Speciale-Gazeta DIELLI në SHBA në përkrahje të Gazetës RILINDJA në Kosovë/
-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana/Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt 2017 do të festonte 72 vjetorin.
Por, në këtë Kosovë, në këtë muaj mbushen plot 15 vjet nga 21 shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifillloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpa si në kohën e luftës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.
“Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shkresën e 21 shkurt 2014.
Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.
Behlul Jashari/
Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)
Prishtinë, 12 Shkurt 2017
***
PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA PER RILINDJEN-“BUJKUN”:
“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që i bëri kryeredaktorit të gazetës Rilindja, Behlul Jashari, që ishte edhe kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”, tash edhe korrespondent në Prishtinë i Gazetës Dielli, me ç’rast i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.
AMBASADORI I SHBA NË GAZETËN RILINDJA NË 12 SHKURT 2002: “SUNDIMI I LIGJIT” APO “SUNDIMI I BANDAVE”? KOSOVA DUHET TË VENDOSË
“‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”. Me këtë titull, Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë, shkruante ekskluzivisht për gazetën tradicionale të Kosovës në numrin e 12 shkurtit 2002, botuar në ballinë, ku fillimisht theksonte: “Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”.
“Sundimi i Ligjit” apo “Sundimi i Bandave”? Kosova Duhet të Vendosë
Nga Ambasadori Xhon Menzis/
Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/
Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore “Rilindja”, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë. Kur filloi botimin në vitin 1945, Lufta e Dytë Botërore zhvillohej fuqishëm ende, bombat atomike ende nuk ishin hedhur, dhe Jugosllavia e Dytë ishte në formim e sipër. Shkurt, bota në të cilën u lind “Rilindja” ishte rrënjësisht e ndryshme nga bota në të cilën ajo jeton sot. Në këtë pjesë të botës, ndryshimet ndodhin shpejt dhe shpesh, dhe kurrë nuk dihet se kur do të jenë këto ndryshime për të mirë apo për të keq.Si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka “Rilindja” në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë. Me këtë rast të veçantë dëshiroj të flas lidhur me këtë rol të cilin duhet ta kenë mediumet në shoqëri.
Kosova e sotme është shumë më ndryshe se Kosova kohës kur u lind “Rilindja”. Kosova e sotme është shumë më e lirë, shumë më demokratike, thellë e futur në rrugën e formimit të institucioneve demokratike të vetëqeverisjes. Por poashtu, Kosova e sotme është një vend i ndarë keqësisht mes dy opcioneve – dhe mbetet të shihet se nëpër cilën rrugë do të shkojë ajo.Çështja është se a do të gëzojë Kosova sundimin e ligjit apo do të bie nën sundimin e bandave.Të premten e kaluar, bandat e demonstrantëve të padisiplinuar, me sa duket nën drejtimin e elementeve kriminale të vendosura që të shkatërrojnë sundimin e ligjit, janë turrur me tërbim nëpër rrugët e Prishtinës duke thyer dritaret, duke sulmuar policët ndërkombëtarë dhe ata kosovarë, dhe duke sulmuar kosovarët e tjerë të cilët nuk pajtoheshin me mendimet e tyre arrogante lidhur me kauzën e tyre të “drejtë”. Në vend se të mbronin tre të burgosurit, ish-anëtarët e UÇK-së, me anë të argumenteve, fakteve dhe me anë të mjeteve ligjore, ata do të përdornin vetëm forcën dhe taktikën e rrugës sepse me sa duket e dijnë se drejtësia nuk është në anën e tyre. Këta demonstrues zgjodhën grushtin, gurin dhe shufrën metalike për të argumentuar, e jo arsyen, debatin dhe institucionet e gjyqit.
Sidoqoftë, gjëja më e tmerrshme është se në rrahjen e shkaktuar nga demonstruesit u sulmuan dhe u lënduan dy policë amerikanë dhe pesë policë të tjerë ndërkombëtarë. Si mundi të ndodhë kjo? A harruan përnjëherë këta kosovarë gjithë atë që bashkësia ndërkombëtare – e veçanërisht amerikanët – ka bërë për ta që nga marsi i vitit 1999? A kanë harruar këta vagabondë të paktë, këta kriminelë, se amerikanët ishin të PARËT që erdhën në Kosovë në vitin 1996, dhe se përkushtimi i ynë ndaj paqës, drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë është i thellë dhe afatgjatë? Ky numër i vogël i kosovarëve – të cilët është e qartë se nuk i shprehin pikëpamjet e shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës – a i kanë harruar ata pamjet dhe zhurmat e forcave ushtarake amerikane dhe të NATO-s duke e çliruar Kosovën nga shtypja? A kanë harruar ata se çfarë domethënie kishte këtu pamja e flamurit amerikan në vitet 1996, 1999, dhe përsëri tani gjersa ai valon mbi kulmet e shtëpive, në dritaret e dyqaneve të panumërta, madje edhe në veturat dhe veshjet e kosovarëve paqedashës dhe zbatues të ligjit? Kur këta banditë ngritën dorë të godasin një bashkëqytetar timin me gur, a nuk e panë ata flamurin në mëngën e tij dhe a nuk menduan ata se nuk po e sulmojnë vetëm një polic por vetë Shtetet e Bashkuara dhe gjithë njerëzit liridashës ? A kanë harruar ata se sa siguruese është për shumë kosovarë fakti se e shohin atë flamur në mëngët e qindra policëve dhe policeve që punojnë në Kosovë? Mua me duket se po, ata kanë harruar.Tre të arrestuarit do të ballafaqohen në gjyq me akuzat, me ç’rast procesi gjyqësor do të përcaktojë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Çdo kosovar duhet të jetë i lumtur që njerëzit e akuzuar në këtë mënyrë nuk do të merren më në “biseda informative” dhe se ata nuk do të torturohen, por do të kenë mbrojtje juridike, proces të rregullt, dhe përfaqësim të drejtë dhe kompetent në gjykata. Nëse kanë faj, ata duhet të dënohen, ashtu si do të dëshironte çdo njeri i denjë. Prap, nëse janë të pafajshëm, atëherë gjyqi do ta vendosë këtë dhe ata duhet të lirohen – ashtu siç dëshiroj unë dhe çdo njeri tjetër që beson në sundimin e ligjit.Çka ka të bëjë e gjithë kjo me ditëlindjen e 57-të të “Rilindjes”? Shumë. Në një shoqëri që zhvillohet dhe transformohet në një shoqëri demokratike dhe shoqëri civile me sundim të ligjit dhe me institucione të vërteta të vetëqeverisjes, mediumet janë një ndër shtyllat mbështetëse të asaj shoqërie. Mediumet duhet të qëndrojnë gjithnjë si “roje” mbi institucionet e qeverisë, të veprojnë për interesa të popullit dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për të ditur se çka ndodh në qeveri, se si punojnë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, se çfarë vendimesh marrin ata në emër të popullit, dhe që të parashtrojnë vizionin lidhur me atë se ku shoqëria dëshiron të shkojë, dhe ta mbajnë atë vizion ashtu që të gjithë të mund ta shohin dhe ta diskutojnë.
Kur bandat dëshirojnë të kontrollojnë debatin, kur ato dëshirojnë të përdorin rrugaçërinë dhe dhunën për të shprehur vullnetin e tyre, kur ato dëshirojnë të mbysin zërin e kundërshtarëve dhe të frikësojnë të tjerët kur argumentet e tyre nuk qëndrojnë, atëherë mediumet duhet të jenë të parat që do t’i dënojnë dhe kritikojnë këto banda dhe kështu të mbrojnë sundimin e ligjit dhe ata të cilët e mbështesin sundimin e ligjit. Javën e kaluar e pamë sulmin e huliganëve kosovarë mbi forcën e re dhe trime policore të Kosovës. Ne kemi parë arrestimin e anëtarëve të TMK-së lidhur me veprat për të cilat është e qartë se nuk e kanë përkrahjen e TMK-së dhe të organizatës si tërësi, vepra këto të cilat shkojnë kundër po atyre vlerave mbi të cilat është ndërtuar TMK-ja. Në kohëra të tilla mediumet – TË GJITHA mediumet – duhet të marrin qëndrim dhe të apelojnë në të gjithë kosovarët që të dënojnë dhunën dhe të mbështesin sundimin e ligjit dhe të punojnë nga e para për të arritur krijimin e shoqërisë civile, gjë të cilën edhe ne edhe ju e dëshirojmë për Kosovën. Kjo vlen qoftë kur është fjala për trazira dhe sulme mbi policinë dhe njerëzit e pafajshëm, për frikësimin dhe madje vrasjen e figurave politike (madje edhe vrasjen e disa ish-komandantëve të UÇK-së) ose pjesëtarëve të grupeve tjera etnike, apo kur kjo ka të bëjë me çfarëdo forme tjetër të dhunës së përdorur si mjet i të shprehurit politik.Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës “Rilindja”, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave.
***
Nga arkivi – gazeta Rilindja: Shkrim ekskluziv para 15 viteve nga Ambasadori Xhon Menzis Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë, në numrin-botimin festiv të 12 Shkurtit 2002 të 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës, Rilindja.
Në 12 Shkurt 2017 – ditën e 71 vjetorit të Gazetës Rilindja, foto e korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli – Behlul Jashari: Ballina e gazetës Rilindja me shkrimin e Ambasadorit Amerikan, Menzis.