“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”“ENVERI DONTE TA ZHDUKTE BAHRI OMARIN PA MBARUAR LUFTA”/
Nga: Fatmira Nikolli/*
Një libër i ri hedh dritë mbi Bahri Omarin. Autorja, Donika Omari (nusja e të birit) tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kush ishte ai përtej ‘kunatit të Hoxhës’, arsyet pse u bë ministër i qeverisë nën pushtimin gjerman, këndvështrimi i tij për bolshevizmin, të pavërtetat e thëna për të ndër vite, a mund të ishte shmangur fundi tragjik, dokumentet që hedhin dritë mbi synimet e Enver Hoxhës, një sqarim për legjendat urbane mbi gruan e Bahri Omarit dhe përmasat e ‘panjohura’ të intelektualit.
Është përmendur për lidhjet familjare me Enver Hoxhën, por një libër i ri sjell kontributin e tij në publicistikë, si patriot, veprimtar. Pse vendosët të sillnit këtë studim për Bahri Omarin?
Emri i Bahri Omarit më ka shoqëruar qysh në fëmijërinë time, kur dëgjoja që transmetohej me megafon në rrugët kryesore të Tiranës gjyqi dhe dënimi i tij kapital, dhe në familje flitej me tronditje për këtë. Ishte një figurë që gëzonte vlerësim e nderim të veçantë te njerëzit. Dhe qysh atëherë e më vonë, megjithëse ishte e rrezikshme ta përmendje se Partia Komuniste e kishte damkosur si tradhtar, kam dëgjuar për të vetëm fjalë admirimi. Tani, në kohën e demokracisë, shoh se në gjykimin e figurave historike vazhdon prirja për të përgjithësuar, për të përjashtuar, për të damkosur, pa u marrë mundimi të shqyrtohet veprimtaria e veçantë e secilit dhe rrethanat në të cilat veproi. Një tipar i trashëguar i ne shqiptarëve për ta pasur të vështirë t’i rishikojmë gjërat, tipar që u theksua me shpëlarjen e truve gjatë diktaturës, vazhdon të pengojë sot arritjen e një shqyrtimi objektiv të historisë e të figurave të veçanta, që kanë pasur një rol në të. Kjo dukuri ndodh te ne pavarësisht kaheve politike. Nga ana tjetër, në shtypin tonë janë dhënë herë pas here gjëra të pasakta për Bahri Omarin. Me këtë libër jam përpjekur të tregoj kontributin e tij të shquar si patriot, si veprimtar politik, si publicist e botues. Si edhe të sjell nga jeta e tij të dhëna autentike.
Çfarë mund të ve-çoni sa u takon arti-kujve të tij për çësht-jen çame?
Atdhedashuria e Bahri Omarit është vërtet prekëse kur shkruan për çamët e Çamërinë. “Çamëria s’mundet të bëhet Greqi. Çamëria është vendi m’i bukur i tërë atij anëdeti, gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mpështeten dhe të prehen.” E quan: “Çamëria trime, Çamëria e bukur, diamandi i vyer i Shqipërisë…” dhe i bën thirrje Konferencës së Paqes ta ndreqë gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e vet, Shqipërinë, duke e shmangur nga barbarizmat e shovinistëve grekë. Shqetësimit për fatet e Çamërisë, por edhe të Kosovës, që i shikon si të pashkëputshme nga fati i Shqipërisë, i kthehet herë pas here në editorialët e tij.
Si ka qenë puna e tij në drejtimin e gazetës “Dielli”?
Në gazetën “Dielli” ai është zgjedhur dy herë si editor dhe ka pasur barrën më të rëndë për tri arsye: Ka mbajtur sasinë më të madhe të numrave, me 1074 numra. Ka përballuar vështirësitë që krijonte përçarja mes vetë shqiptarëve të Amerikës. E ka ushtruar këtë detyrë në periudhën e Luftës së Dytë botërore, dhe pas saj, kur fati i Shqipërisë varej kryesisht nga interesat e Fuqive të Mëdha. Por jo krejtësisht, – hedh thirrjen e përsëritur editori, që përpiqet të sensibilizojë shqiptarët, se është edhe në dorë të tyre të ndikojnë, duke u dhënë zë të fuqishëm kërkesave të tyre të drejta. Vlerësimeve entuziaste për atdhetarët e vërtetë ua zënë vendin artikuj plot zemërim për ata që shkojnë kundër interesave të Shqipërisë, demagogjia e të cilëve ndodh që edhe zë vend në njerëz të paformuar intelektualisht.
Shkrimet e tij nuk kanë karakter vetëm politik, por edhe kulturor. Ai shqetësohet për gjendjen e ulët arsimore të bashkatdhetarëve, përpiqet t’ua lehtësojë përballjen me zyrtarët amerikanë, shpreh nevojën e ngritjes së cilësisë së jetës në një vend të zhvilluar si Amerika etj.
Një temë e veçantë në editorialët është ajo lidhur me fenë. Mesazhi i tyre është ai rilindas. Besimet e ndryshme fetare: faktor bashkimi, jo ndarjeje. Solidariteti i shqiptarëve duhet të shprehet në ndihmën ndaj të dyja komuniteteve, mysliman e të krishterë. Në gazetë ai boton edhe vërejtjet që i bëhen atij si editor, kritikat për tonin plot nervozizëm ndaj kundërshtarëve të “Vatrës”. Gjatë detyrës si drejtor i gazetës, Bahri Omari u shqua për një klimë mirëkuptimi vëllazëror mes personelit, që nga nëndrejtori deri te punëtorët e shtypshkronjës, çka nuk arrihej gjithnjë lehtë mes shqiptarësh. Për këtë ai shpreh mirënjohje në lamtumirën e tij, kur jep dorëheqjen nga ajo përgjegjësi e rëndë dhe e zgjatur në kohë.
Ka artikuj të tij edhe për situatën e Shqipërisë dhe orientimin e shqiptarëve. Si tingëllojnë sot?
Duke ndjekur shkrimet lidhur me gjendjen në Shqipëri, dalin në pah vështirësitë e komunikimit në atë kohë. Herë vonesë e madhe e lajmeve nga Shqipëria, herë të tjera dizinformim nga ndonjë gazetë etj. Sidoqoftë, ngjarjet në Shqipëri ndiqen me interesin dhe shqetësimin më të madh. Sepse shumë të mëdha ishin edhe rreziqet që kalonte vendi, i rrethuar prej fqinjësh lakmitarë, i rrezikuar prej intrigave dhe kontradiktave mes Fuqive të Mëdha. Në këtë libër janë përfshirë ata artikuj që pasqyrojnë zhvillimet në teatrin ndërkombëtar të luftës e të pas luftës që lidhen me Shqipërinë. Ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri në atë kohë na vijnë tani të gjalla në penën e editorit të “Diellit”. Herë pas here ai tërheq vëmendjen për të meta e plagë që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot: “Përpara bashkim të plotë, pastaj politikë.” “Në një vend të paditur vendin e udhëheqësve e zënë sharlatanët.” etj. Në shkrime si “Qytetërimi”, “Ç’do me thënë votë”, “Gjakmarrja është shenja e paqytetërimit” etj. përpiqet të ngrejë nivelin qytetar të bashkatdhetarëve.
Ka qenë pjesë e parlamentit shqiptar në vitet 1921-1923, kohe kur Shqipëria hyri në rrugën e konsolidimit si shtet pas pushtimit të gjatë, Pavarësisë e Luftës së Parë Botërore. Cili ka qenë kontributi i tij në këtë periudhë?
Në fillimet e vitit 1921, Bahri Omari doli fitues në zgjedhjet parlamentare, duke pasur përballë një përfaqësues të rrymës konservatore, Myfit bej Libohovën, që kishte një përvojë të madhe politike. Në parlamentin e ri ai ishte pjesëtar i opozitës, krahas personaliteteve të njohura si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina si edhe më të rinjve si Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. U shqua si pjesëmarrës në diskutime për çështje të rëndësishme, siç qenë plotësimet kushtetuese të Statutit të Lushnjes, që njihen si Statuti i zgjeruar i Lushnjes dhe ku, ndër të tjera, dilte në mbrojtje të laicitetit të shtetit shqiptar. Vlen të përmendet veprimtaria e tij aktive parlamentare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë të të drejtave të grave. Gjithashtu kujdesi për pavarësinë e parlamentit: “Mjerë ai shtet që ligjet i bazon në ambicionet politike.” “Parlamenti nuk duhet të shndërrohet në gjykatë”, “Qeveria duhet të marrë informata…që nëpunësit që emëron të mos kenë kryer krime”. E të tjera ndërhyrje që vlejnë edhe për ditët tona. Po kështu është edhe vërejtja që bën për zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë shtetasit. Ose vërejtja për lirinë e shtypit: “Gazetarët duhet të kenë të drejtë të kritikojnë qeverinë.” E shumë ndërhyrje të tjera që e dëshmojnë si shembull të deputetit që është vërtet në shërbim të interesave të elektoratit dhe që tregojnë veçanërisht kompetencën e tij në fushën e administratës publike, për të cilën ishte diplomuar.
Bahri Omari dallohej edhe për mendimin e tij të pavarur, kur del në disa raste kundër mendimit të kolegëve të tij të opozitës, ndërsa u qëndroi besnik deri në fund parimeve që mbronte opozita demokratike. Vlen të vihet në dukje se, sikurse pjesa më e madhe e deputetëve, ai dallohej për etikën e lartë në debatet parlamentare, shpeshherë të nxehta, pa kaluar asnjëherë në fyerje ndaj kundërshtarëve.
Një periudhë e vështirë e jetës së tij ishte Shqipëria e fillimviteve 1940, kohë kur desh të zgjidhte mes pushtimit nazist dhe Shqipërisë bolshevike. Si mund ta përshkruani ju këtë kohë të qenit në vështirësi? Këtë kohë kur u vendos shumëçka për të dhe për Shqipërinë?
Natyrisht që kjo është një temë që u takon historianëve ta trajtojnë me paanësi, me saktësi, me njohje të mirë të ngjarjeve. Ajo zgjedhje e vështirë vazhdon të diskutohet edhe sot. Ishte aq e ndërlikuar situata, saqë as sot nuk jep dot një përgjigje të prerë. Ndryshonte nga ajo e vendeve të tjera. Nga një anë pushtuesi sillte bashkimin e tokave shqiptare. (Bahri Omari shprehet qysh në artikujt e “Diellit”: “Një Shqipëri e coptuar, pa zëmërën e saj Çamërinë dhe Janinën, pa kryen e saj Kosovën e Jakovën, s’mundet të ketë jetë të gjatë midis fqinjve të saj lakmonjës.”) Me një këndvështrim të tillë nacionalistët shqiptarë nuk mund të mos e merrnin shumë në konsideratë këtë faktor. Një shqetësim i rëndësishëm ishte pastaj frika nga komunizmi për Shqipërinë, një regjim që s’kishte sjellë rezultatet e pritura as në një vend të madh e të fuqishëm si Bashkimi Sovjetik; një ideal i lartë e i bukur për barazi, solidaritet, vëllazërim midis njerëzve, por utopik, që aq më pak mund të gjente zbatim në një vend të varfër, të prapambetur, të vogël, të pafuqishëm si Shqipëria. Ishte një perspektivë që vinte në kundërshtim me vetë teorinë marksiste të revolucionit, i cili mund të triumfonte me sukses vetëm në vendet më të zhvilluara të Evropës, dhe në disa vende e jo në një të vetëm. Ndërkaq, në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, distancën që ndante komunizmin teorik nga ai real e njihnin më mirë antikomunistët se ata shqiptarë që vriteshin për të.
Nga ana tjetër ishte rreziku se duke mos zhvilluar luftën e duhur ndaj pushtimit nazist, pas lufte Shqipëria rrezikonte shpërbërjen si shtet i pavarur.
Lidhur me këtë mundësinë e fundit, kam mendimin tim modest, të pasigurt, se ata faktorë që e bënë Shqipërinë më 1912, pra “lufta e thelave”, siç e quan Bahriu atë “tërhiq e lësho” të Politikës së Madhe, po ata faktorë, pra ato kontradikta mes të fuqishmëve, pavarësisht nëse qenë fitues a humbës të luftës, do ta mbanin përsëri më këmbë si shtet të pavarur. Se raportet dhe interesat mes tyre ishin historike, ndërsa lufta ishte një episod. Por duhet pasur fort parasysh rreziku se mund të mbetej Shqipëria shtet i pavarur por shteti i cunguar. Sidoqoftë, kjo mbetet një çështje shumë e diskutueshme, që, mbi të gjitha, kërkon gjakftohtësi e objektivitet.
Cilat qenë shkaqet e fundit të tij tragjik?
Siç dihet, pjesëmarrja në anën e kundërt të fitimtarëve të luftës, pra në Ballin Kombëtar, si edhe pranimi i funksionit si ministër gjatë pushtimi gjerman, i kushtuan shtrenjtë Bahri Omarit. Por më shtrenjtë akoma i kushtoi lidhja familjare me Enver Hoxhën, i cili, përpara jetës së njeriut, vuri pandehmën e shpikur se propozimi për t’i shpëtuar jetën të kunatit ishte kurth ndaj tij për ta denigruar politikisht! Askush nuk e kërkonte dënimin me vdekje të Bahri Omarit. Një dënim po, por jo kapital. Në libër do të gjeni dëshmi të personave të ndryshëm që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me E.Hoxhën gjatë dhe pas luftës. Por janë edhe vetë letrat e E.Hoxhës që tregojnë synimin për ta zhdukur fizikisht të kunatin qysh pa mbaruar lufta. A mund të shmangej dënimi i tij kapital? Në kushte të një shteti demokratik, gjyqi do të kishte marrë parasysh kontributin e tij në shërbim të vendit si deputet i parlamentit të parë shqiptar, si publicist i njohur për patriotizmin e tij, si politikan i ndershëm e demokrat. Do të merrte parasysh se postin e ministrit e mori në një kohë kur kjo ishte një sakrificë e, veç rrezikut, nuk i sillte asnjë përfitim. Për më tepër do të vlerësonte ndihmën që i dha lëvizjes klandestine kundër pushtuesit, vetë kreut të kësaj lëvizjeje, kur shtëpia e tij u bë bazë mbledhjesh e takimesh të komunistëve. Me këto kontribute, me simpatinë e konsideratën që gëzonte në popull, Bahri Omarin do ta kishte mbrojtur vetë emri i tij i dashur e i nderuar. Por shteti shqiptar i pas 1944-ës jo vetëm që nuk ishte demokratik, por nuk ishte ende as i ligjshëm, s’ishte zgjedhur ende me votat e popullit se s’ishin bërë ende votimet, sado formale që u bënë më vonë.
Është shpallur ‘Nderi i Kombit’ nga presidenti. Si u prit ky nderim nga familja?
Me gjithë zhvleftësimin që ka marrë ky urdhër, meqë janë pak si tepër emrat që qëndrojnë krahas majave të tilla si Nënë Tereza dhe Ismail Kadare, prapë qe një kënaqësi e veçantë marrja e kësaj dekorate. Qe emocionues takimi me trashëgimtarët e atyre që patën fatin e përbashkët të dënoheshin nga një gjyq që urdhrat i merrte nga lart. Ceremonia me rastin e dhënies së këtij urdhri ishte e trishtuar dhe e gëzuar njëkohësisht. U jemi mirënjohës vatranëve, që e morën këtë nismë.
Në gjithë këto vite në media kanë dalë dokumente, rrëfime, dëshmi për të. Çfarë është e pavërtetë nga ato që janë publikuar?
Ndër të vërtetat ka edhe shumë të pavërteta. Duke nisur nga Wikipedia. Aty, në skedën e tij thuhet: – Profesioni: Publicist, tregtar, politikan. I saktë është vetëm profesioni publicist. Është një çudi se kujt i ka shkuar në mend ta quajë tregtar. Ndërsa politikan nuk është profesion. – Te Fëmijët: nuk shënohet djali i dytë: Fatosi. – Koha si ministër i Jashtëm: jo 1943-‘44. Qe vetëm pesë muaj ministër: shkurt 1944 – qershor 1944.
Në biografinë e tij përsëri një sërë gabimesh: prefekt i Himarës, por Himara nuk ishte prefekturë, pra: nënprefekt i Himarës. Në SHBA nuk shkoi më 1914 por në 1915. Në zgjedhje përfaqësoi partinë e Myfit bej Libohovës. Është e kundërta: E pati përballë beun, si përfaqësues i opozitës. Gjatë qeverisë së Fan Nolit u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokrat-Nacionale dhe kryeredaktor i gazetës “Shekulli”. Në fakt ai e themeloi këtë parti të re dhe botoi e drejtoi gazetën “Shekulli”. Shtëpi e marrë me qira Qazim Mulletit. Shtëpia ishte e Ali Mulletit, kushëri i largët i Qazimit.
Në shtyp është shkruar se E.Hoxha telefonoi nga shtëpia e Bahri Omarit për të kallëzuar te italianët Q.Stafën. Por në shtëpinë e B.Omarit nuk ka pasur fare telefon. Ka pasur edhe shkrime të tjera dezinformuese lidhur me figurën e tij, por nuk është se i kemi mbajtur shënim.
Me këtë rast dua të ndreq edhe një të pavërtetë lidhur me të shoqen e Bahri Omarit, Fahrien. Ka qenë një thashethemnajë shumë e përhapur, që vazhdon edhe sot si “fakt” i sigurt, se ajo dilte me peshore për të fituar bukën e gojës. Çka nuk është e vërtetë. (Kjo lindi nga një ngjashmëri fizike e Fahries me një zonjë me peshore, e cila, për më tepër, mbante në kokë një shall të zi që e shtonte ngjashmërinë). Gjatë kohës që Luani ishte student, familja, e mbetur pa asnjë të ardhur, mbahej ekonomikisht prej Enver Hoxhës.
Shpesh është thënë, a është pyetur, pse Luan Omari nuk flet për Bahri Omarin. A ka ky libër një rrëfim të tillë, apo është libri juaj ky rrëfim?
Të dhënat, ndonjë rrëfim, ndonjë hollësi i kam marrë kryesisht nga im shoq, Luani. Pastaj nga persona të tjerë që kanë pasur të tregojnë diçka të jetuar që lidhet me B.Omarin. Luani në ndonjë intervistë është shprehur për dënimin e padrejtë që iu bë të atit. Nëse ka folur pak për të kjo varet edhe nga natyra e njeriut. Ai i ndenji pranë të atit deri në fund, fotografia e Bahriut nuk u hoq asnjëherë nga bufeja me xham e dhomës së pritjes, u interesua pranë Komitetit të të Përndjekurve për të bërë lapidarin e të dënuarve të Gjyqit special…
Mund të thuhet se askush nuk mund ta dijë se ç’ndien njeriu brenda vetes. Në fund të fundit ajo që ka rëndësi është pyetja nëse ka qenë një bir i denjë i të atit? Bahri Omari shquhej për ndershmërinë, qëndru-eshmërinë e karakterit, ndjeshmërinë ndaj problemeve të të tjerëve, ndërgjegje në detyrat që ka pasur. Ndofta nuk më takon mua ta them por mendoj se këto cilësi karakterizojnë edhe të birin, Luanin.
*Bahri Omari ishte editor I Gazetes Dielli(Kortezi:Gazeta Shqiptare)
Çfarë u shkrua në vitin 1991-92 për Nënë Terezën
Nënë Terezën e pengon ligji i vendit të saj/
Nga Donika OMARI/
Po këmbëngulet gjithnjë e më shumë për të pasur në shtypin tonë një informacion më të plotë, sidomos për ngjarjet e rëndësishme. Dhe një ngjarje e shënuar e vitit që shkoi qe ardhja e Nënë Terezës në Shqipëri dhe dekorimi i saj me rastin e 80-vjetorit me Urdhrin “Naim Frashëri”.Në shtyp u njoftua për vizitat e takimet e Nënë Terezës,për ceremoninë e dekorimit, por nuk u pa e nevojshme të riprodhohej fjala e saj e përshëndetjes, një fjalë e shkurtër,por plot domethënie njerëzore, dhe ku, ndër të tjera, ajo bëri kërkesën për të hapur një shtëpi bamirësie në Shqipëri.
Jo më kot ajo rikujtoi se ka hapur shtëpi të tilla në të gjitha vendet, duke përmendur veçan vendet fqinje me ne.
Jo më kot theksoi vajtjen madje edhe në Kubë. Jo më kot njoftoi se i kish sjellë motrat mu këtu pranë nesh e po prisnin në Romë lejen për të filluar menjëherë nga puna.
Të gjitha këto argumente të diktuara nga dëshira dhe energjia e saj e pashtershme për të qenë e dobishme e për të shërbyer, me sa duket nuk vlejtën që të merrte një përgjigje pozitive.
Ndoshta mendohet se kërkesa e saj është e parakohshme, se duhet të miratohen më parë dekrete e ligje të caktuara.
Sidoqoftë, si qytetarë, kemi të drejtë të dimë lidhur me këtë dhe të shprehim mendimin tonë. Dhe le të kemi parasysh se një gruaje kaq heroike si Nënë Tereza nuk i mohohet gjë dhe nuk bën t’ia thyejë zemrën tamam vendi i saj.
(Rilindja Demokratike 12.01.1991)
Libri më i fundit për Nënë Terezën
Gjendesha në kolegjin e përkthyesve të Proçidës duke punuar për përkthimin e një romani të E.Morantes, kur miku im proçidan, profesor Paskuale Lubrano, më propozoi të bëja prezantimin e librit “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”, të gazetares së njohur italiane Franka Xambonini, që sapo ishte botuar në Itali. Por, ç’t’u thoja dëgjuesve, kur vepra tërheqëse e Xamboninit është aq e qartë, e pasur dhe e thjeshtë njëkohësisht?
Për këtë më ndihmoi vetë autorja, që thotë në parathënie se nuk ka pasur për qëllim të shkruajë një biografi. Ajo rrëfen disa ngjarje me Nënë Terezën, dhe vetëm ato që i ka jetuar vetë ose që i janë rrëfyer prej atyre që i kanë jetuar vetë.
Atëherë pse të mos i përmbahesha edhe unë këtij kriteri,meqenëse kisha patur rastin të kisha ndjerë personalisht joshjen e pranisë e të fjalës së Nënë Terezës? Kështu, pasi vura në dukje vlerat e librit, vlerat me shumë përmasa të figurës që trajton dhe ërfundimin fatbardhë të punës së ndërmarrë nga autorja, fola për ardhjen e Nënë Terezës para afro dy vjetësh në Shqipëri me rastin e dhënies së çmimit të Republikës. Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast ishte paradoksal: e dekoronte për të vlerësuar Veprën e saj, dhe, nga ana tjetër, nuk pranonte hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Nënë Tereza, në fjalën e falënderimit, bëri edhe një përpjekje të fundit për t’ia arritur qëllimit të saj të vërtetë të ardhjes në Shqipëri. “Kam qenë kudo e më kanë pranuar. Kam hapur shtëpi të Karitasit kudo në botë, edhe në vendet rreth e rrotull Shqipërisë, në Jugosllavi, Greqi, Rumani. F.Kastroja, kur mori vesh se përse doja të shkoja në vendin e tij, më tha: “Eja”. Ia bëra kërkesën time Presidentit, ia bëra zonjës Hoxha, të pranishme këtu, tani po ju drejtohem ju në këtë sallë, duke ju lutur të më ndihmoni të realizoj projektin tim. Motrat janë në Romë gati për të ardhur dhe presin vetëm një fjalë timen”, – këto qenë pak a shumë fjalët e saj. Gjithçka qe e kotë. Një shtet që e kishte dhunuar aq herë Kushtetutën, në këtë rast tregohej tepër skrupuloz për t’iu përmbajtur, duke iu përgjigjur Nënë Terezës se shtëpitë e bamirësisë mund të hapeshin në Shqipëri vetëm pas miratimit të një kushtetute të re.
Duke qenë e pranishme në këtë ceremoni, pata rastin të vërej këmbënguljen e njohur të Nënë Terezës, që nuk e humbiste shpresën për të nxjerrë një “po” edhe nga shkretëtira.
Thirrja e saj na drejtohej të gjithëve dhe secilit veç e veç, pra edhe mua. Doja shumë të ngrihesha e ta përkrahja kërkesën e saj. Por s’pata guxim. Megjithatë, një ndjenjë keqardhjeje, që s’më linte të qetë, më nxiti ndonjë ditë më pas, mendimin për një peticion drejtuar qeverisë në përkrahje të kërkesës së Nënë Terezës. Në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku punoja, munda të mblidhja 20 firma.
U përpoqa të mbledh nga institucione të tjera. Por askush nuk firmoste. “A e di se Nënë Tereza është një e dërguar e Vatikanit?”, më tha një i njohur. “A e di se ajo grua s’kërkon tjetër veç të na ndihmojë?”, iu përgjigja. Pastaj shkrova një artikull të shkurtër në RD që sapo kishte nisur të dalë.
Ndërkohë, ngjarjet, të shtyra nga lëvizja çlirimtare demokratike kundër diktaturës u rrokullisën me shpejtësi. Dhe kështu Nënë Tereza mundi ta hapë shtëpinë e saj të parë në atdheun e vet katër muaj pas atij 4 nëntori të 1990-s, që kishte dashur t’ia zhgënjente shpresat, dhe, sidoqoftë,para miratimit të kushtetutës së re.
Kur lexon për jetën dhe veprën e Terezës së Kalkutës, nuk mund të mos mendosh për rrënjët e saj shqiptare. Ajo i përket një populli që historikisht ka qenë fatkeq: truall i favorshëm ky për lindjen e një vokacioni që të bën të ndiesh vuajtjen e të tjerëve. Premtimi i bërë Zotit dhe të varfërve të saj se s’do t’i tradhëtojë kurrë, është për Gonxhe Bojaxhiun besa e dhënë njëherë e mirë. Një nga nyjet e ligjit të mikpritjes në Kanunin e Maleve është: Shtëpia është e Zotit dhe e mikut. Dhe Nënë Tereza thotë me kënaqësi se s’ka qenë kurrë e detyruar të lërë jashtë asnjë nga ata që i kanë trokitur në derë. Edhe me fjalët e saj të kursyera të kujton temperamentin e shqiptarëve, që dihet se janë njerëz të heshtur.
Ndërkaq, cilësitë e saj mund të të sjellin në mend edhe të meta tonat, të shndërruara tek ajo në virtyte. Në zonat ku izolimi ka qenë më i madh, nuk është se shqiptarët nuk janë kokëfortë. Ndërsa Nënë Tereza është këmbëngulëse,“kokëfortë” vetëm për ata që s’duan të kuptojnë arsyet e saj të diktuara nga misioni që i ka vënë vetes: të jetë çdo çast në shërbim të më nevojtarëve mes njerëzve.
Në librin e saj Xambonini e ndjek figurën e imët e të kërrusur, të famshme në botë, kudo ku ajo është shfaqur, në Indi, Amerikë, Romë, Oslo, Londër, Tiranë… Por e gjurmon hap pas hapi sidomos në sheshin e saj të betejës, në Kalkutë.
Atje filloi revolucionin e saj, duke ngritur nga një trotuar i Kalkutës një njeri që po vdiste në mjerimin më të madh. Veprim i thjeshtë, por që pati vlerën e një zbulimi.
Ndiejmë në libër intuitën e thellë të Nënë Terezës, e cila kap me një qartësi të habitshme kuptimin e fshehtë të gjërave. E pajisur me “mençurinë më të lartë, atë të zemrës”, kupton thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore. Libri është i pasur me sentenca të saj: Vetëm duke e harruar vetveten e gjejmë prapë. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: Unë dhe ti.
Meqë i njeh mirë kufizimet e njeriut, këmbëngul për të qenë besnikë në gjërat e vogla. Ngaqë i di mirë dobësitë njerëzore pikas madje edhe në dëshirën e lindur për të bukurën, një kurth për shpirtin. Sepse zgjon zilinë, lakminë, mosdurimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për shformimet e tij të jashtme. Atëherë ajo vetë bëhet e skajshme: në trupin e në shtëpitë e saj pranon vetëm veshjet dhe orenditë më të thjeshta, ato të domosdoshmet. Për të, bukuria duhet të jetë vetëm e brendshme, prandaj deklaron për lebrozët e saj: Janë të bukur…
Duke shkruar këto radhë jam rrekur të shlyej paksa detyrimin që ndiej ndaj kësaj shqiptareje e cila na sjell një mësim kaq të madh me shembullin e saj. Do të vazhdoj ta shlyej këtë detyrim kur të kem përkthyer e botuar për lexuesin tonë librin “Tereza e Kalkutës. Lapsi i Zotit”1.
(Republika, 27.08.1992)
1. Libri u përkthye dhe u botua dy vjet më vonë nga shtëpia botuese “Elena Gjika”.