekullore dhe rreziqeve asgjësuese si rrallë popull tjetër. Dhe këtu ndryshon Amerika me pjesën tjetër të botës: Amerika vepron energjikisht për të zgjidhur konfliktet, pjesa tjetër e botës, kartat e konflikteve të pazgjidhura i mban nëpër valixhet e diplomacisë burokratike, për t’i luajtur në kazinonë e rradhës.
Nikki Haley, theksoi se Amerika nuk do e harrojë votën kundër. Më pas ajo konfirmoi shkurtimin e buxhetit prej 285 milion për OKB, tregues i një ere të re ndaj hipokrizisë së vendeve “mike”, të cilët, e kanë përdorur Amerikën, dhe gjakun e heronjve të saj për t’u çliruar, mbrojtur dhe ringritur ekonomikisht.
Vota kundër Sh. B. A. në OKB, reflektoi nivelin e ulët të diplomacisë së shtetit tonë por diktoi gjithashtu mungesën e koherencës së strukturave drejtuese të tij. Ish-Presidenti Nishani dhe Presidenti i Republikës Meta, e dënuan këtë akt të turpshëm, jo vetëm për qendrimin e gabuar por edhe për faktin se u shmang institucioni i Presidentit. Liderët e Republikës së Kosovës u distancuan nga nga ky akt. Organizata të ndryshme dhe populli shqiptar në përgjithësi e dënoi ashpër qëndrimin e qeverisë Rama.
Deklarata e Vatrës, me kryetar Dritan Mishto, dënoi qeverinë e Tiranës, për aktin e papërgjegjëshem dhe bëri thirrje shqiptarëve kudo në botë, që të ndërgjegjësohen për vlerën e lirisë si gjëja më shtrenjtë.
Pas kësaj ngjarje të shëmtuar trashanikët e përfaqësive diplomatike dhe përfaqësuesja e Edi Ramës në OKB, do ta kenë shumë të vështirë për t’u përballur me komunitetin shqiptar (sidomos me nacionalistët) në Amerikë dhe kudo nëpër botë. Nëse ne shqiptarët padallim, brenda vetes kemi pardonuar njëri-tjetrin dhe kemi harruar shumë gjëra, akti i fundit i qeverisë Rama, është i pafalshëm se ka cënuar rëndë ndjenjën kombëtare, besën ndaj mikut më të shtrenjtë të Shqipërisë, Amerika. Çfarë po ndodh, asgjë nuk është e rastësishme…
Ka ardhur koha që krerët e Diasporës me në krye Vatrën, të mblidhen për të ndërtuar një strategji të re për të larguar qeverinë tradhëtare të Tiranës, dhe kjo, jo në emër të ndonjë partie të caktuar, por në emër të interesave historike të popullit të shumëvuajtur shqiptar!!!