• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Donika Mustafaj:Misteret e filmit “Kur kënga nuk kishte Pazar”

December 17, 2016 by dgreca

PERSONAZH/ Flet regjisorja e mirënjohur Donika Mustafaj: Dikur kënga ishte një qëllim më vete,  sot qëllimi është fitimi i parasë/2-donika-mustafaj

-Ja misteret e filmit “Kur kënga nuk kishte Pazar”

– Të gjitha këngët e dashurisë sot janë këngë mekanike, nuk  kanë  shpirt

-Këngëtarët sot shesin më shumë imazhin  se sa këngën

Nga Albert Z. ZHOLI/

Kënga për dashurinë është burim i kulluar i ndjenjave të shpirtit. Ajo të çon drejt virtytit, ndjenjës së pastër, mallit të përvëluar, kufijve të sentimentit njerëzor me dimensione të hiperbolizuara jashtë paragjykimeve dhe barrierave të shoqërisë. Ajo e lartëson bukurinë e vashës në tempullin e ndjenjës dhe dashurinë e djalit në himnin e lidhjes fizike dhe shpirtërore, me një temp perëndish. Kënga, e kthen realitetin në idealizëm dhe idealizmin pjesë  të kënaqësisë së të jetuarit. Ajo është ankth, mall, përshpirtje, lartësim, ikjemendje drejt skutave të vetvetes. Kush jemi pse jetojmë? Si na kanë dashur dhe sa dashurojmë ne në jetën tonë?! Jo vetëm Nepor edhe të tjerë!. Asnjëherë populli nuk e ka shkruar eksperiencën e tij jetësore, më shumë se në zhanrin e këngës. Një përballje shpirti dhe mbi të gjitha brezash ndër vite, genesh dhe gjenetike të një populli, që ka ditur ta bëjë shpirtin të flasë me notat e këngës së tij. Duke rrjedhur nga kjo tokë e virgjër, brendësore e malaksur vetëm me natyralitet, kënga lartësohet në interpretimin e një këngëtari virtuoz dhe të talentuar. Është kjo lidhje e madhe shpirtërore e poezisë popullore me interpretimin, që ka krijuar në Shqipëri një plejadë këngëtarësh me emër që i kanë dhënë këngës për dashurinë emrin dhe talentin e tyre. Dhe pse muzika është kthyer në një mall tregu, këngëtarët më të talentuar ndjehen larg këtij manierizmi duke patur si pasion intelektual muzikën e vërtetë, muzikën e pastër, muzikën autoktone shqiptare, tekstin e bukur të mbështetur në folklorin shqiptar. Është pikërisht kjo shtresë intelektualësh e cila krijon një veçansi me interpretimin e saj. Por nuk është vetëm kjo. Është dhe e kundërta e saj, kur kënga për dashurinë përcillet me një muzikë absurde dhe një tekst pa kuptim në emër të komercializmit. Kështu foklori përjashtohet, teksti poetik shpërdorohet, muzika tradicionale mohohet. Të gjitha në emër të parasë….

Kënga për dashurinë dje dhe sot. Çfarë është në folklorin shqiptar, si ruhej kjo muzikë dje dhe si është sot kjo këngë magjike?

-Tek këngën për dashurinë  para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, nuk kanë ndalur ende kritikët, apo muzikologët ta analizojnë. Kënga ka shumë komponentë. Kënga nuk është përqendruar  vetëm tek teksti. Kënga është si çdo art tjetër që tregon se kush jemi. Kënga brenda ka edhe motivin e dashurisë. Unë jam përqendruar tek kënga e dashurisë dhe  në film kam përcjellë tek shikuesi  këngën e lehtë dhe atë popullore. Këto janë të gjitha këngë dashurie, për të  parë ndikimin e dashurisë në këngët bashkëkohore. Duke parë si kanë ndikuar këngët e dashurisë në këngët bashkëkohore unë ndërtova  këtë film duke e parë si ka qenë më përpara dhe e krahasoj me sot. Kam respektuar personalitete që kanë  emër në  fushën e artit si Jorgo Papingji, Flamur Shehu, Arben Duka, Pandi Laço. Këto janë personalitete që flasin. Konkluzioni im është: Nuk mund të  mendosh që kultura jonë individuale, është  thelbi kryesor i kulturës së këngës së dashurisë. Kënga është  ajo që e çon kulturën  tonë drejt një regresi apo progresi dhe më tej drejt një  analize. Duke ballafaquar të dyja këngët para viteve ‘90 dhe  pas viteve ‘90, kam si shënjestër dallimet ms tyre…Pra kam bërë një analizë të  këngës në përgjithësi. Këngët pas viteve 1990 janë të  gjithë këngë problematike, ka një marramendje të  këngëve. Shumë njerëz mund të mendojnë se nuk është vetëm  dashuria që duhet të marim në konsideratë se kemi edhe  probleme të  tjera, se  ka edhe këngë shumë të bukura që nuk kanë  dashuri. Unë shpjegoj në film se përse kemi zgjedhur këngë dashurie. Pse publiku jonë  ka më   shumë  neps, sesa gjykim. Tërheq më shumë publikun me këtë  pasion që ka  brenda vetes dhe që e ka  të identifikueshme se sa me pasione të  tjera. Sepse është  forcë që t’ia thuash vetes tënde dobësitë që ke. Një pyetje nga një  gazetar  ishte, se kë  këngë pëlqeja! Unë jam  për të  gjitha shijet. Nëqoftëse dikur kënga ishte një qëllim më vete, kënga sot është  kthyer për të arritur  një qëllim dhe  fitimi i parasë. Kjo mund të  ketë pasoja në  peizazhin muzikor shqiptar. Unë jap një sinjal dhe një  alarm. Këta  këngëtarë e kanë shpërfytyruar të qenit art dhe  ne këtu duhet të ndalemi dhe ti  biem  fort këmbanave. Kemi  shkuar drejt një  uniformizimi të  kulturës dhe progresit të  saj meqenëse bëhen vetëm  këngë të  njëjta. Këngët  zgjidhen për ti pëlqyer rinisë. Rinia është masa më e madhe dhe më evulive e shoqërisë dhe  duhet ti përgjigjemi me gjuhë bazike. Por kur dëgjon këngët sot? Të gjitha janë këngë mekanike. Këngët mekanike nuk  kanë  shpirt.

Më përpara ne këngët i kemi pasur me tema të shumëllojshme dhe me poezi brenda. Po këngët e dashurisë sot?

Në këtë kohë kënga nuk ka asnjë lloj frymëzimi. Është gjetur një kallëp që po të realizojë diçka për fitim ka garantuar suksesin. Ata shesin më shumë imazhin  se sa këngën. Kjo  bëhet më shumë që ata të flasin për veten e tyre. Ata nuk  e kanë  më problemin e këngëve. Kënga është bërë  konsum në masë. Më parë nuk  ishte  konsum, ishte kënaqësi. Mund të  them se pjesa më e madhe e fajtorit është  media, sepse ajo është edukative. Akoma nuk e kemi kuptuar se thelbi i kulturës jepet nëpërmjet medies. Kam studiuar dhe dëgjuar shumë se këta këngëtarë i bëjnë  edhe heronj. I thërrasin nëpër studio, ku ka këngëtar të  tjerë  që kanë  më shumë vlera dhe nuk i fton njeri. Sot këngët e mëparshme  nuk  transmetohen, ato  kanë  ngelur të  ngrira  nëpër sirtarë.

Deri para  viteve  ‘90 të  gjithë kompozitorët  dhe poetët  kanë  krijuar  dhe  kanë  shkëputur nga  e kaluara, nga folklori. Kanë ecur përpara. Por sot shohim një peizazh krejt tjetër, ku nuk  pyet asnjeri për folklorin dhe traditën dhe akoma më keq kanë vënë  fëmijët  që të  këndojnë këngë që nuk u përkasin dhe kjo është e tmerrshme. Këta lloj këngëtarësh thjesht nuk bëjnë art por  bëjnë  këngë për të  fituar para.

Kush është  mesazhi  që përcjell në këtë film?

Unë e dua  shumë  këngën. Kur kam qenë e vogël kam kënduar.  Jam rritur duke kënduar. Kënga është  elementi  thelbësor i kulturës. Dhe të  gjithë  personazhet që kam në  dokumentar janë të  gjithë të  shqetësuar për këtë  gjë: Ku  po shkon  kënga sot?!  Pra ky është mesazhi…

-Kush është  bërë  pengesë e kësaj rrokopujë që po ecën kënga e dashurisë…?

E para është  media.  Dikur në media kënga ishte art  dhe vlerat përcaktoheshin nga profesionalizmi i një kënge, ndërsa sot është paraja  në mes. Profesionalizmin nuk e sheh as me dylbi, poetikën e vargjeve nuk e shijon askund në horizont…

-Përse femrat  kanë  pasur sukses më  shumë në këto lloj këngësh?

Sepse femrat  shesin imazhin. Kënga është  kthyer në një pjesë të ëndrrave tona. Atë që ne nuk  na  e  jep libri apo filmi, sot kënga na e jep për 5 minuta. Por na e jep me një imazh të përmbysur, ku derdhet lumë paraja. Sheh një klip, ku derdhet shampanjë,  vetura superluksoze, helikoptera etj, etj.

Populli një  pjesë e shikojnë, (pra nuk e  dëgjojnë ) në televizor, kompjuter apo celularë. Duke e parë vazhdimisht këtë lloj kënge që përsëritet  për 10 vjet, ajo patjetër që kthehet në një  shije. Sigurisht që populli do ta  pëlqejë dhe këtë shije të hidhur. Këtë bën reklama negative.

-Kush është lufta kryesore për tu  zhvendosur ndaj këtyre lloj këngëve ?

Duhet të  ketë  censurë nga specialistët e këngës. Duhet  të  ketë  censurë  niveli. Zgjidhjen  duhet ta  japin  ata  që janë  të asaj  fushe, unë  kam bërë  vetëm  studimin. Një këngë  pa mesazh, ku  do ta  çojë  këtë  brez?! Si po edukohet ky  brez, dhe  çfarë po i japim  këtij brezi? Kjo lloj kënge është  shkëputja  totalisht  nga  folklori. Folklori nuk  vlerësohet  se është sqimatar, ka marrë vulën dhe vlerën e popullit, sot  nuk ka  se kush  paguan për të. Media  jep atë që paguan. Thjesht media është  bërë  komerciale. Të gjitha këto i vuan folklori, muzika, kënga e bukur që është zhdukur në pluhurin e harresës.

 

***

“Kur kënga nuk ishte Pazar”

Në veprën më të fundit, “Kur kënga nuk ishte Pazar”, Donika Mustafaj bën një ndërthurje të zbërthimit të estetikës së këngës me zbërthimin sociologjik të përmbajtjes së saj, duke mbajtur gjithnjë në qendër të vëmendjes si artiste problematikën e saj të parapëlqyer rreth identitetit të shqiptarit dhe tronditjeve që ka pësuar ky identitet nën presionin e fortë të shoqërisë së konsumit. Ajo zgjedh kësaj here një element të përjetshëm, sa universal aq edhe individual, përbashkues për të gjithë njerëzit pavarësisht moshës dhe gjinisë, e njëherësh burim i pavdekshëm frymëzimi për muzikantët, poetët e këngëtarët, që është dashuria. Përtej prapambetjes ekonomike apo edhe prapambetjes arsimore, gjendjes në liri apo i pushtuar nga të huajt, shqiptari i ka kënduar në mënyrë të magjishme dashurisë, duke nxjerrë në pah si ndjeshmërinë e tij të lartë shpirtërore, aftësinë për ta shprehur artistikisht me mjeshtëri impresionuese këtë ndjeshmëri, si edhe respektin publik ndaj dashurisë si burim energjish pozitive, qoftë edhe kur bëhej fjalë për një dashuri të mbetur pa përgjigje. Dashuria ka etikën e vet, në sajë të së cilës ajo e ndihmon njeriun fuqishëm të përsoset si njeri në anët e tij më të mira, ato që ofrojnë me të tjerët. Përballë këtij koncepti për dashurinë, që na vjen nga këngët e traditës, Donika Mustafaj na vendos këngët e sotme të dashurisë, ku dominon instinkti, seksi i egër dhe ku marrëdhënia intime përjetohet më së shpeshti si një traumë më pasoja të rënda për individin. Autorja nuk merr përsipër të gjykojë mbi cilësinë artistike të tekstit dhe as të muzikës së këtyre këngëve. Shqetësimi i saj si krijuese lidhet me përmbysjen e madhe, që ka pësuar vetë koncepti i dashurisë së pasqyruar në këto këngë, të cilat mishërojnë një ndërprerje brutale të traditës. Qëllimi i saj nuk është, megjithatë, ta shtrojë këtë ndërprerje të traditës si një çështje të zhvillimit estetik të këngës, për të nxjerrë përfundimet e veta nëse ky zhvillim është në rrugë të mbarë apo të gabuar. Qëllimi, drejt të cilit ajo ecën me kërkimet e veta, është krejt tjetër.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Donika Mustafaj, filmi, Kur kenga nuk ishte pazar

SHQIPTARET NUK VRAPUAN DREJT SUDES, ALIMUCES, XHAFERRIT, POR DREJT ENDRRES

March 11, 2015 by dgreca

PERSONAZH/ Flet regjisorja dhe skenaristja Donika Mustafaj, rreth filmit dokumentar “Marramendje”/
-1 milion e 800 mijë njerëz u bënë pjesë e firmave piramidale/
– Shqiptarët nuk vrapuan pas Sudes, por pas ëndrrës për pasuri, ëndërr e bukur por rrugë e gabuar/
-Makinat dhe paraja, dy ëndrrat e shqiptarëve në monizëm/
– Te “Marramendje” unë synoj që paranë ta shoh si simbol dhe si realitet/
– Firmat piramidale ishin një rast ekstrem në jetën e shqiptarëve/
– Firmat, dalldisje e shqiptarëve pas ëndrrës së pamundur për t’u pasuruar shpejt dhe pa punuar/
-Në monizëm ishim në një barazi ekonomike, domethënë në një varfëri poshtëruese/
– Ne kishim nëpër duar aq para sa të plotësonim minimumin e kërkesave jetësore/
– Më shumë se gjysma jonë gjetën rrugën më të gabuar për t’u pasuruar/
– Sipas sociologëve, shumë herë shqiptarët janë aventurierë, jetojnë me iluzione, nuk jetojnë realitetin dhe nuk jetojnë me këmbë në tokë/
– Në këtë rast, paraja ishte unifikuar me vetë lirinë, pra, liri në atë periudhë do të thoshte para/
– Firmat sollën pështjellim brenda familjes, brenda vetvetes, në raport me të tjerët, sollën vrasje dhe deformime psikike, por që sollën dhe nxorën dhe mësime./
– Konkluzioni është se ne e fyejmë paranë, e përdhosim madje/
– Dje se njihnim paranë, ndaj u rritëm me këngët folklorike, me pushkën/

Nga Albert Z. ZHOLI/
Donika jeton profesionalisht vetëm me këtë punë. Sapo mbaron një film, fillon të mendojë për tjetrin. Në këtë kohë po përgatitet për një film për Justin Godarin. Justin Godard është një politikan i njohur francez, i zgjedhur senator në Lion gjatë viteve ’10 e ’20 të shekullit të kaluar. E veçanta e tij mbetet një lidhje e fortë me Shqipërinë deri në fund të jetës. Ky fakt merr një kuptim të veçantë në kontekstin historik kur Franca zyrtare dhe klasa e saj politike ishin në përgjithësi mbështetëse të Serbisë. “Unë përpiqem me hulumtimet e mia artistike të kuptoj dhe të shpjegoj me gjuhen e filmit dokumentar marrëdhëniet e ndërlikuara dhe plot ngërçe që ka krijuar shqiptari i sotëm me lirinë. Pikërisht për të krijuar qasjen artistike ndaj kësaj teme, jam përqendruar tek disa elemente të komfortit, që i kanë munguar tërësisht shqiptarit në jetën e tij të përditshme para viteve 1990- thekson ajo.
Cilat ishin këto elementë që i kanë munguar tërësisht shqiptarit në jetën e tij të përditshme para viteve 1990?
Deri tani unë jam përqendruar tek dy: makinat dhe paraja. Dy elemente që nuk i preknim as në ëndërr dikur. Këto dy elementë janë ndër treguesit më të spikatur të mirëqenies. Këto marrëdhënie të shqiptarit me makinën dhe paranë erdhën së bashku me lirinë dhe, sa ç’ishin të pëlqyeshme, e vunë shqiptarin ne vështirësi për shkak të vendimeve dhe zgjedhjeve të ndërlikuara që ai duhej të bënte. Ndërsa te dokumentari “Marramendje” jam munduar të zbërthej se sa ishte i përgatitur shqiptari për te administruar durimin kur ishte fjala për të krijuar mirëqenien si mundësi që e sjell liria. Kjo marrëdhënie është gjithmonë pasqyrë e një kulture te caktuar të individit. Le të marrim shembullin e autoveturës që trajtoj tek “Autografi”! Unë them pa mëdyshje se ne shqiptarët nuk ishim dhe nuk jemi ende sot aq të përgatitur kulturalisht për të drejtuar një mjet të tillë, të shpejtë dhe të fuqishëm siç është makina. Mjafton të hedhësh sytë nëpër rrugët e atdheut tonë për të arritur në një përfundim të tillë. Sot makina është një nga bazat e forta të një shoqërie moderne.
Ju këtu luani vetëm rolin e gazetares?
Po. Unë në film nuk dua të marr rolin e sociologut. Është jashtë kompetencës time. U jam drejtuar ekspertëve për të shpjeguar çfarë po ndodh dhe përse ne kemi aq të vështirë ta kuptojmë veten. Bie fjala, te “Marramendje” unë synoj që paranë ta shoh si simbol dhe si realitet.
Atëherë ku qëndron origjinaliteti i dokumentarit tuaj?
Se ku qëndron origjinaliteti do e thotë publiku dhe ju kritikët e artit. Unë po ju pohoj se çfarë jam përpjekur të shmang gjatë punës me veprën: nuk kam marrë përsipër të bëj ndonjë investigim lidhur me firmat piramidale dhe kush qëndronte pas tyre, sepse këto firma ishin një rast ekstrem në jetën e shqiptarëve dhe gjithmonë në rastet ekstreme, problemet janë të shumta. Janë shkruar e thënë pafundësisht fakte dhe legjenda rreth firmave piramidale. Nuk do të arrija asgjë ecja edhe unë në këtë hulli për të shpjeguar se cilat ishin dobësitë e sistemit tonë financiar dhe të politikës qeverisëse lejuan ekzistencën e këtyre çibanëve. Origjinaliteti i përpjekjes time kësaj here qëndron tek hedhja e vështrimit mbi qasjen e shqiptarit si individ. Këtu shtroj pyetjen se çfarë ndodhi në psikikën e shqiptarit që bëri dalldisjen e tij pas ëndrrës së pamundur për t’u pasuruar shpejt dhe pa punuar? Diçka e mundi logjikën e më shumë se gjysmës së individëve, të cilët shkuan me dëshirë dhe madje me kënaqësi të plotë t’i dorëzonin paratë e tyre tek “bosët” e firmave piramidale. Unë mendoj se problemi nis para viteve 1990, kur të gjithë shqiptarët ishin në një barazi ekonomike, domethënë në një varfëri poshtëruese, sepse mirëfilli puna ishte e pashpërblyer. Rrjedhimisht, nuk ishim të mësuar natyrshëm me magjinë e parasë. Ne kishim njësoj nëpër duar aq para sa të plotësonim minimumin e kërkesave jetësore. Mbas viteve 1990, tek të gjithë ne u shtuan frustracionet, ato sollën pasojat e veta.

Çfarë ke tentuar të evidentosh në një film që bëhet për një temë pas shumë vitesh?
Do të doja të evidentoja mësimet që kanë nxjerrë shqiptarët nga kjo histori dramatike, por pa mbajtur ndonjë qëndrim gjykues. Në fund të fundit edhe humbësit, parë në kontekstin e lirisë, ishin në të drejtën e tyre. Mua më duket me interes të vëzhgoj aspektin kulturor të kësaj sjelljeje të njeriut të lirë. Në një farë mënyre, me mirëkuptimin tim, unë i kam mbrojtur humbësit.
Përse?
Të gjithë ne ishim të paduruar kur dolëm nga sistemi monist. Të gjithë ne e kishim fiksimin si ta fitojmë sa më shpejt kohën e humbur për t’i dhënë vetes dhe familjes një jetë tjetër e cila doemos që kishte si kusht pasurimin. Më shumë se gjysma jonë gjetën rrugën më të gabuar për t’u pasuruar. Personazhet e mi në këtë film janë gazetarë, dentistë, oficerë, mjekë, mësues, pra një shtresë që e ka të vështirë që të bjerë në gracka të tilla. Vura re me kënaqësi se këta njerëz pas kaq vitesh kishin një forcë të re morale dhe një pasuri kulturore, në sajë të të cilave e kthenin vështrimin nga kjo ngjarje shpesh me një sens humori. Kjo anë e të folurit të tyre, në formë humori pas kaq vitesh, i ka dhënë dritë dokumentarit. Pra, nga një zhgënjim i madh ata morën një dritë, një mësim, sepse tashmë janë më të ndërgjegjshëm se kurrë për gabimin që kanë bërë dhe që nuk mund të përsëritet.
Ku ishte vështirësia në realizmin e dokumentarit?
Vështirësia më e madhe ishte tek personazhet, pasi jo çdo njeri është i gatshëm të flasë për gabimin e vet, kjo dihet. Aq më tepër që për atë shtresë quhet gabim i pafalshëm. Të flasësh për këtë temë duhet të kesh një forcë të madhe por dhe kulturë po kaq të madhe. Të gjithë e shprehin që ishte një gabim, ishte një marrëzi, ishte një mendjelehtësi, por, por (e theksoj por), që sot, për këta njerëz kjo situatë ishte kapërcyer me forcën e tyre intelektuale dhe punën, ashtu siç kishte njerëz që nuk e kishin kapërcyer. Pra kjo varet nga personaliteti dhe formimi i gjithsecilit.
A ka studim se sa shqiptarë kanë futur para në firmat piramidale?
Po. Në bazë të një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet se mbi gjysma e popullsisë shqiptare ishte pjesë e firmave piramidale. Pra më shumë se gjysma afërsisht 1 milion e 800 mijë njerëz u bënë pjesë e këtyre firmave. Ishte një çmenduri shqiptare e padëgjuar.

Pra ju nuk keni marrë pjesë vetë si sociologe, po sociolog a keni futur si pjesë të skenarit të filmit?
Sigurisht. E theksova, vetë nuk jam pjesë e analizës sociologjike, por i jam drejtuar sociologut të vërtetë, një personaliteti si Profesor Zyhdi Dervishi. Sipas profesorit, të cilin gjej rast ta falënderoj përzemërsisht, shumë herë shqiptarët janë aventurierë, jetojnë me iluzione, nuk jetojnë realitetin dhe nuk jetojnë me këmbë në tokë. Thekson se aq firma ishin të pa imagjinueshme. Po ashtu ai thekson se në Shqipëri në çdo vend ka lojëra fati, ku dhe firmat të tilla ishin. Këto janë disa përfundime të tij, por pa i dhënë si deduksione të pandryshueshme. Kjo logjikë, ky mentalitet, kjo ëndërr e pamundur ekziston me sa duket në psikikën e shqiptarit. Por unë analizën e sociologut e lë tek ai, pavarësisht mendimeve të tij. Unë këtu kam intervistuar dhe një avokat, si shumë intelektual të tjerë që ishin pjesë e kësaj çmendurie shqiptare.
Çfarë tregon ky këndvështrim?
Tregon se paraja në këtë rast ishte unifikuar me vetë lirinë. Pra, liri në atë periudhë do të thoshte para. Nocioni i vërtetë i lirisë e kishte humbur kuptimin real. Pas kësaj drame, ata ishin shkundur si të dilnin nga një makth. Kishin nxjerrë mësime. Shembujt që sjell unë bien ndesh me një pjesë të sociologëve që thonë që shqiptarët nuk dinë të nxjerrin mësime nga gabimet e tyre. Puna e shumë intelektualëve tregon se ne dimë të dëgjojmë, dimë të nxjerrim mësime, dimë të marrim iniciativa të reja moderne dhe të kapim rezultate. Por në kësi rastesh ne duhet t’u referohemi edhe pësimeve të ardhura në kohë, të dëgjojmë njeriun e mençur, pasi ka ndodhur si në rastet e piramidave që njeriun e mençur as e kemi dëgjuar apo e kemi nxjerrë jashtë debatit të kohës. Personazhet e mia e kanë kapur veten, kanë vënë prapë pasuri, duke e njohur realitetin e hidhur, duke e kaluar me punë dhe humor gjendjen, ata mundën të përmbysnin pozitivisht situatën e krijuar. Ky humor, kjo forcë e tyre, më ka shpëtuar filmin nga fryma mbytëse, pesimiste, duke i dhënë veprës një dritë të bukur. Filmi nuk është një tregim për zhgënjimin. Përkundrazi. Sigurisht, për hir të së vërtetës, unë nuk mund t’i lija në harresë edhe ata që vazhdojnë të jenë të rënduar psikologjikisht e që nuk kanë arritur ta marrin veten nga kjo humbje. Janë dy dritare të ndryshme përballë njëra tjetrës. Nga njëra anë në sallë, ata që kanë humbur paratë dhe përballë ata që flasin me aromë humori për këtë situatë dramatike.
A ka sot firma piramidale?
Kam parë ne media se herë pas here shfaqen individë huamarrës dhe që arrijnë të mashtrojnë me dhjetëra individë. Por, me aq sa di unë, këto janë forma sporadike e që fiken shpejt, pa asgjë të ngjashme me çfarë ndodhi atëherë, kur firmat piramidale u bënë sistem. Firmat e mëparshme ishin një kthesë në historinë e Shqipërisë. Sollën pështjellim brenda familjes, brenda vetvetes, në raport me të tjerët, sollën vrasje dhe deformime psikike, por që sollën dhe nxorën dhe mësime.
Kush është mesazhi i filmit?
Paraja ka vlera, por nuk krijon gjithçka quhet vlera. Në qoftë se do ta shohim një popull, duhet ta shohim në raportin e tij me paranë. Është një tregues shumë i rëndësishëm se cilat janë vlerat tona, në raportin me paranë. Dua të tregoj si po e ndërtojmë ne lirinë, çfarë marrëdhëniesh kemi ne me të. Por konkluzioni është se ne e fyejmë paranë, e përdhosim madje. Shih ç’bëhet me paranë nëpër dasma? E shkelim me këmbë. Po të futemi në historinë tonë familjare, tregohet se nuk kemi pasur kulturë për paranë. Nuk kemi pasur para nëpër duar pasi atë e komandonte kryefamiljari. Ne vetëm vitet e fundit e kemi kapur paranë nëpër duar. Tashmë kemi edukatën e parasë. Sot kemi modele dhe pika referimi dhe jo si dje që u rritëm me këngët folklorike me pushkën. Ne jemi rritur midis luftërave dhe kemi këngë vetëm për to dhe nuk kemi këngë për bujqësinë dhe blegtorinë për të cilat shquhemi. Ne duhet të flasim për modelet e atyre që sot janë bërë biznesmen të suksesshëm. Duke njohur këto modele ne nuk do gabojmë. Unë solla histori njerëzore se çfarë ndodhi me jetën e tyre.
Pra çfarë tregoi vrapimi pas firmave piramidale?
Tregoi se shqiptarët nuk vrapuan pas Sudes, por pas ëndrrës. Ëndrra të pasuroheshin sa më shpejt. Një ëndërr reale pas viteve 1990. Ëndërr e bukur por rrugë e gabuar. I pasur bëhesh duke blerë dhe jo duke shitur. Ne duhet të luftojmë modelimin tonë psikokulturor të mos punojmë shumë, por të fitojmë shumë, gjë që nuk shkon. Ndaj ende jemi të rrezikuar nga firmat piramidale të një lloji tjetër që edhe ekziston. Modelimi ynë psikokulturor do më shumë se një shekull të ndryshojë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Donika Mustafaj, Piramidat, shqiptaret, Sudja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT