• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR DHE PËRSE U HAP DOSJA E SIGURIMIT TË SHTETIT PËR VATRËN

September 13, 2019 by dgreca

-SIGURIMI: T’I BËHET PRESION FAN S. NOLIT QË TË DEMASKOJË REAKSIONARËT NË VATËR DHE TË JAPË DORËHEQJEN SI KRYETAR NDERI I VATRËS, NDRYSHE, NE  DO TA DEMASKOJMË ATË ….-

– ME 1962 SIGURIMI PO SHIHTE MUNDËSINË E E KRIJIMIT TË NJË VATRE TË RE ME BAZË DEGËN E PITSBURGUT…

– SIGURIMI SHQIPTAR:  Synimi i zbulimit amerikan ka qenë që ta kthente Vatrën përfundimisht në një organizatë të emigracionit reaksionar-gjë që e arriti në këto vjetët e fundit me hyrjen në masë të kriminelëve të luftës në radhët e Vatrës dhe me marrjen e drejtimit të saj prej tyre…

NGA DALIP GRECA*

Duket se Dosja e VATRËS ka nisë të sajohet që në fillim të viteve ’50 . Nisur nga koha kur u hap Dosja, pyetja e parë që mund të shtrohet është kjo: Si mund ta ndiqte Sigurimi që nga Tirana veprimtarinë e Vatrës, kur dihet se Shqipëria nuk kishte aso kohe në Nju Jork bazë vazhgimi pasi ende nuk ishte hapur Misioni Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara? Shqipëria u pranua në UN me 14 dhjetor 1955. Pra si do të ndiqej VATRA nga Tirana? Ndoshta me Misionet e aleatëve komunistë të Lindjes. Kjo ëshët hamendje, por le të kthehemi tek Dosja voluminoze e Vatrës.

Në relacionin e parë të Dosjes së Sigurimit për Vatrën shkruhet: Unë punëtori operativ I.Xh,efektiv i Drejtorisë së zbulimit, pasi shqyrtova materialet e Organizatës”VATRA”, themeluar më 1909(shiheni gafën historike të relatorit, në fakt Vatra është themeluar 3 vite më pas)…prej Fan S. Noli, Faik Konicës dhe të tjerë, dhe pasi gjeta se vitet e fundit ajo është vënë plotësisht në shërbim të zbulimit amerikan, dhe aktualisht zhvillon aktivitet armiqësor ndaj vendit tonë si nëpërmjet anëtarëve të saj, ashtu edhe nëpërmjet gazetës së saj DIELLI, vendosa të çel Dosjen e kësaj Organizate për të bërë përpunimin e mëtejshëm, për t’u informuar për aktivitetin e saj, mbi koordinimin me zbulimet armike, mbi divergjencat në radhët e saj etj etj.

Dosja ka në krye Siglën”Tepër sekret”, aprovimin nga drejtori i zbulimit Politik J.M si dhe nënshkrimin e punëtorit operativ I.XH dhe pëlqimin e firmosur prej kryetarit të degës së zbulimit H.L.

Çelja e Dosjes shoqërohet me një historik të gjatë rreth Vatrës, që nga themelimi, që sipas punëtorit operativ, drejtorëve që e kanë firmosur, nis në mënyrë të çuditshme me vitit 1909 dhe jo në vitin 1912, ndërsa në një informacion të gjatë prej më shumë se 20 faqesh, datat bëhen lëmsh dhe Vatra del sipas Sigurimit se është themeluar më 1920!!!!

Përshkrimi historik nis me komentin e tyre dashakeqës dhe shpifës se nuk ishin motivet patriotike të Nolit e Konicës në krijimin e Vatrës, por dëshira e tyre për t’u zhvatur para shqiptarëve! Pas vdekjes së Konicës, komenton historihartusi i Vatrës, Federata komandohej prej Nolit dhe agjentit të zbulimit amerikan Q. Panariti, që ishte sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit! Në relacion përshkruhen organet drejtuse të Vatrës:

– Kuvendi

-Komisioni qendror

– Këshilli…

Në relacionet informuse përshkruhen cilësitë e drejtuesëve të  Vatrës të zgjedhur nga Kuvendi i vitit 1950-51:

Kryetar Nderi: Fan S. Noli,

Kryetar i Vatrës: Vangjel Sotir

N/Kryetar: Thoma G. Sotir(Vithkuqi)

Arkëtar: James L. Keko

Anëtarë: Lambi Misho; Gregory Tite, Mike Adams dhe Sotir Adams.

Anëtar rezervë: Chris Theodore

Sekretar: Qerim Panariti( G. M. Panarity)

Anëtarë të Këshillit: George Katundi, Gregory Speares, Koli Veshio, Sabri Kumenica, Nevrus Qerim, Vito Nako, Mujo Alite, Musa Hajro.

Përpilusi i materialit analitik dhe informues krahason përbërjen e të zgjedhurëve me të mëparshmit, të vitit 1950-51, dhe konstaton se janë hequr disa persona; Dhimitri P. Luarasi-ish kryetar; Shefqet Bença-Ish sekretar, si dhe Jani Janollari, Tasi Moni, Mehmet Tosun, Imami(vlerësohet”i mirë”), si dhe Van Conary.

Sipas materialit analizues të relatorit, largimi i Sh. B dhe M. T, të vlerësuar si njerëz të mirë, të gjithë të tjerët e zgjedhur ishin  të rinjë dhe favorizojnë forcimin e sekretarit të Vatrës, Qerim Panariti, njëkohësisht edhe editor i Diellit.

Raporti i paraqitur ndalet edhe në zgjedhjet në degët e Vatrës, strukturat drejtuse, ku nuk harrohet të shënohen cilësitë për drejtusit e degëve. Në atë kohë raporti evidenton këto degë aktive: Dega nr. 1 me kryetar Mehmet Korça, dega nr. 5 me kryetar Chris Theodhore, dega nr. 7 me kryetar Miço V. Grabocka, dega nr. 8 me kryetar Van Conary, dega nr 16 me kryetar Husni Sejko, dega nr. 20 me kryetar Gus Lazar, dega nr. 33 kryetar Marko Adams, dega nr. 42 me kryetar Gregory Speros, dhe dega nr. 62 me kryetar H. S. Dolani.

Raportusi nuk harron të trajtojë dhe tentaivat për bashkimin e Vatrës me Shoqatën”Shqipëria e Lirë”, e cila ishte nën komandën e Tiranës zyrtare. Qëllimi ishte izolimi i Vatrës, mundësisht shkrirja e saj përmes nxitjes së divergjencave të brendshme.

Në këtë raport të gjatë prej 30 faqesh ka dhe një raport të detajuar për diasporën në Argjentinë dhe në Australi.

Lufta kundër Vatrës u bë më e ashpër në mes vitet ’55 dhe në shënjestër u vendos sekretari i Vatrës Qerim Panariti, i cili në dhjetvjeçarin e  parë të drejtimit të Diellit 1945-1955, ishte shquar për qëndrim mbrojtës të Shqipërisë së Enver Hoxhës, madje dhe të Bashkimit Sovjetik, duke mos kursyer kritikat për SHBA që nuk njihte Shqipërinë e Enver Hoxhës. Ndoshta Qerimi ishte idealist, por dhe demokrat liberal.Ai e donte Shqipërinë se për të kishte luftuar me armë në dorë kundër grekëve që në moshë të vogël. Mirëpo dikur dhe Qerimi u zgjua dhe filloi ta kritikojë ashpër Tiranën komuniste. Shtypi i Tiranës, përfshi radio Tiranën, apo Revistën e ilustruar”Shqipëria e Re” po e cilësonin Panaritin  si agjent i imperialistëve dhe si renegat i Atdheut. Në fund të viteve ’50, lufta u bë më e ashpër mes Tiranës komuniste dhe Vatrës. Vatra që kishte punuar aq shumë për të pranuar Shqipërinë në UN, kishte pritë e përcjellë delegacione të Qeverisë komuniste, kishte ndihmuar aq shumë edhe Shqipërinë e pas luftës me ushqime, ilaçe dhe dollarë, u habit fort kur Qeveria e Enver Hoxhës refuzojë ndihmën që ofroi presidenti amerikan Eisenhower. Dielli komentonte: Kjo është hera e tretë që Amerika i ofronte ndihmë Shqipërisë: E para me Presidentin Wilson në Konferencën e Parisit, së dyti me deklaratën e sekretarit të Shtetit Hull në Dhjetor 1942, kur deklaroi se “Indipendenca e Shqipërisë sigurohet nga Karta e Atlantikut”, dhe tani Shqipërisë, që aso kohe prodhonte vetëm 8 muaj bukë, iu afrua bujarisht ndihma nga vetë presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower, por qeveria e Tiranës e refuzoi. Vatra që e kishte duartrokitur deklartën bujare të  Presiedntit Eisenhower, e kritikoi ashpër Tiranën zyrtare për refuzimin arrogant, ndërkohë që populli nuk kishte çfarë të hante. Dielli i drejtuar nga Qerim Panariti, komentonte refuzimin:

”O Zot, ndjejë se s’dinë ç’bëjnë”!

Dielli në emër të Vatrës dhe vatranëve,i kërkonte ndjesë me përulësi popullit amerikan dhe presidentit Eisenhower.

Me 6 prill 1955 Dielli botonte artikullin tashmë të njohur”NE ME GRURË ATA ME GURË”!.

Duket se paqa mes Vatrës dhe Qeverisë së Tiranës kishte marrë fund. Qeveria nisi të angazhojë dy ministri për të bërë zap Vatrën, Ministrinë e Brendshme me drejtoritë përkatëse dhe Ministrinë e Jashtme, veçanërisht me Misionin Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara.

Që nga viti 1958-59 dhe në fillim të viteve ’60 e në vijim Vatra dhe Qeveria ishin ballë për ballë.

Tashmë hartoheshin Plane-Masash Agjenturore-Operative në Drejtim të Federatës VATRA në SHBA. Për Sigurimin Shqiptar Vatra përdorej nga Zbulimi Amerikan. Në një ndër këta plane(1962-63) shkruhej: “Zbulimi Amerikan gjithëmonë është përpjekur që të tërheqë në veprimtari armiqësore kundër vendit tonë emigracionin shqiptar që ndodhet në SHBA. Një kudjes të veçantë i ka kushtuar Federatës VATRA për vetë faktin se ajo është një organizatë e gjerë dhe gëzonte një farë autoriteti në emigracionin  ekonomik shqiptar që ndodhet në SHBA. Sigurimi konstatonte: Duke shfrytëzuar paqëndrueshmërinë dhe lëkundjet e krerëve të Vatrës, zbulimi amerikan menjëherë pas çlirimit të Shqipërisë krijoi agjenturën e tij dhe punoi për vendosjen e agjentëve të tij më të sprovuar në krye të kësaj organizate, për ta patur këtë si levë në veprimtarinë e njohur armiqësore ndaj vendit tonë. Synimi i zbulimit amerikan ka qenë që ta kthente Vatrën përfundimisht në një organizatë të emigracionit reaksionar-gjë që e arriti në këto vjetët e fundit me hyrjen në masë të kriminelëve të luftës në radhët e Vatrës dhe me marrjen e drejtimit të saj prej tyre…”

Duket se Sigurimi shihte ëndrra me spiunë e agjentë amerikanë në radhët e Vatrës. Kundër Vatrës shteti komunist angazhoi një armatë njerëzish dhe leva të shtetit, u përdorën presione me të afërm në Shqipëri, u përdorën të riatdhesuarit, apo vizitorët, u frynë konfliktet e mosmarrveshjet e brendshme, u ngritën kurthe të sofistikuara etj. U hartuan për këtë qëllim edhe plane afat shkurtra e afatgjata.

Ja si do t’i kundëpërgjigjej Sigurimi Shqiptar Zbulimit Amerikan. Citojmë : I- Duke aktivizuar burimet agjenturore dhe miqësore, duke shfrytëzuar të riatdhesuarit e vizitorët dhe materialet legale, të zbulojmë:

 a- Qëllimet dhe planet konkrete që zbulimi amerikan ka në drejtim të Organizatës VATRA.

b-Kuadrot dhe agjentët e zbulimit dhe K/zbulimit amerikan që punojnë në radhët e Organizatës VATRA, format dhe metodat e punës së tyre.

Gjendja e tanishme reale në këtë Organizatë:

a-Të sigurojmë Listat e plota të anëtarësisë së Vatrës, të ndarë sipas degëve, organizimin me hollësi, Këshillin qëndror dhe këshillat e degëve,

b- Personat që lëkunden tani, e sidomos ata që largohen prej Vatrës, ose ata që hidhen në pasivitet tani, kur në krye të kësaj organizate janë vënë të arratisurit.

c-Marrëdhëniet e organizatës Vatra me organizatave të tjera të emigracionit reaksionar, sidomos me Komitetin Shqipëria  e Lirë.

Ç-Kontradiktat që egzistojnë në radhët e Organizatës: Në mes krerëve dhe masës së anëtarëve, në mes degëve të veçanta dhe qendrës, në mes krerëve me njeri-tjetrin, në mes kësaj Organizate dhe organizatave të  tjera të emigracionit reaksionar ose ekonomik dhe në mes të saj dhe zbulimit Amerikan, dhe të shihet mundësia si mund të shtohen këto kontradita.

II- Të punojmë aktivisht për shtimin e kontradiktave brenda Vatrës, të nxisim që të largohen nga Vatra sa më shumë patriotë, të bëjmë që Vatra e tanishme të demaskohet plotësisht si organizatë në duart e kriminelëve të luftës, e cila punon kundër interesave të Atdheut.

  1. Nëpërmejt miqëve ose duke marrë kontakte direkte me ta, t’i bëhet presion Fan Nolit që të japë dorëheqjen nga pozita e tanishme si “Kryetar Nderi” i Vatrës. T’i bëhet e qartë atij se në rast se do të vazhdojë në këtë post do të kompromentohet si përkrahës i kriminelëve, të cilët i ka pasë luftuar, dhe ne do të detyrohemi ta demoskojmë atë vetë(Nolin).
  2. Të demaskojmë me anë të shtypit , radios, dhe miqëve që kemi në radhët e shqiptarëve të Amerikës,
  3. Personat e arratisur që kanë hyrë në Vatër tani dhe në radhë të parë Editorin e Diellit Athanas Gegaj, për të cilin po grumbullojmë material se është agjent i zbulimeve të huaja.Po ashtu të demaskojmë edhe ata persona nga radhët e organizatave reaksionare që tani janë në organet drejtuse të Vatrës ose që shkruajnë artikuj në gazetën DIELLI.

– Të demaskojmë ata persona reaksionarë nga vatranët e vjetër si Peter Chikozi, Miko Kokalari, Vahit Çika e të tjerë, të cilët me tradhëtinë e tyre ua dorëzuan këtë organizatë patriotike kriminelëve të shitur tek të huajtë. Në demaskimin e këtyre të kemi parasysh që sipas situatave, të bëjmë ndonjë diferencim: Në radhë të parë , goditjen kryesore ta bëjmë kundër krerëve të arratisur që janë në Vatër dhe përkrahësve aktivë të tyre-Meqenëse Qerim Panariti tani është i pakënaqur mund të mos e godasim përkohësisht.

  • Të hedhim në luftë të hapur kundër Vatrës së tanishme ata vatranë të vjetër që janë larguar nga kjo organizatë, si dhe ata që do të largohen tani. T’u kushtojmë kujdes të veçatë  personave me rëndësi si ish kryetarit Th P, i cili tani dha dorëheqjen nga Vatra.Për këta persona të marrim masa që të punojë Rezidentura jonë në SHBA dhe gjithashtu të punojmë edhe në qendër, duke gjetur lidhjet e rëndësishme të tyre këtu në Shqipëri, me anën e të cilëve, me letra, të bëhet presion që të aktivizohen kundër kriminelëve, tradhëtarë të Atdheut.
  • Ç- Duke u konsultuar për këtë problem me Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendoset se çfarë do të bëhet me Vatranët që do të largohen nga Vatra dhe me degën e Pitsburgut të kësaj Organizate, e cila po qëndron mirë:Do të punohet për krijimin e një Vatre të re apo do të nxiten këta  të hyjnë në Organizatën”Shqipëria e Lirë” dhe kjo të forcohet e të luftojë Vatrën?!.
  • d-Me anë të miqëve të shfrytëzohen me kujdes kontradiktat dhe pakënaqësitë e Qerim Panaritit ndaj udhëheqjes dhe  ky të hidhet në luftë kundër Vatrës duke zhvilluar aktivitet përçarës.

Për zbatimin e detyrave të mësipërme, Pasi të jetë vendosur edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme, t’i dërgohet Rezidenturës në Nju jork edhe një udhëzim me detyra konkrete me qëllim që ajo:

 1- Të aktivizojë në drejtim të Vatrës burimet agjenturore, qofshin edhe në radhët e emigracionit reaksionar.

2-Të aktivizojmë burimet miqësore dhe t’i shtojë këto, sidomos duke afruar persona të rinj,nga ata vatranë që lëkunden, ose ata që japin dorëheqje nga Vatra,

 3- Të studiojë 1 ose 2 persona nga ata që janë në pozita udhëheqëse të Vatrës dhe të shihet mundësia për t’i rekurtuar në shërbimin tonë.(Vijon)

     ***

Shënim: Editorit po i bëhen presione nga individë dhe ndonjë degë e Vatrës për t’ua dorëzuar atyre Dosjen. Siç sqaruam përmes Editorialit në Diellin e numrit të  Gushtit 2019: Dosja e Vatrës është tërhequr  nga Editori prej Autoritetit Për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, konform ligjeve të shtetit shqiptar dhe po përdoret sipas udhëzimeve në fuqi-Vetëm për qëllime studimore. Editori ka firmosur deklartën që e ngarkon me përgjegjësi ligjore se:”Ky informacion do të jetë konfidencial vetëm për atë dhe askënd tjetër….Ai deklaron se pas shqyrtimit të dokumenteve do të ruajë të dhënat personale sipas parashikimeve të nenit 36 të ligjit nr.45/2015 dhe dispozitave të ligjit nr. 9887/2008, të ndryshuar.”

Kushdo vatran që ka shqetësim se mund të ketë qenë objekt i ndjekjes prej Sigurimit të Shtetit Komunist ose është vënë në shërbim të Sigurimit, ka të drejtë të plotësojë formularin, dhe të marrë informacionin tek Autoriteti i Dosjeve.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dalip Greca-Dosja e Vatres-Sigurimi-Kur dhe Pse -u hap

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT