Blerta Zhegu artiste me karriere Nderkombetare, fituese e shume cmimeve prestigjoze Itali, France, Prishtine, Shqiperi/
Blerta Zhegu është fituese e disa konkurseve ndërkombëtare, si: Çmimi i I-re në Konkursin ArsKosova në Prishtinë, Çmimi Special i Jurisë në kategorinë “canto Lirico”, në edicionin e gjashtë të Rassegna Concertistica në Montichiari, Itali, Çmimi i III në Konkursin “Trofeo la Fenice” të Seravezza-s, Itali.
E lindur në Tiranë në një familje artdashëse, Blerta Zhegu nis studimet e kantos që në moshën 14 vjeçare me Prof. Nina Mula (Mjeshër i Madh) dhe diplomohet më 2007 në Akademinë e Arteve të Tiranës (sot Universiteti i Arteve), në Fakultetin e Muzikës, dega “Kanto”, me rezultatin maksimal.
Në vijim të përsosjes së saj si soprano, ajo ndjek një specializim dyvjeçar në Konservatorin “Claudio Monteverdi ”të Bolzanos, Itali, të cilin e mbaron me rezultatin maksimal, si dhe një specializim tjetër në Konservatorin “Darius Milhaud”, të Aix en Provence-s, në Francë. Gjatë kësaj periudhe ndiqet profesionalisht edhe nga Maestro Nathaniel Brodsky (ish solist i Operës së Chicago-s dhe i “Metropolitan Opera”të New York-ut).
Në sezonin 2013-2014 ajo është stazhiere në strukturën prestigjoze Centre National d’Artistes Lyriques ,(CNIPAL) në Marsejë.
Formimi i saj si artiste është plotësuar gjithashtu edhe nga Masterclass-e të ndryshme me personalitete të shquara si: Renato Bruson, Leo Nucci, Jose van Dam, Luciana Serra, Sophie Koch, Claudio Desderi, Giulio di Raco, Enzo Tei, Claudine Ducret, Laure Florentin Jean Marc Bouget, Claudia Rueggeberg, Bruna Baglioni, Yvonne Minton e Inva Mula.
Karriera e saj skenike fillon në Itali, në Teatrin Komunal të Bolzanos, në rolin e Lusit (Lucy) tekopera “The Telephone ”e G. Menottit.Më pas është pjesëmarrëse në një numër të madh koncertesh në teatrot e Siena-s, Vicenza-s, Rovigo,-s Bolzano-s, për të interpretuar më 2012 një tjetër Lucy, këtë herë personazh i Kurt Weill-it tek “Der Dreigroschenoper” (Opera për tre grosh), në teatrot e Livorno-s, Pisa-s e Lucca-s.
Pas kthimit nga Italia në Shqipëri është aktive si soliste në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me rolin e Adinës (“ L’Elisir d’Amore ”, Donizetti) ; me “Carmina Burana-n”e Carl Orff-it dhe me “ Ëndërr e një nate vere ” e F.Mendelssohn Bartholdy.
Në nëntor të vitit 2012, Blerta Zhegu ftohet në Quito (Ekuador) dhe interpreton me sukses në Sinfonine IV të G.Mahlerit, ndërsa në maj 2013 paraqet recitalin e saj “Plaisir d’amour”, në sallën e Universitetit te Arteve.
Prej disa vitesh ajo jeton në Francë, ku ka interpretuar si soliste në koncerte të ndryshme në Operën e Marsejës, në“Opera Grand” të Avignon-it, “Domaine d’O” në Montpellier, “Auditorium Campra”, “Pavillon Vendome” e “Hotel de Ville” në Aix en Provence, etj dhe ka qene e ftuar disa here si pedagoge për të zhvilluar stazhe kantoje brenda dhe jashte Frances.
Blerta Zhegu është fituese e disa konkurseve ndërkombëtare, si: Çmimi i I në Konkursin ArsKosova në Prishtinë, Çmimi Special i Jurisë në kategorinë “canto Lirico”, në edicionin e gjashtë të Rassegna Concertistica në Montichiari, Itali, Çmimi i III në Konkursin “Trofeo la Fenice” të Seravezza-s, Itali.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka bashkëpunuar me artistë: Nathalie Marin, Oleg Arapi, Eddie de Nadai, Vittorio Parisi, Roni Porat, Emir Saul, Nicolas Cante, Edmond Doko, Paolo Coletta and Samuel Jean, Emanuele Plasson e Michel Plasson.
Para disa muajsh, në Teatro Coccia të Novarës, Itali, në rolin e Valerias, ajo ka qenë me shumë sukses protagonistja e premieres absolute botërore të operas “Il canto dell’amore trionfante”,të kompozitorit italian Paolo Coletta.
Që nga ajo kohë ajo ka interpretuar në disakoncerte në“Auditorium Campra”, “Pavillon Vendome”, etj të qytetit të Aix en Provence-s.Në korrik të këtij viti kam qenë fituese e një stazhi në Akademinë Internacionale të Muzikës Franceze, të organizuar prej dirigjentit të mirënjohur Michel Plasson, stazh i finalizuar nga një koncert në “Domaine du Regismont le Haut”. Në fund të gushtit ajo do të interpretoje në dy recitale për Festivalin “Musique dans la Rue” në Hotel de Ville të Aix en Provence-s.
Bashkebisedimi vazhdon…..
Pyetje-A mund të më thoni si ka lindur tek ju dëshira për tu marrë me muzike klasike, mund të më tregoni hapat e parë dhe fillimet tuaja?
-Dëshira per t’u marrë me muzike e me operën në vecanti lindi pavaresisht nga une.Kuptova në moshe shumë të re që kisha një pasion të madh për të kënduar dhe aktruar, mbi të gjitha, që ishte shumë e rëndësishme per mua ta ndaja këtë prirje me njerezit, derisa vendosa ta shndërroj këtë pasion në profesionin tim. Natyrisht, pati edhe profesioniste të fushës qe konstatuan në atë kohë kete talent dhe më inkurajuan të ndjek këtë rrugë.
Pyetje -Di që ju, edhe pse në moshë shumë të re, jeni një artiste mjaft profesioniste dhe mjaft e vleresuar. Pergjigje- Mund të më thoni diçka më shumë rreth aktivitetit tuaj?
Prej disa vitesh kam nisur karierën time, në fillim në Itali dhe Shqiperi, ndërsa sot e vazhdoj atë edhe në Francë. Shpresoj e mundohem që shfaqjet e mia të jenë çdo herë e më cilësore dhe rrugën time si artiste e shoh në radhë të parë si një zhvillim personal. Prej disa vitesh kam interpretuar role të ndryshme apo si soliste në koncerte recitale me një repertor jo vetëm operistik tradicional, por dhe muzike dhome, barok e bashkëkohor.
Pyetje:-Si janë marrëdhëniet tuaja në përgjithësi me artin, instrumentin,cfarë ju pëlqen tjetër të ushtroni apo t’i përkushtoheni?
-Profesoni që kam zgjedhur kërkon një ushtrim të përditshëm fizik dhe psikologjik. Merrem me sporte të ndryshme, si vrapimi, noti, yoga apo tenisi dhe, përveç orëve që i kushtoj teknikës vokale apo notave muzikore, në kohën e lirë më pëlqen të dëgjoj shumë muzikë të zhanreve të ndryshme dhe të zbuloj çdo herë nje vepër muzikore që nuk e njihja më parë. Përveç këtij aktiviteti të domosdoshëm, më terheq jashtë mase edhe teatri, kinematografia, piktura, udhëtimet e natyra.
Pyetje:-Ju jeni diplomuar ne Akademine e Arteve, cilat kanë qenë raportet me personalitetet e artit dhe çfare mbeshtetje keni pasur prej tyre,ç’mund të më kujtoni?
-Në Tiranë kam pasur fatin të jem nxënëse në klasën e kantos të Prof. Nina Mula dhe, më pas, mbas Akademisë, të ndiqem nga bass-baritoni amerikan Nathaniel Brodsky. I kujtoj me shumë respekt këto personalitete ashtu si dhe disa nga pedagoget e tjere te Akademise, si mjeshtra që kanë besuar gjithmonë në talentin tim dhe kanë ndarë njohuritë e tyre me mua me shumë dashuri e përkushtim. Shpresoj qe personalitete të tilla në Universitetin e Arteve të jenë gjithmonë e më të shpeshtë dhe që brezi i sotëm i studentëve të ndihet i inkurajuar, vlerësuar dhe motivuar, pasi në hapat e pare çdo artist është tepër i brishtë.
Pyetje-Si ka qenë fillimi i punës për ju , me çfarë devocioni punoni, sa këmbengulëse jeni? Projektet tuaja cilat janë ?
-Jam mjaft këmbëngulëse e sistematike dhe kjo për arsyen se e dashuroj thellësisht profesionin tim. Projekti më i rëndësishëm për mua është të tejkaloj çdo herë vetveten dhe të jap maksimumin tim, duke fituar zemrën e publikut. Mendoj se një artist i mirë nuk mund të kalojë pa u vënë re dhe duartrokitet që merr në fund të një shfaqjeje janë kritika më e mire për të.
Pyetje- Çfare motivi gjeni ju në jetën tuaj në raport me artin, nga se frymëzoheni dhe si është pritur nga artëdashësit?
-Të qenit artiste është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe, në radhë të parë ndaj vetes. Për mua është mbi të gjitha një sfidë dhe një menyrë për te përsosur vetveten .Natyrisht, të interpretoj në skenë është gjithnjë e më shumë një kënaqësi dhe këtë kënaqësi publiku e ndien dhe e vlereson.Mbi të gjithë një artdashës i vërtetë vlerëson vërtetësinë e një artisti dhe guximin që ai ka për t’u “zhveshur” përballë tij. Pikërisht vërtetësia dhe ndjeshmëria e njerëzve që më rrethojnë është burimi më i madh i frymëzimit tim.
Pyetje:Sa i intereson dhe sa u kushton vëmendje zhvillimeve sociale e shoqërore shqiptare një vajzë e re si ju, një krijuese e ndjeshme dhe e talentuar?
-Përsa u përket çështjeve sociale, ajo që më tërheq më shumë vëmendjen dhe më trishton në shoqërine shqiptare dhe jo vetem, është pamundësia që shumë njerez kanë për të mbuluar nevojat e veta primare. Në kushte të tilla edhe arti kthehet vetvetiu në luks, ndërkohë që duhet të jetë një domosdoshmëri, një e drejtë për çdo individ.
Pyetje:Si ju duket arti në Shqiperi, si një artiste që jeton në vendet perëndimore, si e shihni?
-Shumë artistë shqiptarë kanë prekur skenat botërore dhe kjo nuk mund te jetë e rastësishme. Për më tepër publiku shqiptar, për mendimin tim, është nga natyra shumë artdashës. Fatkeqësisht, të paktë janë ata që në të përditeshmen e tyre janë në kontakt me një art cilësor dhe, për këtë arsye, nuk arrijnë t’ia kuptojnë vlerën atij dhe të jenë të ndërgjegjshëm se deri në ç’pike mund të arrijë ta shndërrojë e përmirësojë shoqërinë.
Pyetje-Shqipëria është vendi juaj i dashur. Akeni zgjedhur ju që karriera profesionale të ndërtohet këtu, apo në ndonjë vend tjetër?
-Vetë profesioni im është i tillë, që bën që karriera profesionale të mos zhvillohet vetëm në një skenë. Si shume artistë, do të zgjedh gjithmonë të jetoj aty ku do të ndihem e respektuar për punën time dhe ku do të gjej mundesinë për t’u zhvilluar si artiste. Natyrisht, rikthimi në skenën shqiptare është çdo herë një eksperiencë emocionuese dhe do ta bej me kënaqësi, sa herë të më jepet mundësia.
Pyetje:Jeni një artiste e vlerësuar dhe e dashur për publikun. A ju ndihmon familja dhe a është një mbështetje konstante?
-Familja ka qenëgjithnjë një mbështetje e madhe për mua dhe më gjendet gjithmonë afër. Megjithatë, prej disa vitesh kam vendosur të jetoj larg saj dhe përpiqem që të jem e pavarur, edhe pse për një artist në fillim të karrieres, kjo nuk është gjithmone e lehte.
Pyetje- Si jeni ndjere në vitet e para, vështirësite dhe frutet e para që keni marrë?
-Kam mësuar shumë nga vitet e para, pasi kanë qenë më të vështirat e do ti kujtoj gjithmonë eksperiencat e para në skenë e, sidomos, fitoret e para, me nostalgji për ngarkesën emocionale që kanë pasur. Ndihem gjithsesi edhe sot “në hapat e para”, pasi në një realitet artistik plot figura të mirënjohura prej vitesh, të cilet kanë një eksperiencë gjigante në skenë, ndihem “e porsalindur”.
-Pyetje:Ju jeni një pikë brenda një oqeani me vajza shqiptare që me punën dhe profesionalizmin e tyre, kanë ngritur koken lart duke e nderuar vendin tonë.A keni pasur bashkëpunime, qoftë me personalitetet nderkombetare, qoftë dhe me artistet tanë te famshem?
-Kam pasur fatin të takoj shumë nga artistet tanë që tashmë kanë një karriere nderkombetare si I.Mula, E.Shkoza, E.Jaho, G.Tukici, G.Myshketa, J.Gjipali etj dhe çdo herë kam shkëmbyer me ta pervojen time duke marre mjaft keshilla me vlere. Bashkëpunimi me personalitete të cilat i admiroj, do të ishte realizimi i një ëndrre.
Ju faleminderit, artistja e palodhur,me karrierre nderkombetare te suksesshme.
Faleminderit ju, e dashur Liliana, që më bëtë pjesë e ketij grupimi te privilegjuar. Iniciativa juaj per t’u dhënë vlerën që meritojnë femrave shqiptare, që na nderojne kudo, është vërtet për t’u
admiruar.
Pergatiti:Liliana Pere
Presidente/Org
Gruaja Shqiptare ne Bote