• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në rifillimin e dialogut me Serbinë, palë e barabartë e jo temë

May 17, 2021 by dgreca

-Kryeministri Albin Kurti sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka prezantuar Programin e  Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025: Kosova nuk pranon dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë tryezë ku trajtohet si temë e dialogut dhe jo si palë/

-Në një takim në Bruksel  të raportuar në 29 Prill 2021  Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar se dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel ndërmjetësuar nga BE do të rinisë para fundit të Qershorit 2021/

-Qeveria e Republikës së Kosovës  në mbledhjen e 11-të të rregullt, në 7 Maj 2021,  ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025, ku lidhur me raportin me Serbinë theksohet: Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Serbisë nëse kjo e fundit e njeh Republikën e Kosovës dhe në veprimet dhe deklarimet e saj distancohet nga kërcënimi i Republikës së Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë në rajon me ndërhyrje politike dhe retorikë nacionaliste e shpesh edhe raciste/ 

-Fillimi në Bruksel para 10 vitesh i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën: Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”/

-Ftesë apo provokim? – Redaksional i 17 Majit 2005 i kryeredaktorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, tash korrespondent i Gazetës DIELLI)/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 17 Maj 2021/ Kosova nuk pranon dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë tryezë ku trajtohet si temë e dialogut dhe jo si palë, theksoi Kryeministri Albin Kurti sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku  ka prezantuar Programin e  Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025.

 “Zgjidhja e çështjeve të hapura me Serbinë duhet të bëhet përmes dialogut parimor. Kosova e pranon dialogun me Serbinë si palë e barabartë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, sikurse zbardhja e fatit të personave të pagjetur (të zhdukur me dhunë), borxhet dhe dëmet e luftës, reparacionet dhe suksesioni”, tha Kryeministri Kurti.

Në një takim në Bruksel  të raportuar në 29 Prill 2021  Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kanë konfirmuar se dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel ndërmjetësuar nga BE do të rinisë para fundit të Qershorit 2021.

 E drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti Qeveria e Republikës së Kosovës  në mbledhjen e 11-të të rregullt, në 7 Maj 2021,  ka miratuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021 – 2025, ku lidhur me raportin me Serbinë theksohet:

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Serbisë nëse kjo e fundit e njeh Republikën e Kosovës dhe në veprimet dhe deklarimet e saj distancohet nga kërcënimi i Republikës së Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë në rajon me ndërhyrje politike dhe retorikë nacionaliste e shpesh edhe raciste.   

  Me partnerët e saj amerikan dhe evropian, Republika e Kosovës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur njohjen e ndërsjelltë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të mirëmbajë raporte normale të bazuara në parimin e shëndoshë të reciprocitetit, dhe të jep një kontribut të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilizimin afatgjatë të rajonit.

Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror. Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv. 

Marrëveshjet e deritanishme do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre. Me opozitën do të bashkëbisedojmë rregullisht për të ndërtuar konsensus nacional në përgjithësi sa i përket politikës së jashtme, e në veçanti për raportin me Serbinë. 

Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB. Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të bisedohen. Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtar dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim.”

KOSOVË-SERBI, DIALOG 10 VJET

Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën për dialogun me Serbinë, raportoja para 10 viteve, në 10 Mars 2011 për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa në Bruksel në 8 Mars dialogu kishte filluar dhe ishte mbajtur takimi i parë dyditësh  i bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike. Në raportimin që e botonte edhe Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA,  theksoja se, “Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel”.

Fillimi në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën:

Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel do rifillojë pas konstituimit të institucioneve të zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021 në Kosovë – fituesit e të cilave Lëvizja Vetëvendosje e udhëheqë Qeverinë me Kryeministër Albin Kurtin dhe më e votuara nga të gjithë kandidatët për deputetë Vjosa Osmani është  Presidente e Kosovës.

Për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës – 17 Shkurin 2021 Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar letër urimi atëherë u.d. Presidentes Vjosa Osmani, ku theksohej edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe njohja  e ndërsjellë.

“Ne mëzi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta  çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë…”, theksohej, mes tjerash në letrën e Presidentit Amerikan Joe Biden dërguar atëherë  ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e atëherë Presidentit Amerikan Donald Trump, Kosova e Serbia u takuan në Bruksel në 7 Shtator 2020 poashtu në nivel të lartë – Kryeministri në atë kohë i Kosovës Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para rifillimit të takimeve në 16 Korrik 2020 të ish-Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takimi i fundit Prishtinë-Beograd në Bruksel, ishte zhvilluar në 8 Nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 Qershor 2018, ndërsa i dyti në 18 Korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 Shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk ka pranuar të takojë Presidentin e Kosovës Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008.

 Takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për Presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe Presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 Korrik e të katërtit në 24 Qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde në atë kohë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë Presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.

Para tetë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

PËRPJEKJET E SERBISË PËR TAKIME ME PËRFAQËSUES TË KOSOVËS PA NDËRMJETËSIM NDËRKOMBËTAR

Serbia, edhe pas vitit të lirisë së Kosovës 1999 është përpjekur vazhdimisht për takime me përfaqësues të Kosovës pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Njëfarë ftese provokuese për takim e bënte edhe para 16 viteve, për të cilën në 17 Maj 2005 në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja në ballinë shkruaja redaksionalin:

ARKIV-RILINDJA, 17 MAJ 2005: FTESË APO PROVOKIM?

Behlul Jashari

Nuk dihet: Kush e ka ftuar dhe a e ka ftuar ndokush kryeministrin e Serbisë për  të ardhë në Kosovë më 24 maj.

Nuk dihet: A do të vijë në Kosovë edhe i paftuar dhe pse?

Nuk dihet krejt edhe: Pse i bën ftesë me gazeta kryeministri i Sërbisë kryeministrit të Kosovës për takim në Prizren?

Krejt kjo duket e jashtëzakonshme, jonormale.

E duhet të dihet se nëse do të donte vërtetë të bënte ftesë për takim kryeministri serb do të duhej të propozonte takim në një vend të tretë apo ta ftonte kryeministrin e Kosovës për vizitë në Serbi.

Duhet të dihet se për takim të mundshëm në Prishtinë apo në ndonjë qytet tjetër të Kosovës kryeministri i Serbisë do të duhej ta kishte ftesën për vizitë në Kosovë.

Do të duhej të dihet se deri tash as kryeministri i Kosovës e as kush tjetër nga Prishtina zyrtare nuk e ka ftuar për vizitë në Kosovë kryeministrin e Serbisë.

Duket se me paralamërimin e ardhjes në Prizren i paftuar dhe me ftesën mediale për takim atje kryeministri serb më shumë bën një provokim duke dhënë mesazhin edhe prejudikues e të qenit të Prizrenit dhe Kosovës pjesë të Serbisë dhe Kryeministrit të Kosovës kryeministër të një krahine të Serbisë.

Derisa është kështu nuk mund të pritet se do të ndodhë takimi më 24 maj në Prizren, përkundër gatishmërisë së kryeministrit Kosumi, të shprehur disa herë, për takim me kryeministrin Koshtunica.

Derisa në Qeverinë e Kosovës thonë se nuk ka ardhur asnjë ftesë zyrtare nga Qeveria e Serbisë dhe se ftesat ndërqeveritare nuk bëhen përmes mediave, kyeministri i Kosovës dje paralajmëroi se do të ftojë zyrtarisht për takim kryeministrin e Serbisë.

Por, derisa kabineti i kryeministrit serb hodhi poshtë mundësinë se bisedimet Koshtunica-Kosumi, në vend të Prizrenit, do të mund të mbaheshin “në një territor të tretë”, në të vërtetë tregoi se Beogradi nuk është i interesuar për takime normale me udhëheqësit e Kosovës, të zgjedhurit e votës së lirë e vullnetit demokratik të popullit dhe të vendit që nuk do të jetë kurrë më nën Serbi.

(Redaksional i 17 Majit 2005 i kryeredaktorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, tash korrespondent i Gazetës DIELLI)

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, Behlul Jashari, Bisedimet Kosove-Serbi

Richard Grenell: TAKIMI KOSOVE – SERBI, 27 QERSHOR

June 15, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi: – Kosova për dialogun me Serbinë, mirëpret ftesën Amerikane/

Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Washington.

“Lajm i mirë! Kam marrë përkushtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtar në mënyrë që të takohemi në Washington, në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor për diskutime rreth dialogut”, shkroi ai në rrjetin twitter.

***

Kosova për dialogun me Serbinë, mirëpret ftesën Amerikane

Shkruan ne FB: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces. HTH

Filed Under: Opinion Tagged With: Bisedimet Kosove-Serbi, presidenti Thaci, Richard Granell

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT