Dega e Vatrës në Queens- NY, përkujtjoi me një veprimtari emocionuese, 65 vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit…/
Të Premten në mbrëmje, në Douglaston, Queens-NY, dega e Vatrës, me inisativën e kryetarit të saj, dr. Skënder Murtezani, organizoi, për të dytin vit, përkujtimin e emblemës së Nacionalizmit Shqiptar, Mid’hat Bej Frashëri, të birit të Rilindasit të madh, Abdyl Bej Frashërit. Mjedisi i sallës,( që u pagua nga dr. Murtezani), ishte hijeshuar me flamuj Kombëtar të Shqipërisë dhe Amerikës, si dhe me portretin e Atit të Shtetit Shqiptar, Ismail Bej Vlora, të Mid’hat Frashërit, si dhe themeluesëve të Vatrës, Faik Konica e Fan S. Noli. Po ashtu u përdorën vidio dhe u dëgjua nga BBC intervista që Mid’hat Frashëri dha më 1949, pak caste pas krijimit të Komitetit Shqipëria e Lirë .
Takimin e ka hapë dr. Skënder Murtezani, i cili vlersoi figurën madhore të Mid’hat Frashërit dhe solli rrethanat e mistershme të shuarjes së tij në Hotelin Lexinton me 3 tetor 1949.
Shkrimtari i nohur, ish sekretari i Vatrës, Naum Prifti, vlerësoi figurën e Mid’hat Frashërit në lëmin e Letërsisë, publicistikës, përkthimit. Ai foli me detaje edhe për Librarinë e Lumo Skëndos, si një cerdhe e edukimit kulturor të brezit të ri të kohës(Kjo kumtesë do të publikohet e plotë në Dielli).
“Mid’hat Frashëri dhe Vatra” si dhe”Vlerësimi i Mid’hat Frashërit nga Hasan Dosti” ishte kumtesa që paraqiti editori i Gazetës Dielli, Dalip Greca.
Sekretarja e Vatrës, zonja Nazo Veliu, solli përshëndetjet e kryetarit të Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i cili ka udhëtuar për në Michigan, dhe nuk kishte mundësi të merrte pjesë në këtë veprimtari. Sekretarja e Vatrës vlerësoi kontributin e Mid’hat Frashërit në cështjen Kombëtare dhe përgëzoi dr. Murtezanin për organizimin e kësaj veprimatrie.
Përshëndeti veprimtarinë edhe studiuesi shqiptar nag Maqedonia z. Kaim Murtishi, i cili u duartrokit gjatë në recitimin e poezisë kushtuar rilindasve.
Këngëtari i njohur i komunitetit shqiptar Haxhi Dauti ka përshëndetur organizatorët e kësaj veprimtarie dhe ka vlerësuar figurën madhore të Mid’hat Frashërit.
Përmes ekranit dr. Murtezani paraqiti në mënyrë vizive castet kryesore të jetës dhe veprës së Midhat Frashërit.
Në fund u dha një koktejl i pasur me pije dhe ushqime, shp[enzime të vetë dr. Murtezanit. Veprimtaria u ndoq nga Adem Belliu-Televizioni Kultura Shqiptare, gazetari i komunitetit Beqir Sina dhe Gazeta Dielli.
***
Editori i Diellit,Dalip Greca, në kumtesën e tij; tha se ish studenti i Universitetit të Sorbonës, ish Kryetari i Gjykatës së Diktimit në kohën e Zogut(edhe pse ishte dënuar si antizogist) ish Ministri i Drejtësisë, ish kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë, Hasan Dosti, na ka lënë një vlerësim brilant për jetën dhe veprën e Mid’hat Frashërit. Përmes një esseje shpirtërore, lexuar në një vjetorin e vdekjes së Mid’hat Frashërit, botuar në Gazetën”Shqipëria”organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, që dilte në Nju Jork(1950-56). Është fjalimi i Hasan Dostit tek varri i Mid’hat Frashërit në varrezat Ferneliff-it.
Përvjetori i parë i vdekjes së Mithat Frashërit u organizua jo me 3 tetor-në ditëvdekjen e tij, por me 15 tetor 1950. Ceremonia ishte e thjeshtë dhe kishte për organizator Komitetin Shqipëria e Lirë. Në varrezat Ferneliff-it, ku prehen sot e kësaj dite eshtrat e tij,u mbajt edhe fjala vlerësuese e Hasan Dostit, aso kohe kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë. Fjala e tij është më shumë një esse patetike-heroike me frymë kombëtare.
Shkëpusim nga fjala e Dostit një fragment”Mid’hat Frashëri është fytyrë e Madhe! Koha nuk e hedh në harrim!Përkundrazi, i lartëson emrin, i shton lavdinë.Është njeri i racës së zgjedhur, i gjakut të kulluar, i familjes së ndritur, i biri i Abdylit të Lidhjes së Prizrenit, dhe Dumes, nipi i Samiut dhe Naimit, viganëve të Rilindjes Kombëtare.”
Sipas Dosti, mendja e Mid’hatit ishte ndriçuar nga tre yj’ të madhërisë së parë dalë herët në qiellin e Shqipërisë.Janë yje të qëndrueshëm, jo meteorë të shkuar. Historia e familjes së Frashërllinjëve rilindas është saktësisht Historia e Rilindjes së Shqipërisë.
Mid’hati, i frymëzuar që në vogëli nga tradita e bukur, nga ideali i lartë i prindërve të tij, porsa arriti në pjekurinë e parë, hapi librin e artë të fateve të Shqipërisë. Këndoi punët Kombëtare të të atit, vjershat e Naimit dhe predikimet e Samiut, sidomos përthithi faqet e librit “Shqipëria Ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”- që mbetet ungjilli i shqiptarëve. Këto, në tërësinë e vet, përbëjnë testamentin shpirtëror të frashërllinjëve; frymëzuar nga epopeja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, nga ideali i Naum Veqilharxhit; nga dalin dy parime: Liria e Kombit dhe edukimi i popullit.
Mid’hat Frashërit i është dashur që të punojë nën dhe’, në Katakombe, si priftërinjtë e shekujve të parë, që përhapnin Kristianizmin në Perandorinë e Romës Pagane. Kështu, biri i Abdyl Frashërit, ka lënë emrin e pagëzimit Mid’hat, për të marrë atë të Lumo Skëndos nën urdhërin e shqiptarizmit. Duhet të zotërosh mjeshtërinë e penës së Dostit për të përshkruar zgjimin e madh të shqiptarëve të kohës së Mid’hat Frashërit. Të mos ikim larg, por në agim të shekullit XX, Më 1906, Mihal Grameno, biri i madh i Korçës Plakë, me Hymnin e tij- Marsejezën e Shqipërisë:”Për Mëmëdhenë-Për Mëmëdhenë”, rrok trimërisht pushkën dhe del në male për të ringjallur lirinë”përmbi shkëmbinj e gurë”. Flamurin e Kryengritjes e bekonte Papa Kristo Negovani. Ky prift Flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do ta lyente me gjakun e trupit të tij. Bëhet dëshmor i parë i shqiptarizmit të ri, si Shën Stefani promartir i Kristianizmit.
Lufta e shqiptarit për liri vazhdon: Në mars 1908 gjëmojnë armët e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit, te Rrapi në Mashkullorë. Burrat trima të Kosovës mblidhen dhe i japin Stambollit ultimatumin e famshëm që shtërngon Sulltanin dhespot të shpallë statutin e popujve të Perandorisë.
Në 1910-11 lufta shqiptare përhapet anë e mbanë trevave të saj; ngrihet Mirdita e dukagjinasit, Malësia e Madhe e Shkodrës së Teutës, digjen, prishen, vriten prej zjarrit dhe predhave të artilerisë t’ushtrisë turke të komanduara prej Muhedin Beut e Turgut Pashës. Shqiptarët valojnë Flamurin nën drejtimin e trimit Dedë Gjo Luli.
Historia arrin kulmin. Vjen viti 1912. Ngjarja e parë madhore për pjekurinë e Lëvizjes Kombëtare, 28 prill 1912 themelohet Vatra, që do të orientojë e mbrojë Kombin. Eshtë kohë lufte:Trevat shqiptare shkrumbojnë nga zjarri i luftës. Shqiptarët hyjnë në Shkup. Është Isa Buletini me trimat e racës së Dardanëve,që kanë çliruar Shkupin. Duket se ëndrra e Shqipërisë në katër vilajete, po realizohej.
Po ky ishet ideali i Fashërllinjëve! Dimri i 1912 shpërthen në zjarr të gjithë Ballkanin. Flaka përhapet prej detit të Zi në detin Adriatik.
Biri i Frashërllinjëve është atje ku e kërkon Testamenti i të parëve; në Shqipërinë e katër Vilajeteve. Ndodhej në Shkup. Atje ndjen se koha e volitshme po vinte. Ora e mbarë për Shqipërinë po trokiste. Flamuri i Indipendecës, idelait të Frashërllinjëve Rilindas kishte ardhë.
Mid’hati hyn në bashkëpunim me patriotë të vjetër e të rinj. Në stinën e pamëshirshme të atij viti, kapërcen malet e mbuluara me borë të Sharit, kalon përmes Fanit të Mirditës, dhe zbret në Tiranë. Pret të zbarkojë Ismail bej Qemali për të ngritur Flamurin e Skënderbeut në buzë-detin e Adriatikut, në Durrës, n’Epidamin e Vjetër të mbizotëruar prej fortesës gjigante të Krujës historike.
Rrethanat nuk janë të favorshme, por Lumo Skëndo nuk dëshprohet. Shkon prej moçaleve të Kavajës dhe të Myzeqesë, drejt Vlorës. Takohet me patriotë të ardhur prej viseve të Shqiptarisë. Dhe vjen dita e bekuar. 28 nëntor 1912, dorë për dorë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Pandeli Cale, e shumë atdhetare të tjerë, ngrenë Flamurin e Lirisë dhe nënshkruajnë dokumentin e Pvarësisë. Lumturohet tek sheh realizimin e aspiratës dhe idealeve të paraardhësve të vet. Vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës duke u bërë Ministër i saj. Është i pari në historinë e shtetit shqiptar,që jep dorëheqje për t’iu përkushtuar idealit kombëtar.
Po Shqipëria duket e pafat.Traktati i Londrës i 30 Majit 1913 e varros Pavarësinë e Shqipërisë. Këputet ëndrra e Samiut, Abdylit e Naimit për Shqipërinë me katër vilajete. Idealistit Mithat Frashëri i dhemb shpirti nga therja e Atdheut copash. Ngjarjet e vitit 1914, ku fqinji jugor, vret, ther, djeg, ia bëjnë zemrën plagë birit të frashërllinjëve. Veçse, atdhetari i madh, nuk është njeri që humb shpresën. Le Shqipërinë dhe merr rrugën e Mërgimit për t’i shërbyer Kombit. Shkon në Rumani, Francë dhe Zvicër, ku vihet në shërbim të Federatës Panshqiptare të Amerikës si diplomat, në mungesë të shtetit. Ai së bashku me Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtulli në Lozanë, bëhen avokatë të kombit nën financimin e Vatrës.
Janë të paçmuara kontributet e Mid’hat Frashërit në kohën e Konferencës së Paqes në Paris. Së bashku me miqtë e tij, ai “gris” publikisht marrveshjete fshehta të fuqive të mëdha në dëm të Shqipërisë. Siç kishte bërë për denoncimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të njëjtën gjë bën edhe për memorandumin e 9 dhjetorit 1919,ku përfaqsëuesit e Anglisë, Francës, por dhe të ShBA-ve, i njihnin qeverisë Italiane sovranitet mbi Vlorën dhe krahinat përreth saj dhe mandatin mbi shtetin e cunguar shqiptar. Ky memorandum i njihte Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene daljen në bregdetin shqiptar. Mid’hat Frashëri me tagrin e delegatit të Vatrës i drejton një memorandum Konferencës së Paqes, ku proteston fuqishëm për padrejtësistë e reja ndaj një vendi sovran e neutral, siç ishte Shqipëria. Ai e vlerësonte memorandumin e të mëdhenjëve si krim ndaj popullit shqiptar. Delegati i Vatrës i shkruante Konferencës se” Qeveria shqiptare i ka vënë vetes detyrë të mbrojë integritetin e Shqipërisë, duke mos lejuar t’i shkelen të drejtat si shtet i pavarur dhe sovran”.
Është e njohur në këtë kohë edhe promemoria që delegati i Vatrës, Mid’hat Frashëri i dërgoi presidentit Uillson, ku i kërkon mbështetjen e drejtëpërdrejtë të Amerikës për zgjidhjene drejtë të çështjes shqiptare.
Studiuesi i Mid’hat Frashërit, historiani dhe shkrimtari Uran Butka, e ka ndjekur përmes burimeve historike veprimtarinë e Mid’hat Frashërit dhe na ka sjellë të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë anbgazhimin e tij më Vatrën. Në fillim të shkurtit 1920 Mid’hat Frashëri la Lozanën për të shkuar në Paris, ku u bë një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare. Ndërsa me 23 shkurt 1920, si përfaqësues i vatranëve të Amerikës, Mid’hati i drejtohet me një mesazh, një grupi deputetësh italianë: Mr. Filipo Turato, C. Lazari, Frole, Luigi Ferra, P. Vasullo, T, Menes, për të kundërshtuar planet pushtuese të tokave shqiptare prej Italisë.
Piktakimi i tretë i Mid’hat Frashërit me Vatrën, është Huaja Kombëtare, tha editori i Diellit.Mid’hat Frashëri erdhi në ShBA në shtator 1920. Ai ka mandatin e qeverisë shqiptare që të ndihmojë në fushatën e Vatrës për Huanë Kombëtare. Mid’hat Frashëri shëtiti nën shoqërimin e Kristo Kirkës e vatranëve të tjerë të gjitha kolonitë shjqiptare të Amerikës dhe Kanadasë, bëri thirrje për atdhetarizëm.
Ishte edhe kontributi frymëzues që dha Mithat Frashëri, që Vatra e realizoi Huanë prej 197 mijë dollarësh për Shtetin shqiptar.
Një mision të shenjtë kreu Mid’hat Frashri si mbrojtës i fuqishëm i popullsisë shqiptare të Çamërisë në kohë këmbimin e popullsisë sipas marrveshjes së Turqisë me Greqinë.
Mid’hat Frashëri endet nëpër shtete të ndryshme në shërbim të Kombit deri më 1925. Pikërisht këtë vit kthehet në Shqipëri, por hiqet mënjanë dhe nuk merret me politikë.Vendoset në Tiranë ku drejton Librarinë. Biblioteka e tij pasurohet gjithnjë e më shumë. Libraria e tij u kthye në një strehë-shkollë për edukim Kombëtar, ku mblidheshin studentë e intelektualë. Kishte vendosë që aty ta mbyllte pleqërinë e tij me një shërbim modest ndaj Kombit.Por fati i keq e deshi që ai të shihte Yllin e Shqipërisë të zënë prej mjegullave të kohës. Janë episode dramatike të atdheut të Skënderbeut. Në 7 prillin e 1939-ës, ditën e së premtes së zezë, martirizohet Shqipëria prej forcës brutale të fashizmit. Nuk mund të rrinte mënjanë pinjolli i Frashërllinjëve.Zemra e tij nisi të rrahë vrullshëm. Përpiqet që të japë kontributin e vet. Por mjerisht hyn në mes ideologjia komuniste, që e turbullon gjendjen. Ideologjia e përçarjes ia preu krahët Kombit, duke marrë në shenjë nacionalistët, njësoj si pushtuesit. Shqiptari kundër shqiptarit. Koha punoi për komunistët, apostulli duhet ta braktisë tempullin e adhetarizmit dhe të mërgojë në dhera të huaja. Kapërcen Adriatikun duke humbur meditushëm nën fjalët e këngës :”Moj Shqipni, e mjera Shqipni…, pa harruar vargjet finale”prej Tivari deri në Prevezë”…të Vaso Pashë Shkodranit, shok ideali i Abdyl dhe Sami Frashërit. Zbarkoi në brigjet italiane, ku gjenë strehë në kampet e shërbimeve filantropike të demokratëve perëndimorë. Vazhdon pa ndërprerje luftën kundër komunizmit, bashkëpunon me grupet e tjera politike mërgimtare dhe hyn në kontakt me grupet demokrate perëndimore. Formohet Komiteti Shqipëria e Lirë. Mid’hatit i besohet posti i kryetarit. I drejton Kombit mesazh të kthjellët përmes BBC-së. Vjen në Amerikë për të organizuar luftën e çlirimit të Shqipërisë në bashkëpunim me forcat e tjera të demokracisë Botërore. Por vdekja i thur kurth dhe shuhet apostulli idealist. U varros në tokën e Xhorxh Uashingtonit. Trupi i tij edhe sot kësaj dite dergjet larg Mëmëdheut, duke u prehur nën hijen e Monumentit të Lirisë së Amerikës, simbol i shpresës së gjithë Kombeve të Botës.
Mendoj që në fund të këtij aktiviteti përkujtimor, t’i bëjmë një apel qeverisë dhe politikës shqiptare, duke çuar në vend edhe dëshirën e bashkëluftëtarëve të tij të idealit,të kthehen në Kryeqytetin shqiptarë eshtrat e Mid’hat Frashërit…. Sjell në Kujtesë: Hasan Dosti 64 vite më parë, tek do të mbyllte fjalimin e vet tek koka e mëmëdhetarit, do të rënkonte dhimbshëm:Ah, ai s’mund të rrijë larg popullit të vet…Vendi i prehjes së përhershme të eshtrave të Mid’hat Frashërit, nuk është këtu, në varreza e Ferneliff-it. Vendi i tij është tek Altari i madh ideal i Kombit, tek Tempulli i shqiptarëve të Mëdhenj, në Pantheonin e Tiranës! Zoti do të dojë!
…Edhe unë shpresoj!
(Fotot shihi ne Facebook)