• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tsipras do të takohet me babain e çështjes çame Servet Mehmeti

November 6, 2016 by dgreca

*Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë…/

1-arian-galdini-620x330Nga Arian Galdini/*Servet Mehmeti është një burrë me flokët e bardha borë, i cili ka ardhur 2 apo 3 vjeç në Shqipëri. Është bir në një familje me shumë fëmijë që u rritën vetëm nga nëna e tyre sojlie, për të cilën, kur e kujton e flet për të, xhaxhi Serveti përlotet. Vuajtjet dhe sakrificat e nënës së tij për të ushqyer, shkolluar e rritur me dinjitet fëmijët e saj, xhaxhi Serveti i ka të skalitura si 10 urdhëresat e Zotit në pllakat e gurta të Moisiut. Ajo nënë çame, nuk i pa kurrë varfërinë, mungesat, padrejtësitë, si shkase e arsye për të ushqyer smirë, mllef, ligësi, dorëzim apo marifete te fëmijët e saj. Përkundërazi, çdo ditë mjerimi e zbukuroi me këngët e gëzueshme të krahinës së Çamërisë. Çdo mungesë e padrejtësi e mveshi me histori burrash e trimash Çamërie që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre, tokat, pronat dhe familjet e tyre, që lundronin deteve për të bërë tregëti me botën, që punonin nga agimi në muzg për të ndërtuar të mirat, që së bashku zhvillonin qytezat, lagjet dhe fshatrat ku jetonin, e që kurrë nuk bënin armiq, e që lindnin e vdisnin kryelartë. Asnjëherë nuk e pa a dëgjoi nënën e tij, Servet Mehmeti që të shante, mallkonte a urrente ndokënd për hallet e mëdha që i kishin rënë si male mbi shpinë. Ajo dinte të bënte gjellë e haje të shijshme edhe nga ajri. Dinte ti ngopte fëmijët e saj me gëzimin e buzëqeshjen e saj. Dinte ti ngrohte kur kishin ftohtë, me dashurinë e saj. Kur ishin pa strehë, ajo u tregonte fëmijëve të saj se trimat e Çamërisë ishin yjet e qiellit dhe i mbronin ata nga shiu, bora, ftohma dhe të ligjtë. Kur gjenin strehë, ajo u thoshte fëmijëve se pluhuri i yjeve të qiellit i kishte bërë ato mure e atë çati, që ata të ishin gjithmonë e të pandarë nga trimat e Çamërisë. E kur fëmijët e pyesnin se përse ishin pa shtëpi, përse ishin pa baba, përse ishin të varfër, ajo me sytë lart nga qielli e të lagëta si deti Arpicës u përgjigjej, i kemi edhe shtëpinë, edhe të mirat edhe babain, i kemi. Fëmijët që kurrë nuk e kishin parë të qante nënën e tyre, i uleshin përreth e përpiqeshin të kuptonin nga valët e detit të lotëve që i rrëshkisnin në faqe nënës së tyre, se nëse i kishin të gjitha këto, çfarë i kishte prurë larg tyre. Jemi në atdheun tonë, por jo në vendin tonë, u thoshte teksa psherëtinte nëna. Me kaq e mbyllte detin në sy dhe niste të këndonte tumankuqen a ndonjë këngë tjetër të gëzueshme çamërie. Ku e gjente forcën ajo nënë që detin e lotëve ta mbyllte me këngë të gëzueshme, asnjëherë nuk e kuptoi askush. Derisa fëmijët u rritën e këngët u bënë histori dhe historitë u bënë kujtesë, e kujtesa u bë ndërgjegje, e ndërgjegja u bë kushtrim. Në ditët e sotme, xhaxhi Serveti është ai plaku i moçëm e i urtë që qëndron në udhëkryq e të dëfton se cila është rruga që të çon e të kthen, e cila është ajo që stë kthen. Deti i Arpicës në sytë e nënës së tij është bërë shkumë e bardhë dallgësh të rrepta në flokët e tij. Këngët e trimave të Çamërisë janë bërë urtësi në fjalët e tij. Historitë e Çamërisë janë bërë fuqi dhe drejtësi në mendimet e veprimet e tij. Kujtesa është bërë kudhra dhe çekani i karakterit të tij. Ndërgjegja dhe kushtrimi janë bërë arsyeja e jetës së tij. Njëlloj si atëherë kur ishte 2 a 3 vjeçar, ai pyet, përse jam larg detit të Arpicës, larg shtëpisë sime, larg babait, përse? Me këto pyetje ai jetoi çdo ditë të jetës së tij. Me këto pyetje u bë edhe njëri ndër themeluesit dhe Kryetari i parë i Shoqatës Çamëria. Me këto pyetje u përlesh para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2004, ndërsa e përgjakte policia që mbronte deputetët që kishin frikë të votonin Rezolutën Çame. Me këto pyetje e fitoi Rezolutën Çame. Me këto pyetje iu bë krah e mbështetje Shpëtim Idrizit, Tahir Muhedinit e të tjerëve që të themelonin Partinë e Kauzës Çame. Me këto pyetje refuzon ti bindet kufizimeve të moshës dhe si një luftëtar i paepur e nis dhe bitis ditën duke notuar në detin e Arpicës që i kanë ngulitur në mendje sytë e lagët të nënës së tij. Ai noton në ato sy, noton në atë det sepse kërkon bregun. Është Uliksi i kohëve moderne. Kërkon Itakën e tij. Kërkon atë Itakë ku ka shtëpinë, babain dhe detin ku lundronin të parët e tij. Do të prekë ata gurë që ngriti me duar babai i tij për të ndërtuar shtëpinë. Do të shkelë në atë tokë prehet babai i tij e shumë të tjerë që u vranë e masakruan pabesisht nga bandat e Napoleon Zervës. Do të shohë atë prag prej ngaku e larguan përdhunshëm, krejt pa arsye ndërsa ai ishte vetëm 2 a 3 vjeç. Do të shkojë në vendin e tij. Në Tiranë e ngado në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin Servet Mehmetin, e nderojnë si një njeri e burrë të rrallë. Shpesh ai ngjason me ndonjë nga ata yjet lart në qiell si në rrëfenjat e nënës së tij që ka zbritur këtu si burrë i çmuar Çamërie. Ai këtu është në atdheun e tij. Por nëna i ka lënë amanet që të mos harrojë kurrë vendin e tij, shtëpinë e tij, babain e tij. Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e ti bëhen si deti i Arpicës. Kur dëgjon ti thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon ti thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë. Nëse Ministri Kotzias thotë se Servet Mehmeti nuk ekziston, ndoshta duhet që vetë Kryeministri Tsipras të vijë në Tiranë për ta pirë një kafe me xhaxhi Servetin. Xhaxhi Serveti nuk është armik i Greqisë, nuk i uren grekët. Përkundërazi. Atje në Greqi ai ka vendin e tij ka tokën, shtëpinë, pronat dhe babain e tij. Ai do vetëm të shohë detin e Arpicës. Është thinjur duke notuar në detin e Arpicës nëpërmjet syve të nënës së tij. E nuk do që sytë e tij të bëhen det Arpice për fëmijët e tij. Do vetëm të shohë detin me sy, që ta heqë detin nga sytë.

  • E dergoi per Diellin, z. Kolec Ndoja, Kryetar i deges se Vatres , South Florida

Filed Under: Opinion Tagged With: Arian Galdini, do të takohet, e ceshtjes came, me babain, Servet Mehmeti, Tsipras

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT