• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRECEDENTËT NUK I KRIJON KOSOVA, POR DHUNA SHTETËRORE

October 6, 2017 by dgreca

1Islam LaukaNga Islam LAUKA*/

Mbajtja e referendumit për pavarësinë e Katalonjës, më 1 Tetor 2017, i dha shkas aktivizimit të fushatës së radhës, nga ana e Serbisë dhe Rusisë, kundër pavarësisë së Kosovës, si dhe rifreskimit të tezave të tyre, për gjoja, pasojat e rrezikshme që paskërka sjellë i ashtuquajturi “precedent kosovar”, në dëm të paqes e stabilitetit në rajon, në Europë dhe në botë.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daciq, deklaroi se “Ajo që pati paralajmëruar Serbia, ndodhi në Katalonjë. Prirjet separatiste në Europë nuk do të mbyllen me kaq… Kutia e Pandorës është hapur”.

Politologu i njohur rus, kryeredaktor i revistës, “Russia in Global Affairs”, Fjodor Llukianov, i mëshon të njëjtës ide. Sipas tij, Perëndimi nuk u vuri veshin paralajmërimeve ruse, “në nivel zyrtar dhe eskpertize”, që qëndrimet arbitrare ndaj kufijve dhe tërësisë territoriale shtetërore, do t’u ktheheshin si bumerang, edhe vetë perëndimorëve.

Duke iu referuar “Deklaratës mbi ngjarjet ne Katalonjë” të Komisionit Europian dhe qëndrimeve të disa përfaqësuesve të lartë të BE-së për këtë çështje, në të cilat theksohet se rasti i Kosovës, si sui-generis, nuk mund të krahasohet me atë të Katalonjës dhe se referendumi i këtij rajoni për pavarësi është i paligjshëm, si Beogradi, ashtu edhe Moska, e akuzuan Brukselin për politikë të “standardeve të dyfishta”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e quajti “hipokrit”, qëndrim, sipas të cilit, pavarësia e Kosovës konsiderohet e ligjshme, ndërsa ajo e Katalonjës, e paligjshme. Ai u shpreh se kjo është një padrejtësi e madhe e Bashkimit Europian ndaj Serbisë. Vuçiç ripërsëriti pikëpamjet e Beogradit se Kosova nuk është rast i veçantë, specifik. Të njëjtën ide, por në mënyrë më agresive shprehu Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daciq. Sipas tij, pavarësia e Kosovës dhe e Katalonjës janë akte të njëanshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“I indinjuar” nga ky qëndrim i Brukselit, Beogradi zyrtar vendosi që, nëpërmjet kryeministres Brnabiç, t’i kërkojë sqarime BE-së, nëse kemi të bëjmë me ekzistencën paralele të dy ligjeve ndërkombëtare, një për shtetet anëtare të Bashkimit Europian, tjetri për ato që nuk janë anëtare të kësaj organizate.

Bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Sllavistikës në Moskë, Peter Iskenderov, “hipokrizinë” europiane e zhvendos nga Katalonja, në Krime. Në shkrimin e tij, “Referendumi në Katalonjë – sfidë për BE-në”, ai vë në dukje se Brukseli, deri tani, të drejtën e një etnosi për shkëputje e ka zgjidhur, nisur nga interesat dhe konjuktura politike. Janë këto interesa, sipas tij, që përcaktojnë se pavarësia e Kosovës duhet të konsiderohet e ligjshme, ndërsa pavarësia e Krimesë dhe bashkimi i saj me Federatën Ruse, të paligjshme.Rikthimi i këtyre pseudoargumenteve në diskursin politik, diplomatik dhe mediatik, shtron nevojën e ritheksimikt të argumenteve mbi karakterin sui generis të rastit të Kosovës, me të cilin, lidhet edhe gjetja e një zgjidhjeje sui generis, siç është pavarësimi i saj.

Midis këtyre argumenteve mund të veçojmë:Së pari, shpërbërja, jo me marrëveshje, por me dhunë të përgjakshme e ish- Federatës Jugosllave. Me shpërbërjen e saj, të gjitha pjesët përbërëse të federatës, përfshirë Kosovën, si një dër elementët konstituivë të saj, fituan të drejtën e krijimit të shtetit të tyre të pavarur. Pra, nuk kemi të bëjmë me rast të shkëputjes së një territori nga një shtet tjetër, mbi bazën e të drejtës së popujve për vetëvendosje, pikëpamje që, gabimisht, mbrohet edhe nga pjesa më e madhe e studiuesve dhe analistëve shqiptarë, por me të drejtën e popullit për të krijuar shtetin e vet, pas shpërbërjes, jokonsensuale, të entitetit shtetëror, ku bënte pjesë më parë.

Së dyti, ushtrimi i dhunës së strukturuar shtetërore nga Beogradi, që kulmoi në vitet 1998-1999, me mbi 12 mije të vrarë, 20 mijë të plagosur, me spastrim etnik, duke dëbuar, rreth 1 milion shqiptarë nga territori i Kosovës, me masakra dhe me varreza masive. Vazhdimi i bashkëjetesës Kosovë-Serbi, pas kësaj dhune masive, ishte i pamundur.

Së treti, OKB, nëpërmjet dy rezolutave të saj, situaten e atëhershme në Kosovë, e ka klasifikuar “si kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë”. Duke iu referuar kapitullit të VII të Statutit të OKB-së, në pranverë të vitit 1999, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri ushtarakisht në ish Jugosllavi për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova u vu nën protektorat ndërkombëtar.

Së katërti, shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt 2008, sipas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Asnjë prej këtyre elementëve thelbësorë nuk është i pranishëm në rastin e Katalonjës dhe as në atë të Krimesë. Thënë më shkoqur, ata që pretendojnë në njëjtësinë e rastit të Katalonjës me Kosovën, duhet të sjellin, të paktën, këto fakte: që Spanja, si shtet me të 17 rajonet autonome është në shpërbërje jokonsensuale, por të dhunshme; që ndaj Katalonjës është zbatuar e po zbatohet politikë e spastrimit etnik dhe dhunë sistematike shtetërore; që, nga ana e OKB-së, situata në Katalonjë të klasifikohet si kërcënim për paqen e sigurinë rajonale e botërore; që të ketë ndërhyrje të armatosur të komunitetit ndërkombëtar: së fundi, në rast të shpalljes së pavarësisë së Katalonjës, GJND duhet ta vlerësojë atë si një akt që nuk është në kundërashtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ka edhe dallime të tjera të rëndësishme, me natyrë historike, kushtetuese, ekonomike dhe gjeopolitike midis Katalonjës e Kosovës, të cilat nuk eshtë vendi për t’i trajtuar. Aq më pak, mund të flitet për ngjashmëri, a njëjtësi të Krimesë dhe Kosovës. Mjafton të thuhet që me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 27 Mars 2014, pavarësimi dhe bashkimi i saj me Federatën Ruse janë konsideruar si të paligjshme dhe të njëjtën pikëpamje ka mbrojtur edhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Europës, ku bën pjesë edhe Rusia.

Pohimi që rasti i Kosovës është sui-generis, do të thotë që në asnjë konflikt tjetër nuk mund të argumentohet, motivohet, apo justifikohet akti i pavarësimit të vendit, me atë të Kosovës. Ky apo ai rajon mund të kenë një mijë arsye të tjera për t’u shpallur të pavarur, por jo sepse kështu ka vepruar edhe Kosova.

Në rastin e Katalonjës, po flitet për padrejtësi, për kufizim të të drejtës sovrane, lidhur me shfrytëzimin e të ardhurave të rajonit, për refuzim të autoriteteve qendrore që kësaj krahine t’i jepet autonomi tatimore, etj. Ditën e referendumit për pavarësi, me 1 Tetor 2017, u njoftua për dhunë të policisë mbi qytetarët katalonjas, ku pati, mbi 900 të plagosur. Madridi u shfaq me fytyrë demoni, në emër të ligjit, duke harruar legjitmitetin. Pas dhunës, “gremina midis Katalonjës dhe Spanjës u thellua si kurrë më parë”. Në rast se Madridi vazhdon me përshkallëzimin e dhunës, gjoja, në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, pa pyetur për jetët njerëzore, atëherë, me të vërtetë, në vend të Katalonjës, ai mund të fitojë Kosoven e vet, jo si pasojë e ndikimit të” precedentit Kosovar”, por e politikës së tij dritëshkurtër.

Spanja është midis 5 shteteve anëtare të BE-së, që, nisur nga konsiderata të brendshme, “për të mos nxitur prirjet separatiste”, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ngjarjet e fundit po dëshmojnë dështimin e kësaj politike. Do të ishte tragjike, nëse Madridi, nuk tërhiqet nga konfrontimi me qytetarët e vet, për t’i zgjidhur problemet me ta, nëpërmjet dialogut dhe kompromisit. Përvoja historike, më se një herë, na ka mësuar, se dhuna shtetërore është mamia e “precedentëve Kosovë”, jo vetëm në Spanjë, por kudo në botë.

 

*Autori është doktor i shkencave politike,  ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike.

Filed Under: Politike Tagged With: DHUNA SHTETËRORE, Islam Luka, Por, PRECEDENTËT NUK I KRIJON KOSOVA

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT