• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

At Zef Pllumi – Institucioni që u rezistoi kohëve

August 28, 2019 by dgreca

Nga Anton Cefa/

          Pata fatin ta njoh dhe disa herë të shkëmbej me të mendime për problemet më të ndryshme, d. m. th. të dëgjoj fjalën e tij përherë origjinale. Si relike të shenjta do t’i ruaj veprat e tij me ato dedikime miqësie e dashurie. 


I fisëm e i pasur në shpirt, i mprehtë e kategorik në gjykime, absolut në besim, energjik dhe organizator në veprim, i paepur në punë e përpjekje, i përvujtë dhe i dashur. Një personalitet i rrallë, ku shkëlqente mbi çdo dimension tjetër liria e plotë në mendime, krejtësisht e pakufizuar. Sa herë me vete e kam krahasuar me heroin tonë të “Liris së Mejtimit”, Nolin, për këtë atribut të çmueshëm të njeriut, që është pasqyrë e një formimi të plotë, e një karakteri të fortë dhe e një ndërgjegjeje të pastër e të guximshme. Zëri i brendshëm i ndërgjegjes duket se çdo njeriu i thotë se Zoti e ka lindur të lirë. Të lirë në mendim, për të zbuluar thelbin e sendeve dhe të dukurive e për të shmangur të keqen; të lirë në vullnet, për të sendërtuar të mirën. 

* * * 
Ishte më i riu i Etënve të zhgunave shqiptarë të Shen Françeskut, kur At Marin Sirdani, historiani i shquar dhe mësuesi i tij, në kohën që oficera të UDB-ës po merrnin në “dorëzim” nga oficera të Sigurimit tonë materiale të Arkivit të Fretënve (që ishte unik në Shqipëri, fillimet e të cilit mbërrinin në vitin 1415 dhe kishin vazhdimësinë e dokumentave kishtare dhe shoqërore historike-ekonomike deri në ato ditë), për t’i çuar në Beograd, e porositi: “Rrno vetëm për me tregue”. Dhe Padër Zefi, kështu e kemi thirrur gjithmonë, e pati peng të jetës së tij këtë porosi. Rroi dhe tregoi. Me antologjinë e kujtimeve dhe botimet e tjera dhe me gjithë veprimtarinë e tij në dobi të kishës, të Urdhnit të Shen Françeskut dhe të Atdheut, sfidoi vdekjen dhe pavdekësoi veten. Tani që nuk e kemi më fizikisht, e kemi në Panteonin e lavdishëm të personaliteteve më të larta të kombit dhe, sidomos, në një hauz të veçantë të atij Panteoni, në atë të paraardhësve dhe mësuesve të tij të mëdhenj: Gjergj Fishtës, Shtjefen Gjeçovit, Pal Dodajt, Ambroz Marlaskajt, Vinçenc Prendushit, Marin Sirdanit, Anton Harapit, Justin Rrotës, Martin Gjokës, Bernardin Palajt, Donat Kurtit, Benedikt Demës, Gjon Shllakut, etj. 

E prisnin shumë punë mbasi u lirua nga burgu dhe u rrëzua diktatura. Filloi me njëherë nga puna, me një “Ut heri dicebamus – Siç thonim dje”, duke na treguar, nëpërmjet një anekdote, se si duhet t’i hapte rrugë progresit inteligjencia shqiptare: “Në kohën e Mesme, në një ndër ato vende ku ishte në fuqi Inkuizicioni, dënuen nji mendimtar me dhetë vjet burg. Kur duel prej burgut ai kthej gjithnji në katedrën e Universitetit ku kishte mësue dikur dhe filloi leksionin me këto fjalë: “Ut heri dicebamus – Siç thonim dje”. Kështu veproi edhe At Zefi për “me lidhë fijet me të kaluemen”, duke u bërë interpret dhe vijues i ideologjisë kombëtare të Françeskanëve të Mëdhenj, i atdhedashurisë dhe i veprimtarisë së tyre kulturore. 

Duhej të kryente të gjitha detyrat e një institucioni, Institucionit të Françeskanëve, të hidhte në çdo “truall” të tij një gur të qëndrueshëm themeli. Mbi të gjitha duhej të ngrinte Kishën Françeskane, që i ka hedhur themelet ne vendin tonë që në mesjetën e hershme, dhe që i ka sjellë aq e aq të mira atdheut, të organizonte besimin, të hapte kuvendin e shkollat, të shkruante kujtimet dhe të jepte mendimin e tij për ndërtimin e demokracisë, të krijonte bibliotekën, të hidhte bazat e arkivit, të ndërtonte shtypshkronjën, të ribotonte veprat e harruara, të mohuara e të blasfemuara për 50 vjet të profesorëve të tij, dhe sa e sa punë të tjera që ia ngarkoi vetes dhe i kreu më së miri. Edhe pse qe i kaluar nga mosha, i lodhur nga burgjet dhe i sëmurë. 
Në vitin 1993, rifilloi botimin e revistës “Hylli i Dritës”, revista më e vjetër e kulturës shqiptare, themeluar nga At Gjergj Fishta në vitin 1913, dhe të ngritur prej tij dhe sivëllezërve të tjerë të Urdhnit në kulm jo vetëm të kulturës shqiptare, po edhe asaj ballkanike. Ai filloi të botojë revistën, sepse “shtielli i punëve e ngjarjeve të vendit tonë sot ngarkon me përgjegjësi çdo shqiptar e aq ma tepër intelektualët”. “Çdo dritë sado e vogël që të jetë, shkruan ai, e largon terrin. Sigurisht që një hyll në mos pastë aq dritë sa me ndriçue ku të vemë kambën, së paku na shërben se ku ta drejtojmë hapin. Hylli Polar nuk asht ma i ndritshmi në konstelacionin e vet, por për njerëzit udhëtarë asht ma i randësishmi: aty synon redaksia e kësaj reviste.” 
Përveç dorëshkrimeve dhe një pjese të publicitikës, që presin botimin, na la këto vepra të botuara: trilogjinë “Rrno për me jetue” (botuar, pj. I , 1995; pj. II, 1997; pj. III 2001); “Françeskanët e Mëdhaj” (2001), “Antipoezi për shekullin XX” (2001), “Ut heri dicebamus . . . Siç thonim dje . . . “ (2002); “Para nji mijë vjetëve – Ngjarje të Dheut të Arbënit” (tre skenarë filmash; 2003); “Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo 1756 – 1788) Kronikë e gojdhanë”, (2004); “Historia kurrë e shkrueme” (Intervistë, 2006); në dorëshkrim: “Saga e fëminisë”. 

* * * 

Në shkrimet publicistike, intervistat, veprat, sidomos në “Rrno vetëm për me tregue”, ai i ka bërë një analizë shkencore periudhës së diktaturës dhe ka përvijuar detyra konkrete për ndërtimin e një Shqipërie të lirë e demokratike. Para së gjithash, ai na porositi të mos harrojmë për asnjë moment të kaluaren, si kusht të domosdoshëm për të ndaluar kthimin e saj dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të mirë. 
Kultura e gjerë, edukata kombëtare, aftësitë e shquara intelektuale, liria e mendimit, i hapën shtigje për konceptime origjinale në trasetë e filozofisë, sociologjisë, historisë, politikës, kulturës, gjuhës, letërsisë, artit, etj., me moton strikte të një lufte të hapur për një ideal të pastër kombëtar. Ishte i pajisur, gjithashtu, me gjenuinitetin, thjeshtësinë dhe qartësinë, me të cilat i parashtronte mendimet e tij. 
Toni dhe tehu i shkrimeve të At Zefit është kritik e polemik. Kritikë dhe polemikë që buron nga ideali dhe ndjenja kombëtare e kristiane. Sa për ilustrim, po ndalem shumë shkurt në ndonjë mendim me vlerë të At Zefit për ndonjë problem të rëndësishëm. 
Me rastin e 80-vjetorit të Pavarësisë së Atdheut, në Fjalimin e mbajtur përpara një grupi studentësh shqiptarë në Padovë, me 28 Nëntor 1992, ai tha: “Ashtë nji realitet i idhtë sot, se ndërsa përkujtojmë 80-vjetorin e Pamvarësisë, e Lirisë së popullit shqiptar, ne gjindemi në po ato kushte, në po ato rrethana, me po ato probleme, me po ato vështirësi që kishin të parët tonë. Një popull që për 80 vjet nuk ka ba nji hap përpara në historinë e vet, nuk ka përse t’i thuri vedit lavdime.” 
Vërtet, historia jonë disa herë ka pretenduar kthesa, që ne shqiptarët nuk kemi mundur t’i realizojmë. Kështu ka ndodhur fill mbas Kongresit të Lushnjes, në kohën e Lëvizjes së Qërshorit dhe në vitet ’90 të shekullit që shkoi, në këtë periudhë që ne e quajmë tranzicion drejt demokracisë dhe qytetërimit europian, dhe që At Pllumi e ka përcaktuar si “demokracia shqiptare me dy diktatorë”. “Hapni sytë e shikoni realitetin me sy – shkruan ai – shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse? . . . Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën . . . Shka na mungon ne që mos të jemi si evropjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut”. 
Një ndihmesë të veçantë për historinë tonë kombëtare përbën libri “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës (At Erasmo Balneo, 1756-1788; Kronikë e gojdhanë”, ku flitet për bashkëpunimin e parë historik ndërmjet myslimanëve e kristianëve për me krijue një shtet të pavarun shqiptar, në çerekun e tretë të shek. XVIII, realizuar nga Mehmet Pashë Bushati. At Pllumi e quan këtë fakt: “E para shkëndi e pamëvarësisë së Shqipnisë nga pushtimi osman.” Dhe shton “në historinë zyrtare nuk vërehet ky fenomen, ndoshta edhe errësohet qëllimisht”. Gjithashtu, tregohen përpjekjet e sukseshme të Karamahmud Pashë Bushatit për t’u shkëputur nga Porta e Lartë dhe projektet e tij për formimin e “Konfederatës Ilirike”. “Ky shtet i lirë, i drejtuem prej tij, shkruan ai, do të përfshinte banorë myslimanë, katolikë e ortodoksë me të drejta të barabarta kombësije, gjuhe e feje” dhe do të përfshinte, në vija të përgjithshme, trojet e popullit tonë. 
Mendimet e At Pllumit kanë shpesh herë vlerë universale. Duke u nisur nga pozicioni i tij fetar, si besimtar i bindur, njohës dhe adhurues i Zotit, ai kritikon në rrafsh filozofik e praktik dy rrymat filozofike që mbizotëruan gjatë shek. XX: materializmin dialektik, komunist marksist-leninist, që ai e quan “religjion të kurrgjasë”, dhe materializmin praktik a kapitalizmin konsumist, sepse të dyja këto rryma “mbërrijnë në të njajtin vlerësim të njeriut, e çmojnë sikur të ishtë nji vegël ose nji vidë n’impjantin e madh të prodhimit material”. Është i madh dëmi kombëtar i edukatave të bazuara mbi këto dy doktrina. “Demoralizohem shumë – shkruan ai – kur shof turmat e popullit tonë të katandisun në greminë, ndoshta edhe ajkën e rinisë, pa nji ideal të naltë, por vetëm në kërkim të nji përfitimi material aq të ultë – pasojë e nji edukate të gjatë materialiste.” Herë mbas here, ai ka shtruar problemin e edukimit shpirtëror e kombëtar të rinisë e të popullit si kusht të domosdoshëm të progresit kombëtar. 
Përballë “materializmave”, në bazë të filozofisë, ai vë repektin ndaj njeriut. Pa respektuar njeriun nuk mund të ndërtohet një shoqëri mbi baza të shëndosha morale, juridike, sociale, politike, ekonomike, etj.; nuk mund të ketë progres shoqëror.“Të gjithë ata që me teori ose me praktikë e kundërshtojnë Zotin me siguri që nuk do ta respektojnë njeriun, por do ta përbuzin e nëpërkambin.” Respekti ndaj njeriut kërkon nga shteti e nga shoqëria t’i njohë e t’i sigurojë atij lirinë: lirinë e mendimit, ndërgjegjes, besimit, fjalës, shtypit, etj. Mbi çdo gjë At Pllumi vlerësonte lirinë vetiake, pa të cilën nuk mund të shprehet plotësisht personaliteti i njeriut dhe të sigurohet liria e vërtetë shoqërore e kombëtare. “Liria vetjake asht themeli i të gjitha lirive: i asaj shoqërore e i asaj politike”, shkruan ai.“Të gjithë njerëzit i kemi të drejtat e barabarta. Nuk i kemi aftësitë. Por ata që i kanë aftësitë ma të mdha se të tjerët, nuk kanë të drejtën të sundojnë mbi të tjerët e t’i shfrytëzojnë. Unë jam për njëriun e lirë ose lirinë e njeriut. Kurrkush nuk ka të drejtë ta cenojë atë, as nga pikëpamja kombtare, as fetare.”. 
Pllumi ka vënë në dukje dhe ka kritikuar ashpër mungesën e plotë të lirisë në periudhën e diktaturës, që u ngrit dhe sundoi me parullën “Liri Popullit!”. Pllumi shkruan: “Vetëm ata (duke pasur parasysh sundimtarët në regjimin komunist) kanë pasë liri e këtë liri e kanë shfrytzue për të shkatërrue popullin shqiptar në të gjitha pikëpamjet.”. “Për mbajtjen e pushtetit me dhunë u flijua liria individuale dhe çdo liri tjetër. Por ai ka kritikuar edhe shpërdorimin e lirisë së fituar mbas rënies së komunizmit, kur liria e ndërgjegjes u kuptue se individi kishte të drejtë me përmbysë çdo ligjë morale e mos me iu bindë asnji ligje shtetnore.” 
Në një rast, duke vlerësuar lart shqiptarët e traditës, në mënyrë të veçantë ata të maleve, për çmimin e lirisë, (“shqiptari i vërtetë ka shpirtin e lirisë dhe të ndjenjave ma njërëzore”), ai shfren ashpër për rënien morale të popullit gjatë periudhës së regjimit komunist: “këtë popull skllav, që për çudi, brohoriste se ish ma i liri i botës.” 
Duke i njohur lirisë burimësinë hyjnore, motoja e konceptitmit të tij për këtë atribut shpirtëror është thënia e Shen Palit: “Ubi Spiritus Domini, ibi libertas – Ku asht shpirti i Zotit, aty asht liria.” 
I thirrur prej presidentit Mojsiu për t’u nderuar në emër të kombit, i veshur me zhgunin e shajaktë të fratit, i lidhur me konopin e Shen Françeskut, si i dalë prej një kapitulli të kahmotshëm të historisë së Françeskanëve shqiptarë, i zhytur në një përvujtni shpirtërore e fizike, që e tradhtonte herë pas here shikimi disi rebel i syve të tij të skiftertë, dëshmoi se e pranonte nderimin që iu bë: “si përfaqësues i pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion i vërtetë, që u rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”, 
si vlerësim i nderimit që i bën kombi bëmave të paraardhësve të tij. 
Ndoshta, proza e tij e shtruar, e thjeshtë, e ndërprerë nga dialogjet mjeshtërore, me pajën e pasur e të larmishme të përshkrimit të ngjarjeve e personaliteteve, njëmendësuar shpesh edhe nga një stil anekdotik, i dhanë atij “Penën e Artë” në letërsi. 
Tani që vdiq, më bëhet t’i them: ti vdiqe At Zef, duke pyetur për “Hyllin e Dritës” dhe me dëshirën për të vdekur në Shqipëri, por ti je gjallë, do të rrosh për të na treguar çfarë ndodhi gjatë viteve të diktaturës dhe pse ndodhi, dhe për të na ravijëzuar vizionet e së ardhmes për atdheun dhe popullin tonë; do të jesh përgjithnjë me ne, me shkrimet që na ke lënë dhe me gjurmët e pashlyeshme të jetës dhe të punës sate.

Filed Under: Featured Tagged With: At Zef Pllumi-Institucion-Anton Cefa

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT