
Akademi Përkujtimore për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, me rastin e rivarrimit të tyre/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

PRESIDENTI THAÇI: SOT E PËRGJITHMONË, ESHTRAT E KATËR BIJVE TË KOSOVËS DO TË JENË PRANË NJËRI–TJETRIT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë homazhe dhe ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heronjtë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, me rastin e rivarrimit të tyre.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot në panteonin e lirisë po vendosen eshtrat e katër heronjve të Kosovës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Agron Rrahmanit dhe Bahri Fazliut, me nderimet më të larta shtetërore dhe institucionale.

“Nga sot e përgjithmonë, eshtrat e katër bijve të Kosovës, që dhanë jetën për idealin jetësor, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për bashkim kombëtar, do të jenë pranë njëri-tjetrit. Do të jenë, do të pushojnë pranë simbolit të kombit, babait të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë, Afrimi e Fahriu këtu e tridhjetë vjet më parë, Bahriu e Agroni 21 vjet më parë.
Këta katër heronj, sipas kreut të shtetit, përfaqësojnë më së miri dy deceniet e fundit të shekullit njëzet të historisë së re të Kosovës.
“Të rritur me frymën liridashëse, me edukatë të lartë atdhetare, ata ishin pjesë udhëheqëse e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë gjithë energjitë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se secili prej tyre, me gjithë vështirësitë, treguan vendosmëri dhe pathyeshmëri në rrugën drejt lirisë.
“Afrim Zhitia ishte ndër të burgosurit politikë shqiptarë më të rinj që doli nga burgu edhe më i vendosur, edhe më i formuar edhe më i përkushtuar për ta vazhduar rrugën e çlirimit të Kosovës. Ishte njëri ndër udhëheqësit që i dha frymë Lëvizjes politike kombëtare për Republikën e Kosovës, i dha drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit më tej ka thënë se Afrimi, së bashku me Fahriun, më 2 nëntor 1989 ranë trimërisht, duke dëshmuar se Kosova ka njerëz të vendosur dhe të patrembur, që nuk dorëzohen, por luftojnë me armë në dorë përballë shtetit të Serbisë.
“Bahriu dhe Agroni të kalitur në demonstrata dhe të formuar në organizimin e fshehtë politik, duke e parë të domosdoshme luftën e armatosur për çlirim, i dhanë fuqi dhe energji të re Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ranë heroikisht në krye të misionit të tyre, në pranverë të viti 1998. Bahriu në hapësirat shqiptare në Mal të Zi. Agroni në qendër të Prishtinës”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi më tej ka shtuar se liria, pavarësia dhe themelet e shtetit të Kosovës kanë rrënjë të thella historike.
“Ne që patëm fatin të jetojmë lirinë jemi krenarë që kemi njohur veprimtarë e punuar së bashku me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun, Agron Rrahmanin, Bahri Fazliun, Hasan Ramadanin e të tjerë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se krisma e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut, pas atyre të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, ishin krismat e para që paralajmëruan ardhjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i vendit ka thënë se jemi krenarë me Zahirin, Hakifin, Edmondin, jemi krenarë me komandantin legjendar Adem Jashari dhe me 2 mijë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse, sipas tij, është gjaku i këtyre dëshmorëve që dëshmojnë për Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.
Presidenti Thaçi shtoi se asnjë tendencë, as përpjekje ngado që vjen nuk do të arrijë ta njollosë dhe përbaltë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në radhët e saj luftuan dhe u sakrifikuan djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të mira të kombit. Sot, Kosova, të gjitha kategoritë e dala nga lufta i trajton dhe do t’i trajtojë edhe më me dinjitet. Familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës së UÇK-së, veteranët janë krenaria jonë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se njëzet vjet pas luftës Kosova ka shënuar të arritura të mëdha, por ende ka sfida të mëdha të forcimit të shtetësisë së saj.
“Një gjë jam i sigurt: jemi në rrugë të drejtë dhe do të realizojmë objektivat tona, atë të forcimit të shtetit, në një të ardhme edhe të bashkimit kombëtar”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi në fund ka thënë se duke respektuar dhe vlerësuar lartë kontributin jo vetëm të heronjve që kanë ra me pushkë në dorë, por duke pasur parasysh edhe sakrificën e familjeve të tyre, si president i vendit, por edhe si bashkëluftëtar i heronjve të kombit, ndjen obligim kushtetues dhe ligjor, por edhe obligim moral, politik dhe kombëtar, që t’i ndajë “Urdhrin e Lirisë” familjes së Osman Zhitisë, familjes Fazliu dhe familjes Rrahmani.
KRYEMINISTRI NË DETYRË HARADINAJ: GJAKU I AFRIMIT, FAHRIUT, BAHRIUT E AGRONIT, ËSHTË PRAGU I SIPËRM I KRENARISË SONË KOMBËTARE
“Gjaku i Afrimit, Fahriut, Bahriut e Agronit është pragu i sipërm i krenarisë sonë kombëtare dhe i vlerave më të larta, i cili nuk shkelet, as sot as kurrë. Kosova për të cilën ata luftuan, përket në botën të cilës i prinë Amerika, kurse brezi i sotshëm, që ka aq vjet sa ata kur ranë, janë në rreshtin e paqes, përkrah ushtrive të NATO-s”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore të Heronjve të Kombit Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani, organizuar nën patronatin e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës.
Fillimisht kryeministri në detyrë Haradinaj, bëri homazhe në e hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të vazhduar më pas në Akademinë Përkujtimore për heronjtë e kombit.
Në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë dy figurat më emblematike të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, pas Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Nuhi Berishës e Rexhep Malës.
“Patriotë të frymëzuar nga epopetë shqiptare dhe guximtar të pashoq, pa të cilët historia e Kosovës do të merrte rrjedhë tjetër, thjeshtë, ata e mbajtën ndezur flakën e kryengritjes për liri, për të cilën Fazli Grajçevci ishte flijuar kurse Adem Demaçi vuante në qelitë e burgjeve ma të rënda duke e skalitur idenë e lirisë me butësi zemre e fuqi mendje”, shtoi kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se të njëjtët u betuan kur shumë të tjerë shkelen betimin, u nisën rrugës së lirisë, kur tjerët u zmbrapsen, e mundën frikën, kur pothuajse kryengritja ishte shuar!
Ndër tjerash, kryeministri në detyrë, Haradinaj, theksoi se që nga viti 1988 duke qenë shtylla të organizimit të Lëvizjes Çlirimtare, ata po e strukturorin kryengritjen dhe më 1989 ishin ndër organizatorët kryesorë të grevave të minatorëve dhe demonstratave të 31 tetorit dhe 1 nëntorit 1989.
“Ata ranë më 2 nëntor 1989 në luftime, sepse lufta e armatosur ishte i vetmi mjet për ta fituar lirinë dhe, Afrimi e Fahriu, pas tyre Bahriu e Agroni, janë ndër ushtarët e parë të përpjekjeve tona për liri, guerilët e parë urban të Prishtinës. Afrimi e Fahriu i prinë kolonës, të cilës do t’i bashkoheshin pastaj Bahriu, i vëllai dhe Agron Rrahmani, vëllai tjetër për nga armët si dhe rreshti i gjatë i UÇK-së”, shtoi tutje, kryeministri në detyrë Haradinaj.
Rivarrimi i eshtrave të katër heronjve këtu në Kryeqytet, në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, siç tha kryeministri në detyrë Haradinaj, është ribashkim i tyre, në paqe, siç ishin në luftë, jo vetëm për nderim por edhe si dëshmi se Kosova, e drejta e saj, sovraniteti dhe paprekshmëria e territorit të saj, janë kauza që kanë pasur çmim të lartë, së këndejmi janë të panegociueshme.
“Luftëtarët e lirisë janë këtu, të bashkuar, qe mesazhi i tyre të jetë synimi ynë, që të na mbajnë zgjuar në mbrojtje të lirisë sonë, sot, kur në tavolinat anti Kosovë po vizatohen harta të reja, harta anti – shqiptare dhe rrënuese të paqes. Pushoni të qetë Heronj, ushtria e Kosovës është në rojë të pragut të lirisë! Lavdi”, përfundoi fjalën e tij kryeministri në detyrë Haradinaj.
Pas Akadamisë Përkujtimore, kryeministri në detyrë Haradinaj mori pjesë edhe në Ceremoninë e Rivarrimit në Varrezat e Heronjve në Velani- Prishtinë.
KRYEPARLAMENTARI VESELI BËRI HOMAZHE PËR HERONJTË AFRIM ZHITIA, FAHRI FAZLIU, BAHRI FAZLIU DHE AGRON RRAHMANI
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë arkivoleve të heronjve Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani.
“Pas më shumë se 30 vitesh bëhen bashkë në Prishtinë vëllezërit e luftës dhe idealit. Fat jo i lehtë i asaj gjenerate, asaj rinie. Por, ata ishin dhe mbesin shembull si duhet t’i shërbehet kombit. Krenar që i njoha dhe punova me ta. Nderim përjetë Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani!”, ka thënë me këtë rast Veseli.
Po ashtu, kryeparlamentari Veseli shkroi edhe në librin e përkujtimeve.Nga ora 10:00 në hollin e Kuvendit po bëhen homazhe për katër heronjtë, me rastin e rivarrimit të tyre.