Opinion Nga Nderim LUSHI/Aktivist i shoqërisë civile/
Shqipëria nuk është më shtet, por i ngjet një kampi të madh përqendrimi, ku jetojnë pensionistë të vrarë dhe të venitur, të cilët mashtrohen me pensione qesharake, ku baza e jetës së pensionistëve janë dërgesat e emigrantëve.
Plot me të rinjë, por të pashpresë!
Jemi vendi, ku jetojmë mes ujit të pijshëm dhe ky ujë mungon në rubinetët e shtëpive tona, siç është rasti i qytetit të Kukësit dhe shumicës së qyteteve në Shqipëri.
Një vend plot spitale, të cilët shërbejnë për ti vdekur njerëzit, apo për ti udhërrëfyer drejt spitaleve private, që më pas për ti grabitur ato pak pasuri, që disponojnë.
Një shtet pa universitete, por plot me “fabrika”, ku fabrikohen skllevërit e rinjë dhe votuesit e ardhshëm, të cilët janë gati të shesin votën dhe nderin nëse akoma mund ti quajmë të ndershëm. Universitete, ku edukohet kopja dhe korrupsioni. Shkolla bajate me mësues të paaftë, të cilët mësimjapin sepse kanë paguar 2000$ për tu punësuar.
Shkollat tona përgatisin skllevër modernë dhe ftillojnë njeriun-skllav, të aftë për të jetuar i shtypur, të aftë për të heshtur dhe për të vdekur i varfër dhe pa liri.
Universitetet, ku pedagogët, si stalinë të vegjël, përfaqësojnë denjësisht: të degjeneruarin, manjakin seksual, partiakun skllav, simbolin e sistemit korruptiv dhe udhëheqësin drejt kopesë të humbësve të mëdhenj, ngjashmërisht me Eskilin e varrosur në humnerën e humbjeve dhe të harresës.
Shteti ynë ka kryeministra, të cilët rrugëtojnë drejt Kukësit, Tropojës dhe Hasit dhe flasin për bujqësi dhe fusha pjellore, ndërsa në Lushnjë predikojnë vjeljen e energjisë elektrike, si dhe përpunimin e kromit.
Jemi vendi me 300 mijë ndërtime pa leje, sepse politikanët tanë e deshën një gjë të tillë.
Jem shteti, ku kemi angazhuar të gjithë të paaftët dhe të korruptuarit në politikë, vendi ku vrasësi quhet burrë i mirë dhe i zoti.
Kemi kthyer tokën bujqësore në një sipërfaqe të copëtuar me shtëpi të hedhura, si të rëna nga qielli.
Na mungojnë nobelistët apo dijetarët për të qenë referenca e madhe e kombit, por na dalin me bollëk tutorët e prostitutave dhe shpërndarësit e drogës.
Prej kohësh jemi turpi i Europës, me një eksport rekord prostitutash dhe kriminelësh.
Nuk ka më Shqipëri: siç e njohim në ëndërrat tona, por ka një copë tokë të populluar nga skllevër dhe tutorë-diktatorë.
Me male të prera dhe të masakruara vetëm për të fituar pak para, toka e lumenjëve të ndotur, e detit-depozitë për ujërat e zeza.
Vendi, ku gjykatat sekuestrojne lirinë dhe grabisin njerëzit, me avokatë sekserë dhe policë të varfër nga koka dhe xhepi.
Jemi vendi i Shqiponjave të vdekura, të fundit e varrosën në Shëmri të Kukësit (eshte shqiponja ne foto), në tokën anti-komuniste dhe krejt të varfër.
Si shëmbëlltyra të venitura ecim rrugëve, dhe përgjumur jetojmë jetën, e cila përsëritet vetëm një here. Të gjithë kanë mësuar vlerën e parasë dhe kanë harruar kuptimin e moralit. Flasin për krenari dhe për komb, por të tmerruar nga vdekja ndërsa flasin, sepse kanë frikë të humbasin jetët boshe në të cilat rastësisht janë fundërruar të jetojnë; pavlerësisht dhe pa ndonjë qëllim të shenjtë dhe human. I shikon të gjithë të vetëkënaqur për kotësinë, që u fali kjo jetë, e cila pak e nga pak po i shpie në varr, ashtu të palirë dhe të skllavëruar.
…po sot është koha të kthejmë kokën prapa dhe të hedhim shikimin e mendjes tek gjurma e historisë. Të kujtojmë fjalën “burrë” se si kumbonte, dhe sa fort therte fjala “besë”. Jemi ne ata, që lindëm nga toka e besës dhe trime, dhe jemi po ata, që fjala Shqipe na vinte për shtat, krenarë, të fortë dhe fort të besës. Ka shpresë në këndet e Kukësit dhe në cepat e Tropojës, ashtu siç ka shpresë në luginat e Dibrës, për tu shtruar në Burrel-Mirditë-Lezhë, dhe për të vazhduar rrugën fluturimthi kudo në tokën e Shqipeve. Ka shpresë dhe trima, të aftë të japin jetën për komb, të kombit, që mbahet pushtuar nga aleanca Pro Serbe dhe Anti-Shshiptare PD+PS+LSI. Ka burra të mençur, por të varfër, të cilët njohin të vërtetën se si partitë i krijoi komplotisht Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Koha për qëndresën finale, për të merituar Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin dhe për të pagëzuar shpirtin e lirisë dhe triumfator me heroin Havzi Nela, që më parë pranoi të vdiste i lirë se sa të jetonte i skllavëruar.
Koha për tu ngritur si Shqipe, dhe për ti kthyer kombin Shqiptarëve, koha për qëndresën finale kundër partive të Sigurimit të Shtetit dhe PPSH-së.
Të organizohemi një grup të rinjësh, që të udhërrëfejmë protestat anti-diktaturë.
Të kundërshtojmë aleancën Anti-Shqiptare PD+PS+LSI.
Vjeshta të na gjejë të bashkuar, të gatshëm për sakrificë dhe të etur për liri.
Shpresë dhe ndryshim!
Aktivist i shoqërisë civile, Nderim Lushi