….marrëveshja Kosovë-Serbi jo e plotë, fuqizohet faktori serb në Mal të Zi…/
–Ben Andoni ekspert për çështjet e rajonit, në një interviste ekskluzive për Diellin-
Intervistoi: Eneida Jaçaj-
Reforma në drejtësi në Shqipëri, e mbështetur dhe e nxitur nga SHBA dhe BE, erdhi si nevojë për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, forcimin e tyre, si dhe shkundjen nga pluhuri i korrupsionit i të gjitha hallkave të drejtësisë shqiptare. Partitë politike shqiptare votuan ndryshimet kushtetuese me shumicë të cilësuar në Parlament, të detyruara nga faktori ndërkombëtar, pasi, në rast të kundërt, ligjvënësit shqiptarë nuk do të votonin një reformë të tillë, që ndëshkon kokat e korrupsionit, që gjenden te PS-PD-LSI dhe institucionet e drejtësisë. Edhe pse jo perfekte, me shumë probleme ligjore, votimi i reformës solli hapjen e negociatave me BE, si një nga kushtet më thelbësore për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane. Eksperti për çështjet e rajonit por edhe të vendit, gazetari profesionist Ben Andoni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, komenton reformat e vendit të ndërmarra nga PS, si dhe çështje të tjera të nxehta nga rajoni. Ben Andoni e cilëson reformën në drejtësi si bllokuese, pasi ka shkallmuar institucionet e drejtësisë dhe ka krijuar polaritet në jetën e vendit. Përkrah problemeve që mund të ketë si reformë, ajo ka synim përmirësimin e institucioneve të drejtësisë, por duket se partitë politike po e zvarrisin pasi ende nuk është zbatuar plotesisht. Madje, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, bëri një deklaratë të fortë se, PS-PD-LSI kanë bërë një marrëveshje për të vrarë reformën në drejtësi. Nëse reforma do të vijojë të zvarritet dhe madje të minohet totalisht qëllimi i saj, shanset për integrimin e vendit do të arrijnë në pikën zero. Ben Andoni ka komentuar edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi, të cilën e cilëson jo të plotë, ndërsa shton se Serbia vështirë se do të njohë një ditë Kosovën si shtet. Sa i takon zgjedhjeve në Mal të Zi, ku humbi partia e Gjukanoviç, Andoni deklaron se faktori serb fuqizohet në Mal të Zi, dhe mund të priten çudira nga serbët. Gazetari profesionist komenton edhe çështje të tjera tepër të rëndësishme.
–Hapja e negociatave për integrimin, ishte një lajm i mirë për Shqipërinë. Sa po i realizon qeveria shqiptare reformat që do të çojnë në anëtarësimin e vendit?
-Shqipëria, asnjëherë në periudhën demokratike nuk ka bërë reforma thelbësore. Kështu që edhe këtë herë nuk ndryshon aq shumë me angazhimet që ka ndërmarrë Partia Socialiste, e cila ka mazhorancën prej gati tetë vitesh. Madje, Shqipëria, sot, është peng i një eksperimenti shumë të vështirë, që lidhet me atë që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. E them eksperiment, pasi asnjë nga vendet ballkanike dhe më gjerë nuk e ka pranuar në këtë thellësi këtë lloj reforme, që po bëhet në vend dhe që e ka shkallmuar krejt nivelin e lartë të Drejtësisë dhe atë të Apelit në vend. Kjo reformë ka bllokuar shumë fusha, dhe, ajo ka ndikuar në një polaritet të frikshëm politik në vend. Për hir të së vërtetës, të 140 deputetët (e gjithë legjislatura, pra) që ngritën votën “pro” saj, treguan se u interesonte më shumë aprovimi dhe akordi me ambasadën amerikane sesa ajo që pritej nga shqiptarët. Sa i përket reformave të tjera, them se kanë mbetur në vend. Reforma në Arsim ka mbetur pothuajse fare dhe as nuk arriti që të merrte jetë. Ajo e Ndarjes Territoriale u bë pa opozitën, që e abandonoi, e kjo e fundit duhet thënë se i ka lënë shumë hapësirë mazhorancës së Edi Ramës, paçka kauzave që ka ngritur. Reforma e fundit Zgjedhore ishte gjysmake, por gjithsesi u realizua në një Parlament që është shpërfytyruar në mungesë të PD-së dhe LSI-së. Me pak fjalë, hapja e negociatave është një lajm vërtetë i mirë, por reformat nuk janë bërë në thellësi dhe me një dakordësi më të gjerë. Lidershipi politik, qoftë nga PS dhe nga PD, janë fajtorë para shqiptarëve, që luftën e tyre e bëjnë kinse në emër të parimeve. Megjithatë, edhe kaq sa po bëhen janë parë pozitivisht nga Brukseli, duke ditur veçorinë shqiptare, dhe kjo me sa duket u mjafton ndërkombëtarëve.
-Më 4 shtator u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington. Kjo marrëveshje dypalëshe në plan të parë ka të bëjë me normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Por, në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia, dhe gjithashtu shteti serb t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës. Si e shihni këtë marrëveshje në tërësi, dhe si mund të zbatohet kur Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet?
-Kuptohet se Serbia nuk do të futej kurrë në një lidhje, ku të përmendej njohja e Kosovës. Do të ishte naivitet të mendohej një gjë e tillë. Por duhet saktësuar diçka: Marrëveshja është shumë komplekse dhe nuk është mes Kosovës e Serbisë, por e këtyre të dyjave veç e veç me administratën amerikane, që ka menduar normalitetin ekonomik si element të parë drejt një marrëveshje më gjithpërfshirëse.Vetë SHBA e ka kuptuar se njohja është vështirësuar, që kur politikanët kosovarë kanë bërë një gabim të madh taktik. Ju e dini që Kosova ka fituar ndaj akuzës së paraqitur në Gjykatën Ndërkombëare nga Serbia, për legjimitetin e pavarësisë. Që do të thotë, Kosova qysh atëherë në çdo ulje në tryezë duhej t’ia bënte të qartë Serbisë dhe kujtdo, që kjo quhej vijë e kuqe dhe marrëveshjet të fillonin mbi këtë premisë. Në fakt, Kosova ulet me footnote në dokumenta, ndërsa vetëm ka lëshuar ndaj Serbisë, qysh prej vitit 2011. Në ditët tona, marrëdhënia ekonomike thjesht institucionalizon futjen e SHBA në të dy vendet me anë të Institucionit të Investimeve, që SHBA e ka në Ballkan. Në fakt, Serbia që kur u hoq reciprociteti është futur lirisht në Kosovë dhe, madje po e kalon vëllimin e shkëmbimit të mallrave që Kosova e ka me Shqipërinë. Pra, për shkak të asaj marrëdhënie që ka pasur në kohë të Federatës, tregu kosovar është shumë i orientuar ndaj Serbisë dhe kjo është prioritet për të, kurse me futjen e SHBA pritet që investimet të bëhen në fusha strategjike, që gjenerojnë para. Marrëveshja asnjëherë nuk do jetë e plotë derisa Kosova e Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Sa i përket njohjes së Kosovës, do kalojnë dhe shumë e shumë kohë dhe ky konflikt do mbetet po kështu i ngrirë; Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe për shumë kohë, për të mos thënë që kjo nuk do ndodhë kurrë. Në këtë vazhdë gjen dhe përgjigjen për pyetjen për faljen: Serbia kurrë nuk do t’i kërkojë falje Kosovës, sepse e quan pjesë të saj.
–Si e shihni ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtarët e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?
- Kosova i ka pasur të gjitha mundësitë dhe me instrumentat e huaja, që problematikën e gjyqësorit ta mbyllte në vend, në kohën kur e gjithë bota ishte kundër Serbisë. Por, ndërsa Serbia e kaloi këtë proces në Hagë pasi përcolli një pjesë jo të vogël të kriminelëve të luftës, në Kosovë u shmang me hile, sepse mendohej se gjithçka e ka Haga dhe Kosova u mor me akuzat serbe dhe mbrojti shumë nga figurat e luftës, për të cilët ishte e ndërgjegjshme se kishin probleme në luftë. Ngritja e Gjykatës Speciale është bërë nga vetë Shteti i Kosovës dhe e miratuar nga Parlamenti i saj dhe nuk mund t’i kërkosh askujt përgjigje për këtë që po ndodh. Ndërkohë që ditët e fundit bëri dhe gafën e madhe me dekonspirimin e dosjeve. Sa i përket autoriteve që do gjykojnë: kjo është gjykatë shumë teknike, por që i mungojnë resurset për të gjykuar realisht. Kosovës i ka ardhur koha të thotë disa të vërteta dhe të mos lerë me një kastë që po mban peng Kosovën me pasurimin e frikshëm, duke përdorur si kapital luftën. Askush nuk e përdhos dot luftën e kosovarëve dhe idealistëve dhe sidomos heronjve të Kosovës, që sot janë të vdekur.
–Gjykata Speciale e Hagës ka nisur një valë arrestimesh në Kosovë. Kemi të bëjmë me arrestimet e krerëvë të OVL të UÇK-së, si dhe arrestimin e ish-kreut të UÇK-së, Agim Çeku, si i dyshuar për krime lufte. Si i shihni këto arrestime në Kosovë kur masakrat e palës serbe janë të panumërta ndaj popullit shqiptar?
-Janë të frikshme sepse tregon sesa i fortë është administrimi i huaj në vend. Ndërkohë që presioni ndaj Serbisë ka qenë dhe mbetet shumë i dobët, sepse, për hir të së vërtetës, Serbia ka më shumë konjuktura ndihmëse në Bruksel sesa Kosova. Për fat të keq, Kosova do të vuajë sërish, sepse për viktimat pak kush është i interesuar t’i zbulojë qoftë në Prishtinë dhe qoftë në Beograd. Shqetësuese është edhe kaosi që mbretëron në institucionet e Kosovës. Njerëzit e OVL dhe të tjerët nuk duhet të dekonspironin dosjet, por duhet të përgatiteshin t’i përballonin denjësisht. Personalisht e vlerësoj shumë Çekun, sepse ka qenë një komandant ushtarak, i përgatitur dhe me dinjitet që ka luftuar përveç Kosovës dhe në hapësira të tjera të ish-Jusgosllavisë me dinjitet.
–Në një kohë kur arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kemi rrjedhje të dokumentacioneve të Gjykatës Speciale të Hagës, që minojnë punën e saj në vijueshmëri. A mos kemi të bëjmë me ndonjë lojë në prapaskenë?
-Jo, kjo ndodh shpesh në Shqipëri. Është pjesë e kulturës sonë institucionale. Shqipëria ka raste historike të rrjedhës së materialeve dhe Kosovës. Homo albanicus është një qënie që ka mangësi të mëdha dhe që na takon të gjithëve t’i riparojmë dhe t’i kritikojmë, sa i përket besimit. Si e thashë më sipër, materialet nuk duhet të rridhnin, por duhet të na ndihnin drejt përgjigjeve që na duhen. Ndërkohë jam dakord me Ju dhe kuptohet mirë që autoritetet e Kosovës janë përdorur në mënyrën sesi janë përcjellë këto dokuemnta. Është një dorë diabolike që po e dëmton Kosovën dhe me gjoja mbojtjen, duke ofruar aksesin në këto dosje. Fatkeq janë kosovarët e thjeshtë që pranojnë të bihen pre në emër të parimeve.
–Marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, është një nga çështjet më të nxehta në politikën e jashtme. Marrëveshja e parë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2009. Greqia pretendon të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, sipas një deklarate të dhënë nga kryeministri grek Mitsotakis. Ka zëra se është përgatitur një draftmarrëveshje, ku Greqia synon të grabisë hapësirë detare shqiptare, ndërsa kryeministri Edi Rama mohon se ka një marrëveshje me Greqinë për detin. A keni një koment?
– Askush nuk është në gjendje të vlerësojë kulisat mes dy vendeve. Por dimë një gjë me saktësi, që Shqipëria nuk ka ende një grup negociator teknikësh dhe kjo është e konfirmuar, ashtu si Gjykata Kushtetuese e mëparshme e ka hedhur poshtë një marrëveshje të tillë, të mëparshme, kurse e reja nuk mund të bëhet në instancë të fundit, pa e kaluar përballjen me këtë instancë. Dhe, ju e dini që krijim i i saj do marrë kohë. E gjithë deklarata greke, e nxituar e kryeministrit grek është shfrytëzuar në Shqipëri më shumë për kapital politik sesa për llogjikën e vërtetë; sesa ne do të përballemi me këtë marrëveshje kur të vijë puna për t’u shqyrtuar. E quaj të tepërt shfrytëzimin e shëmtuar që po i bën opozita dhe lloj-lloj njerëzish që nuk e njohin si procedurë. Personalisht, u besoj më shumë teknicienëve të tipit Pashaj sesa politikanëve të tipit Basha, që e firmosi apo Z.Rama që mundohet të konfuzojë çdo gjë.
–Është shpallur një platformë për Shqipërine Natyrale, para 1913. A do të sillte trazira në rajon ky projekt?
-Shqipëria Natyrale është ajo hapësirë gjeografike e cila përmbledh popullsinë shqipfolëse dhe, madje, edhe vendet nga ku dikur shqiptarët përbënin shumicën. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ky territor, edhe në skajet më të mëdha tashmë të zbrasuara, ka ende toponime të përcaktuar dhe gjurmë shqiptarësh. Por sot projekti nuk është i mbështetur si duhet dhe ngjan si tejet patetik me angazhimet që vetë shqiptarët kanë dhe mbi të gjitha me dobësinë e skajshme të Tiranës zyrtare që mbahet si Vend Amë. Nëse Shqipëria nuk do të angazhohej në marrëveshjet e ndryshme me BE dhe në rajon por edhe të kishte fuqi ekonomike-ushtarake, atëherë kjo mund të përbënte ndonjë lloj frike për fqinjët. Tashmë edhe ata e dinë dhe thjesht e shfytëzojnë kundër Shqipërisë, kur individë apo struktura flasin për Shqipërinë Natyrale, që shqiptarët e përmbajnë thjesht në memorien e tyre, por që nuk mund të riskojnë për ta arritur, sepse tashmë në plan të parë është integrimi dhe përshtatja me Evropën.
-Ligji i luftës me Greqinë, shpesh herë ka sjellë debate në arenën politike. Greqia deklaron se nuk ka një ligj lufte, pasi është shfuqizuar që në 1987. Cila është e vërteta?
-Shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe disa ligje të tjera problematike 4506/1966 e 1664/1998, ku ne e dimë se Greqia e deklaroi Shqipërinë, si vend aleat me Italinë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror. Paradoksalisht, Traktati i miqësisë greko-italiane në 1947 e tërhoqi gjendjen e luftës mes dy vendeve, kurse mban për Shqipërinë që ka qenë e pushtuar. Paradoksi është ulëritës. Gjithsesi, në vitin 1971, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë marrëdhënieve të tyre, kurse në 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë procedoi një akt që e deklasifikoi Shqipërinë nga vendet armike, duke e konsideruar gjendjen e luftës të përfunduar. Teknikisht, mungon korniza ligjore, pasi bie ndesh me ligjin- dekret 1138/1949 që i referohet vendeve armike, si Shqipëria me këtë rast për ta. Me pak fjalë, Greqia ka probleme ligjore sa i përket marrëdhënies me ne.
-Shteti helen mohon se ka një ligj lufte me Shqipërinë, por çështja çame vijon ende të mbetet e pazgjidhur. Sa seriozisht kanë punuar qeveritë shqiptare për kthimin e çamëve në tokat e tyre?
Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe madje luftuan me grekët kundër fashistëve dhe ky ligj s’lidhet me ta. Greqia mbi të gjitha nuk respekton edhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, por edhe kornizën ligjore që u pasua me Rezolutat e dhjetorit 1966, ku Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është ajo ndaj Çamëve. Të gjitha qeveritë e kanë të pamundura, sepse kauza e çamëve në Shqipëri nuk përfaqësohet si duhet dhe vetë ata janë shumë të përçarë, madje paradoksalisht janë në një grup që kundërshtojnë Ramën me Partinë që i përfaqëson interesat e Greqisë hapur në Shqipëri. Pra, për çamët politikë më interes ka Rama se rifitimi i të drejtave të tyre dhe mbi të gjitha parimet.
–Partia Socialdemokrate e Presidentit Milo Gjukanoviç humb zgjedhjet parlamentare. Edhe pse me numrin më të lartë të mandateve, partitë opozitare u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Këto zgjedhje u zhvilluan në një situatë tensioni për shkak të ligjit fetar. Si e shihni situaten politike në Mal të Zi?
-Shqiptarët po pakësohen në Mal të Zi, si shkak i emigracionit dhe rënies së lindjeve. Madje, llogaritet se popullsia shqiptare në Mal të Zi deri në 2050, mund të ulet ndjeshëm. Për fat, kriza e tyre e religjionit nuk e pret pakicën shqiptare që janë të besimit katolik, por dobëson frymën indipendiste të Malit të ZI. Për fat, mbas presionit ndërkombëtar, pushteti i ri malazez u zotua se nuk do ketë revanshizëm ndaj ish-pushtetit dhe të gjitha ligjet që do të miratohen me standardet evropiane. Por është ende herët të flitet. E rëndësishme është që Gjukanoviç mori një mësim të mirë dhe partia e tij po ashtu, paçka se nga cilët e morën. Rasti i Malit të Zi është i frikshëm për sa i përket fuqizimit të elementit serb. Besoj që serbët do na dhurojnë surpriza të tjera të hidhura, tashmë që konjukturat e tyre me SHBA-në kanë ndryshuar bindshëm …