Studiuesi Primo Shllaku sjell për lexuesin veprën e tij më të fundit “Nji letërsi tjetër”. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York dhënë Editorit Sokol Paja, studiuesi Primo Shllaku shprehet se:Disidenca, nuk asht as metodë, as rrymë, as edhe nji prirje letrare. Disidenca asht nji problem pranëletrar, për mos me thanë, jashtëletrar. Disidenca asht problem njerëzor, asht problem i virtytit qytetar dhe i karaktereve individuale. Disidenca asht problem moral, i etikës dhe i lirisë, asht edhe problem intelektiv e ka shum të bajë me hapjen mendore të njeriut që jeton me artin, me dijet e tij mbi historinë dhe transcendencën e saj, mbi vlerat mbetëse e ato kalimtaret, mbi lirinë personale, kërkimin dhe përdorimin e saj.
“NJI LETËRSI TJETËR”
Libri asht nji studim mbi disidencën shqiptare gjatë diktaturës, nji vëzhgim mjaft i hollësishëm psikokritik se kush u angazhue me entuziazëm në metodën e realizmit socialist, si u krijue gara kush të botonte dhe të preferohej ma shum, analizë socio- psikologjike e morisë dërrmuese të krijuesve të asaj metode. Libri synon gjithashtu të pohojë disidencën ndër ne, por simbas kriteresh që burojnë nga kushtet specifike nën diktaturën shqiptare. Gjithashtu merren në shqyrtim, po me imtësi relativisht të pandodhun deri tashti, Zef Zorba e Lec P. Shllaku, të cilët shkruen nën diktaturë pa ndonji perspektivë botimi. Ky i fundit, tue qenë se asht prindi im, asht dhanë thjesht nën nji dritë ekspozuese e jo aksiomatike. Sa për Rreshpen e pamë si nji “outsider” i përjetshëm, jam përpjekë të baj nji qasje psikanalitike për të shenue edhe dukuninë e “amfibëve” në letrat shqipe të nji gjysmë shekulli.
DISKURS MBI DISIDENCËN
Për disidencën u fol për nji kohë të gjatë ndër ne mbas vjetëve ’90. Mandej pllakosi heshtja dhe këto fjalë që përbajnë këtë punim, po shkruhen në kohën e kësaj heshtje. Vitin e fundit janë shprehur dy autorë, të cilët janë ma shum shkrimtarë sesa kritikë, Visar Zhiti dhe Gëzim Hajdari . Mendojmë se punimet e tyne përmbajnë vlera të padiskutueshme lidhë me letërsinë klandestine të vjetëve të socializmit real ndër ne dhe se thellojnë kërkesën e krijimit të nji panorame, “të mbidheshme”, por edhe “të nëndheshme”, ku të dyja nivelet marrin të njajtën qytetari dhe përqasen me rreptësi e panjianshmëni. Gjatë vjetëve të gjalla të diktaturës ma të egër shpijake që patën njoftë ndonjiherë shqiptarët, ose që, të paktën, ka regjistrue kujtesa e tyne, doli se, krahas letërsisë zyrtare që rekomandonte, ushqente dhe ndëshkonte regjimi, në heshtje dhe krejt msheftas, ishte zhvillue nji letërsi tjetër, e vogël në masë dhe vëllim. Kjo letërsi e kërkonte lirinë e shprehjes jo përmes të çameve dhe zonave të pambulueme me vemendje të regjimit, por, mbasi ia thoshte vetes troç se ishte e pabotueshme, zhvillohej pak a shum në atë mënyrë sikur ndër ne të mos ekzistonte censura dhe punët e artit të mos ishin sferë e programimit politik e ideologjik të pushtetit të kohës.
VETMI DHE DËSHPËRIM KULTUROR PAS DALJES NGA KOMUNIZMI
I sapodalë prej restriksionit komunist, vendi ynë kishte nevojë të inventarizonte ato pak vlera që trashëgoi prej periudhave të parandejshme. Nuk mund të ketë startim të ri pa nji vetëdije kulturore, pa nji arsenal vlerash të shoshituna mirë dhe të klasifikueme simbas randësisë së tyne. Vetmia dhe dëshpërimi kulturor ndër ne ishin të mëdha. Na duhej nji riorientim, nji gjetje urgjente e nordit. Periudha e komunizmit kishte qenë nji ikje prej mjedisit natyror, nji shkarje drejt Lindjes, mandej drejt Lindjes së Largët. Aty ku na kujtonim se kishim prekë fundin e nuk mund të shkohej ma andej, erdhi si murtajë izolimi. Izolimi si vetmim dhe degdisje ishte nji largim edhe ma i madh drejt johomogjenes. E gjithë kjo për t’i ikë sistemit të referencës dhe rrezikut të bashkëmatjes e të krahasimit. Në të gjithë Lindjen komuniste shpërthyen si fishekzjarret në qiellin veror figurat e disidentëve, e autorëve dhe personaliteteve që gjatë regjimeve prosovjetike kishin guxue me kundërshtue dhe ishin dënue për guximin. Pra, në njifarë mënyre, në të gjitha këto vende problemi i trashëgimisë politike u zgjidh nëpërmjet këtyne figurave që gëzonin nji autoritet në shtresat e popullsisë. Te na këto figura nuk ekzistonin, ose ekzistonin si relike të mbetuna prej represionit, njerëz të gjymtuem e të frustruem fizikisht e mendërisht, të sakatuem dhe të konsumuem deri në nji pikë sa nuk mund t’u prinin proceseve demokratike e liberale të shoqnisë së sapozgjueme prej territ ma total. Pikërisht në këtë kohë filloi me u folë ndër ne për dukuninë e disidencës, për disidentët, për nëse i kishim na këta njerëz e këtë skotë njerëzish, nëse kishte pasë disidencë e disidentë te na e kush mund të quheshin të tillë e kështu me radhë. Shum shpejt mbizotnoi ideja se ndër ne nuk kishte pasë disidencë, bile “disidencë të mirëfilltë”, sepse na kishim nji regjim shum të rreptë dhe që erdhi vetëm tue e mbyllë lojën dhe nuk pati stinë llaskimi të diktaturës, përveçse disa kthjellime që, për mendimin e shumicës, nuk qenë tjetër veçse “provokime” të regjimit për me i gjetë vetes “anmiq të besueshëm” dhe me ushqye politikat korrente të ditës, të cilat, për shkak të konsumimit që vjen prej ndejtjes gjatë në pushtet, ishin në nji krizë të thellë politikëbamje e politikëkrijimi. Pra, filloi me mbizotnue ideja se te na nuk kishim pasë disidencë dhe disidentë dhe se kjo, moralisht, nuk denonconte karakterin e integritetin e inteligjencies, por kishte ndodhë për shkak të intransigjencës së madhe të regjimit, të fobive të tij dhe si rezultat i përkeqësimit progresiv të bilanceve reale të shtetit totalitar.
DISIDENCA ASHT PROBLEM NJERËZOR, ASHT PROBLEM I VIRTYTIT QYTETAR DHE I KARAKTEREVE INDIVIDUALE
Nji numër i konsiderueshëm studiuesish me cilësi mendojnë sot se kullimi i të vërtetave rreth RS-së dhe problemeve të disidencës asht ndër pikat ma të nxehta të historishkrimit të letërsisë shqipe të sotme dhe se zgjidhja përfundimtare e asaj çka ka mbetë prej asaj trashëgimie do të bahet njiherësh me verdiktin mbi disidencën. Disidenca, në fakt, nuk asht as metodë, as rrymë, as edhe nji prirje letrare. Nga pikëpamja e qenies së saj, ajo asht nji problem pranëletrar, për mos me thanë, jashtëletrar. Disidenca asht problem njerëzor, asht problem i virtytit qytetar dhe i karaktereve individuale. Pra, në radhë të parë, asht problem moral, i etikës dhe i lirisë. Por ajo asht edhe problem intelektiv e ka shum të bajë me hapjen mendore të njeriut që jeton me artin, me dijet e tij mbi historinë dhe transcendencën e saj, mbi vlerat mbetëse e ato kalimtaret, mbi lirinë personale, kërkimin dhe përdorimin e saj. Tue qenë disidenca nji send kaq i lidhun me qenien antropologjike të njeriut, kuptohet, se qenia e saj ose mosqenia nuk mund të na lanë indiferentë lidhë me cilësinë e qytetnimit që lamë mbrapa dhe të atij që po mundohemi me adoptue. Vemë re se njerëzit e establishmentit “krijues” të diktaturës, si dhe të gjithë ata që inercialisht vazhdojnë me qenë pjesë e zyrtares sot, përgjithësisht, nuk e pranojnë disidencën; thonë se te na nuk kishte disidencë. Interesant asht fakti se ata nuk shtyhen me thanë se nuk kishte hapsinë për disidencë, se censura dhe represioni ishin aq të mëdhej, sa e tridhnin krijimin “ndryshe” qysh në moshën e vet embrionale të ngjizjes së tij në kokën e shkrimtarit, por, tërthorazi, insinuojnë se ndër ne nuk kishte asi “burrash” që mund të merrnin në sy nji rrezik të tillë. Insinuata asht e natyrës pragmatiste dhe oportuniste dhe tingëllon ma fort si shpotí për çdokënd që do të merrte nji ndërmarrje të tillë. Dhe, si për t’ia humbë farën idesë së disidencës, ata flasin vetëm për nji lloj disidence, për atë të gjithënjoftunën në Rusi, Çeki e Hungari e ngjeti, kur regjimi i atjeshëm sillej bukur zemërgjanisht me kundërshtarët e vet estetikë (pra, nuk i vriste e nuk i asgjasonte) dhe bile, gja kjo fort e pakonceptueshme për regjimin e realitetet tona, ai i demaskonte disidentët dhe i kërcënonte me dëbim nga vendi drejt Prendimit. Kjo klemencë e regjimeve të atyne vendeve tipike me disidencë të mbrendshme gjatë Luftës së Ftoftë, ne, shqiptarëve na tingëllonte ma shum si shpërblim sesa si dënim, kaq fort na kishte ngarkue centrifugalisht izolimi dhe mbyllja ndaj botës së jashtme. Regjimi dërgonte jashtë njerëzit e vet ma të besuem dhe kush delte jashtë ndihej i privilegjuem dhe i hatruemi i shtetit. Nxjerrja e dikujt jashtë ishte sakrifica e madhe që bante shteti i atëhershëm për individin dhe ai që e merrte këtë të mirë duhej të asgjasonte mbrenda vetes çdo prirje arsyetimi rreth të bameve të shtetit të vet. Përndryshe, ofiqi ose privilegji i daljes jashtë shtetit kthehej në objekt të nji akuze për mosmirënjoftje që paguhej me kamatë dërrmuese.
PËRSE KËRKOJNË QË PËR AFIRMIMIN OSE JO TË NJI DISIDENCE NË SHQIPNI DUHET TË APLIKOJMË MODELIN TIPIK RUSO-ÇEKO-HUNGAREZ?
Përse vallë ish-shkrimtarët e RS-së dhe mjaft nga kritikët letrarë zyrtarë të regjimit shprehen se nuk kishim disidencë ndër ne? Pse ata janë sapak deri në fort ironikë kur flasin për nji model njeriu “të zgjuar” që besonte te fjala popullore e populiste që thoshte se “ma mirë të thohet se drodh Leka, se mbet Leka”? Përse ishin afrue ata me botën e artit? Me ba karrierë e me shijue ndonji privilegj mjeran apo e kishin zgjedhë rrugën e artit si lidhje vertikale me të vërtetën e, kësisoj, si rrugë të vështirë? Përse kërkojnë që për afirmimin ose jo të nji disidence në Shqipni duhet të aplikojmë modelin tipik ruso-çeko-hungarez të kësaj dukunie mbi nji terren aspak tipik, por çudanisht atipik rreth nji letërsie “të nëndheshme”, që u shkrue paralelisht me atë të RS-së? Pushteti i ri i mbasluftës e mori popullin shqiptar në mes të nji entuziazmi të madh. Mbarimi i luftës dhe paqja që profilohej, euforia e fillimit të nji jete të re pa e ditë askush mirë se cila do të ishte ajo, energjitë shpërthyese të nji rinie në mesin e një revolucioni spontan gjinor, që donte të afirmohej në shkallë të gjanë dhe kushtet ndërkombtare mjaft të favorshme, aleanca e fitores me Rusinë, SHBA-në dhe Jugosllavinë, shenuen nji regjistër të naltë entuziazmi masiv. Propaganda për rindërtimin e vendit, ngritja e hekurudhave të reja, deri atëherë të papame në peizazhin shqiptar, thamja e kënetave dhe lufta kundër analfabetizmit ishin pikat e forta që e mbanin në kambë e të paluhatshëm entuziazmin kolektiv të turmave pa identitet kulturor e shpirtnor. Nën zallamahinë e natyrshme të kësaj lëvizje ndërtimtare e përuruese, pushteti politik qëronte hesapet në mënyrën ma të diskutueshme me anmiqtë e vet politikë, realë e potencialë. Pushteti përqendrohej në nji dorë të vetme, organizma si PKSH-ja vepronin pa rival në mesin e shoqnisë shqiptare, të drejtat e individit merreshin nëpër kambë dhe demokracia, e shpallun dhe e quejtun me emnin e saj magjepsës, shkallmohej nën diktatin e voluntarizmit ma të skajshëm dhe ekuilibrat socialë realizoheshin me gjuhën e dhunës e terrorit. Republika e shpallun rrëshqiste dalëngadalë drejt nji kriptomonarkie të supercentralizueme, autoritariste e tejet arbitrare. Premtimet u shkelën dhe liritë e mëdha e të vogla u flijuen në altarin e antioksidentalizmit. Në kushtet e atëhershme dhe që vazhduen me pak ndryshime formale deri teevona, ndryshimet materiale duhej të pranoheshin jo doemos në bashkëvajtje me zhvillimet shpirtnore.
SHKRIMTARËT REALIZUEN NJI ART TË THATË E DIDAKTIK, KËLTHITËS E MARCIAL
Në këtë situatë erdhën e u dukën edhe shkrimtarët e poetët që u bashkuen me rrjedhat e të ashtuquejtunit “ndërtim socialist”, u angazhuen në zhvillimet korrente, u banë jehonë ndërtimeve dhe epërsive (!?!) të sistemit socialist, u bashkuen faktikisht me korin e propagandës dhe realizuen nji art të thatë e didaktik, këlthitës e marcial. Këta shkrimtarë u paraqitën si të mbartun nga radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare dhe kalimi i tyne në organet e propagandës u krye me kriterin e pjesëmarrjes në luftë dhe kurrsesi me ndonji kriter tjetër, p.sh., cilësor, estetik, etj. Konsolidimi i pushtetit me anën e rrugëve të kurbanizimit periodik dhe terrorit të luftës së klasave si pjesa shoqnisht ma e rrezikshme e dogmës udhëheqëse ideologjike, i dha regjimit nji aureolë force të pakundërshtueshme dhe nji status mitik me dimension amshimi. Pandryshueshmënia e dogmës dhe e terrorit ligjërimor shkaktoi nji dëshpërim të egër kulturor, nji dëshpërim prej të cilit mund të shpëtoje vetën nëse i rreshtoheshe me nënshtrim formulës që regjimi e propozonte si morale, patriotike, të ndershme dhe në kahe të përparimit. Ndërkaq regjimi kishte përcaktue edhe strukturat e gatshme simbas të cilave individë me talent do të qaseshin në organet e propagandës ose edhe atyne të prodhimtarisë artistike që ndejtën nji jetë nën strehën e propagandës.