


-Duke shprehur nderin që sot është bashkë me pjesëtarët e Batalionit “Atlantiku”, të cilët 20 vjet më parë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri Haradinaj, dekoroi këtë Batalion me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, si dhe iu dhuroi librin me portrete të Skënderbeut, kryeheroit kombëtar shqiptar, i botuar me rastin e Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu/
-Komandanti i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, tha se ky batalion mblidhte të rinj nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*
PRISHTINË, 18 Prill 2019/ Luftëtarët e lirisë, shqiptarë nga Amerika të Batalionit “Atlantiku”, të cilët 20 vjet më parë iu bashkuan luftës për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot janë pritur me flamuj kuqezi të ngritur në sheshet e Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës, shtetit të dytë të shqiptarëve, që këtë vit feston 20 vjet Liri e 11 vjet Pavarësi. Të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e duke qëndruar edhe në Shqipëri, ata po vizitojnë e urojnë Kosovën, ku mbërritën rrugës kah në 1999-tën erdhën për të luftuar për Liri e Pavarësi Shqiptare.
Batalioni “Atlantiku” është moment i veçantë në historinë e vendit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes që iu bëri sot delegacionit të Batalionit “Atlantiku”.
“Vendimi juaj që të bëheni pjesë e luftës për liri të kombit, atdheut tuaj dhe njëkohësisht ardhja juaj për të kryer detyrën ndaj atdheut prej Amerikës dhe viseve tjera, e ka shënuar një ngjarje të veçantë në historinë tonë”, theksoi kreu i Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Haradinaj shprehu respektin më të lartë për pjesëtarët e këtij batalioni dhe të gjithë bashkëkombësve kudo që janë, të cilët erdhën në momentet më të vështira për t’iu bashkuar luftës për lirinë e vendit.
Kryeministri Haradinaj dhe të pranishmit në këtë takim nderuan me një minutë heshtje të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.
Duke shprehur nderin që sot është bashkë me pjesëtarët e Batalionit “Atlantiku”, të cilët 20 vjet më parë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryeministri Haradinaj, dekoroi këtë batalion me medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për kontributin e dhënë për lirinë e atdheut, si dhe iu dhuroi librin me portrete të Skënderbeut, kryeheroit kombëtar shqiptar, i botuar me rastin e Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
“E kam një dëshirë dhe ajo është që, të rënët për liri, të luftërave ose të luftës së fundit, të fundshekullit që e lamë, të zënë vend dhe kjo nënkupton që të mos i lëshojnë rend të tjerëve me vdekë dhe bien në fusha të nderit, pra për ato të drejta që i kemi fituar”, tha kryeministri Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj tha se e drejta jonë zë vend, nëse zënë vend dëshmorët, sepse në të kundërtën nëse lëkunden ata, e drejta jonë lëkundet dhe do të përsëritet prapë brez pas brezi.
Ndërsa, në emër të delegacionit të Batalionit “Atlantiku”, foli Hysni Syla, i cili pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe organizimin, tha se është karakteristikë e veçantë e Batalionit, sepse në të marrin pjesë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.
“Themelimi i këtij Batalioni ishte me një mision të posaçëm dhe të shenjtë, për t’iu treguar edhe Kosovës edhe Shqipërisë se, edhe pse shqiptarët largohen nga atdheu në momente të caktuara, atëherë kur thërret vendlindja, kur thërret atdheu, shqiptarët janë të gatshëm çdoherë t’i lënë shtëpitë dhe familjet e tyre, biznesin dhe t’i përgjigjen atdheut. Këta burra iu përgjigjen atdheut”, tha Syla.
KRYEPARLAMENTARI VESELI TAKOI DELEGACIONIN E BATALIONIT “ATLANTIKU”
Me një minutë heshtje për dëshmorët, ka filluar takimi i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me ish-pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët 20 vite më parë nga Amerika iu bashkëngjitën luftës në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli tha se lufta çlirimtare nuk do të kishte kuptim pa kontributin e bashkëatdhetarëve. Ai çmoi lart gatishmërinë e bashkatdhetarëve për të lënë jetën e rehatshme në shtëpitë e tyre dhe për t’iu bashkuar luftës çlirimtare në Kosovë, deri në sakrificë.
Veseli tha se vrasësit e tre dëshmorëve, vëllezërve Bytyçi, nuk janë përgjigjur ende për krimin e tyre, edhe pse, sipas tij, ata janë të njohur.
“Edhe pas dy dekadash, shteti serb nuk po denjon të pranojë krimet që ka bërë në Kosovë, duke tentuar të mohojë masakrat mbi civilët e pafajshëm shqiptarë”, theksoi Veseli.
Ai tha se është obligim e atyre që kanë mbetur gjallë që të vazhdojnë punën në forcimin e shtetit të Kosovës, ngase, siç tha ai, sa më i fortë të jetë shteti, aq më fuqishëm mund ta kërkojë të drejtën e vet.
Komandanti i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu, tha se ky batalion mblidhte të rinj nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare, duke përbërë kështu, siç tha ai, një Shqipëri në miniaturë.
“Pas 20 vjetëve vendosëm të rikujtojmë rrugëtimin tonë, duke përkujtuar gjithashtu të gjithë ata që dhanë më së shumti, për të arritur këtu ku jemi, në shtetin e Kosovës, të lirë dhe pavarur. Sa herë vijmë këtu shohim ndryshime pozitive. Ju falënderojmë ju si kryetar i Kuvendit dhe institucionet e tjera për punën tuaj në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të vendit”, theksoi Shehu.
Në takim diskutuan edhe anëtarë të tjerë të delegacionit, Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, admiral Skënder Doçi, komandant i parë i batalionit, e të tjerë, të cilët evokuan kujtime nga lufta e 20 vjetëve më parë.
*Per me shume fotografi shihni ne Facebook-Gazeta Dielli