
-Në Kosovë 347 ushtarë-rekrutë të rinj të FSK-së betohen solemnisht për shërbim ndaj Atdheut/

-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli para Ushtrisë së Kosovës: Kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë dhe të paprekshëm/
-Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha në betimin e rekrutëve të rinj: Ju jeni gjenerata e parë e ushtarëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 9 Gusht 2019/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Ushtrisë së Kosovës, tha se shteti ynë nuk e kërcënon askënd, por as nuk do të lejojë askënd ta cenojë atë.
Ai tha se integriteti territorial dhe kufijtë e shtetit tonë janë të shenjtë, të paprekshëm, sot dhe përgjithmonë.
Para kadetëve të rinj, kryeparlamentari Veseli e konsideroi ditën e sotme ditë krenarie për të gjithë, ndërsa të qenit pjesëtarë të ushtrisë më të re në botë, ai e cilësoi privilegj për të cilin do të kenë lakmi gjeneratat që do të vijnë pas.
“Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, të lindur e zhvilluar në partneritet me NATO-n, Aleancën më të fuqishme në botë, garantuese e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Ne sot ndihemi krenarë me ju. Ne besojmë në përkushtimin atdhetar dhe profesionalizmin tuaj. Ju e keni nderuar atdheun kudo që keni marrë pjesë në garat ndërkombëtare, njësoj si sportistët tanë. Ju u keni dëshmuar aleatëve tanë seriozitetin dhe gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e misioneve të përbashkëta në të mirë të paqes e njerëzimit. Me ju Kosova ndihet më e sigurtë në të tashmen dhe të ardhmen e saj”, theksoi Veseli.
Ai shtoi se Kosova po ndërton një ushtri e cila pasqyron shpirtin liridashës të popullit tonë, vlerat mbi të cilat qëndron shteti i pavarur e sovran i Kosovës dhe vizionin tonë për të marrë vendin që na takon në strukturat politike dhe ushtarake perëndimore.
“Ushtria e Kosovës është sot element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit e profesionalizimit të saj, për tu bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO”, theksoi Veseli, duke paralajmëruar rritjen e buxhetit për ushtrinë.
Kreu i Kuvendit tha se ka një ëndërr për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar, e të begatshëm për të gjithë qytetarët e saj.
Në kazermën “Adem Jashari” të Forcë së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, në prani të ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhanë betimin solemn për shërbim në FSK 349 rekrutë të rinj, pas përfundimit të Trajnimit Bazik nëntë-javorë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj, gjenerata e parë e FSK-së me mandat të ri, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i FSK-së, Kadri Kastrati, drejtori i Ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për FSK-në (NALT), si dhe gjeneralë të FSK-së, KFOR-it, atashe ushtarakë të akredituar në Kosovë dhe familjarë të rekrutëve të rinj.
Me këtë rast, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha foli për rëndësinë e betimit të ushtarit për shërbim ndaj vendit. “Kjo është një datë me rëndësi për karrierën dhe jetën tuaj, për FSK-në, Ministrinë e Mbrojtjes dhe shtetin e Kosovës. Nuk ka detyrë më të ndershme se sa t’i shërbesh vendit dhe të kontribuosh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë. Ju jeni gjenerata e parë e ushtarëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak. Si Ministër i Mbrojtjes, jam krenar me vajzat dhe djemtë tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, të cilët me sukseset e tyre në shkollat dhe trajnimet e përfunduara në akademitë e ndryshme të vendeve të NATO-s, kanë treguar performancë të shkëlqyer dhe kanë përfaqësuar me nder FSK-në. Pres që edhe ju ta ndiqni shembullin e tyre”, u shpreh ministri Berisha .
Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama para ushtarëve të rreshtuar, u shpreh: “Kam kënaqësinë dhe nderin që si Komandant i FSK-së të ju drejtohem juve ushtarë të nderuar, për përfundimin me sukses të Trajnimit Bazik. Ky trajnim, i cili ka zgjatur 9 javë, ka vendosur themelet bazë për karrierën tuaj ushtarake. Ky profesion fisnik kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal për t’i shërbyer vendit me nderë dhe dinjitet. Prandaj, unë sot jam shumë i lumtur që ju jeni ata të cilët me angazhimin tuaj keni dëshmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës, nga sot, në radhët e veta do t’i ketë djemtë dhe vajzat më të zotë e këtij vendi”.
Komandanti i FSK-së në fund pati edhe një këshillë për ushtarët e rinj; “Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme, andaj nga ju pritet që të jeni të disiplinuar, të përkushtuar, dhe gjithmonë të përgaditur t’i kryeni detyrat sipas udhëzimeve të eprorëve tuaj”.
Me Lavdatë për sukseset e lartë të arritur gjatë stërvitjes u shpërblyen rekrutët: Shpetim Halilaj, Luan Gashi, Diar Statovci, Donika Rexhepi, Blerta Veliu, Edmond Thaçi, Altin Krasniqi, Ermeka Muja, si dhe për shkathësi të lartë fizike u shpërblyen Gentrit Gashi dhe Doruntinë Cana.
Rekrutët të cilët sot u certifikuan dhe bënë betimin për shërbim janë gjenerata e parë për vitin 2019. Gjithsejtë 337 rekrutë, prej tyre 52 të gjinisë femërore dhe 22 pjesëtarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë.