• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CURRAJT E EPËRM, “ORA POETIKE” E NDUE VATNIKAJT

August 14, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
  1.Curraj i Epërm është një fshat konkurent dinjitar për “mis” e “ginnes” në planet.  Prej 13 dhjetorit 1951 shenjohet dhe vendlindje e poetit Ndue Vatnikaj. Ky amfiteatër natyror, luftarak, poetik, turistik i Currajt të Epërm,, për shumkënd, për nga largësia kilometrike alpine dhe ngjitja e atjeshme në kambë në ecje të thiktë disaorëshe, duket sikur asht “Fundi i Botës”, po, njëherash, asht dhe “Fillimi i Parajsës”. Nji Parajsë hyjnore e tokësore, biblike e historike, kulturore e poetike. Nji Parajsë me rranjë lisnore e degë të mëdha. E gjithkohshme.
            Currajt e Epërm janë pikturë e Zotit, janë poezi e Zotit. Truall etno-historik i banorëve të saj dalëzotas.
Currajt e Epërm janë një parajsë e thesartë, hyjnore e homerike, legjendë e realitet, aqsa nuk e ka të lehtë as shkenctari i eposit e i etnosit Anton (Ndoc) Papleka ta gdhendi në parathanien e librit poetik “Djepi i thyer”, as Ndue Vatnikaj ta sjelli në poezitë e librit të tij, as djali i tij piktor, mjeshtri i ri Astrit Vatnikaj, ta pasqyrojë në tablotë e tij.
Currajt e Epërm janë një parajasë e rrallë që jeton prej shekujsh si realitet, si vlerë, si amanet, në shpirtin e hapat e çdo banori të këtij fshati alpin.
Currajt e Epërm janë një parajsë e vërtetë drejt së cilës do të shkojnë banorët e sotëm autoktonë të tij dhe vargnia e turistëve të botës, të lodhur nga qytetet e të joshur nga turizmi i këtij visi alpin. Currajt e Epërm do të kenë turizmin sipas stinëve: turizmin e bardhë e të gjelbër, por dhe turizmin historik, kulturor, shëndetësor, sportiv.
Aty, në Curraj të Epërm, sigurisht, së shpejti, përgjithnji, për kohërat e turistët, do të jenë në një tezgë tregu apo në ndonjë stendë muzeu dhe dy librat e deritanishëm të poetit vendali, Ndue Vatnikaj, vëllimet e tij poetike “Vargu im, shpirti im” (2011) dhe “Djepi i thyer” (2016).
 Këta dy libra poetik të Ndue Vatnikajt, ashtu sikurse veprat e profesor doktor Murat Gecajt, publicistika e Agron Prebibajt, Dedë Qokajt, studimet e Ylli Prebibajt, e të tjerëve, në faqet e krijimtarisë së tyre rrezatojnë fort e mirë me genet poetike e letrare, me frymën biblike, epike e lirike të visit të tyre, Curraj i Epërm.
2.Currajt e Epërm janë Tokë e Krishtit. Jetë e mote.
            Aty, Kisha Katolike, kjo “shtëpi e Zotit”, ka jetue dhe kur vendi ynë u ba ligjërisht ateist. Aty po bien dhe muret e kullave alpine maje thepit si “Kulla e Ngujimit”, po Kisha Katolike gjithmonë ringrihet, mbetet e re.
Aty, në Curraj të Epërm, njerëzit bajnë kryq për malet alpine dhe malet alpine bajnë kryq për banorët e këtij fshati besimtar të fismë.
Fryma e fytyra e besimit tek Zoti, në Krisht, në brengat e apelin për ardhmërinë e Currajve të Epërm e të Kohës së Re Shqiptare, ndihen me fuqi shpirti dhe me forcë vizionare në fjalën poetike të Ndue Vatnikajt.
 3.Currajt e Epërm lartësinë mbidetare e kanë 800 m. Sikurse dhe qyteti i Korçës. Po, në kohën e sotme kur bota shkon deri në planetin Mars, në këtë fshat me histori e bukuri të rralla, ende nuk i ka shkue rruga e makinës apo të ngrihet nji teleferik.
Po kjo nuk do të thotë se në këtë trevë nuk ka shkue qytetrimi pellazg, ilir e arbnor, pasi në anën lindore të malit të Rrukut, rreth 1.000 m. lartësi, është nji shteg që lidh fshatin Curraj i Poshtëm me bjeshkët e tij dhe aty gjenden toponimet “Gjyteti i Madh” dhe “Gjyteti i vogël”, çka lidhet praktikisht me mure të trasha e taracimet e një vendbanimi të shek. III-IV pas Krishtit.
Albanologu i shquar Baron Nopçe në fillim të shek. XX, pasi shkoi dy herë në Curraj të Epërm, i propozoi Parlamentit të Austro-Hungarisë për ta shpall “Monument Kulture” këtë fshat  të Nikaj-Mërturit, të Shqipërisë së Veriut. Kjo nuk po ndodh as sot me asnjë nga qeveritë shqiptare të Tranzicionit, të pakten për të shpallë “Monument Kulture” ndonjë objekt të damtuar si “Kulla e Thepit”, etj.
Gjithashtu, do të ishte me interes kombëtar shqiptar që “Eposi i Kreshnikëve”, “Kanga Maje-Krahu”, “Xhubleta” e Lahuta, që janë pasuri tipike e historisë e kulturës dhe të Currajve, të shpallen të shpallen Trashëgimi Botërore e UNESCO-s (Organizata Botërore për Edukim, Shkencë e Kulturë), të merren në mbrojtje prej saj.
Unë, kam pasë fat të kem disa herë, në disa raste, rrezatim nga Parajsa e rrallë “Curraj i Epërm”, nga qytetërimi i Currajve të Epërm, ndaj, sot, iu shpreh mirënjohje shpirtërore e publike:
E kam pasë mësuesen time të klasës së parë e të krejt fillores, mësuesen Drande Ramja, nuse në derën e Prebibajve.
            Kryehere, kur isha në ciklin e lartë të 8-vjeçares, e kam pasë mësues të parë në udhën e poezisë, shkrimtarin e gazetarin Murat Gecaj, i cili, asokohe, kishte ardhë nga Tirana të punonte në Komitetin Ekzekutiv të Tropojës për kulturën dhe ishin shokë me babën tim, në nji institucion në qytetin tonë alpin. Ky personalitet, i origjinës nga Currajt e Epërm, më ka pasë ndihmue atëherit për me e botue poezinë e parë në revistën “Pionieri”.
            Në vitet ’80, kur punoja me rininë në Tropojë,, në pranverë të vonë, jam kanë mysafir tek kulla mikpritëse e Pjetër Sokolit të Currajve të Epërm, tek kulla e djemve të tij: Ndue, Nikollë, Lulash e Gjin Vatnikaj. Kurrë ma nuk jam kanë në Curraj të Epërm, por kurrë në jetën time nuk e harroj atë pritje të madhe e të rrallë në atë kullë fisnike, bujare, gjallnike. Asokohe stinore kur mbaronin deri dhe turshitë, nana e fisme Linë Sokolja e kullës së Vatnikajve, i kishte koritat me tamel (qumësht), na pruni në sofër deri dhe mazë të zieme e mjaltë. Atë mazë të zieme në Curraj të Epërm ende nuk e kam hasë ndokund ndër vise e udhë të jetës time. Ishin prodhime “bio” të  tokës së atyhit, të barit të shëndetshëm e të qindra luleve, të kullotave të shumta të atyhit. Mbi të gjitha, kulla e Vatnikajve ndriste nga gjithçka: nga bisedat, pastërtia, mikpritja, e gjithmonë dritë paçin ndër breza e kudo qofshin me banesë e jetesë këta njerëz të nderuar, njerëz me nder e të nderave, njerëz me kontribute e atribute.
Shenjë e rrezatim i këtij qytetërimi në/nga Currajt e Epërm është dhe vëllimi poetik “Djepi i thyer” i poetit të fismë Ndue Vatnikaj.
4.Në masmedia panshqiptare e në biseda rasti thonë se Currajt e Epërm janë një “vend i braktisur”. Jo. Kurrë. Nuk ka ndodh dhe as ka për të ngjarë ndonjiherë kjo. Currajt e Epërm i kanë banorët e vet të përjetshëm, të cilët rrijnë gjithmonë aty.
Aty, në Curraj të Epërm, rrijnë Orët e Zanat. Aty tek lumi që e ndan likpërmjet fshatin. Aty tek lugina që i mban kullat e tokat e fshatit. Aty tek lartësitë alpine që i rrijnë si kurorë bukurie e madhështie fshatit. Aty, në Curraj të Epërm, është “Ora” e çdo banori të atyhit, vendas në ikje e në rikthim. Aty është dhe “Ora poetike” e Ndue Vatnikajt, aty burimojnë librat e tij poetik.
Aty, në Curraj të Epërm, si në legjenda të moçme, ende jetojnë Kreshnikët. Aty enden Muja e Halili, vijnë e ikin Tanushat, Agët e Jutbinës. Aty asht mbledh nji kangë dhe për legjendarin Gjergj Elez Alia. Aty është një nga djepet e dekanatet e Eposit të Kreshnikëve. Argati i folklorit, Martiri i Krishtërimit, i përndrituri e i përvuajturi Bernard Palaj me bashkëpunëtorin e tij, Donat Kurti, autorë të veprës piedestalore “Visaret e Kombit”, thonë se “variantet e rapsodive ma të gjalla e ma të kullueta gjendeshin në Curraj të Epërm”.  E, disa kangë të Eposit të Kreshnikëve i gjetën tek kangëtarët e lahutarët e shquar në Curraj të Epërm, tek Mëhill Preka dhe tek Shan Zefi, çka duhet me thane botnisht se pa kangët e këtyne të dyve, kjo vepra madhore “Visaret e Kombit” do të vinte pak e mangët, jo e plotë,  për brezat shqiptarë e për studiuesit e botës.
Aty, në Curraj të Epërm, jetojnë përgjithmonë dhe krijuesit vendas, ata të penës letrare, të fjalës poetike, si poeti Ndue Vatnikaj  me librat e tij të sotëm e të nesërm, pasi e kanë nji fjalë të moçme latinët: “Heronjtë vdesin, por shkrimtarët kurrë”.
            5.Ndue Vatnikaj e ka pasë gjithmonë me vete poezinë, pasi trevat e mrekullueshme alpine Curraj i Epërm, Nikaj-Mërturi e Malësia e Gjakovës përherë kanë lind e rritë poetë. I ban vet toka me bukuritë e pasuritë e rralla, trashëgimia kulturore e madhe, historia e tyre e shquar.
            Tek zemra e shpirti, mendja e fjala e Ndue Vatnikajt, siç jeton realisht e përgjithmonë Currajt e Epërm, frymon për mirë e burimon e pastër dhe poezia e tij, tekstet e kangëve të tij. Përndryshe, Ndue Vatnikaj, shoku im i mirë i shkollës së mesme në qytetin tonë alpin, sa ma shumë ecën në kohë, aq ma shumë i lartnohen vendlindja e poezia, i mbeten gjithmonë te dyja dashuri të reja e të përjetshme dhe kur lumturisht bahet gjysh me nipër e mbesa, dhe kur mirësisht po afirmohet poet me libra poetik të botuar e të mirëpritur nga lexuesit.
Kur e shfleton vëllimin poetik “Djepi i thyer” të poetit Ndue Vatnikaj, tek kapitulli “Shkrihej bora e bahej lotë”(që më kan thanë me e cek në fjalën time) shof qartësisht se në 12 poezitë e këtij kapitulli ka muzë nga Eposi i Kreshnikëve, ndihet fryma e Eposit të Kreshnikëve, ka shumçka nga homerika e Eposit të Kreshnikëve dhe e Gjergj Fishtës, si tek poezitë “Ibrahim Rugovës”, “Marash Ucit” të fisit të Hotit, “’In pesë vllazën” nga Perajt e Nikaj-Mërturit, “Mushak Haxhisë” të Valbonës, “Sokol Delisë”- derë e bajrakut të fisit të Nikajve, “Kangë për Pal Nikën” e Currajve të Epërm,, “Këngë për Man Avdinë e Palçit”, “Kukel Ndout” të Currajve të Epërm, “Avdyl Ukës”- hero nga Vushtri e Kosovës, “Këngë për Familjen e Babun Ukës së Perajve”, “Antigona Fazliut”- nga Drenica, dëshmorja ma e re e UÇK-së, ”Fran Zefit” – nga Gjonpepajt – martir i dritës në Gurore të Fierzës, “Këngë për Kol Nikollajn” e Klinës të Kosovës.
6.Aty, në parajsën Curraj i Epërm, malet takohen me qiellin, dielli lahet tek lumi i Currajve, kullat thepohen në luginë e mbi male, aty njerëzit flasin me Orët e Zanat, me Kreshnikët, aty njerëzit jetojnë me legjendat dhe prekin të ardhmen e vet.
Kudo në Shqipëri mund të pijsh nji kafe magjike me nji president apo kryeministër, me nji mbret, me nji shkrimtar kandidat për nobelist, me një biznesmen sheik, po vetëm në vendin e mrekullueshëm alpin Curraj i Epërm mund të pijsh një kafe hyjnore me Zotin.
Zoti i bekoftë Currajt e Epërm, Nikaj-Mërturin e Malësinë e Gjakovës!
Tiranë, 13 gusht 2016

Filed Under: Reportazh Tagged With: “ORA POETIKE”, CURRAJT E EPËRM, E NDUE VATNIKAJT, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT