• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TOLERANCA SI NJË VIRTYT I DOMOSDOSHËM NJERËZOR DHE SHOQËROR

November 18, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Çfarë është toleranca? Është e domosdoshme për njerëzimin. Të gjithë jemi plot dobësi dhe gabime; le të falim reciprokisht marrëzitë tona – ai është ligji i parë i natyrës.” – Volter/

16 Nëntori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e shpallur si e tillë nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në vitin 1993, me nismën e UNESCO-s.  OKB-ja ka për mision të vetin angazhimin e saj për forcimin e tolerancës duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë midis kulturave dhe popujve.  Ky zotim është thelbi i Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  Ky angazhim është më i rëndësishëm se kurrë në këtë periudhë të ekstremizmit të dhunëshëm në rritje dhe konflikteve të shtuara që karakterizohen nga mos respekti i përgjithshëm dhe themelor për jetën e njeriut, thekëson OKB-ja, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, ditë që shënohet ndërkombëtarisht çdo vit me 16 Nëntor, nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore, ç’prej miratimit të rezolutës, për këtë qëllim, në vitin 1996, në përputhje me Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, sipas OKB-së.

Me një të hedhur sy medias në trojet shqiptare, nuk shoh të jet përmendur në mediat kryesore shqiptare kjo ditë ndërkombëatre kushtuar tolerancës në botë.  Megjithse flitet shumë për tolerancën fetare midis shqiptarëve të feve të ndryshme – veçanërisht nga politikanët shqiptarë, sidomos, para të huajve — toleranca është diçka më shumë se vetëm ajo fetare, sado e mirë dhe e nevojshme është ajo dhe për të cilën të gjithë shqiptarët jemi krenarë. 

Në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, miratuar në Paris me 1995 nga shtetet anëtare të UNESCO-s, të cilën nuk e gjeta të përkthyer në shqip në asnjërin prej portaleve të institucioneve shqiptare ku duhej të ishte, toleranca në kuptimin e Kombeve të Bashkuara, sadddo e rëndësishme që është, nuk është vetëm për marrëdhëniet ndërfetare, por përfshin të gjitha fushta dhe larmitë e veprimtarisë njerëzore, politike kulturore, gjuhësore e të tjera. 

Në Deklaratën e lartëpërmendur thuhet se tolerance do të thotë se njerëzit kudoqoofshin duhet të respektojnë njëri-tjetrin, në të gjithë larminë e tyre politike, besimit, kulturës, gjuhës dhe dallimeve tjera midis tyre.  Nuk duhet pasur frikë nga dallimet dhe nuk duhet që ato të jenë objekt shtypjesh, brenda dhe midis shoqërive, por dallimet të vlerësohen si një pasuri e çmuar, jo vetëm të një vendi, por mbarë njerëzimit. Toleranca pra ka një kuptim shumë më të gjërë – përveç atij fetar, me të cilin u pëlqen shqiptarëve të mburren para botës – përfshir tolerancën politike, në nivelin kombëtar të shqiptarëve.  Në vitin 1996, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare që të marrin përsipër, në nivel kombëtar, zbatimin e Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën. Prandaj ia vlen që të kujtojmë me këtë rast se për çfarë tolerance bëhet fjalë në Deklaratën e OKB-së mbi Parimet e Tolerancës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ja një përkthim jo formal i disa prej parimeve më të thekësuara të deklaratës në fjalë:

“Toleranca do të thotë respekt, pranim dhe vlerësim i larmisë së pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të shprehjes dhe mënyrave të jetës së njeriut.  Ajo nxitet nga dija, sinqeriteti, komunikimi dhe liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit…Ushtrimi i tolerancës nuk është vetëm një detyrë morale, por është edhe një kërkesë e nevojshme politike dhe ligjore. Toleranca, është virtyti që bën të mundur paqën dhe që kontribon në zëvendësimin e kulturës së luftës me kulturën e paqës.” 

“Toleranca është, mbi të gjitha, një qëndrim aktiv i nxitur nga njohja e të drejtave universale të njeriut dhe lirive themelore të tjerëve.  Në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret për të justifikuar cenimin e këtyre vlerave themelore. Toleranca duhet të ushtrohet nga individë, grupe dhe shtete”.

 “Toleranca është përgjegjësia që mbështet të drejtat e njeriut, pluralizmin (përfshirë pluralizmin kulturor), demokracinë dhe shtetin e së drejtës.  Toleranca përfshin gjithashtu refuzimin e dogmatizmit dhe absolutizmit dhe afirmon njëherazi standardet e përcaktuara për tolerancën në instrumentet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”. 

“Në përputhje me respektimin e të drejtave të njeriut, ushtrim i tolerancës nuk do të thotë aspak që të tolerohen padrejtësitë shoqërore ose të braktisen dhe të shtypen bindjet e dikujt. Tolerancë do të thotë se njeriu është i lirë t’u përmbahet bindjeve të veta dhe të pranojë që të tjerët t’u përmbahen dhe të ruajnë bindjet e tyre. Do të thotë të pranosh faktin se qeniet njerëzore, natyrshëm, të ndryshme në pamje, nga rrethanat e jetës, ndryshimet në të folur, në sjellje dhe për nga vlerat e tyre individuale, kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe të jenë ashtu siç janë.  Kjo gjithashtu do të thotë që pikëpamjet e dikujt nuk duhet t’u imponohen të tjerëve”. 

Këto pra, janë pikat kryesore në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën të OKB-së, deklaratë që e cilëson ushtrimin e tolerancë, jo vetëm si një detyrë morale, por edhe si nevojë dhe kërkesë politike dhe ligjore për individët, për grupet e ndryshme shoqërore dhe politike, e sidomos për autoritetet shtetërore dhe qeveritare. Ata duhet të jenë të parët që të japin shembull për tolerance. Shtetet dhe qeveritë duhet të miratojnë ligjet e nevojshme për të garantuar drejtësinë dhe trajtim të barabart për të gjitha grupet dhe individët, pa dallim. Përveç politikës, një rol të rëndësishëm në promovimin e tolerancës luan edhe edukimi, i cili duhet të ndikojë tek të rinjtë që të zhvillojnë kapacitetet për gjykim të pavarur dhe për mendim e arsyetim kritik, sipas interpretimit të Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën.

Mund të thuhet se asnjë vend në botë, pa marrë parasyshë sistemet qeverisëse, nuk është imun nga të këqiat që vijnë nga mungesa e tolerancës zyrtare dhe shoqërore ndaj atyre personave ose grupeve që i konsiderojmë si ndryshe nga ne, qoftë edhe për nga pikëpamjet politike. Vendet normale e kanë kuptuar tanimë se toleranca – sidomos toleranca politike — dhe pajtimi janë gurthemeli i një shoqërie të drejtë dhe të barabart për të gjithë dhe pa dallim.  

Në fillim të këtij muaji, bota shqiptare shënoi 100-vjetorin e lindjes së Anton Çetës, pajtimtarit të Kombit. Duhet thekësuar se, historikisht është provuar se, toleranca dhe pajtimi nuk janë të lehtë për asnjë shoqëri, madje as për shoqëritë më të zhvilluara, e sidomos nuk janë të lehta për shqiptarët me një të kaluar të tmershme përçarëse komuniste. Por, megjithë vështirsitë me të cilat përballet një shoqëri, toleranca ndaj njëri tjetrit – sidomos në radhët e politikës – por dhe pajtimi janë të domosdoshëm, sepse në mungesë të tolerancës dhe pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike — siç është shoqëria shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, gjëndja mund të përkeqësohet mëtej, duke çuar në konflikte të reja. 

Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqësve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme – dhe grindjet e llojit që kemi dëgjuar javët dhe muajt e fundit në Tiranë dhe në Prishtinë — të mos i fryjnë erës së konfliktit, mos-tolerancës dhe mos-pajtimit ndër shqiptarët, por të punojnë drejtë vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë, në përgjithësi.  Mos-toleranca nxitë mos-tolerancën, paralajmëron OKB-ja, duke theksuar se për të luftuar mos-tolerancën në shoqëri — si individët ashtu edhe qeveritë — duhet të jenë të vetdijshëm për lidhjen që ekziston midis sjelljeve të tyre jo tolerante ndaj kundërshtarëve politikë dhe atyre që mendojnë ndryshe — dhe ciklit të mbrapsht vicioz të mos besimit dhe dhunës politike dhe kriminale në shoqëri, të cilat janë domosdoshmërisht pasojë e mungesës së tolerancës politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës.

                      

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e Tolerances, Frank shkreli

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT