• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BORXHE TË PAPAGUARA-PREMTIME TË PAMBAJTURA

March 20, 2021 by dgreca

(Kujtesë politikës shqiptare dhe kryeministrit Rama)

Nga Eugjen MERLIKA/

Fushatat zgjedhore i ngjasojnë shfaqjeve masive ku secila forcë politike shpalos programin e saj, parapëlqimet e saj kryesore, kritikat për kundërshtarët e premtimet për t’ardhmen. Por në gjithë këtë paraqitje të tërësishme të ideve apo dëshirave, një rol kryesor duhet të zejë llogari-dhënia, jo e parë në këndvështrimin e vetëlavdërimit e të “paradës” së sukseseve, mbeturinë trashëgimore e gjysëm shekullit komunist, por n’atë vetëkritik për të njohur mangësitë, sepse në një epokë rënieje vertikale të besimit tek politika, vetëkënaqësia mund të ketë pasoja rrënuese.

Vlen kjo për shtete të mëdhenj e demokraci të realizuara, po ashtu sikurse për shtete autoritarë e diktatorialë të cilët nuk e pranojnë në konceptin e tyre të bisedës me nënshtetasit atë formë komunikimi, që përbën bazën e proçesit demokratik të një shoqërie.  Por vlen edhe për shoqërinë tonë me shumë probleme, që ende mbetet gjysmake në sendërtimet e tyre e nuk arrin të gjejë rrugën e një normaliteti të çerekut të parë të shekullit 21.

Është krejt e papranueshme gjuha e përdorur nga kryeministri për të paraqitur tek dëgjuesit e tij në televizion apo në tubime të ndryshme kundërshtarët e tij politikë sot, aq më tepër se disa prej tyre janë ata me të cilët ka bashkëpunuar në fushën politike deri disa vite më parë. Është çështje etike politike që po rezulton tejet e vështirë për t’u përqafuar nga politikëbërësit mbas komunistë shqiptarë. Shprehje e kësaj mangësie mbetet edhe “dialektika” e presidentit Ilir Meta që bën thirrje për ndërhyrjen e popullit në mbrojtje të Kushtetutës nga “banda ndërkombëtare e lokale”. Populli nuk ka për detyrë të ndjekë në veprime dhune drejtuesit që ka mbi kokë, por duhet që, nëpërmjet votës së tij të dërgojë në shtëpi të gjithë ata që kanë pushtuar politikën prej tridhjetë vitesh.

Në këtë tërësi kundërshtish apo gjasme kundërshtish, bie në sy një mungesë, ajo e fjalës “borxh”, që duhet të rrokë edhe vështrimin makroekonomik t’ekonomisë e rritjes së borxhit publik, deri diku i ligjëruar nga dukuri madhore si pandemia apo fatkeqësitë natyrore, por edhe një forme tjetër të asaj fjale, që ka të bëjë me atë të trashëguar nga sistemi komunist e që në tre dhjetëvjeçarë nuk është arritur të shlyhet. Ajo fjalë duket se, në fushatën aktuale zgjedhore në Shqipëri, ka humbur të drejtën e qytetarisë.

Në jetën e përditëshme koncepti i borxhit ka forma të ndryshme e shënon marrëdhëniet mes njerëzve kur ai është i pranishëm, shpesh edhe duke përcaktuar ngjarje të dhimbëshme e ndonjëherë edhe tragjike. Madje edhe vrasjet e shumta të kronikës së zezë shqiptare, ndoshta e kanë burimin pikërisht n’atë dukuri. Pra koncepti është bashkudhëtar i jetës sonë e secili e zgjidh simbas mundësive të tij.

“Borxh nderi është një fjalë, në të cilën nderi është tmerrësisht i përdorur keq.” shkruante rreth dyqind vjet më parë një shkrimtar gjerman, K.J.Weber. Ideja e shprehjes është e lidhur me një borxh që nuk respektohet e që ka prirjen të mbetet i tillë, i përjetshëm, i papaguar. Një i tillë është ai për të cilin po marr mundimin për t’a trajtuar për të satën herë gjatë këtyre viteve të kalesës. Është borxhi, të cilin vetë politika dhe qeveritë shqiptare të këtyre viteve e kanë njohur në marrëdhëniet e tyre me atë pjesë të popullsisë që ka mbartur mbi shpinën e saj barrën më të rëndë të diktaturës komuniste, përndjekjen e pamëshirshme nëpërmjet burgjeve dhe internimeve të zgjatura në më shumë se dyzet vite të jetës së tyre.

Në vitet e para të tjetërsimit të regjimit Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë arriti në përfundimin se diktatura kishte vepruar në mënyrë të paligjëshme, duke dënuar dhjetra mijra vetë me masa të ndryshme që fillonin me vite të gjata burgimi me punë të detyruar e arrinin deri tek dënimet kapitale. Si pasojë logjike e këtij vendimi historik të Kuvendit shqiptar, lindi edhe një borxh i madh për mundësitë e shtetit të ri. Në vitet e para pati disa dëmshpërblime, më shumë simbolike, për të treguar konkretisht ndërrimin e kohëve, por nuk pati një plan të organizuar në afate të përcaktuara të pagesës së dëmshpërblimeve. Përpjekjeve të PD për të sendërtuar atë i shmangeshin socialistët, që ende nuk ishin të bindur plotësisht se krimet e komunizmit duheshin dënuar e dëmshpërblyer jo vetëm me fjalë, edhe ato tepër të matura e të pavullnetëshme, por nga vepra konkrete.

U desh të kalonin 17 vjet që qeveria Berisha – Meta të vendoste të bënte një plan masash konkrete financiare për të plotësuar pagimin e dëmshpërblimeve. Atëherë u fillua të veprohej duke i dhënë përparësi viktimave të mbijetuara të dhunës. Proçesi qe mjaft i ngadalshëm dhe shumë pak u shtri tek familjarët e atyre që nuk jetonin më.

Në 2013 qeveria e re e Rilindjes premtoi solemnisht, nëpërmjet kryeministrit Rama, se do të zgjidhte plotësisht problemin duke hartuar edhe një varg masash të përcaktuara në kohë. U tha se do të paguheshin jo vetëm të gjithë ata që ishin në jetë, por edhe trashëgimtarët e atyre që nuk jetonin më. Madje u premtua se tetë këstet e detyruara do të shlyheshin për një periudhë prej dhjetë vitesh. 

Deri në vitin 2016 u arrit të paguheshin vetëm dy këste nga tetë të caktuara. N’atë vit ish ministri i ekonomisë Ahmetaj shpalli se ata fonde “ishin ngrirë” e që nga ajo deklaratë vetëm disa kanë mundur të marrin këstin e tretë. Shkruajtësi i këtyre rradhëve pohon nën përgjegjësinë e tij se për këstin e tretë, mbas interesimit të tij pranë organeve përkatëse, përgjigja që ka marrë është se kësti i tretë do të arrijë në vitin 2022. Pra, plot gjashtë vjet për të marrë një këst. Nëse matematika është një shkencë e saktë, po të vazhdohet me këtë ritëm pagesash, moshës sime prej 78 vjeçari duhet t’i shtojmë edhe 30 vite të tjera për të mundur të marrë nga shteti borxhli dëmshpërblimin e një jete 15-vjeçare të babait, të kaluar në burgjet e kampet e ndryshme të punës së detyruar e të papaguar të regjimit komunist padrejtësisht.

Me që në qarqet e ndryshme politike të Rilindjes, në mos gabofsha, është vendosur që ata dëmshpërblime nuk duhet të vazhdojnë të paguhen më shumë se në brezin e dytë të trashëgimtarëve, pra bijt e mij nuk kanë të drejtë të përfitojnë, ata kthehen në “borxhe nderi” të shtetit shqiptar që, mbasi i ka grabitur pjesën më të bukur të jetës qytetarëve të tij, tani shmang plotësisht dëmshpërblimin për punën e papaguar të tyre. Se ku qëndron drejtësia apo morali politik e njerëzor i kësaj politike, besoj se u takon atyre që qeverisin sot Shqipërinë t’a shpjegojnë shkoqur, nëse ai është i pranishëm.

Në këtë fushatë zgjedhore, kreu i Opozitës, Basha, në trajtimet e shumë problemeve të jetës shqiptare e shtjelloi edhe këtë çështje, duke premtuar zgjidhjen e saj të plotë. Duke mbajtur parasysh përvojën e partisë së tij në këtë drejtim kur ishte në qeverisje, një farë mosbesimi mbetet i ligjshëm, por ne e marrim për ndjellamirë atë premtim deri në çastin konkret të sendërtimit të tij. Koha mbetet gjithmonë gjykatësi më i mirë.

Ndërsa rivalit të tij, Kryeministrit Rama, në morinë e premtimeve të tij për rritje financiare rrogash e pensionesh, gjëra të cilat na gëzojnë në thellësi të zemrës, sepse janë tepër të vonuara, nuk i ka shpëtuar asnjë fjalë për larjen e këtyre borxheve. Duket se ata nuk ekzistojnë aspak në “vizionet 30” apo “pesëdhjetë” të Shqipërisë s’ardhme, për të cilët ai flet me aq “largpamje” e sens Shteti. Duket se në “Shqipërinë që duam” të tij, dhjetra mijra shqiptarë që presin të marrin ata dëmshpërblime duhet të fluturojnë diku jashtë sistemit diellor, për të mos qënë të pranishëm në sendërtimin e vizioneve të lartpërmendura. Harron ai se ata borxhe janë sinonime gjaku, dhimbjesh, urie, dhune skajore deri në krim, të ushtruara pa kursim nga para-ardhësit e partisë socialiste, mbi shqiptarë të tjerë, më pak fatlumë se ai.

Do t’ishte detyrë e tij dhe bashkëpuntorve të tij të mbanin një qëndrim tjetër kundrejt dhunës dhe objekteve të saj të sistemit komunist, por ndoshta tridhjetë vite të demokraturës pas komuniste janë të “mjaftueshme” për të varrosur kujtesën e tij e detyrimet e saj e për të mbushur gojën me Evropën, Amerikën e vlerat e tyre, krejt indiferente ndaj problemeve të këtij lloji në Vendin tonë.

Për t’a përfunduar këtë shkrim të thjeshtë, që flet për një dukuri që i përket dhjetra mijra qytetarëve të Shqipërisë, po sjell një thënie të një shkrimtari gjerman të shekullit 19, M.G.Saphir, për borxhet e papaguara:

“Harrohet nga të gjithë, nga t’afërm, miq, deri edhe nga e fejuara, madje së fundi edhe nga armiqtë e tij, por kurrë nga borxhdhënësit. Prandaj kërko të bësh më shumë borxhe që të kesh mundësi të jetosh sa më gjatë në kujtesën e njerëzve të tjerë.”

Mars 2021   

Filed Under: Politike Tagged With: Borxhi, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT