“Historia është në anën tuaj. Ne, populli i Evropës jemi me ju” /
Shkruan: MA. AGIM ALIÇKAJ*/ Ishin këto fjalë me domethënie të lartë të deputetit të parlamentit zvicerian në twitter drejtuar popullit të Kosovës, të cilat prekën zemrat shqiptare me 3 Qershor 2020, kur në Prishtinë Parlamenti i komprometuar i Kosovës, me manipulime jodemokratike e votoi qeverinë Hoti të kontrolluar nga Lista srbska.
SKENARI I SHKATËRRIMIT TË SHTETIT TË KOSOVËS
Kështu Serbia ia arriti qëllimit për të hyrë zyrtarisht dhe në mënyrë fuqiplote në qeverinë e Kosovës. Zëvendëskryeministri Rakiç me shokë e kontrollojnë qeverinë, inteligjencën (AKI-n), ushtrinë (FSK-n) dhe Ambasadën e Kosovës në Amerikë.Serbët e festuan këtë fitore në mënyrë madhështore bashkë me përkrahësit e Thaçit dhe të Mustafës. Këtë veprim anti-shqiptar e përgatiti dhe e realizoi me përpikmëri presidenti (jo i imi) Hashim Thaçi, me direktiv të presidentit serb Vuçiq, në koordinim me Ambasadorin Richard Grenell duke e përdorur si vegël kryesore kryetarin e LDK-s Isa Mustafa. Të gjithë këta për interesa të ndryshme (Vuçiq për interesa kombëtare serbe, Thaçi për interesa personale të dosjeve dhe korrupsionit, Mustafa po ashtu për interesa personale dhe të korrupsionit, ndërsa Grenell për interesa karrieriste) por me qëllim të njejtë, krijimin e një qeverie kukull e cila do të jetë e gatshme për ta pranuar dhe realizuar ndarjen e Kosovës.
Kësaj i parapriu rrëzimi i qeverisë demokratike të shpresës dhe anti-korrupsionit Kurti-Osmani, pengesë kryesore e qëllimit të tyre. Në realizimin e planeve të tyre të errëta ata u ndihmuan edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila në vend që të vendoste për zgjedhje të lira në interes të popullit, mundësoi krijimin e një qeverie jolegjitime. Ndër hapat e parë të qeverisë Hoti ishte heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë.Ky vendim e cenoi në mënyrë të drejtpërdrejt sovranitetin e shtetit dhe e dobësoi mëtutje pozitën edhe ashtu inferiore të Kosovës në dialog me Serbinë. Për më shumë, ky e ndihmon partinë e Vuçiqit në zgjedhjet e 21 Qershorit. Skenari i aktorëve negativ Thaçi-Vuçiq-Grenell për ndarjen dhe shkatërrimin e Kosovës planifikohet të realizohet gjatë verës, më së largu deri në muajin tetor.
Çdo gjë pritet të bëhet me presione të pashembullta, frikësime, mashtrime, manipulime, shtrembërime të fakteve, propagandë të rrejshme, improvizime dhe kurdo që është e mundur me bisedime sekrete. Marrëveshja do të paraqitet gjithëpërfshirëse me njohje të dyanshme, pa e përmendur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Ky është “shansi i fundit” për zgjedhjen e problemit të Kosovës përndryshe Amerika do të “heq dorë” nga Kosova. Ekziston rreziku i “pushtimit” të sërishëm nga Serbia. Nuk do të ketë ndryshim të kufijve, veçse “përcaktim, përshtatje, korigjim të lehtë apo demarkim “ gjë që është normale kur dy shtete duhet ta njohin njëri-tjetrin. Kjo nënkupton “dhënjen e “domosdosdoshme” të një pjese të veriut të Kosovës dhe krijimin e disa “zajednicave” dhe hapësirave ekstraterritoriale, ndërsa marrjen e disa “livadheve dhe bungajave” në luginën e Preshevës. Në interes të “pajtimit” me Serbinë dhe krijimit të “miqësisë së përhershme” duhet të falen, mos o Zot, të gjitha krimet e luftës nga cilado anë qofshin. Pastaj, duhet bërë “kompromis” duke dhënë “diçka” për të marrë njohjen e pavarësisë nga agresori Serb! Po a e dijnë këta të pashpirtë sa shumë ka dhënë Kosova për këtë pavarësi me shekuj?! Qindra mijëra të vrarë e të masakruar në mënyrën më mizore, të zhdukur e të dhunuar, shtëpi të djeguara dhe toka të humbura! Të gjitha lëshimet kanë përfunduar njëherë e
përgjithmonë me 17 Shkurt 2008. Këtë duhet ta kuptojë edhe Ambasadori Grenell.Tentimi i tij për “marrje me të mire” të popullit të Kosovës filloi me çbllokimin e fondeve MCC pas heqjes së reciprocitetit. Në vazhdim, Amerika do ta ndihmoi Kosovën edhe me mjete tjera financiare, pajisje për ushtri, polici etj. Paralelisht me zhvillimin e dialogut, Grenell do të realizoi edhe marrëveshje tjera ekonomike të ngjashme me ato “kote” ajrore dhe hekurudhore që do ta “ndihmojnë shumë” ekonominë e Kosovës. Hoti do to të promovohet si “negociatorë shumë i zoti” ndërsa Thaçi do të ushtrojë kontroll të plotë të procesit. Kurti dhe Osmani do të paraqiten si “politikaj të rrezikshëm të cilët nuk i do Amerika”. Do të bëhen përpjekje për njollosje personale dhe familjare të tyre. Të gjitha këto mashtrime do të shtyhen me presion të pashembullt mbi deputetët e kuvendit për ta aprovuar marrëveshjen “historike shumë të vlefshme” për Kosovën. Pas aprovimit në parlament, nëse e shohin të nevojshme për ta forcuar, marrëveshjen mund ta qesin edhe në referendum i cili do të jetë rezultat i presioneve nga më të ndryshmet mbi popullin e Kosovës. Kryesorja është, se kështu po kërkon Amerika! Në protestat e pritura të popullit dhe të Vetëvendosjes do të
infiltrohen huliganë të SHIK-ut për të krijuar ekcese me qëllim të shuarjes së tyre me forcë dhe të shpalljes së VV-s organizatë ekstremiste, “fajtore” për të gjitha problemet e Kosovës. Serbia dhe Lista SERBSKA e qeverisë së Kosovës do të jenë “shumë të pakënaqur” por do ta pranojnë atë me “dhimbje të madhe”.
Radha i vjen tejkalimit të problemit me Unionin Evropian sidomos me Gjermaninë dhe Kancelaren Angela Merkel. Grenell do ta paraqes marrëveshjen “historike” para tyre si “arritje të madhe me pëlqim të plotë të dyja palëve”. Çfarë të keqe ka aty, edhe dy Gjermanitë janë bashkuar ndërsa Çekia dhe Sllovakia janë ndarë në mënyrë paqësore pa kurrëfarë problemi për Evropën! Vështirë se kjo mund të refuzohet dhe bllokohet nga Evropa.Akti i fundit është lëvizja dhe përshtatja e trupave të NATO-s dhe ushtrisë serbe situatës së re në terren.Me hyrjen e ushtrisë serbe në tokat e Kosovës, ato humbasin përgjithmonë dhe Kosova pushon së ekzistuari si shtet stabil.Me këtë akt tradhëtia e Thaçit dhe e shërbëtorit të tij Mustafës ndaj Kosovës përjetësohet. Për këta të dy përfundon procesi i shkatërrimit të Kosovës por jo edhe për Serbinë.
Shndërrimi i Kosovës në shtet jostabil dhe jofunksional, për Serbinë është vetëm pikënisje e arritjes së qëllimit final, kthimin e saj në kuadër të Serbisë si provincë Kosovo i Metohija, bazuar në rezolutën 1244 të OKB-s, apo ndarjen përfundimtare me Shqipërinë duke e siguruar edhe një dalje në detin Adriatik, ëndërr e kahmotëshme e hegjemonizmit serbo-rus. Për këtë Serbia e ka të siguruar përkrahjen e tradhëtarit tjetër potencial shqiptar, kryeministrit Edi Rama. Për ta realizuar këtë atyre ju duhet ta diskreditojnë marrëveshjen e nënshkruar si një zgjidhje të përkohshme dhe të padrejtë për Serbinë.Thaçi i shfrytëzuar dhe i shtrydhur mirë nuk ju duhet gjë, dosjet disi dalin në shesh dhe ai përfundon në burg. Populli serb fillon me protesta, bllokime rrugësh dhe incidente të ndryshme. Kërkon referendum shtesë.Nëse e sheh të nevojshëme, Serbia e eliminon Vuçiqin nga skena politike për shkak të “shitjes” së Kosmetit. Politikanët e rinj serb bëjnë kërkesa për negociata tjera deri në shkatërrimin definitiv të Kosovës. Dëshiroj që këto parashikime të mijat dhe të tjerëve që e duan Kosovën me zemër të dalin gabim.
Të gjitha këto fatëkeqësi janë bërë të mundura në saje të gabimeve dhe keqbërjeve të Thacit dhe klasës politike që qeverisi me Kosovën pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Ato janë të shumta: “fusnota” në Deklaratën e pavarësisë, humbja e tokave në demarkacione me Maqedoni dhe Mal të Zi, lobimi aktiv për ndarjen e Kosovës, asociacioni i komunave serbe, legalizimi i strukturave kriminale të Veriut, ofrimi i amnistisë për kriminelët serb, mosmarrja e liberalizimit të vizave, heqja dorë nga mbrojtja e të drejtave të vëllazërve tanë të Kosovës Lindore, korrupsioni, varfëria e pafund dhe zbrazja e Kosovës. Faktet për shkatërrimin gradual të Kosovës janë të pakontestueshme. Në Albach të Austrisë me datën 25 Gusht, 2018, në pyetjen e moderatorit se a nënkupton marrëveshja finale me Serbinë edhe “rregullim kufijsh”, Thaçi u përgjigj: “Po, unë jam në favor të “korrigjimit të kufirit” sepse “ne kemi nevojë për një marrëveshje paqësore me Serbinë”. Presidenti serb Vuçiq i ulur afër tij, i habitur i thotë me ton të ulët “don’t tell them” pra “mos trego” dhe vazhdon të buzëqesh me ironi derisa Thaçi e përfundon përgjigjen. Dhe ky ka fytyrë të dal para popullit me deklarata falso utopike se nuk i jep Serbisë asgjë, veçse kërkon bashkimin e Kosovës Lindore. Me këtë mashtrim të shekullit do të duhej të përfundonte karriera e tij politike. Shtrohet pyetja, pse i duron populli shqiptar politikanët e këqinj kaq shumë dhe kaq gjatë?
SHPËTIMI I KOSOVËS NGA SHKATËRRIMI
Serbia e ndihmuar nga Thaçi me shokë, për 21 vite me radhë punoi me përkushtim të madh, duke shpenzuar miliona dollarë në Washington, për ta sjellë Kosovën në këtë gjëndje shumë të rëndë, para kapitullimit. Është momenti i fundit që Serbisë t’i ndalet turri dhe t’i thyhen dhëmbët si në vitin 1999.Rezistenca popullore filloi me zgjedhjet e lira demokratike të 6 Tetorit dhe fitoren e VV-s në krye me Albin Kurtin dhe të LDK-s pjesës Rugoviane në krye me Vjosa Osmanin.Rrëzimi i tyre me metoda të ulëta jodemokratike dhe vjedhja e pushtetit nga ana e klasës së korruptuar është humbje e përkohshme.Shpëtimi i Kosovës është i mundur.
Hapi i parë i shpëtimit të Kosovës fillon me largimin nga politika të figurave më negative dhe më të rrezikshme për Kosovën, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës si dhe rrëzimin e qeverisë “srpska” me kryeministrin jolegjitim Avdullah Hotin. Më së lehti dhe më së miri do të ishte nëse Thaçin e largojnë pasardhësit e vërtetë të UÇK-s të vijës së Komandantit Adem Jashari në kuadër të PDK-s, ndërsa Isa Mustafën pasardhësit e vërtetë të vijës së Presidentit Ibrahim Rugova në kuadër të LDK-s. Nëse kjo nuk bëhet sa më shpejt, gjithsesipara përfundimit të dialogut me Serbinë, atëherë kjo detyrë i takon popullit të Kosovës. Vijnë në shprehje të gjitha metodat e rezistencës aktive që kulminojnë me protesta të përherëshme gjithë popullore me kërkesa legjitime për dorëheqjen e Thaçit, demokraci, zgjedhje të lira dhe kundër dialogut për ndarjen e Kosovës.Protestat paqësore mund të organizohen nga Vetëvendosja e cila me 12 Qershor tregoi se ka përkrahje dhe aftësi për t’i realizuar në mënyrë dinjitoze. Por, edhe më mirë do të ishte sikur të bëheshin nga organizata studentore me përkrahjen e VV-s dhe të mbarë popullit. Në këto protesta nuk guxohet të bëhen thyerje e dëmtime të objekteve dhe pronave private apo shtetërore.Në asnjë mënyrë nuk bën të protestohet para Ambasadës së SHBA-ve.Ajo është simbol i ekzistencës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.Nuk bën të dëgjohen kurrsesi parulla anti-amerikane.
Paralelisht, duhen përforcuar dhe shtuar veprimet lobiste të mërgatës së fortë shqiptare në Amerikë, Zvicër, Gjermani dhe vende tjera demokratike me rëndësi dhe influence në zgjidhjen e problemit të Ballkanit.Liga Shqiptaro-Amerikane në Amerikë në krye me ish-kongresistin Joseph Dioguardi dhe Këshilltaren për çështje Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi ka aftësi profesionale dhe përvojë 30 vjeçare në lobizëm shumë të suksesshëm në Washington. Kjo Ligë mund të siguroi dëgjime në Kongresin Amerikan, ku Ambasadori Grenell apo zyrtarë tjerë të Administratës aktuale do të jenë të obliguar ta spjegojnë dhe arsyetojnë politikën e tyre ndaj Kosovës. Serbia ka patur sukses që me propagandë mashtruese anti-shqiptare, duke e luajtur rolin e viktimës, të depërtojë te zyrtarë të caktuar të Shtëpisë të Bardhë, por në Kongres do të pësojë disfatë sepse faktet dhe e drejta është në anën tonë. Liga ka të drejtë dhe mund të organizojë me shumë sukses demonstrata masive para Shtëpisë së Bardhë dhe OKB-s me kërkesa për zgjedhje të lira demokratike në Kosovë, kundër ndarjes së Kosovës, për njohjen e saj në kufijt ekzistues dhe antarësim të plotë në OKB.Ka të drejtë dhe mund ta kërkojë lirimin e Ambasadorit Grenell nga detyra e ndërmjetësuesit për shkak të politikës së gabuar dhe animit të hapur nga Serbia, ka të drejtë dhe detyrë ta kritikojë cilindo zyrtar amerikan për gabime politike dhe diplomatike, gjë që në asnjë mënyrë nuk guxojnë ta bëjnë politikanët e Kosovës dhe tokave tjera shqiptare.Për ta kryer këtë detyrë me sukses, Liga ka nevojë për përkrahje materiale si në vitet 90-ta, ose sot ose kurrë.
ÇDO GJË PËR LIRINË E KOSOVËS
Tashti populli i Kosovës e ka plotësisht të çartë.Nuk ka të bëjë më vetëm me luftë për pushtet të partive politike.Ka të bëjë me ekzistencën e Kosovës si shtet dhe mundësinë e humbjes së lirisë.Populli shqiptar gjatë gjithë historisë, kurrë nuk është pajtuar me robëri, ka rezistuar dhe luftuar me të gjitha forcat armiqt e shumtë dhe tradhëtarët e vendit.Liria dhe pavarësia e Kosovës u arrit me luftë, nuk bën të humbet me bisedime, nuk bën të shkelet mbi gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit që e dhanë jetën për këtë liri.Edhe pse me hyrjen e NATO-s në Ballkan mundësia e luftave ka përfunduar, populli shqiptar nuk mund të pajtohet me humbjen e lirisë.Ky popull i shumëvuajtur ka të drejtë ta mbrojë lirinë me të gjitha mjetet, nëse ka nevojë dhe mundësi edhe me rezistencë të armatosur. Liria nuk falet për hatër të “mikut” dhe nuk i dorëzohet as forcës së armikut.Kosova dhe populli shqiptar janë më të fortë se Serbia. Liria është më e shtrenjtë se jeta!
Dëshiroj ta përfundoj këtë shkrim me përgjigjen time në twitter deputetit të nderuar zvicerian: -Faleminderit shumë Z. Cedric, përkrahja e njerëzve të mëdhenj si Ju e ndihmon Kosovën në luftën për drejtësi dhe demokraci. Sëbashku ne do të fitojmë!
*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës