Nga Edmond BANUSHI/
Pas bojkotit të Kuvendit nga opozita për disa muaj dhe kërkesës së saj për dekriminalizim, më në fund u arrit të bëhej një rezolutë e përbashkët për Dekriminalizimin e Kuvendit, më datë 24 dhjetor 2014. Thelbi i saj ishte “Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Evropian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet evropiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”. Siҫ shihet qartë asgjë nuk arrihet pa ndërmjetësimin e të huajve.
Por si rrodhën ngjarjet më pas?
Dy muaj më pas kryeministri deklaroi në emisionin “Opinion”, se ai, nuk ishte në dijeni të deputetëve me të shkuar kriminale! Ndonëse të gjithë kishin dëgjuar për disa “të fortë” në radhët e mazhorancës, askush nuk i vuri rëndësi, pasi tek ne gënjeshtra në politikë konsiderohet normale. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se e konsideronte normale që një kriminel, siҫ e quajti më vonë kur akuzoi opozitën si zëdhënëse të tij, të shkojë në zyrën e ministrit të brendshëm, të denoncojë një krim dhe për 6 muaj të mos njoftohet prokuroria. Madje ai dhe ministri i tij e dhanë verdiktin. Dëshmitari është aktor dhe akuzat janë false. Dhe unë ashtu besoj, por do pres së paku të shprehet gjykata për të. Ndërsa ajo që ndodhi pasi Toma e bëri publike akuzën me të cilën do dridhte mazhorancën është akoma më keq. Kryeprokurori u takua me kryeministrin dhe kryetarin e paralamentit, i cili ishte i akuzuari se do të vriste me pagesë dy deputetë dhe me siguri u premtoi “vënien” e drejtësisë në vend. Për më pak se 20 ditë u sqarua gjithҫka Toma, Durimi dhe Marku gënjejnë, kryeparlamentari jo, po ministri e kryeministri nuk penguan drejtësinë, krim edhe ky, që nuk kallëzuan dhe hetuan gjashtë muaj? A do ishte zbuluar gënjeshtra sikur të ishte e tillë, disa muaj më parë? Kaq e thjeshtë qënka të takosh ministrin e brendshëm nëpër shtëpia private e ta gënjesh ministrin e brendshëm në zyrën e shtetit jo për pak gjë por për vrasje të deputetëve?!
Dhe të presësh pas kësaj që njerëzit e thjeshtë të kenë besim tek policia, organi i akuzës dhe drejtësia në përgjithësi!
Kjo tregon sesa të qartë e kanë pushtetarët tanë ndarjen e miqësive personale nga detyra dhe ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve.
Opozita në vazhdim bëri shumë mirë që për të dhënë autorizimin kërkonte prova fajësie për dy deputetët e mazhorancës. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk e kanë bërë formale dhënien e autorizimit, thjesht mund të hetohesh pa të. Dhe është pa kuptim kërkesa e arrestit për një të paakuzuar. Mendoj se duhet të rrinte në seancë dhe të votonte. Deklaratat e menjëhershme të ambasadës amerikane ishin dy asiste për PD-në, si në rastin e përjashtimit të Doshit nga grupi parlamentar, ku në dallim nga kryeministri që tha se u përjashtua ngaqë kritikonte dhe i bënte presion qeverisë, e thanë hapur, pretendohet të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale. Po kështu edhe kur përshëndeti prokurorinë. Largimi nga Kuvendi mund të krijojë përshtypjen e gabuar tek njerëzit, se SHBA-të mendojnë qe dekriminalizimi është detyrë eskluzive e organit të akuzës. Është krejt e kundërta. Vetëm në Amerike avokati mbrojtës dhe prokurori janë në të njëjtin nivel. Nëse do të lëshojë terren politika, disa prokurorë, veҫanërisht ata që kanë dobësi kamerat, do ta kujtojnë veten si mbrojtësit e shenjtë të së drejtës, të moralit publik, duke përfituar nga funksioni do përpiqen të bëjnë “vëzhgimin civil” mbi sjelljet e politikanëve dhe të kushtëzojnë zgjedhjet ose prishin mazhorancat e brishta. Rrëmuja ligjore që mbretëron tek ne, ligje dhe akte nënligjore në kundërthënie, është terreni i duhur për delirantët e zellshem. Do të kishim kështu një (de)kriminalizim alla Putin, që mesa duket mbetet idhulli i disa politikanëve.
Por si arritëm deri këtu?
25 vjet më parë ne jetonim në diktaturë, ku armiku pushkatohej, burgosej dhe në rastin më të mirë i sekuestrohej gjithҫka dhe internohej. Kjo bëri që “Njeriu I ri” të mos kishte një kufi të qartë midis politikës, betejës për fitore dhe hakmarrjes. E megjithatë që në zgjedhjet e para demokratike (në radhët e Partiës Demokratike të paktën) u bë kujdes që të mos kandidoheshin njerëz me të shkuar kriminale, të dënuar për krime ordinere. Dhe kjo ishte vijimësia logjike e 8 dhjetorit. Atë natë të “fortët” dhe hajdutët e batanijeve të Qytetit Studenti u strukën, pasi ata nuk kishin ideale. E pra kjo është politika e mirë, ideali, solidariteti, të bërit vepra në shërbim të komunitetit, administrimi i mirë.
Por Njeriu i ri nuk u zhduk. Ai vuri re se politika ishte burim pasurie dhe u transformua duke hyrë në politikë nëpërmjet të gjitha partive. Nuk është e vështirë t`i dallosh. Sa më shumë ngjiten në pushtet, aq më shumë trashin zërin. E shprehin hapur që për ta kundërshtari është armik dhe kjo justifikon cdo aleancë të pamoralshme. Betejat politike janë raasti më i mirë i dhunës verbale. Është kjo arsyeja që në Kuvendin e Shqipërisë deputeti plagosi simbolin e Lëvizjes Studentore dhe akuzohet sot kryetari i tij për organizim vrasjesh. Sidoqë të shprehet gjykata për ҫeshtjen Doshi, Rilindja dështoi në premtimin e madhe se do ta sillte politikën pranë qytetarit. Ramës nuk ia dha njeri me zor Tomën dhe Markun. Ai i përdori për të fituar vetë dhe tani do paguajnë të gjithë.
Megjithatë ajo që na intereson të gjithëve është pyetja, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës, d.m.th. Kuvendi, pushteti lokal dhe administrata publike të mos jenë streha e kriminelëve?
Së pari duhet të ndryshohet Kodi Zgjedhor. Me një ligj që ka për qëllim të nxisë besnikërinë ndaj liderit dhe jo llogari-dhënien para qytetarit, deputetët në rastin më të mirë do jenë gënjeshtarë. Ky ligj mund të shërbejë në vendet me demokraci të konsoliduar për të krijuar stabilitet politik dhe gjithëpërfaqësim, por nuk besoj se është rasti ynë. Partitë të mëdha ose jo, i përshtaten dhe pasqyrojnë mjedisin ku lulëzojnë. Sa më afër ky mjedis me parajsën, aq më afër engjëjve do të jenë deputetët, sa më afër ferrit mjedisi, aq më afër djallit ata.
Së dyti mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë një pakt të hekurt, të detajuar dhe të tejdukshëm nën dritën e diellit për të larguar kriminelët, sepse gjithmonë do ketë me të kaluar të tillë, ose të bërë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pra mund të bëhet. Problemi është: Kur?
Përgjigja që me vjen në mendje është një pasazh nga Bibla: Rojtari i shenjtorit Isa, atyre që e pyesnin: Kur do agojë? u pergjigjej “Do vijë mëngjesi, por është akoma natë. Nëse dëshironi të pyesni, ejani një herë tjetër.”