Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka marrë vendim të largoi nga procesi i likuidimit dhe shitjes së aseteve të NSH Apiko dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria – Deçan/
PRISHTINË, 6 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në një mbledhje të rregullt ka miratuar shpërndarjen e përkohshme të pesë ndërmarrjeve në likuidim – Imkos, Germia,Teka Komerc, I.M.B. Mulliri dhe NGLB në shumën 1,642,889.31 euro.
Në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve miratoi listën e Shitjes së Aseteve 35 si dhe depozitat e tyre. Veç kësaj, pas një shqyrtimi dhe analizimi të thukët, Bordi miratoi edhe buxhetin e Agjencisë për vitin 2018. Më kërkesë të Bordit të Drejtorëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka përgatitur një raport lidhur me kërkesat e Bordit të mbledhjeve të datave 31 gusht dhe 23/30 nëntor të vitit 2016, i cili ishte i natyrës informative lidhur me çështjet e shpërndarjes së 20%.
Ndryshim/plotësimi i aktit themelues të Agjencisë gjithashtu është miratuar në këtë mbledhje të Bordit, ndërsa si pika të rendit të ditës kanë qenë edhe shqyrtimet e raporteve të komisioneve për përcaktimin/vlerësimin e çmimit të tregut për qiradhënie të aseteve të NSH-ve, si dhe raportet e qiradhënies së aseteve përmes shpalljeve publike të muajit qershor 2017, të cilat u miratuan.
Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Bordi ka marrë vendim të largoi nga procesi i likuidimit dhe shitjes së aseteve të NSH Apiko dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria – Deçan, ndërmarrje këto që preken nga vendimi i lartpërmendur.
Bordi i AKP shqyrtoi raportin e Komisionit të Banesave me ç’rast miratoi shitjen e njëzet e dy banesave. Ndërsa, sa i përket kërkesave për privatizim të banesave të Trepça SHA, Bordi pezulloi shqyrtimin e tyre deri në përcaktimin përfundimtar të statusit të saj.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një konferencë shtypi në prag të 2017-ës deklaronte se për këtë vit ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.