NGA LULZIM BASHA*/
Vëllezër dhe motra, Heronj të heshtur të vuajtjeve dhe mundimeve të këtyre dy viteve, heronjë zëlartë të kryengritjes së 8 dhjetorit të dytë, dua të përkulem me nderim të madh para jush; vrasësve të frikës, përmbysësve të terrorit psikologjik, kumtuesve të lajmit se shqiptarët ngrihen, se Shqipëria ngrihet! Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një javë më parë në 8 dhjetor ne kremtuam së bashku 25 vjetorin e lirisë. Ne i thamë së bashku qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës se liritë e fituara, se demokracinë, se të drejtën për të zgjedhur lirisht e pa frikë qeverinë nuk i dorëzojmë me asnjë kusht e me asnjë çmim. Ne i komunikuam së bashku me forcën e bashkimit të zemrave dhe mendjeve tona, vendimin e pakthyeshëm të qytetarëve shqiptarë, referendumin e shpirtit dhe mendjeve shqiptare që nuk ka qeveri ta ndalojë. Dhe vendimi është : Rama ik! Meta ik! Dy vite e kusur që kur kjo qeveri që sillet si bandë, apo më mirë të themi kjo bandë që i thotë vetes qeveri mori pushtetin, ekonomia e vendit, ekonomia kombëtare, ekonomia e çdo shqiptari pa dallim bindjesh politike ka rënë. Gjendja juaj dhe e çdo shqiptari, ajo që nuk gënjen kurrë është e para që i rrëzoi këta mashtrues, këta të dështuar. I rrëzoi sepse ekonomia e vendit tregoi qartë se në dy vite të keqqeverisjes së tyre u shkatërruan mijëra e mijëra vende pune e nuk u hap asnjë vend i ri pune. Se në këto dy vite mbi 70 mijë familje shqiptare humbën të drejtën e tyre ligjore për ndihmë ekonomike duke i drejtuar drejt një dëshpërimi të thellë, duke i drejtuar drejt një eksodi të madh. Në këto dy vite ekonomia, më e sinqerta, më e pagabueshmja, ajo që nuk gënjen kurrë e rrëzoi Edi Ramën, e rrëzoi Ilir Metën sepse tregoi se ranë investimet, ra kreditimi, ra punësimi, u rrit varfëria, u rrit papunësia, u rrit mjerimi. Dy vite të një krize ekonomike të paparë, dy vite të një varfërimi të përditshëm të shqiptarëve do të mjaftonin për të ngritur zërin së bashku për të thënë: Rama ik! Rama ik! Rama ik! Por nuk është vetëm kjo, përkeqësimi ekonomik, varfëria therëse në të gjitha vatrat e shqiptarëve nga Konispoli, Selenica, Mallakastra, në Vaun e Dejës, në Shkodër, në Kukës, në Dibër e këmbëkryq këtu në Tiranë kanë anën e vet të shëmtuar. Demokratët janë nxjerrë nga puna, demokratët janë pushuar në kundërshtim me ligjin. Socialistët e kanë të pamundur të gjejnë një vend pune pa paguar ryshfet sepse vendet e punës Edi Rama i ka rezervuar për trafikantët e drogës, për tutorët e prostitucionit dhe kriminelët e çfarëdollojshëm. Por nga ana tjetër një grusht njerëzish në këto dy vite kanë bërë prokopi, një grusht oligarkësh janë pasuruar më shpejt e më shumë se çdo shtresë tjetër shoqërore në këto 25 vite. Kush janë këta? Këta janë kokoshi 200 milionësh, Edi Rama kryeministri më i pasur i popullit më të varfër me shpurën e tij të ministrave hajdutë, Ilir Beqës krye hajdutit të shëndetësisë, Arben Ahmetajt hajdutit me çizme të ekonomisë, Damian Gjiknurit krye hajdutit të energjetikës, e mbi të gjitha të ministrit të Brendshëm, turpit të Shqipërisë në 100 vite shtet, krye trafikantit të drogës Saimir Tahiri. Korrupsion, trafik, drogë dhe askush nuk përgjigjet para ligjit. Në cilin vend të Europës, në cilin vend të civilizuar të botës kapet ministri i Brendshëm duke i vënë në dispozicion automjetin e tij trafikantëve të drogës dhe nuk pushohet menjëherë e të kapet zvarrë me pranga në duar e të shkojë prapa hekurave. Por jo në Shqipëri, në Shqipëri mentori i trafikantëve të drogës, krye taksisti i drogës urdhëron prangosjen, rrahjet barbare, kërbaçin, arrestimin e berberëve, e fermerëve sepse nuk kanë kupon për një kile qepë. Kjo është padrejtësia. Kjo është padrejtësia ulëritëse që mbledh sot shqiptarët këtu në këtë shesh dhe i mbledh me mendje e zemër rreth opozitës shqiptare, rreth Partisë Demokratike kudo që janë. Ky është Aparteidi, Aparteidi i Edi Ramës që tregon me gisht popullin e tij si hajdut kur vetë ka thyer çdo rekord hajdutërie e kusarie. Kush e pranon zëheshtur e sypërdhe një qeveri që vetë vjedh, një kryeministër që toleron vjedhjen sepse është përfituesi i vjedhjes; Kush toleron një qeveri me ministër të Brendshëm krye trafikant e miq me trafikantë të drogës nga njëra anë, e nga ana tjetër pranon që qytetarët e pamundur të shkojnë në qeli për një kupon, për një kile qepë nuk është naiv, nuk është i paditur, nuk është thjeshtë i pakurajo, por është bashkëfajtor. Kush shikon dy xhama të thyer nga dy gurë e dy protestues, e jo një popull të tere te revoltuar është bashkëfajtor. E le ta shohin edhe një herë që kjo është opozita, këta janë shqiptarët. Jo dhunës! Protestë paqësore deri në largimin e qeverisë, deri në shporrjen e saj. Një falënderim të veçantë kam për ata burra dhe gra në uniformë, shqiptarë edhe ata, të keqpaguar, edhe ata të përbuzur edhe ata nga njeriu që nuk meriton të jetë i pari i tyre. E sot në këtë shesh dua tju t’ju them se ne jemi me ju, Policinë e Shtetit, shtetit të së drejtës, policinë e shqiptarëve dhe jo të klikës brenda aty. Dhe se ne e dimë që edhe ju jeni me ne, jeni me ligjin dhe jo me të paligjshmit, jeni me shtetin e të drejtës dhe jo me shtetin e të padrejtës, jeni me popullin dhe jo me Edi Ramën. Ndaj i bëj thirrje sot çdo protestuesi demokrat apo jo, që në këtë protestë, dhjetëra e qindra të tjera që do të pasojnë deri në largimin e Edi Ramës të tregojmë qytetarinë tonë, të tregojmë se jemi ndryshe nga ata, duke mos prekur asnjë kapele dhe asnjë fije floku policisë tonë. Ne jemi të vendosur për të qëndruar deri në fund me forcën e mosbindjes civile që vetëm sa ka nisur, me forcën e këmbënguljes që karakterizon një popull europian dhe europian jemi, një popull fisnik, dhe fisnik jemi, një popull të pamposhtur dhe të pamposhtur jemi, derisa të rrëzojmë qeverinë e mjerimit ekonomik, qeverinë e korrupsionit, qeverinë e hajdutërisë, qeverinë e shtetit të padrejtës. Vëllezër e motra, Do të ishte fare normale që qeverisë t’i lihej 4 vjeçari. Edhe kur qeveria dështon opozita mund të bënte llogaritë e veta dhe të thoshte sa më i thellë zullumi aq më e thellë fitorja. Por ne nuk jemi këtu për interesin tonë të ngushtë politik sepse po të ishim të tillë do të ishim hipokritë, do të ishim po kaq të këqinj sa ata aty brenda. S’ka dyshim kemi edhe ne stokun tonë të gabimeve. Pa dyshim kemi patur edhe ne stokun tonë të faturës që e morëm dhe e pranuam në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Por ju garantoj sot këtu para jush, e para Zotit se Lulzim Basha ju kërkon një gjë: Nëse qeverisja që ju duhet të votoni si qytetarë të lirë, nëse qeverisja që ju do të sanksiononi me votën tuaj të lirë nuk ju përgjigjet, të vini ta rrëzoni si sot këtu! Ne ju thërrasim në këtë protestë e në protestat që do të vijojnë jo thjesht sepse qeveria dështoi. Jo thjesht e vetëm se nuk përmbushi premtimet e gënjeshtërta me të cilat erdhi në pushtet. Jo thjesht dhe vetëm se ka larguar 100 mijë shqiptarë vetëm në një vit dhe ka bërë që 1 në 2 shqiptarë të mendojnë largimin nga vendi si e vetmja alternativë. Jo thjesht se i ka varfëruar, se i ka goditur shqiptarët. Edhe pse kaq do të mjaftonte. Por jo vetëm për këtë. Jo thjesht sepse kanë vjedhur si një lukuni hajdutësh pronat dhe taksat tuaja, 400 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet këtë vit, 800 milionë euro prokurime këtë vit, 600 milionë euro vetëm me një aferë iu kanë marrë shqiptarëve, vetëm me një dorë me aferën e vjedhjes së shekullit, me CEZ-in. Edhe kaq do të mjaftonte e do të tepronte, për një popull që respekton veten e tij, që të largonte një orë e më parë me protesta qeverinë. Por ne përballemi sot me shtetin e të padrejtës, shtetin kriminal. I pari që shkel Kushtetutën është Edi Rama. Njeriu që ka shkelur më shumë ligjet e vendit është Edi Rama dhe ministrat e tij. Njeriu që nuk zbaton vendimet e gjykatave është Edi Rama. Shteti i të padrejtës është shteti që dënon qytetarët për kundërvajtje por lartëson pushtetarët për Kushtetutën dhe ligjin. Kjo është kambana, kjo është thirrja! Kjo nuk mund të pranohet, këtë nuk e pranuan as afrikano jugorët! Ky është Aparteidi dhe këtë do ta rrëzojmë me çdo kusht! Demokracia i ka instrumentet, ka vullnetin suprem të qytetarëve si zgjidhja sovrane, si zgjidhja e zgjidhjeve. Por ja që Edi Rama dhe Ilir Meta në makutërinë e tyre kanë kujtuar se i kanë dalë përpara vullnetit tuaj duke kapur dhe shkatërruar zgjedhjet lokale. Duke asgjësuar votën e lirë pas provës gjenerale që bënë në Korçë dy vite përpara, ku u filmuan duke blerë votat. Këta mendojnë se edhe testin e fundit të llogarisë para popullit, zgjedhjet, votën tuaj do ta zhbëjnë. Ja pra pse kërkojmë sot dhe shtrojmë sot si imperativ veglën, instrumentin e fundit të sovranit, largimin e qeverisë që shkatërroi zgjedhjet, largimin e një orë e më parë të Ilir Metës dhe Edi Ramës. Largimin e një ore e më parë të Saimir Tahirit, rrëzimin e kësaj qeverie. Krijimin e një qeverie teknike, e cila do të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme, do të përgatisë terrenin për mos deformimin e vullnetit të qytetarëve. Sepse sot beteja nuk është mes PD dhe PS, apo LSI, kjo është beteja e gjithë shqiptarëve, demokratë e socialistë, toskë e gegë kundër këtij grupi kusarësh, kriminelësh e oligarkësh. Meritojnë demokratët dhe mbështetësit tanë një shans, por meritojnë edhe socialistët e ndershëm një shans për të thënë përsëri fjalën e tyre. Ne do t’ja japim dhe i kemi dalë zot dhe do t’i prijmë kësaj beteje deri në fitore. Në fund, do të jetë një popull i tërë që do të vendosë me mençurinë dhe kurajon e votës, e do të zgjedhë mes alternativave. Ndaj Partia Demokratike do të vazhdojë të shpalosë alternativën e saj të shpëtimit, të dinjitetit, të çlirimit të pozitivitetit, të dhënies fund të negativitetit, të çlirimit të entuziazmit në ekonomi për të hapur vende pune dhe vende pune me paga më të mira për të rinj e të reja, për të papunët, për të krijuar një klimë besimi për biznesin, një klimë të favorshme për fermerët, një klimë besimi për investimet e huaja. Alternativa jonë do të jetë edhe kërkesa jonë ndaj shqiptarëve për të rikthyer besimin tek vendi i tyre për të qëndruar këtu e për të ndërtuar këtu së bashku një jetë me standard europian për të gjithë shqiptarët, pa përjashtim. Ndaj kësaj ëndrre të brezit tim, kësaj ëndrrës time e jam i sigurt i çdo shqiptari, këtij qëllimi të madh për një demokraci të re, për një ekonomi të fortë, e për një të ardhme të sigurt i kemi borxh ngritjen në këmbë dhe qëndresën deri në largimin e qeverisë, deri në zgjedhjet e parakohshme. Beteja vazhdon. Me 8 dhjetor shkallmuam bunkerin. Sot e detyruam të tërhiqet me bisht ndër shalë duke tërhequr dekoratat e xhelatëve. Nesër do ta largojmë me fuqinë e bashkimit të zemrave tona! Shqiptarë e shqiptare ngrihuni! Shqipëria nuk mund të bjerë para padrejtësisë, nuk mund ta ulë kokën. Nuk e kanë bërë etërit tanë! Nuk e kanë bërë stërgjyshërit tanë! Nuk do ta bëjmë as ne. Shqipëria ngrihet, ngrihet e nuk rrëzohet! Zoti e bekoftë Shqipërinë !
*Fjalimi I mabjtur sot ne Proetsten para Parlamentit Shqiptar