Nga Behlul Jashari/ PRIZREN, 11 Gusht 2015/ Qyteti dhe festivali ndërlidhen në Prizren, u tha sot në konferencën e tretë për shtyp në kuadër të edicionit të XIV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest.
Në konferencë morën pjesë: Chris Torch nga Corners, Domenik Gagnon – regjisor i filmit “Of The North”, Frida dhe Lasse Barkfors – regjisorë të filmit “Pervert Park” dhe Pamela Cohn – kuruese e programit special “Sound of my Soul”.
“Unë vetëm dua të them një gjë, kam udhëtuar shumë nëpër Evropë dhe kam qenë në shumë festivale: nuk mund të them se kam parë ndonjëherë një vend ku qyteti dhe festivali ndërlidhet si këtu në Prizren. Qyteti e ka mirëpritur festivalin, e ka bërë pjesë të tij, unë shoh shumë njerëz që lëvizin përreth, ndoshta disa prej tyre shkojnë për të parë filma, të gjithë pjesë e ambientit kulturor që festivali ka krijuar dhe unë me të vërtetë dua të ju uroj për këtë gjë”, tha Cris Torch, i cili foli për programin dhe punëtoritë e Corners në DokuFest.
Nga 8 deri 16 gusht, në qytetin e Prizrenit në Kosovë mbahet DokuFest, festivali tradicional ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër. Tema qendrore e Fstivalit në këtë vit është migrimi, përfshirë një program filmi të kuruar në mënyrë të veçantë, diskutime në panel dhe punëtori tashmë tradicionale.
Shumë nga pjesëmarrësit e vizitorët e DokuFest nga vende të ndryshme të botës janë mirëpritur e vendosur nëpër shtëpitë e prizrenasëve.