• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FUNDI I DIKTATORIT

February 17, 2014 by dgreca

Nga Mitro ÇELA/

E hënë, 18 shkurt 1991
Në zyrën e Berishës kishte nisur një mbledhje e Komisionit Nismëtar të PD-së. Hyri Azem Hajdari: “Studentët e pedagogët mbyllën derën e Pallatit të Kulturës në Qytetin e ‘Studentëve’. Janë futur në grevë urie. Ju vazhdoni mbledhjen. Unë do të shkoj tek studentët!”. Dy orë më vonë u ngjita në Qytetin e “Studentëve”. Gjallëri e madhe. Veç studentëve kishte edhe qytetarë. Një radhë e gjatë. Kishte kërkesa për vetëngujim. Çudia më e madhe e këtij fundshekulli! Ndoshta e paparë. Sakrificë 723 jetë të rinjsh! Dhe përse? Për të hequr emrin e diktatorit nga Universiteti i Tiranës?!
U ktheva në shtëpi. Ndjeja një trysni. Vendosa të shfletoj skedat. (Në atë mot në Tiranë, nuk kishte më shumë se 5-6 kompjutera.) Fillimisht pa ndonjë qëllim. Shënimet i lexova jo duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, por të kundërtën e tyre. Një frazë e nënvizuar. Disa ditë më parë u përurua nga studentët “Sheshi i Demokracisë”.
Sheshi? Diçka më ngacmoi kujtesën. Një shesh tjetër. Një shesh i largët. U ktheva në kohë. Sheshi “Tienanmen” në Pekin! Pranvera kineze. Mijëra studentë ato ditë qershori manifestuan për demokraci të vërtetë… Kundër tyre u drejtua një forcë brutale. Sa u vranë! Statistikat zyrtare kineze janë memece. Një manifestim i përgjakshëm për të festuar 10-vjetorin e reformave kineze dhe 40-vjetorin e Republikës popullore: “Plumba mbi një turmë të paarmatosur”. U trondit bota. Qindra reportazhe. Kronika.
Deklarata nga aktorët politikë.
Fransua Miteran, President i Francës: “Një regjim që për të mbijetuar qëllon mbi të rinjtë, nuk ka të ardhme”. Theçer, Kryeministre e Anglisë: “Të qëllosh si i verbër kundër popullit! A nuk flet kjo për diferencat midis shoqërisë demokratike perëndimore dhe shoqërisë socialiste”. (Në atë vit kampi i lavdishëm socialist jetonte muajt e tij të fundit). Boris Elstin: “Krim kundër popullit…”.

Ora 20.00
Një kronikë në “TVSH”: Minatorët duke nxjerrë krom?!… Ndërrova stacionin. “RAI” – Një lajm nga India: Ishte përmbysur një autobus. Për Shqipërinë? Asgjë. Po pse, mos vallë “Sheshi i Demokracisë” mbarte më pak tension se sa Sheshi “Tienanmen”!… Mora radion. Asgjë. Heshtje. Diçka përmendi Jugosllavi. Por gjithmonë sipas bojërave të tij. Reportazh të plotë dha vetëm “Zëri i Amerikës”…

Ora 22:00
Bie telefoni… Alo… Kemi mbledhjen e Komisionit… Ju presim… Po pse? Partitë politike kishin kërkuar një takim me Presidentin. Berisha, Azemi, Eduardi dhe Preçi ishin nisur që në ora 21:00. Po kalonte mesnata. Disa humbën durimin dhe u larguan për në shtëpi. Unë me Frrok Çupin, kryeredaktorin e “RD”-së, vendosëm të presim tek dera e Presidiumit. U hap porta. Takuam Eduard Selamin:
– Nuk ka perëndi që e kupton Ramiz Alinë! Vetë e pranoi në fillim idenë e një referendumi për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Por e dini si e përfundoi takimin? Nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë?!
U vendos të shkonim për të biseduar me përfaqësinë e studentëve dhe të pedagogëve. Ndërkohë ora kishte arritur 02:00. Për shumë kohë më mbeti e regjistruar në mendjen time pamja e koordinatorëve, e shkallëve dhe sallave, ku kishin zënë vend studentët. Shumica flinin përtokë, duke shtruar në çimento nga një batanie. Disa rrinin ende mbi karrige. Të tjerë luanin me letra.
U futëm në një dhomë të veçantë. U ulëm. Mes nesh ishte Ylli Vejsiu, Përparim Dervishi, Blendi Goxhe, Ridvan Peshkëpia. Për disa çaste ra qetësia. Një qetësi mbytëse. Përfaqësuesit e studentëve dhe të pedagogëve edhe pse të lodhur e të sfilitur edhe pse të pagjumë, mendjen e kishin të kthjellët. Të gjithë kishin një mendim:
“Nuk është koha për kompromise! Nuk dalim nga ngujimi jonë pa lexuar vendimin e qeverisë: Universitetit të Tiranës t’i hiqet emri i Enver Hoxhës!”. Ky është postulati i studentëve. Çdo alternativë tjetër është e pavlefshme. U larguam. Tek dera takova djalin e motrës, studentin e arteve Artjan Myrtezai!
– E mor dajë! Mos doni të na shisni?!…

E martë, 19 shkurt. Ora 23:00
Bie dera… “Ju presin në selinë e Partisë Demokratike”. Nga ora 21:00 përsëri Presidenti në tavolinën e rrumbullaktë me përfaqësuesit e partive. Orë të tëra bisedimesh. Orë të tëra duke pritur! Shumica ishin skeptikë. Por përsëri kishim një fije shprese: jeta e të rinjve vlente më shumë se sa idiomat politike!

Ora 01:30
Në sallë hynë të dërguarit tanë. Dukeshin të lodhur. Të dërrmuar. E mori fjalën Sali Berisha:
– E çuditshme! Ramiz Alia mendon ta zgjidhë problemin me një formulë që ka për autorësi ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushi! Edhe pse kemi të bëjmë me një formulë politike jashtë realitetit, nuk mendoj të bëhemi ne sebep si parti për ta hedhur poshtë. (Ishte ky mendim i të gjithëve). Nuk do të ishte keq të shkojmë tek studentët së bashku me Skënder Gjinushin, i cili po na pret përjashta.

Ora 02:00
Përsëri midis përfaqësuesve të studentëve. Biseda ishte e ashpër. Studentët ishin të acaruar. U lexua formula. Universiteti do të ndahej në katër pjesë. Asnjë universitet i ri nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Do të nënshkruhej një kontratë midis përfaqësuesve të studentëve dhe ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushit.

“Jo. Jo. Dhe Jo! Pa lëshuar një deklaratë qeveria ku të shkruajë se ka vendosur t’i hiqet emri i Enver Hoxhës Universitetit të Tiranës, ne nuk heqim dorë nga greva e urisë, thanë studentët”. Folën disa anëtarë të Komisionit Ndërtimtar të Partisë Demokratike. Askush nuk u bind. Më në fund u vendos:
– Përfaqësuesit e Partisë Demokratike le të largohen. Do të bisedojmë vetëm me ministrin e Arsimit.
Duke zbritur sallën, ndërsa gjarpëronim midis këmbëve të studentëve që flinin në çimenton e ftohtë, në errësirë u dëgjua një zë: “Këta janë mjeshtra: E shndërruan politikën në ekuacione e formula matematike. Lum kombi që e ka ministrin e Arsimit profesor matematike”.

E mërkurë, 20 shkurt
Që në mëngjes herët në Tiranë u dha kushtrimi. Mijëra punëtorë, nxënës, pensionistë, fëmijë, studentë morën rrugën drejt “Sheshit të Demokracisë”. Përmasat e sheshit nuk mund të mbanin brenda një kryeqytet të tërë. Në shërbim të popullit u vunë tarracat, dritaret e godinave.
Ballkoni i një godine u shndërrua në tribunë. Folën shumë. Një zë i kthjellët u shpërnda në eter. Kush flet? Ç’është ky zë i njohur. Pa dëgjoni: Po flet Rajmonda Bulku! Po çfarë tha se nuk e dëgjova mirë? U bën thirrje grave, nënave tiranase që të shkojnë e të manifestojnë përpara godinave të qeverisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Turma u elektrizua dhe u derdh, tatëpjetë drejt Rrugës së “Elbasanit”…

Ora 11:00
Pesëmbëdhjetë gra e vajza, të prira nga Afërdita Havari ngjitën shkallët e Presidiumit. Kërkuan takim me Presidentin. Do ta njoftojmë, tha sekretari. Kaluan minutat. Gratë prisnin. Fluturuan 50 minuta. Presidenti nuk po dukej. “Mos u mërzisni, qetësonte sekretari. Ai do të vijë nga çasti në çast”… Në kufijtë e pritjes prej një ore u hap dera dhe u duk Lumturi Rexha, kryetare e Gruas me dy-tre të tjerë. Po këta çfarë duan? Ne, në emër të nënave tiranase kërkuam takim me Presidentin e jo me shoqen Lumturi!.. Presidenti është i zënë. Ka punë. Situata…

Ndërkohë turma mbushi Sheshin “Skënderbe”. U ngjita në verandën e Hotel “Tirana”. Përpara shtrihej sheshi, si një ekran gjigant televizioni. Turma që shtyhej. Policë që mbronin. Ushtarë me qen për dore që vraponin. Dy makina që hidhnin ujë mbi turma… Krisma. Automatikë… Një pjesë e turmës ngjiti shkallët drejt bustit… Policët i shtynë… Dy-tri ngjitje e zbritje dhe busti u rrethua nga turma… Një copë litari! Sikur doli nga dheu! Bëri një hark dhe përfundoi në qafë të diktatorit…

Ora 14:05
Disa lëkundje dhe busti i Enver Hoxhës u rrëzua për tokë. Qëndroi ai në Sheshin “Skënderbej” vetëm 858 ditë. Nuk e ruajtën dot bustin as policët, as sampistët, as dekreti special për mbrojtjen e monumenteve…
Trupi i diktatorit në bronz u “pushtua” nga turma. U gjet një makinë. E tërhoqi zvarr. Drejt Rrugës së “Kavajës”… Turma ecte. Busti zvarritej… Qëndroi para selisë së Partisë Demokratike, karshi selisë së Kishës Ortodokse… Pa kuptuar “mbinë” ushtarë të Gardës… Qëllonin në ajër… Agim Buxheli me kamer filmonte, duke qëndruar mbi murin rrethues së godinës… Turma u largua… Busti mbeti në mes të rrugës…
U afrova… Trupit i mungonte koka… Koka në Stamboll, trupi në Janinë… Të vranë Ali Pasha, o Ali të shtrinë… Me motivet e kësaj kënge, mora rrugën tek studentët e ngujuar…
… Në hyrje të godinës, koka prej bronzi e diktatorit… Rreth qafës një litar. Përpjekje për ta ngjitur kokën në katin e dytë… Shumë bronz i derdhur. I rëndë… Në dritare doli Shinasi Rama: Nuk vlen që koka e diktatorit të ngjitet lart! Uleni… Dhe bronzi u përplas në çimento… Lëshoi një tingull të zgjatur… Rënkimi i fundit i Enverit!

Ora 21:00
Studentët janë larguar nga kinoklubi i grevës së urisë. Në salla, në korridore ka rënë qetësi… Në hyrje të godinës një kokë gjigante… Në vetmi… Mes mbetjeve të grevës…

Botur në “RD” më 22 shkurt 1991

Filed Under: Featured Tagged With: busti i enverit, Mitro Cela, renia e diktatorit

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT