Nga Shefqet Kërcelli/I vendosur në pjesën e epërme të zonës së Devollit, fshati i Dardhës, mbart vlera historiko-arësimore e kulturore, jo vetëm për këtë trevë, por për gjithë kombin shqiptar. Historikisht banorët e këtij fshati janë shquar për ndjenjat patriotike, dashurinë për punën, arësimin, ndërtimtari, emancipim, kërkesa për një jetë më të mirë, që i ka bërë të marin dhe rrugën e kurbetit, shumica në SHBA.
Emigrantët dardharë në SHBA, kanë shkruar një histori të ndritur falë aftësive dhe kulturës që zotëronin. Në fillim shekullin e XX-të, dardharët e Amerikës krijuan shoqëritë e para atdhetare-kulturore si, “Shoqëria Mirëbërëse”, {1905, Boston}, “Vëllazëria Dardhare Mbleta”,{1918, Boston}, “Shoqëria Vëllazëria Patriotike e Dardhës”, {1906, Kembrixh,Mass.}, Klubi i Dardharëve të rinj “Përparimi”, {1909, Mass.}, etj. Ishte biri i këtij fshati, Sotir Peci, i cili nxori në dritë 110 numura të gazetës “Kombi”, nga viti 1906-1909. Të tjerë dardharë kanë bërë emër në fusha e profesione të ndryshme. Por, mbi të gjitha, dardharët e Amerikës nuk i kanë ndërprerë lidhjet me fshatin e tyre në cdo përiudhë historike. Me investimet e tyre kanë lënë gjurmë në ndërtimin e shtëpive të reja dhe rikonstruksionin e atyre të vjetra, të rrugëve, ujit të pijshëm, objekteve fetare, kanalizimeve, duke ndihmuar konkretisht në zhvillimin e fshatit, por dhe ruajtjen e traditës e pasurive kulturore. Rrugët e bardha, shtëpitë dhe catitë e tyre me gurë e “plloca” si i thonë dardharët, janë finacuar me dollarët e ardhur përtej oqeanit, nga djersa e kurbetlinjëve dardharë. Ndërkohë, dashuria për dijen dhe dëshira për ti parë fëmijët e fshatit të mirëarsimuar, bëri që emigrantët dardharë të finacojnë ndërtimin e shkollës së parë shqipe, që u hap në gusht të vitit 1917.
Festa e shkollës
Më datën 15 gusht, për të festuar 100 vjetorin e shkollës shqipe në Dardhë, u mblodhën jo vetëm banorë të fshatit, por dhjetra shqiptaro-amerikanë të ardhur rishtas për këtë ngjarje të rëndësishme. Ishmësues, veteranë, përfaqsues të pushtetit lokal Korcë, të medias, të fesë, emigrantë të grupmoshave të ndryshme, u bënë pjesë e kësaj feste të bukur. Pjesmarrësit e shumtë kujtonin me respekt mësuesin e parë Leonidha Cika, brezat e nxënësve në vite dhe ku ndodhen aktulisht.
Një atmosferë mallëngjyese, ku gëzimi gërshetohet me lotët. Klima e freskët, në dallim nga pjesa tjetër e vendit, uji i ftohtë, gjellët e pijet karakteristike dhe bukuritë e fshatit ja shtuan hijeshinë kësaj feste. Vizitat në muzeumin e pasur me materiale, foto e dokumente të bijve dardharë, ku zoti Koli Skënde të flet me pasion për cdo ngjarje, por dhe me respekt të vecantë për komunitetin e amerikës, e pasuruan atmosferën festive të këtij 100 vjetori. Është fakt se komuniteti shqiptar i Amerikës nuk i ka ndërprerë asnjëherë lidhjet me fshatin, pamvarësisht vështirësive e rrethanave të krijuara, thotë zoti Skënde. Tashmë ne po përpiqemi të rifitojmë vlerat e dikurshme me projekte të finacuara nga emigrantët, me qëllimqë fshati të tërheqë sa më shumë turistë, theksoi një banor i fshatit.
Po cila është historia 100 vjecare e shkollës shqipe në Dardhë
Studjuesi Kristaq Balli, shpjegon gjerësisht, kushtet, rrethanat dhe ecurinë e shkollës shqipe në Dardhë.
Në studimin e tij për këtë temë ai shpjegon se, në fillimshekullin e XX-të në Dardhë, bazuar në rrethana specifike ndërkombëtare e rajonale, por sidomos nga rrezatimi e presioni pozitiv i influencave perëndimore të bijve të saj nga Amerika, si dhe të një atmosphere të brendshme kombëtarisht të favorshme , lindi dhe u konsolidua nevoja e çeljes së shkollës në gjuhën shqip, si një prej ndërgjegjësimeve të para se gjuha kombëtare ishte një pasaportë identifikuese, pa të cilën një komb edhe mund të asimilohet e të humbasë në vorbullat e historisë dhe kohës. Edhe çelja e disa shkollave të tjera shqipe do kohë më parë në disa fshatra të tjerë të rajonit të Korçës, u bënë shembull nxitjeje e veprimi konkret. Megjithatë, çelja e shkollës shqipe në Dardhë në gusht 1917, nuk u bë ashtu rastësisht e menjëherë. Tentativat dhe përpjekjet për ta lëvruar atë kishin kishin filluar shumë kohë më parë, ku hapur e ku fshehur, individualisht apo me grupe të vogla. Kështu, fillimet për praktikimin e saj i gjejmë në disa dokumente të familjes Zengo, ku një prej bijve të saj Papa Jani Zengo, rreth vitit 1865, përpiqej që të përshtaste në shqip tekste të liturgjisë duke krijuar edhe një alfabet të vetin me shkronja të përziera latine, greke e cirilike, si dhe përkthimin me to të disa fragmenteve të shkurtra të shërbesave fetare festive. Po ashtu, shumë emigrantë dardharë e kishin mësuar shqipen, madje disa prej tyre ishin bërë gazetarë të organeve të rëndësishme në emigracion. Sotir Peci themeloi të parën gazetë shqip “Kombi” në SHBA, më 1906, e cila u bë një tribunë e promovimit të çëshjes shqiptare, më vonë ishte delegat në Kongresin e Manastirit e anëtar i Komisisë Letrare Shqipe të Luigj Gurakuqit,. Të tjerë patriotë dardharë u bënë gazetarë ose me gazetat e tyre në gjuhën shqipe, ose nëpërmjet artikujve të tyre me karakter të spikatur antishovinist e kombëtar në shtypin shqip në emigracion. Të tillë si Josif e Vasil Pani (me gazetat “Drita” e “Sazani”), Kostë Isak, Misto Millona, Gaqo Konda, etj., vunë në dispozicion kapacitetet e tyre intelektuale e materiale në funksion të çështjes shqiptare duke i shprehur ato në gjuhën shqipe. Një premisë e natyrshme e futjes së gjuhës shqipe në Dardhë kanë qenë vetë familjarët emigrantë në SHBA, të cilët duke dërguar letrat e tyre, inkurajonin fëmijët e të afërmit e tyre në Dardhë të mësonin gjuhën shqipe dhe të dërgonin përgjigjet e letrave në këtë gjuhë. Por edhe brenda në Dardhë kishte filluar “underground” mësimi i gjuhës shqipe nga disa “mësues” privatë që kishin mësuar atë në situata të caktuara, sidomos pas çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, por që hasnin kundërshtimin e një pjese konservatore të propagandës së megaloidesë.
Jo pak e rëndësishme ishte ekzistenca tek dardharët e një dëshire të thellë arsimdashëse që ata e kishin konfirmuar edhe më herët, duke mos njohur asnjëherë analfabetizmin. Gjithashtu ndër faktorët që stimuluan mundësinë e fillimit të një faqeje të re për gjuhën shqipe në Dardhë ishin edhe hyrja e një sërë librash, broshurash e literature metodike shqipe nga shoqëritë e emigrantëve shqiptarë në Rumani, Bullgari, Egjipt dhe SHBA, të cilat nuk kish se si të mos krijonin një situatë entusiaste për nevojën e mësimit të gjuhës shqipe, madje edhe kur dihet se gjatë viteve për të cilat bëhet fjalë, edhe influenca shoviniste greke për të mos lëshuar pozicionet e saj në fushën e edukimit grekofil ishte e sertë, intensive. Pak a shumë këto ishin faktorët historikë e shoqërorë, ballafaqimi i tyre shpesh konfliktual, perceptimi i tyre objektiv në përputhje edhe me situatën e përgjithshme kombëtare pro konsolidimit të një shteti shqiptar, ku autoktoniteti dhe gjuha amtare janë faktorët determinues të ekzistencës dhe identitetit, që bënë të domosdoshme dhe të mundur çeljen e shkollës shqipe në Dardhë një shekull më parë. Sigurisht që kjo ngjarje ishte në fakt një lëvizje përparimtare, ku shumë njerëz e faktorë influencuan pozitivisht duke dhënë në një apo tjetrën formë ndihmesën e vet, por merita kryesore i takon mësuesit të pasionuar e përparimtar Leonidha Çika (dhe babait të tij Vangjel), kontributi i të cilit konsiderohet i gjithanshëm, vendimtar e i merituar në marrjen e këtij vendimi deçiziv për çeljen e shkollës shqipe në Dardhë. Por edhe pse shkolla shqipe filloi udhën e saj të vështirë por të pandërprerë, edhe shkolla greke nuk u mbyll sakaq. Me rivalitet, mbështetje e manovra të qarqeve të caktuara filogreke, ajo rezistoi edhe dy vjet, derisa falimentoi nga bojkoti që fëmijët e banorëve dardharë i bënë asaj përfundimisht aty nga viti 1920.
Shkolla shqipe e Dardhës kishte në thelb një karakter laik, demokratik, progresiv e kombëtar. Qëllimi kryesor i saj ishte së pari, mësimi i gjuhës shqipe të unifikuar. Por në programin e saj ajo kishte edhe dituritë e shkencave natyrore e shoqërore si matematikën e gjeometrinë, historinë e gjeografinë, si dhe “filozofinë e lashtë”, moralin, familjen, mësimin e profesioneve, fizkulturën e kulturën, të gjitha të programuara nga mësuesit e pasionuar që në të shumtën e rasteve punonin vullnetarisht, apo mbaheshin nga fshati. Edhe pse me kushte të vështira ekonomike e mungesë librash e materialesh didaktike, por të sprovuar në pasionin dhe përkushtimin e tyre mësuesit, të mbështetur veçanërisht nga emigrantët dardharë, siguronin disa libra bazë për programin e tyre, ose i krijonin ato vetë, minimalisht për të garantuar që një nxënës, kur mbaronte këtë shkollë të dilte i përgatitur aq sa mund t’i hapej rruga e mëtejshme për vazhdimin e shkollave të tjera në nivele më të larta. Madje, u bë e mundur që shkollën ta ndiqnin edhe të rriturit me programme të përshtatura kryesisht në mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare.
Viti 1924, shënon një ngjarje të rëndësishme për këtë shkollë. Pasi numuri i nxënësve ishte rritur ndjeshëm dhe godina ekzistuese përballonte me vështirësi akomodimin e tyre dhe, mbi të gjitha ambicjet e emigrantëve që Dardha të kishte një nga shkollat më të mëdha e më “rrezatuese”, që t’i përshtatej sa më mirë mjedisit të qytetëruar ekonomiko-shoqëror të vendlindjes së tyre, Vëllazëria Dardhare “Mbleta” në SHBA, me kontributet e anëtarëve të saj, bëri të mundur ndërtimin dhe paisjen e një shkolle të re aq të bukur, të bollshme e modern për kohën, sa do ta kishte zili edhe një qendër shumë më e madhe urbane. Me ndërtimin dhe kompletimin e kësaj shkolle, fillon edhe një fazë e re e modernizimit të arsimit në Dardhë, një traditë e vyer që vazhdon të ruhet dhe sot, pjesë e të cilës është dhe festa e organizuar më 15 gusht 2017.