
-Dokufest, mirëseardhje përsëri festivaleve partnere nga North South Documentary Network, AmDocs nga Palm Springs (Kaliforni) dhe DocsMX nga Meksiko Siti me përzgjedhjet e tyre përkatëse, duke ofruar kështu një dritare përmes së cilës shikohen filma të rinj që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika/

-Në ditët e Dokufest edhe “Ecje historike nëpër Prizren” në organizimet e posaçme për diasporën/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRIZREN, 3 Gusht 2019/ Nisi në Prizren në atmosferë feste Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest, në edicionin e 18-të, me sloganin “Truth Lies Here”, me temë të vërtetën përballë rrenave, me një video vetëm 2 minuta e 25 sekonda, ku mes tjerash derisa në ekran shfaqen fjalët e së vërtetës “Kosova është Kosovë” dëgjohet në serbisht rrena “Kosova është Serbi”.
Para fillimit mbrëmjen e djeshme, organizatorët kanë paralajmëruar: “Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit të 18 të festivalit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve. Në atë që premton të jetë një program i filmave radikalë, me një numër folësish që do të diskutojnë nocionin e së VËRTETËS, si në kinema ashtu edhe në botë dhe përmes një programi të ekspozitave të hapura, ligjëratave nga artistë të ndryshëm, punëtori bashkëpunuese si dhe performanca muzikore të larmishme, ne ju ftojmë t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëgjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peisazhit dixhital të së post-vërtetës”.
Në ceremoninë e hapjes në kono “Lumëbardhi”, ndryshe nga herët tjera, nuk kishte fjalime të rganizatorëve e drejtuesëve të Dokufest, ku prej 2 deri në 10 Gusht 2019 rreth 280 filma do të shfaqen në kinematë në qytetin e Prizrenit që nga buzëlumi e deri lart te Kalaja.
Drejtor Artistik i Dokufest, Veton Nurkollari, duke shprehur kënaqësi të madhe dhe uruar mirëseardhje në Prizren dhe në edicionin e 18-të të festivalit, mes tjerash, ka shkruar: “Jemi të lumtur që vazhdojmë bashkëpunimin me Akademinë Evropiane të Filmit në sjelljen e EFA Short Matters për herë të shtatë radhazi në DokuFest. Jemi po aq të lumtur t’i urojmë mirëseardhje përsëri festivaleve tona partnere nga North South Documentary Network, AmDocs nga Palm Springs (Kaliforni) dhe DocsMX nga Meksiko Siti me përzgjedhjet e tyre përkatëse, duke ofruar kështu një dritare përmes së cilës të shikojmë filma të rinj që vijnë nga SHBA-të dhe Meksika”.
Mes pjesëmarrësve të shumtë në Dokufest-in e Prizrenit janë edhe shqiptarët nga diaspora, të ardhur nga shumë vende të botës për pushimet e verës në atdhe. “Ecje historike nëpër Prizren” është aktiviteti që zhvillohet sot, i pari i organizimeve të posaçme të Dokufest për diasporën-mërgimtarët e ardhur në vendin e tyre…
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.
Ndërsa para 20 viteve, në 15 Korrik 1999, në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, Prizren, ishte aktiviteti i parë i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri i pas luftës – një koncert i artistëve shqiptarë për festimin e arritjes së lirisë së Kosovës.(Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra)