• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARTA DIXHITALE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

March 8, 2021 by dgreca

-HARTA QË RIKTHEU KUJTESËN E FSHIRË SHQIPTARE-

Blerina Gjoka, drejtoreshë e Fondacionit “Kujto” – Arkiva online e viktimave dhe krimeve të komunizmit, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, krijimin e Hartës Digjitale të Kujtesës ku shënjohen në hartën e Shqipërisë të gjitha vendet që janë përdorur si burgje, kamp-burgje, kampe pune apo kampe internimi, me qëllim për të rikthyer kujtesën e fshirë shqiptare për periudhën më të errët që ka kaluar Shqipëria. Fondacioni “Kujto” ka si synim kryesor dixhitalizimin e memories së komunizmit duke sjellë dëshmi dhe dokumente për krimet e komunizmit në Shqipëri. Me gazetaren Blerina Gjoka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

Nga e djathta: Blerina Gjoka, Agron Shehaj dhe Luli Progni.

NJË HARTË DIGJITALE E BURGJEVE DHE KAMPEVE TË DIKTATURËS KOMUNISTE NË SHQIPËRI

Kampi i Goses ne Kavaje…

Projekti për ndërtimin e hartës digjitale ku të shënjohen në hartën e Shqipërisë të gjitha vendet që janë përdorur si burgje, kamp-burgje, kampe pune apo kampe internimi, lindi si nevojë për të rikthyer kujtesën e fshirë shqiptare për periudhën më të errët që ka kaluar vendi në historinë e tij shekullore. Ky projekt u realizua nga fondacioni “Kujto”, i cili është themeluar 3 vite më parë me iniciativë dhe mbështetjen financiare të z.Agron Shehaj, një biznesmen i suksesshëm shqiptar dhe politikan i së djathtës. Fondacioni “Kujto” kishte si synim kryesor dixhitalizimin e memories së komunizmit duke sjellë dëshmi dhe dokumente për krimet e komunizmit. Gjatë këtyre viteve në Kujto.al janë publikuar profilet e më shumë se 50 mijë viktimave të diktaturës komuniste, të ekzekutuar, të burgosur dhe të internuar gjatë 45 viteve. Çdo ditë ne shtojmë profile të reja në bazë të dokumenteve apo dëshmive të familjarëve. Janë mbledhur dhe publikuar qindra dëshmi të ish-të përndjekurve politikë apo familjarëve të tyre në shërbim të ndërtimit të platformës së kujtesës për komunizmin. Janë dëshmi të gjalla të vuajtjeve dhe persekutimit nën terrorin komunist. Janë publikuar një mori dokumentesh arkivore që vërtetojnë krimet e komunizmit mbi popullsinë e pafajshme. Janë realizuar 9 dokumentarë mbi ngjarje dhe personazhe që kanë shënuar qëndresën antikomuniste. Kemi mbështetur dhe të rinjtë që t’i nxisim drejt njohjes së të vërtetës duke financuar një bursë master në Degën e Historisë për studimin e krimeve të komunizmit etj. Fondacioni ka financuar dhe ndërtimin e një memoriali përkujtimor në kamp-burgun e Qafë-Barit me rastin e 35-vjetorit të revoltës së këtij kamp-burgu duke marrë dhe inciatën për emërtimin e një rruge në qytetin e Fushë-Arrëzit “Revolta e Qafë-Barit” në kujtim të djemve që u vranë pas kësaj revolte. E bëra këtë panoramë për punën e fondacionit për të kuptuar qëllimin e punës tonë për të bërë atë që nuk e kanë bërë dot, ose nuk ka pasur vullnet për ta bërë, as institucionet shtetërore të ngritura për këtë qëllim.

TERRORI KOMUNIST I SHTRIRË NË TË GJITHË SHQIPËRINË

Gjatë punës tonë kuptuam se terrori komunist ishte shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke e kthyer Shqipërinë në një burg të madh, ku përveç burgjeve klasike, funksiononin kampet e punës së detyruar që zhvendoseshin në çdo front pune ku regjimi kishte nevojë,  kamp-burgjet statike, si dhe kampet e internimit, fillimisht me tela me gjemba dhe më pas të hapura, të cilat i kishin kthyer të dënuarit politikë në skllevër pune. Harta e vendeve të vuajtjes lindi kësisoj si një projekt i ri i Fondacionit “Kujto” për të realizuar një punë të detajuar të skemës së internimeve dhe burgosjeve dhe për të shenjuar në hartë vendet që u përdoren për persekutimin komunist.  Me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer harta dixhitale e burgjeve dhe kampeve është bërë realitet me një website të dedikuar në shqip dhe në anglisht duke u bërë dhe një udhërrëfyes për studiuesit dhe lexuesit e huaj që kanë interes për periudhën e komunizmit në Shqipëri. Hartaekujtesës.al  sjell një hartë interaktive të burgjeve dhe kampeve të internimit, duke shënuar çdo vend vuajtje dhe përshkrimet përkatëse.

NGA BURGJET, TE KAMPET E PËRKOHSHME TË PUNËS DHE VENDET E INTERNIMIT

Mbi hartën gjeografike të Shqipërisë janë shënuar me simbolet përkatëse: Burgjet, Kampet e Përkohshme të Punës dhe Vendet e internimit. Duam të theksojmë, që duke qenë që flitet për një hartë, kriteri gjeografik ka qenë parësori në plotësimin e saj. Kështu, edhe pse në Shqipëri në vitet ’50, u krijuan Repartet e Riedukimit, të cilat emërtoheshin me një numër dhe i zhvendosnin të dënuarit sa nga një kantier në tjetrin, në Hartën e Kujtesës janë shënuar vendet ku kanë punuar të dënuarit politikë të këtyre reparteve që me emërtesën zyrtare numerike, publikut nuk do i thoshin asgjë. Në kategorinë Burgje bëjnë pjesë Vendet e Izolimit, “burgjet klasike”, ku të dënuarit nuk dilnin të punonin dhe Kamp-Burgjet, stacionet e përhershme të reparteve të punës, të cilat u ngritën përgjithësisht pranë minierave. Në kategorinë Kampet e Përkohshme të Punës, janë vendosur Kampet e Para të periudhës komuniste para krijimit të reparteve të riedukimit dhe Repartet e Punës, stacionet e përkohshme të periudhës së reparteve të riedukimit, ku ato merreshin me ndërtimin e një fabrike, blloku banesash, aeroporti etj. Megjithëse nga ana administrative, është po Kampi Nr. 2 që ndryshoi emërtimin në Reparti Nr.303, i cili fillimisht bëri punime, për një periudhë të shkurtër, në Peqin dhe, si përfundim, ndaloi përgjithmonë në Spaç, këto dy vende dënimesh, janë vendosur në kategori të ndryshme: Peqini, si një nga kampet e para të kampeve të përkohshme të punës, kurse Spaçi si kamp-burg. Dhe ky kriter është zbatuar në çdo rast, sipas specifikave përkatëse. Kategoria e tretë është Vende Internimi, që përmbledh vendet gjeografike ku dërgoheshin të internuarit dhe jo emërtesën zyrtare “vend internimi” që zëvendësoi në disa raste emërtesën “kamp internimi”. Kjo kategori përmban Kampet e Rrethuara të viteve të para dhe vendet e Hapura, ku internoheshin të dënuarit pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba.

DOKUMENTE DHE DËSHMI E TË BURGOSURVE DHE TË INTERNUARVE

“Harta e Kujtesës” sjell gjithashtu Dokumente dhe Dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi. Të dhënat për burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit janë mbledhur duke shfletuar Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa fonde mjaft të pasura arkivore për këtë tematike në arkivin qendror të shtetit, studimet e deritanishme në këtë fushë, ku veçojmë autorin Kastriot Dervishi, botime të ISKK dhe shtëpive botuese me autorë ish-të dënuar politikë dhe dëshmitë e shumta që Kujto.al ka mbledhur gjatë këtyre viteve. Kjo veprimtari është gjithmonë në proces për ta pasuruar nga ana e përmbajtjes dhe për ta modernizuar nga ana e paraqitjes, Hartën e Kujtesës, hartën që nuk duhej t’i mungonte Shqipërisë. Fraza postulat, “Shqipëria ishte një burg i madh, nga i cili nuk dilje dot e në të cilin nuk hyje dot”, bëhet e prekshme kur sheh mbi hartën e vendit, vend-dënimet, kampet dhe burgjet. Shqipëria ishte një burg i madh, dhe qelitë e tij ishin shtrirë kudo. Anekënd në të gjithë hartën e vendit. Nga burgu i Pleqve në Zejmen tek ai për të miturit në Shën Koll. Nga Shën Vasili në jug te burgu i grave në Belsh, Harta e Kujtesës, shënjon të gjitha vendet që u harruan në 3 dekada, nga nevoja njerëzore për të harruar dhimbjen e nga dëshira çnjerëzore për të mohuar dhimbjen e të tjerëve. Ky projekt është ambicioz, nuk është afatshkurtër. Ai kërkon punë shkencore në vazhdimësi, mbledhjen e dëshmive dhe dokumenteve që vërtetojnë përmasat e paimagjinueshme të një krimi shtetëror që mbajti të burgosur shqiptarët për afro gjysëm shekulli. Informacionet historike krijojnë një imazh të qartë, se ku ishin vendosur, në çfarë kohe funksionuan dhe si ishte jeta dhe kushtet e vështira të punës në këto kampe.

30 VITE PAS RËNIES SË REGJIMIT KOMUNIST, ISH- TË PËRNDJEKUR E ISH- PERSEKUTORË PËRSËRI NË SKENË

E para, kjo hartë kujtese i duhet Shqipërisë për shenjën e pashlyeshme që diktatura komuniste ka lënë në shoqërinë dhe historinë tonë. E dyta, kur në sistemin arsimor në Shqipëri mungon tërësisht edukimi mbi diktaturën komuniste, po rritet një brez që nuk njeh të shkuarën dhe kujt më shumë se sa të rinjve u vjen në ndihmë kjo platformë online ku ata do të përballen me të vërtetën që u është mohuar në shkolla. Dhe e treta, dhe që është më e rëndësishme na duhet një hartë e tillë për të mos harruar. 30 vite pas rënies së regjimit komunist, shumë prej ish- të përndjekurve kanë ndërruar jetë. Vendet e kujtesës, janë zhbërë herë nga padija e herë nga mungesa e vizionit. Në një anë nevoja për të harruar, e në tjetrën nevoja për të mohuar, e ka kthyer vendin tonë në një skenë ku ish- të përndjekur e ish- persekutorë, janë pothuaj sërish në të njëjtat kushte; persekutorët si mohues të asaj që ka ndodhur e ish- të përndjekurit të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin. Para disa vitesh pati një debat publik për kampin e Tepelenës, ku historianë me emër dhe grada shkencore u munduan të relativizojnë përmasat e së keqes që kishte ndodhur në këtë kamp, ku me dëshmi është vërtetuar se kanë vdekur rreth 300 fëmijë, nga uria dhe sëmundjet. Ky debat tregoi se për një pjesë të shoqërisë, ai kamp nuk ka ekzistuar. Ajo që mohohej para ‘90-ës, vijon të mohohet edhe 30 vite pas lirisë. Në mungesë të vendeve të kujtesës e muzeve që e dëshmojnë të shkuarën e afërt, jo vetëm si respekt për viktimat, por edhe si ngjarje historike, me zhbërjen e vendeve të kujtesës, me shkatërrimin  e dëshmive, duket se 47 vitet e persekutimit u fshinë përgjithnjë. Me to, edhe varret.

HARTA E KUJTESËS SI DOMOSDOSHMËRI PËR TË MOS HARRUAR KURRË

“Harta Digjitale e Kujtesës” synon të krijojë një panoramë të qartë për të rinjtë shqiptarë, studiuesit vendas dhe të huaj, pasardhësit e të persekutuarve politikë, dhe për këdo që është i interesuar që të njohë dhe të krijojë një perceptim të saktë për këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë. Shumë kampe janë sot pa asnjë gjurmë fizike, por ky udhëtim virtual e ndërton imazhin e tyre, duke u shënuar gradualisht si shenja vuajtjeje në të gjithë hartën e Shqipërisë. Në një kohë afatgjatë projekti synon të sjellë dhe një panoramë të jetës në burgje dhe kampe, ku sipas dëshmive dhe dokumenteve jeta e të dënuarve politikë ishte skllavëruese, ushqimi ishte i keq, ata nuk gëzonin asnjë të drejtë bazë të njeriut, ku fëmijët që lindnin ishin të dënuar që në djep të ishin “armiq të popullit”, etj.

Filed Under: Interviste Tagged With: Blerian Gjoka, Harta e Krimeve, komunizmit, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT