• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPNIA:100 VJET SHTET DHIMBJESH

November 24, 2012 by dgreca

Nga Jozef Radi/

Tashma me orë pritet festa e 100 Vjetorit i Shtetit Shqiptar.

Nji festë e cila e ka ba flamurin dyngjyrësh të nji kombi të shpaloset gjithkund ndër shqiptarë, (si gjeografi pak e trishtë) e të dëshmojë se lidhja jonë me kuqezinë asht diçka e shkrueme në gjakun tonë, në shpirtin tonë, në vuejtjet tona, në krenarinë tonë ballkanase…

Ky flamur si kurrë ma parë e si kurrë ma hijshëm se sot asht jo vetëm në duart e çdonjenit prej nesh, po shpaloset edhe brenda nesh…

Fati gjithnji ban të vetën. Kët Kryefestë të Flamurit, fati ia ngarkoi ta organizojë Sali Berishës. Nji rastësi historike?! Sigurisht, po mund të mos jetë edhe aq e tillë…! Megjithatë organizimi asht diçka protokollare, e arsyetueme, e diskutueme, buxhetore, kurse festa asht tjetër gja, festa asht shpirt, asht frymë, asht gjendje që nis prej çdonjenit nga ne, ashtu si nji pikë shiu vjeshte dhe merr teposhtë bahet rrëke, përrua, lumë derisa shfaqet ashtu e plotë si nji det i ndezun, me gjithë madhështinë e vet; nji det kuqezi i dalë prej nji dhimbje të madhe historike, po si duket sa ma e madhe dhimbja e lindjes aq ma i madh shpirti i kësaj feste të ndjeme…

Nëse bajmë nji kthim mbrapa në histori ka me na rezultue se në ditë të Mëvetsisë dhe shpalosjes së Flamurit, ngrihet figura urtake e Ismail Qemalit; në të njizetepestin vit shfaqet figura mbretnore e Ahmet Zogut; në të pesëdhjetin vit peshon randë hija e Sekretarit të Parë: Enver Hoxhës dhe bash në mbyllje të shekullit Shtet Shqiptar, rri e përndezun lavdie figura e Kryeministrit Sali Berisha, duke na e ba fakt “volendo nolendo”, se nëpër kto katër simbole, ende të vuejtshme, kalon nji rreth, vetëm nji rreth dhe asnji tjetër: rrethi i Njiqind Viteve Shtet Shqiptar… pa shmangë këtu edhe at figurë që duket si jashtë këtij rrethi, po që historia shqiptare s’ka me e pasë kurrë të lehtë me e anashkalue: ajo e Ibrahim Rugovës!

Po Shqipnia e vërtetë, ajo që jeton në shpirtin e çdonjenit prej nesh s’asht vetëm Shqipnia e Prijsave Politikë, e këtyne “Duerve të Hekurta” të Pushtetit, po Shqipnia e Prijsave Shpirtnorë, nji Shqipni që vërtet ende s’po mundet me folë ashtu si duhet, por që askush s’do mundet me ia ndalë ma fjalën: e kjo asht Shqipnia e Fishtës dhe Konicës, e Mjedës dhe e Nolit, e Koliqit dhe Kutelit, e Lasgushit dhe Migjenit, e Mit’hat Frashërit dhe e Lef Nosit, e Merlikës dhe Merxhanit,  e Eqerem Vlorës dhe Krist Malokut, e Ali Asllanit dhe Anton Harapit, e Martin Gjokës dhe Vangjel Koçës, e Çabejt dhe e Rizës, e Kasem Trebeshinës dhe at Zef Pllumbit, e  Petro Markos dhe e Vilson Blloshmit, e Trifon Xhagjikës dhe e Havzi Nelës, e Qoses dhe e Kadaresë, e Musine Kokalarit dhe Drita Çomos, e Pipës dhe Malëshovës, e Tefta Tashkos dhe Vaçe Zelës, e Martin Camajt dhe Bilal Xhaferrit, e Padër Meshkallës dhe Arbën Xhaferrit dhe e shumë e shumë të tjerëve, të cilët Panteoni Shqiptar ende i pret dhimbshëm…

Historiografia shqiptare edhe pse ka mbi shpinë shekullin e trazuem të nji shteti, ende s’u ka dhanë qytetarëve të vet nji tekst si duhet, ku të lexohet pak ma qartë e të kuptohen pak ma mirë përpjekja dhe dhimbja e gjithë atyne që e deshën kët vend, secili në mënyrën e vet, e secili me kontributin e vet, nëpër kontekste historike e rrethana politike jo fort fatlume…

Gjithë figurat e sipërpërmenduna të Kryeshtetarëve kanë shfaqë konflikte të hapta interesash me paraardhësit e tyne, e ku gjithsecili asht përpjekë me ngritë lavdinë e vet mbi poshtnimin e tjetrit… secili prej tyne ka kërkue me e u ngjitë sa ma nalt në majën e quejtun shtet shqiptar, vetëm si pjesë e lavdisë së vet dhe pak kush asht shqetsue se gjithçka realizohej ishte sakrifica ma sublime e nji populli të vuejtun, i cili ende e ka qëndresën cilësinë ma primordiale të genit të vet…

28 nantori, asht ditë e kremte dhe secili prej nesh duhet me harrue diçka nga historia e derisotshkrueme! Ajo çka s’duhet harrue asht vendosja në vend e krejt atyne që luftuen me shpirt për kët vend dhe i dhanë gjithçka mundën, shpesh duke marrë mbi fytyrat e tyne të ndrituna edhe shumë baltë të pameritueme…

Asht e vërtetë se krejt figurat e këtyne Kryeshtetarëve qendruen gjatë në pushtet, bile edhe Plaku i Vlorës, edhe pse njeriu ma pushtetpakët i të katërtve, vinte nga pushteti në perandorinë osmane, prej ku zvarritesh edhe fati i trishtë i Shqipnisë… Dy të tjerët kanë pasë nga nji çerek shekulli, kurse ai ma jetgjati pothuaj gjysëm shekull Pushtet…

Sot, në çdo tavolinë shqiptare ku mund të ulesh me festue, asht e vështirë me i bashkue të Katërt këta Prijës dhe të ngresh nji dolli përbashkuese,  prej asaj fryme që ata kanë mbjellë në histori! Harrohet edhe ma i randomti fakt se ata mbeten historia jonë; janë e mira dhe e keqja jonë e përbashkët, e bukura dhe e shëmtuemja jonë, heroikja dhe tragjikja jonë…!! Do të mbetesh nji akt i madh paqtues, për secilin prej nesh, prej frymës së kësaj feste të kishim nji përcaktim ma pak randues në dam tyne, ose e thanë pak ma ndryshe, me u ndalë te secili te ajo çka asht ma pozitivja e thelbit të tyne udhëheqës… A nuk do të ishte ma e denjë fjala vjen që Ismail Qemali të përcaktohesh fjala vjen si Dipllomati, Andrrimtari, i Sakrifikuemi; a s’do të ishte denjsisht rigoroze që Ahmet Zogu, të quhej Reformatori, I Paepuni, Autoritari; a s’do të ndjeheshin ma mirë jo vetëm idhtarët e diktaturës nëse Enver Hoxha do të konsiderohej Qëndrestari, Kundërshtuesi, Komandanti; apo Sali Berishës a s’do t’i bahej nder nëse do të quhesh Shpresësjellësi, Ekuilibristi, Kuqebluja…

Këto janë ende andrra… ndaj mbetet e vështirë ndër ne me i respektue si duhet ata që e kanë drejtue Shqipninë e këtyne njëqind viteve! Prej sot duhet të na bahet e pamundun me i poshtnue edhe ma, e me vazhdue pafundsisht me urrejtjen… Veç kështu e kërkon  dinjiteti i këtij njiqindvjetori madhështor: me i respektue ata! Le t’i kthejmë me kurajo shumë prej këtyne të përbaltunve të mëdhenj në Panteonin e lavdisë sonë të brishtë; ta dimë ne së pari; mandej edhe fëmijët tanë se nga kemi ardhë, për ku po shkojmë dhe ku mund të mbrrijmë; duke e braktisë njiherë e përgjithmonë idenë e skajshme të heronjve dhe tradhëtarëve… sepse në politikë të gjithë janë nga pak heronj dhe nga pak tradhëtarë… mjaft që të mos jetë në shënjester vetëm e keqja e tyne, sepse vërtet ata qeverisin popullin e tyne po harrohet se ata vërtitën edhe rreth nji harte të madhe, ku koha dhe ngjarjet kanë provue shpesh se asht e vështirë të mos jesh edhe thjesht nji sferë bilardoje…

A s’është mirë që edhe Stoikut Rugova, t’i kujtohet fryma që solli në qëndresën shqiptare dhe jo t’i ciklohen egërsisht çastet e tija të vështira në histori, që shpesh të kujtojnë cejtnotet e shahut…

Po ne ende jemi larg kësaj fryme…

Përballë gjitha këtyne kundërshtive, ndryshe prej herëve të tjera, ky njiqind vjetor po flet si askurrë ma parë me nji gjuhë të pabesueshme bashkuese…!! S’ka as ma të voglin dyshim se sot shqiptarët e gjithë botës kanë vetëm nji kryefestë përbashkuese, gjithë të tjerat janë thjesht festa, Ajo asht Kryefesta Jonë, së cilës duhet t’i biem të gjithë në gjunjë dhe ai Flamur Kuqezi që vërvisim gjithë krenari në qiell ma shumë se ndër duer tona duhet t’na valvitet prej shpirti…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet shtet, dhimbjesh, Jozef Radi, shqipnia

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT