• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 112 VJEÇ

February 15, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA*/

Përvjetorët e gazetës Dielli shënojnë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Vatrën e vatranët, por edhe për komunitetin dhe vendlindjen. Përvjetorët e mëdhenj të gazetës kanë lënë pas ngjarje të mëdha. Kështu psh përvjetori i 50-të  i Diellit lindi Fondin e Studentëve të Vatrës(që vazhdon edhe sot); përvjetori i 60-të bashkoi në SHBA për të parën herë shqiptarët e mërgatës së vjetër arbëreshe të Italisë me Shqiptarët e Amerikës; përvjetori i 100-të rilindi Diellin, që aksidentalisht ishte shuar për 2 vite e gjysëm…

      Kur Dielli mbushte Motin e parë të botimit, editori i dytë i Diellit, Faik Bej Konitza, shkruante:”Me këtë numër, 22 Tetor 1910- DIELLI mbushi Motin e parë të botimit… Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjëherë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas. Është një çlodhje, një kurajo për të shkuar përpara, kur sheh se sa eci dhe kur mendon se ku do të shkojë…”  …

Me At Arthur Liolinin ne Kishen e Shengjergjit ne Boston me rastin e 110 vetorit te Diellit.

Natyrisht, Konica, nuk e mendoi se Dielli do ta kalonte një shekull Jetë!

Ndërsa Editori i parë i gazetës, ai që e pagëzoi Diellin, me emrin e bukur ndriçues-,ai që hartoi programin Kombëtar, të  botuar në numrin e parë, Fan S. Noli, që pati fatin ta shoh Diellin-burrë të rritur, tek festohej 50 vjetori i gazetës, Uronte:”Urojmë me gjithë zemër që DIELLI,gazetë e parë në Gjuhën Shqipe, që u botua e përditshme, të arrijë të festonjë dhe 100 vjeçarin.”

Ne 110 vjetorin e gazetes”Dielli”. Gazetari Frank Shkreli hap konferencen shkencore.

Dielli e kaloi 100 vjeçarin dhe ka hyrë në dekadën e dytë të vjeçarit të dytë të jetës së vet dhe vatranët nuk do ta lejonë që të shuhet ky qiri Kombëtar i ndezur në kohë errësire për Kombin dhe Lusim Zoti të arrijë 200 vjetorin.

Konference shkencore kushtuar 110 vjetorit te Diellit.

Po ku qëndron Misteri i jetës shekullore, 109 Vite VATRA dhe 112 vite –Dielli?

Kësaj pyetjeje janë përpjekë që t’i japin përgjigje analistë, studiues, gazetarë, historianë. Duket se konkluzioni logjik i ish Editor i Diellit Peter Prifti (1958-59), janë më të pranuarat. Së pari, Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë, por si një Institucion, si një Monument historik. Së dyti, edhe Vatra, edhe Dielli, lidhen me dy figura eminente të Historisë Kombëtare, Noli dhe Konica.

Së treti, semantika kuptimore e VATRËS dhe DIELLIT, janë magjike. Emri i Federatës të sjell menjëherë në mendje imazhin e ngrohtë të Vatrës dhe oxhakut, që shpërndajnë ngrohtësi, por dhe mikpritje, bujari karakteristike shqiptare. Po edhe –DIELLI-, është një fjalë që na tërheq si me magnet, sepse”Diell” do të thotë Dritë,energji e pasosur,Jetë e Gjallëri. 

Vatra dhe Dielli janë emra të goditur, që i kanë tërhequr fort shqiptarët nga fillimi i Shekullit 20 e deri tash në shekullin e 21.

Juristi i njohur, nje nga zerat e fuqishem te diaspores shqiptare ne kohe te veshtira, Juristi erudite, atdhetari I sprovuar Hasan Dosti, ne 60 vjetorin e Gazetes Dielli, per Diellin dhe Vatren, u shpreh: “Vatra” dhe “Dielli”, janë shprehje simbolike këto. Na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”. Ndersa gazetari i pare i Vatres, editori i Diellit refat Gurarzezi Diellin dhe Vatren i ka cilesuar si”Institute Kombetare”.

Conference Shkencore me rastin e 110 vetorit te Diellit.

***

Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, DIELLI, mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 112 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një çmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. 

Në maj të vitit 2017 gazeta Dielli u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me dekoratën” Nder i Kombit”.

            ***

        Dielli, ishte me fat sepse u udhëhoq nga pena të talentuara, shkrimtarë e gazetarë të njohur, (po perdor renditjen kohore)duke nisë me Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi,Loni Kristo, Andrea D. Elia,Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri,Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj,pak kohë punoi si ndihmës editor edhe poeti e shkrimtari Çam Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa dhe prej 12 vitesh kam nderin që ta Editoj  unë Gazetën-Ikonë


***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditën e Lindjes. 

” Dielli” lindi në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federoheshin në Vatër (procesi i bashkimit nisi që në dhjetor 1911-dita zyrtare e themelimit të Vatrës është 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë, ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën në Shkodër sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Shoqëria Besa-Besë mori vendimin për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Dielli u shkak që të vinte drejt Amerikës nga Europa edhe Faik Konica, për t’u vënë në krye të taborrit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës së bashku me Fan Nolin që kishte mbërritë tre vjet para tij.Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta ka për kumbarë Fan S. Nolin që e pagëzoi me emrin e bukur “Dielli” ndërkohë që emri i Vatrës duket se ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922).
Dielli ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim, ndërkohë që u bë Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit faktikisht ishte Fan Noli, por editor faktik i emëruar prej Shoqërisë Besa-Besë ishte Faik Konica. Emrin e Nolit si editor nuk e gjejmë në numrat e parë të gazetës. E vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Edhe në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit. Më 22 të tetorit Konica mori në dorë drejtimin e Diellit.”

DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR

Dielli u bë ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur fillimisht rreth Besa-Besën, e më pas rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën, por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis në Sain Louis.

NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN

Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit, Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”ustai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.Historia vijon.

Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 112 vjeç

LETRA E PRESIDENTIT BIDEN PËR NJOHJE TË NDËRSJELLTË SERBI-KOSOVË PËRBALLË KOKËFORTËSISË SË VUÇIÇIT PËR MOSNJOHJE

February 8, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA /

Letra e Presidentit Joesph Biden drejtuar Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç me 5 shkurt 2021, me rastin e ditës së Pavarësisë, është një lajm i mirë për Kosovën, ndërsa reagimi i pritur i Vuçiçit, tregon se ky vazhdon të jetë i përkëdheluri i BE-së dhe i Rusisë dhe këmbëngul për mosnjohje të Kosovës, ndërsa për vazhdimin e dialogut kërkon sërish ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

       E dërguar pak ditë pas fjalimit të parë të Presidentit të 46 amerikan për vizionin e ri  në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë mandatit të tij, për rikthim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, letra vjen si sinjal i fortë i mosndryshimit të kursit në Bllkan në përshtatje me strategjinë e rikthimit të SHBA në politikën botërore, ku diplomacia do të jetë instrumenti bazik.

   Në mënyrë diplomatike presidenti Biden i shkroi Vuçiçit se Amerika do ta mbështesë integrimin europian të Serbisë, por këmbëngul në thellimin e reformave dhe e inkurajon që të ndërmarrë hapa të fortë për të ecur përpara me qëllimin final arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrdhënieve me Kosovën dhe njohjen e ndërsjelltë mes tyre.

         E shkruar me gjuhë diplomatike letra presidenciale merr një përgjigje jo diplomatike prej Vuçiçit. Edhe pse janë vetëm dy rreshta në letrën prej 15 radhësh, që i referohen reformave dhe normalizimit të marrdhënieve me Kosovën, Vuçiçit duket se i ka djegë fortë, tek ka komentuar për mediat, jo pa nervozizëm. Ai pranon urimin e presidentit amerikan, por kundërshton thirrjen për njohjen e ndërsjelltë të Kosovës. Përpjekja e sforcuar për ta shitur këtë qëndrim si detyrë kushtetuse të tij në mbrojtje të interesave të Serbisë, e le të varur në pafundësi zgjidhjen e çështjes së njohjes dhe e zvarrit dialogun në pafundsi.Vuçiçi duhet të pajtohet me të vërtetën, që tashmë është aksiomë dhe s’pranon vërtetim; Kosova nuk ka kthim pas si shtet i pavarur, e njeh apo jo ai dhe Serbia!

         Presidenti i serbëve harron një fakt në parashtrimet e tij; harron faktin se ai përfaqëson një shtet agresor që ushtroi genocid ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës dhe në këto kushte , jo vetëm duhet ta njohë, por edhe të kryej detyrimin njerëzor për t’i kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës, të ndjejë përgjegjësinë për ta zhdëmtuar Kosovën për dëmet e luftës, të ndihmojë për të gjetur të zhdukurit nga makina shfarosëse serbe, të njohë botërisht krimet e kryera nga idhulli i tij Millosheviçi. Tendenca e Beogradit prej kohësh ka qenë dhe mbetet barazimi i viktimës me agresorin; gjë që nuk ka për të ndodhur dhe vetë Evropa nuk duhet ta lejojë si kujtesë kundër genocidit.

   Vuçiç po bën të fortin tek deklaron për të disatën herë se po i kërkojnë që t’ia imponojnë njohjen e ndërsjelltë të Kosovës, por ai nuk do ta bëjë këtë. Madje po krekoset si shumë, kur thotë se ua kam thënë në fytyrë (amerikanëve) se nuk do të ketë njohje! Kjo është më shumë se krekosje, edhe pse është e lexueshme se është e destinuar për tregun e brendshëm elektoral serb, ku nacionalizmi vazhdon të jetë i ulur këmbëkryq. 

    Presidenti serb nuk është i sinqertë me veten kur deklaron se kjo (imponimi i njohjes së ndërsjelltë) është politikë e re e Washingtonit; në fakt Washingtoni ka qenë shumë i qartë që me ndërhyrjen e armatosur  të NATO-s, bombardimet (24 mars 1999-10 Qershor) për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga katastrofa humanitare që i kërcënonte, në kohën kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton; ka vijuar me njohen e Pavarësisë së Kovës në kohën e Presidentit George W. Bush(2001-2009), për të ardhur tek ruajtja e statukuosë në kohën e presidentit Barak Obama(2009-2017), deri tek shtytja që i dha në fundin e mandatit të tij Presidenti Donald Trump(2017-2021) me marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, ku uli përballë njeri tjetrit në Shtëpinë e Bardhë Presidentin Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti. Në këtë vijimësi, letra e Presidentit Biden dhe thirrja e tij për njohje të ndërsjelltë, s’është gjë tjetër veçse finalizim i kërkesave amerikane për njohjen e Kosovës prej Serbisë. Atëherë përse i duket qëndrim i ri Serbisë kërkesa amerikane për njohje të ndërsjelltë?

        Është e lexueshme në dekleratat e bëra me këtë rast se qëllimi i Vuçiçit është mosnjohja e Kosovës dhe vazhdimi formal i bisedimeve Serbi-Kosovë, për të shtyrë kohën. Tek komentoi thirrjen e presidentit amerikan Joseph Biden ai u zotua se shteti i tij ishte i gatshëm të vazhdonte bisedimet me Kosovën, por….të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian….Përse po kërkon vetëm ndërmjetësim të Bashkimit Europian Beogradi? Natyrisht se është i kurajuar edhe nga kritikat e Bashkimit Evropian adresuar Kosovës për vendimin e saj për çeljen e ambasadës kosovare në Jeruzalem, veprim që është konsideruar si largim i Kosovës nga Evropa! 

Presidenti serb kërkon ndërmjetësinë e Brukselit sepse është i bindur se vetë Europa nuk e ka seriozisht zgjidhjen e afërt të çështjes së  Kosovës, njohjen e saj prej Serbisë, përderisa pesë shtete të Bashkimit Europian ende nuk e kanë miratuar pavarësinë; nuk do ta kenë seriozisht përderisa në krye të politikës së jashtme të BE-së të jetë Josep Borrell, shteti i të cilit, është një nga më të mëdhenjtë e Bashkimit Evropian, që nuk ka ndërmend të njohë Kosovën; përderisa ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve të jetë sllovaku Miroslav Lajçak, shteti i të cilit po ashtu nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur!

    U bënë 9 vjet(2011) që vazhdojnë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdestarinë dhe ndërmjetësinë e Bashkimit Europian, por asgjë nuk kanë nxjerrë në dritë përveç shtërngimit të duarëve para kamerave.

          Në këto kushte presidenti Serb, duke pasur avokate diplomacinë ruse, ndjehet i sigurtë dhe bën të fortin përballë kërkesave amerikane. Ai ka thënë se “edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij(Vuçeviçit) të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”.

        Shqiptarët e Kosovës duhet të ndjehen mirë që Vuçiçi i vendos në të njëjtin krah me amerikanët,(pasi vetë është në krahun e aleatëve tradicionalë, rusëve) por udhëheqësit kosovarë duhet t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë që Kosova të ecë përpara dhe me ndihmën amerikane të arrijë qëllimin final. 

           Prova e radhës për ta janë zgjedhjet e 14 shkurtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Letra per Vuçiçin, Presidenti Biden

NJOHJA E KOSOVËS NGA IZRAELI- BASHKIMI EUROPIAN, NË TË NJËJTËN LINJË ME SERBINË?

February 3, 2021 by dgreca

-DUKET SE BE I KA NXJERRË KARTONIN E KUQ KOSOVËS PËR HAPJEN E AMBASADËS NË JERUZALEM./

NGA DALIP GRECA 

Nënshkrimi i marrveshjes për marrdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit me 1 shkurt 2021 përmes një ceremonie virtuale nuk ishte i papritur për diplomacinë botërore. Natyrisht që ky moment do të vinte një ditë pasi u paralajmërua 5 muaj të shkuara me marrëveshjen Serbi-Kosovë me 4 shtator 2020 nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën kujdesin e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Një nga pikat e marrëveshjes për stabilizimin ekonomik, e nënshkruar nga të dyja palët paralajmëronte njohjen e Kosovës prej Izraelit dhe vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Citoj: “Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.”…në fund shtohej edhe një detaj: “Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.”

     Arritja e akordit të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës ka për “kumbar’ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm pse marrëveshja u arrit gjatë takimit të 4 shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, por edhe pse në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me 1 shkurt 2021 morën pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit Matthew Palmer (I dërguari i SHBA për Ballkanin) si dhe ambasadori amerikan në Prishtinë. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit N. Price, e përshëndeti marrëveshjen dhe e cilësoi të hënën e 1 Shkurtit, ditë historike. Nga ana e tij dhe ish kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit, z. Eliot Engel e vlerësoi si një ditë të madhe për të dy shtetet: “Urimet e mia të përzemërta për shtetin e Izraelit dhe Republikën e Kosovës për vendosjen e raporteve diplomatike. Kjo është një ditë e madhe për të dy vendet”, shkroi Engel në Twitter.

  Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” ndjehet mirë që u konkretizua një nga pikat e marrëveshjes të 4 shtatorit, jo vetëm pse ajo ishte e pranishme ditën e nënshkrimit në Washington me kryetarin e saj dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe për faktin se në gjykimin e saj vendosja e marrdhënieve diplomatike me Izraelin është një hap përpara i diplomacisë kosovare i ndihmuar nga ajo amerikane. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Elmi Berisha, në emër të Vatrës e ka përshëndetur marrëveshjen me një deklaratë publike të nesërmen e pasnënshkrimit.

      Gatimi i marrëveshjes gjatë administratës së Presidentit Trump dhe nënshkrimi gjatë administratës së re të Presidentit Biden tregon edhe një herë se SHBA harton politika afatgjata gjeostrategjike, pavarësisht se kush parti qeveris në Shtëpinë e Bardhë.

     Diplomacia kosovare është e ndërgjegjshme se me njohjen e 117 nga shteti i Izraelit nuk ka mbaruar beteja e njohjeve, shpresojmë që të mos rinisë ajo e çnjohjeve, që dirigjohet nga Beogradi. Sërish presidenti serb Aleksander Vuçiç me deklaratën e tij të pas ceremonisë se nënshkrimit të marrëveshjes të vendosjes së marrdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës, tregoi se nuk u qëndron marrëveshjeve, edhe kur i firmos me dorën e tij. Edhe premtimet e tij gjatë marrëveshjes së 4 shtatorit se do ta zhvendoste ambasadën nga Tel Avini në Jeruzalem, duket se do të përfundojë në kalendrat greke. Ai ka thënë se nuk ishte dakord që në Washington në marrëveshjen e 4 shtatorit. Më herët ka deklaruar se mund të hapë në Jeruzalem një përfaqësi ekonomike, tregtare. Edhe pse Vuçiç u zotua para persidentit Trump dhe firmosi marrëveshjen ku detyrohej   të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës, në deklaratën e pasnënshkrimit të marrëveshjes, ai jo vetëm shprehu nervozizëm për paktin diplomatik Kosovë-Izrael, por edhe paralajëmroi Izraelin se Serbia mund të rishohë marrdhëniet me  të; dhe komentoi se parashikon: shumë shtete arabe nuk do ta njohin Kosovën tash që nënshkroi me izraelitët. Indirekt, larg gjuhës diplomatike, kjo do të thotë se Vuçiçi e kori i tij diplomatik, kanë nisë t’u fryjnë në vesh arabëve: Kosova Ju tradhëtoi, u bashkua me armikun tuaj!

Po në fakt, ku ishin deri dje shtetet arabe, të cilat më shumë janë treguar të interesuara për të eksportuar ekstremizëm fetar e sekte terroriste në Kosovë se sa bashkëpunim e miqësi me shqiptarët?

Rrugëtimi diplomatik i Republikës së Kosovës do të jetë i vështirë edhe për shumë kohë, qoftë për shkak të Serbisë, e cila duket se do t’i rikthehet fushatës së çnjohjeve, qoftë edhe për shkak të qëndrimit të unionit Europian. Bashkimi Europian e priti ftohtë nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrdhënieve diplomatike me Izraelin, për të mos thënë se i nnxori kartonin e kuq Prishtinës pse nënshkroi çeljen e ambasadës në Jeruzalem. Deklarata që erdhi nga BE-ja përmes zëdhënësit P. Stano e trajtonte veprimin e Kosovës për hapjen e ambasadës në Jeruzalem si një hap të gabuar, që e largon shtetin e Kosovës nga BE. Deklarata-koment e zëdhënsit i kujton shtetit kosovar se të gjitha ambasadat dhe delegacionet e shteteve anëtare të Bashkimit Europian janë të vendosura në Tel Aviv dhe jo në Jeruzale, duke iu bindur rezolutave përkatëse. Indirekt, deklarata i tregon Kosovës se nuk po e respekton rezolutën e më të  mëdhenjëve të Europës, dhe se do ta ketë të vështirë që të gjejë shtegun për anëtarësim në BE. A duhet t’i trembet Kosova këtij paralajmërimi apo duhet të vazhdojë me realpolitikën në konsultim të përhershëm me Washingtonin? Përderisa çlirimi i Kosovës dhe Pavarësimi i saj kanë arkitekt Amerikën, ajo duhet të vazhdojë të dëgjojë Washingtonin, përderisa Brukseli e sheh me syrin e njerkut. Nuk është fjala që ajo të bëjë të fortin, por as nuk duhet të trembet nga kërcënime të tilla. Çfarë ka bërë BE për Kosovën në gjithë këta vite të pasluftës dhe të pas pavarësimit? Ka 13 vjet që është shpallë Pavarësia e saj dhe ende 5 shtete të Unionit Europian nuk e njohin: Spanja,Greqia, Sllovakia,Rumania dhe Qipro. Çfarë ka bërë BE për ta zgjidhur këtë ngërç? Asgjë. Dhe ironia është se sot Evropa ka në krye politikanë e diplomatë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë dhe i dërguari i saj për dialogun Serbi-Kosovë është nga një shtet mosnjohës i pavarësisë së Kosovës. E si do të luftojnë ata për integrimin e Kosovës në BE?

Kosova është i vetmi vend ku nuk është aplikuar liberalizimi i vizave edhe sa kohë duhet të presin qytetartë e saj për t’iu afruar BE-së?

Filed Under: Politike Tagged With: BE -Serbi, dalip greca, Kosova-Izrael

LE TË RESPEKTOJMË TRADITËN:WELCOME MR.PRESIDENT!

January 28, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA/Urimi i mirëseardhjes ka qenë traditë shekullore e Diellit(1909) dhe Vatrës (1912). Përmes letrave të urimit të kryetarëve të Vatrës dhe editorialeve të Diellit u është uruar mirëseardhja në Shtëpinë e Bardhë presidentëve të zgjedhur, pavarësisht se cila parti i kandidon.Federata Panshqiptare e Amerikës“VATRA”dhe Gazeta DIELLI, në të shkuarën, përgjatë fushatave, nuk mbanin anë të njerës apo tjetrës parti politike, por përpiqeshin që t’i mbështesnin të dy kandidatët me qëllim që dyert e Washingtonit,ku gatuhet politika botërore, të mbeten të hapura për çështjen shqiptare.Kur lindi Dielli më 1909(por edhe kur lindi Vatra më 1912), president i shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte zgjedhur 52 vjeçari William Howard Taf i Partisë Republikane, i 27-ti në radhë, që ulej në karrigen presidenciale të Shtëpisë së Bardhë.Dielli shkroi mirë për presidentin dhe Vatra kur u regjistrua në shtet e informoi presidentin për lindjen e institucionit kombëtar të Shqiptarëve në SHBA.Pasardhësi i republikanit Taf, presidenti i 28-të i SHBA, 58 vjeçari Woodrow Wilson,i kandiduar nga Partia Demokrate, padyshim mbetet një nga ikonat e shqiptarëve dhe mbrojtës i pavarësisë së humbur të shqiptarëve, ku Vatra ka meritën se ishte ndërlidhsja me presidentin që qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për dy mandate,1913-1921. Vatra dhe të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës dhe e kanë e treguar ndër vite vlerësimin për figurën ikonë presidenciale Woodrow Wilson. Ishte kryetari i Vatrës Faik Konica që më 1924 i kërkoi Parlamentit shqiptar që t’i vinte emrin e presidentit amerikan Woodrow Wilson portit detar të Shëngjinit në Lezhë, në shenjë nderimi.Këtë e saktëson një kronikë e gazetës Diellit e shtatorit 1930, që e mbart lajmin, ndërkohë që lajmin e përcolli dhe shtypi amerikan që në momentin kur ndodhi ngjarja. Revista amerikane TIMES kishte botuar me 5 gusht 1924 lajmin.Citoj :“Kryeministri Fan Noli i Shqipërisë ka bërë një ndryshim gjithëpërfshirës në vendin që udhëheq.Në nder të ish-presidentit Woodrow Wilson, portit të Shëngjinit, një nga katër portet e Shqipërisë, iu vu emri Woodrow Wilson. Kryeministri u shpreh se shqiptarët mendojnë se Presidenti i SHBA-së i pengoi Fuqitë që të ndërhynin në kufijtë e vendit në Konferencën e paqes të vitit 1919”.Është e natyrshme që emri i presidentit amerikan Wilson ishte bërë shume i dashur për Kombin shqiptar.Shqiptarët e kanë cilësuar presidentin Wilson si shpëtuesin e pavarësisë së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.” Merita për këtë i takon Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Vendimtar për ndërhyrjen e Vatrës ishte Komiteti i miqëve amerikanë të Shqipërisë,I krijuar nga Vatra, por në mënyrë të veçantë kontributi i drejtëpërdrejtë i Fan S Nolit dhe Kristo Dakos e Sevasti Qiriazit.Imzot Noli e takoi presidentin amerikan gjatë kremtimeve të festës së 4 korrikut 1918. Me kredencialet e Vatrës, Noli ishte pjesë e peligrinazhit historik që presidenti Wilson organizoi me 4 korrik 1918 në Mount Vernon, vendvarrimi i presidentit të Parë të Amerikës, George Washington. Në peligrinazh merrnin pjesë përfaqësues të Kombeve të ndryshme në SHBA.“Vatra” dërgoi Nolin,bashkëthemeluesin e saj,udhëheqësin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare në SHBA, për të përfaqësuar Shqipërinë.Duket se Noli ia doli që t’i përcillte presidentit mesazhin lutës për shpëtimin e Shqipërisë.Raporti i tij menjëherë pas takimit iu dha shpresë vatranëve, kryetarit të Vatrës Kolë Tromara dhe të gjithë shqiptarëve. Noli kumtoi menjëherë pas takimit:“Udhëtimi im këtu triumfoi.Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha.”…Marrdhënie shumë të mira ka shënuar Vatra me presidentin e 40-të të Amerikës, republikanin Ronald Regan, me të cilin ka letërkëmbim, me presidentët Bush, babë e bir, si dhe me presidentin demokrat Clinton. Gjatë presidencës së demokratit Obama, nuk pati ndonjë shkëlqim të marrdhënieve, ndërsa gjatë presidencës të republikanit Donald Trump, një pjesë e shqiptarëve të Amerikës, por edhe degë të Vatrës, si në Michigan dhe New York,Florida, u bënë mbështetës për një mandat të dytë të tij. Madje për të parën herë studiot e televizioneve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, zhurmuan fort.Disa nga shqiptarët në SHBA i dhanë mbështetje të fuqishme presidentit Trump qoftë për filozofinë dhe premtimet e sloganin e tij elektoral“make America great again-again”, por edhe platforma dhe premtimet për zgjidhjen e çështjes së ngrirë të Kosovës në marrdhëniet me Serbinë, jepnin shpresa.Gjithësesi fushata ka mbaruar.Në shtëpinë e Bartdhë është ulur presidenti i 46-të i Amerikës, fatmirsisht mbështetës i çështjes shqiptare dhe shumë i njohur për mbështetjen e Kosovës.Le t’i jemi mirënjohës përsa ka bërë dhe le të shpresojmë se gjatë mandatit të tij Kosova do të dale prej gjendjes së ngrirë.Presidenti Biden u inagurua të mërkurën me 20 janar 2021 si presidenti i 46-të i SHBA.Ai u ul në karrigen e presidentit në moshën 78 vjeçare, më i vjetri në historinë presidenciale.Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë përballë sfidave të shumta; Atij i duhet të fitojë betejën me koronavirusin,të mbajë premtimet për vaksinën kundër COVID-19, të përballet me papunsinë, të ringrejë ekonominë e rrëzuar nga pandemia, por mbi të gjithë do t’i duhet që të gjejë vaksinën për të shëruar Amerikën nga virusi i egër i ndarjeve dhe përçarjeve të thella, nga pabarazia në rritje, plagët e racizmit etj. Në fjalimin e inaugurimit me 20 Janar premtoi se do të jetë president i të gjithë amerikanëve, por arritja e unitetit, siç e pohoi ai vetë, do të jetë tepër e vështirë, në mos i pamundur. Ai u përpoq që të hynte në zemrat e amerikanëve, madje dhe të kundërshtarëve politik, tek u tha:”Peshomëni mua dhe zemrën time. Nëse akoma nuk jeni dakord, ashtu qoftë! Kjo është demokracia. Kjo është Amerika.E drejta për të kundërshtuar paqësisht brenda kuadrit të republikës sonë është mbase forca më e madhe e këtij Kombi.Megjithatë më dëgjoni qartë: Mosmarrëveshja nuk duhet të çojë në përçarje!”Ai kërkoi më tepër respekt dhe dinjitet ndaj palëve:Çdo mosmarrëveshje nuk duhet të jetë shkak për luftë totale. Ne mund ta trajtojmë njeri-tjetrin me dinjitet dhe respekt.Ne mund të bashkojmë forcat,të ndalojmë britmat dhe të ulim temperaturën…Pa unitet nuk ka paqe, vetëm hidhërime, tërbim. Pa progres, vetëm zemërim rraskapitës…”Vatra dëshiron ta shohë z. Biden president të gjithë amerikanëve,ashtu siç ai premtoi. Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, në vijim të traditës vatrane 109 vjeçare, i ka dërguar letrën e urimit presidentit. Ai ka vlerësuar kontributin e veçantë të z. Joseph Biden për shqiptarët,veçanërisht për Kosovën.Z. Berisha ka shprehur besimin se edhe në të ardhmen, gjatë mandatit të Tij, Presidenti Biden dhe administrata që drejton, do të forcojnë marrëdhëniet midis vendeve tona,do të avancojnë proceset Euro-Atlantike, Integrimin Europian, finalizimin e njohjes reciproke midis Serbisë dhe Kosovës me kufijtë ekzistues, do të arrijnë ç’rrënjosjen e korrupsionit dhe rindërtimin e institucioneve të qëndrushme demokratike etj….Le të respektojmë traditën vatrane: Welcome Mr. President!· Editorial i Gazetës Dielli, Janar 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, WELCOME MR.PRESIDENT

SHQIPTARËT E AMERIKËS PËR 45 VJET HOMAZHE E NDERIM PËR HEROIN ABAS KUPIT

January 9, 2021 by dgreca

Ka 45 vjet që shqiptarët e Amerikës nderojnë heroin e 7 prillit 1939, Gjeneral Abas Kupin.Ata e qanë kur zemra e tij pushoi së rrahuri me 9 janar 1976, ndërsa ceremoninë e varrimit më 14 Janar e kthyen në një tubim madhështor, duke vlerësuar aktin e tij trimëror. Që nga ai moment, për cdo përvjetor, shqiptarët e Amerikës kryejnë ritualin e homazheve. Sot është 9 janari i përkujtimit të ditëikjes së heroit. Është e para herë që homazhet do të kryhen nga familjet Kupi, Dani, Nikolla(Gjergji) dhe kryesia e Lëvizjes së Legalitetit,në mungesë të komunitetit për shkak të Pandemisë së Koronavirusit. I përjetshëm kujtimi i Abas Kupi, që do të mbetet në historinë e Shqipërisë, si qëndrestari dhe udhëheqësi i rezistencës popullore përballë forcave fashiste pushtuse. Do të jetë në nderin e shtetit shqiptar që eshtrat e tij të pushojnë në Shqipëri.

***

SI E PËRCOLLËN SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE SI E PASQYROI   GAZETA “DIELLI” IKJEN E ABAS KUPIT

NGA DALIP GRECA

*Vatra e kishet nderuar heroin e 7 prillit që kur ai zbardhi faqen Shqipërisë si kryeqendrestar përballë pushtimit fashist. Fan S. NOLI, 28 Nëntor 1939 qe shprehur : Sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj kombëtare. Do të na kish mbetur merak po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm se neve luftuam, ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak… Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin shqiptar përpara tërë Botës…./
*DIELLI: Abas KUPI nderoi Kombin Shqiptar si Skënderbeu qëmoti…
* Nexhmije Zaimi, ish Kryetare e Vatra-s per New York – New Jersey: Burrë trim, luftëtar i shkëlqyer, që ke nderuar Historinë e Shqipërisë, po ashtu vatran besnik dhe buajr, çdo anëtar i Federatës sonë, nderon kujtimin tuaj që do të qëndrojë i pavdekur, derisa të ketë qoftë dhe një shqiptar të vetëm në këtë botë. Sot, me respekt dhe dorë në zemër, të përcjellim në jetën e përjetshme…
*Shefki MIRAKU: Bas…! Ishin shqiptarët që të përcuellën, të përcuellën për një prehje të shkurtën, vetëm për me i dhanë kohë të tjerë shqiptarëve me u përgatitun për të përcjellun drejt Altarit t’Atdheut, t’atij Altari akoma të vorfun nga mungesa jote, por shumë i zengjinosur nga historia jote….

***
Komuniteti shqiptar i Amerikës dhe e gjithë mërgata nacionaliste shqiptare e vajtuan dhimbshëm Heroin e 7 Prillit, në atë janar të ftohtë të 45 viteve të shkuara.”Dielli” i “Vatra”-s e hapte faqen e parë me titullin qendror:“Vdekja e Heroit Kombëtar Abas Kupi hidhëroi të gjithë shqiptarët kombëtarë ”.
Gazeta shkruante:“Me vdekjen e Gjeneral Abas Kupit, Shqipëria humbi një nga bijt’ e saj më të shquar, luftëtarin trim të rrallë i cili më 7 Prill 1939, e priti armikun e huaj në Durrës dhe e hodhi në det gjashtë herë. Ai nderoi Kombin Shqiptar si Skënderbeu qëmoti. Vdekja e Abas Kupit hidhëroi gjithë shqiptarët kombëtarë, jo vetëm ata që e duan dhe e çmojnë, por dhe ata që nuk e shikojnë me sy të mirë për arsye politike.
“Dielli” shënon në kronikën e rastit se Abas Kupi vdiq më 9 Janar 1976 dhe u varros më 14 Janar. Në varrimin e Tij mori pjesë dhe Mbreti Leka I, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit Dr. Selim Damani. “Dielli”shkruante se Familja Mbretërore e adhuronte Abas Kupin si një Hero Kombëtar të çmuar dhe ndjeu një hidhërim të madh për vdekjen e tij.
Në kronikën e “Dielli”- t shënohet se në varrim ishte edhe z. Alexander Macmillan, i biri i ish Kryeministrit të Anglisë, i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast.
Po ashtu, “Dielli” përshkruante miqësinë dhe vlerësimin e madh që i bënë heroit shqiptar oficerët e lartë anglezë, veçanërisht Julian Emery me grupin e vet, që kishin qëndruar e luftuar pranë shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
….Qindra shqiptarë dhe miq amerikanë, burra dhe gra, ngushëlluan duke u përkulur me nderim e dhimbje para arkivolit të Heroit. Shumë prej tyre nuk mbanin dot lotët. Dy zonja vajtuan me zë të lartë duke i numëruar me vjersha veprat që kishte bërë heroi Abas Kupi. Ato vajtuan sipas zakonit që kanë gratë nga Labëria, vaj të këngëzuar me vargje. Vajtimi i tyre mallëngjeu të gjithë shqiptarët dhe miqtë amerikanë e anglezë.
Shqiptarët e treguan dashurinë për heroin e tyre kombëtar, me qindra kurora me lule (që nuk i mbajtën dot dy sallat e funeralit, vinte në dukje “Dielli”) dhe me një pjesëmarrje të madhe në Funeral Home dhe në varrim.
Shërbimet fetare i udhëhoqën dy imamë të xhamisë dhe dy klerikët e tjerë, Babai i Teqesë së Detroit-it dhe prifti katolik Dom Zef Oroshi. Të katër klerikët bënë lutje dhe vlerësuan shpirtin kombëtar të Heroit.
Dr. Fuad Myftija, Sekretar i Përgjitshëm i Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”, shënonte “Dielli”, e vajtoi bukur me fjalë të mallëngjyera Kryetarin e Përjetshëm të Legalitetit, Abas Kupin.
Ndër shumë folës, “Dielli” përmend edhe fjalimin që mbajti zonja e Vatrës, Nexhmije Zaimi, aso kohe Kryetare e Degës së “Vatra”-s nr. 29 për New York e New Jersey, degë, ku ishin anëtarë edhe legalistët, por edhe Abas Kupi, i cili, në manifestimin e nderit që organizoi “Vatra” së bashku me arbëreshët e Italisë dhe të Amerikës me 28, 29, 30 Nëntor 1969, në darkën festive e pat zgjedhur Abas Kupin në podiumin e nderit dhe në tavolinën kryesore. Zonja Nexhmije Zaimi foli me fjalë të zgjedhura në emër të “Vatra”-s. Shkëpusim pak fjali nga fjalimi i saj:

“Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, paraqes ngushëllimet më të përzemërta për largimin nga kjo jetë e luftëtarit kreshnik, e Heroit Kombëtar Abas Aga. Ngushëllimet e Vatrës i drejtohen çdo anëtari të familjes, që ndodhet këtu sot, por edhe familjes së tij që ndodhet në Shqipëri.
Dhe prapë me respekt ngushëllojmë Mbretin Leka, Nënën Mbretëreshë Geraldinë dhe Lëvizjen Kombëtare të Legalitetit.
Gjithashtu, ngushëllimet tona i paraqiten çdo shqiptari, qofshin në këtë sallë e qofshin në anë të ndryshme të Botës, atyre që e kanë çmuar, adhuruar, respektuar këtë atdhetar të flaktë, që jetën ia dedikoi Shqipërisë duke luftuar me armë në dorë.
Duke u drejtuar nga arkivoli, zonja e “Vatra”-s përfundoi:

“Burrë trim, luftëtar i shkëlqyer që ke nderuar Historinë e Shqipërisë, po ashtu vatran besnik dhe bujar, çdo anëtar i Federatës sonë nderon kujtimin Tuaj, që do të qëndrojë i pavdekur, derisa të ketë qoftë dhe një shqiptar të vetëm në këtë botë. Sot, me respekt dhe dorë në zemër, të përcjellim në jetën e përjetshme…”
Folësit i prezantoi Reshat Agaj, ish editor i gazetës “Atdheu”, që kishte udhëtuar nga shteti i Wisconsin-it. Folësit e lartësuan veprën e Heroit Kombëtar.
Po në Faqen e parë të “Dielli”-t botohej edhe një esse e bukur kushtuar heroit me titull “Vizuer Vigan, Abas Kupi”, shkruar nga Shefki Miraku. Ai përshkruante me nota heroike jetën e Abas Kupit, që pat lindë në një kohë kur Shqipërisë nuk i diheshin kufijtë, kur emrat shqiptar dhe Shqipëri, nuk lejoheshin të shqiptoheshin. Lindi atëherë, kur gjithçka i mohohej Shqipërisë dhe shqiptarëve, por ai i dha emër Shqipërisë me veprën e vet.
Miraku shkruan: Oh, sa kryenaltë jam që e njofta,/ sa i lumtun jam që prej tij mësova,/ sa faqebardhë qeshë që prej tij u udhëzova…. e pashë/,- shkruan Miraku,- për të parën herë atje,/ në sheshin e kryeqytetit të lirë,/ mbushur plot e përplot me shqiptarë të lirë,/ ishte Dita e flamurit,/ ishte dita e 25 vjetorit të Indipendencës sonë Kombëtare./ Atë ditë kryenaltë dhe me vend/, qëndronte shqiponja dykrenore mbi ballin e Tij,/ t’Atij që trupin, mendjen dhe zemrën/ ia kishte pasë dedikue asaj lirie,/ asaj indipendence, atij përvjetori./
E njofta për të parën herë ndër truelle të huaja,…/ Ishte mbas 7 prillit, /atëherë kur atdheut i kishte mbrojtë nderin,/ Shqipnisë i kishte dhanë emën,/ Shqiptarëve u kishte përtërirë burrërinë./
Abas Kupi kishte lindur me ruejtë nderin e Shqipnisë,/ ishte burrnue me qarkue flamurin me të tjera dafina,/ ishte brurrnue të veprojë me vendosmëni dhe vetmohim,/ për me i shtue historisë së Shqipnisë të tjera faqe t’arta,/ të tjera faqe të ndritshme./
Dje trokëllini dhe dera e këtij vigani,/ dje iu hap edhe Atij dera e amëshimit./Ai e kishte ballafaque disa herë atë derë,/ por nuk ishte dorëzue…/
Miraku do ta mbyllte essenë e tij me këtë esklamacion: “Cilin me ngushëllue për humbjen e këtij vigani?”
…Cilin,vallë, duhet me e shtërngue duersh,/ me i hapur krahët e përqafimit,/ me lotue dhe me atë lotët me i përzie?/
Me të gjithëëë!/
Të gjithë janë shqiptarë/ dhe të gjithë si shqiptar po e përcjellin./ Të gjithë janë miq/ dhe Atij miku po i përulen…. /
Bas…!, ishin shqiptarët që të përcuellën,/ të përcuellën për një prehje të shkurtën,/ vetëm për me i dhanë kohë të tjerë shqiptarëve/ me u përgatitun për të përcjellun drejt Altarit t’Atdheut. / T’Atij Altari akoma të vorfun nga mungesa Jote,/ por shumë i zengjinosur nga Historia Jote…./
… Edhe Editorialin e atij numri, Gazeta “Dielli” ia kushtoi Heroit Abas Kupi. Editoriali mbante titullin “Heroi kombëtar Abas Kupi”. Editor i asaj kohe për gazetën “Dielli” ishte një nga dishepujt e Faik Konicës, një nga monarkistët idealistë, Refat Xh. Gurrazezi, i cili e pat drejtuar “Dielli”-n që nga viti 1929. Përmes fjalive të zgjedhura, “Dielli”, përmes editorialit, evokon jetën e heroit dhe përshkohet nga idea: “Trim i trimave, Heroi Abas Kupi, nuk është më, po emri dhe fama e tij nuk vdesin kurrë. Gjithmonë do të kujtohet me mburrje bashkë me Historinë e Shqipërisë dhe do të jetë një shembull patriotik për brezat e ardhshëm”… “Dielli” revokon 7 prillin, kur Abas Kupi nderoi Shqipërinë. Me këtë rast “Dielli” kujton:

“Kur ishte festuar Dita e Flamurit, me 28 Nëntor 1939, në Kryekishën e“Shën Gjergji”-t në Boston, pas meshës, Peshkop Fan Noli kishte mbajtë një fjalim të gjatë ku, midis të tjerave, kishte thënë:“Vjet (28 nëntor, 1938) ishim mbledhë këtu për të festuar Ditën e Flamurit dhe ishim të gjithë të gëzuar, se kishim një Shqipëri të Lirë, kurse sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj kombëtare. Do të na kish mbetë merak, po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm, se ne luftuam. Ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak… Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin Shqiptar përpara tërë Botës. Pak më parë se të zaptohej Shqipëria prej fashistëve italianë, u zaptua Çekosllovakia nga nazistët gjermanë, po çekët nuk zbrazën asnjë pushkë, sido që kishin një ushtri të armatosur mirë”,- shkruante “Dielli”.
Editoriali përfundonte me fjalinë:”Shqipëria qe e lumtur që pati një Hero Kombëtar si Abas Kupi, i cili nderoi kombin shqiptar.”
Nga gjithë kjo që ju lexova, dua t’ju fokusoj ju të rinjve të Legaliteti-t dhe ne të tjerëve, atë ç’ka shkruante Shefki Miraku para 45 vjetëve:

“Ajo përcjellje ishtë e përkohëshme. Altari i Heronjve ende e pret Abas Kupin. Altari mbetet i varfër pa Heroin e 7 Prillit!

Filed Under: Featured Tagged With: Abas Kupi, dalip greca, nderime 45 vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT