-Si u emrova kërcimtar profesionist në grupin e valleve të Filarmonisë Shqiptare/
-Në fabrikën “Misto Mame” u aktivizova edhe si futbollist me Refik Resmen/
-Bashkpunimi me Tish Daijan dhe babanë e koreografisë shqiptare, Panajot Kanaçi/
-Në baletet e repertorit klasik botëror “Zhurale”, “Fadeda”, “Paganini”, “Laurencia” si dhe në operat “Traviata”, “Peshkatarët e perlave”, “Karmen”, “Skënderbeu”, “Rusalka”, “Ivan Suzani”, “Nusja e shitur
-Kemi dhwnw mbi 300 shfaqje në postat kufitare
-Në vitin 1976 më dërgojnë si koreograf në qytetin e Burrelit
-14 orë mbledhje për të më përjashtuar nga Partia
-Manush Myftiu në krye të mbledhjes për të më shpallur të dyshimtë
-Votova vetë për tu përjashtuar nga partia
– Më akuzuan për biografi të keqe pasi gruas time i kishin pushkatuar xhaxhanë
– Kthimi në Tiranë dhe afrimi plot dashuri i Çesk Zadeja
– Zëvendësministri i Arsimit Anastas Kondos, më priti me këmbët e para: “Kthehu edhe një here në Burrel”
– I papunë i drejtohem me një letër Enver Hoxhës.
– Qetësor Kaltanji, më qorton përse ke shqetësuar Enver Hoxhën
– Si valltar kam luajtur në filmin artistik “Gjeneral i ushtrisë së vdekur”
– Kam kërcyer edhe gjatë xhirimit të filmit artistik “Furtuna”, experience e madhe
Nga Albert Z. ZHOLI/
Në pranverë të vitit 1951, futet në punë në fabrikën “Misto Mame” si nxënës në ekonomi, kështu quheshin atëherë çirakët dhe ndihmësit e ustallarëve për të mësuar zanatin e marangozit. Atje pati fatin të njihte mjeshtra të mëdhenj si: Fatos Metohun (përgjegjës i repartit A të mobilerisë), Abdulla Krutanin, një usta i shkëlqyer i cili shpesh herë në pushimin e darkës u tregonte për torturat që i kishin bërë atij dhe disa shqiptarëve të tjerë në kampin famëkeq të Mathauzenit të Austrisë. Gjithashtu në repartin A të mobilerisë u njoh edhe me mjeshra të tjerë, si: Myslym Keqja, Besim Cara, Fadil Boja, Petrit Agalliu, Fahri Rema, Zyhdi dhe Tahir Tresa, Ferit Gjenia, Ferdinand Xhilaga, etj. Nga fundi i vitit 1951, repartit A të mobilerisë iu largua nga puna normistja. Në këtë kohë pergjegjësi i repartit, Fatos Metohu, e thërret në zyrë duke i propozuar detyrën e normistit. Ky lajm për tw ishte i papritur pasi atëherë ishte vetëm 16 vjeç dhe nuk kishte
përvojën e një nëpunësi llogarie. Por, hera herës kishte fituar një farë përvoje në numërimin e normave që bënin marangozët kur normistja vinte dhe rregjistronte rezultatet e punës së kryer. Deshi, s’deshi përgjegjësi i repartit e bëri fakt emërimin si normist. Në këtë fabrikë punoi 18 muaj, maj 1951- nëntor 1952, vit i cili ndryshoi rrjedhën e të ardhmes nga punëtor në artist të skenës në fushën e koreografisë. Në këtë muaj emërohet kërcimtar profesionist në grupin e valleve të Filarmonisë Shqiptare, fal një përgatitje dy vjeçare 1950-1952, që kishte bërë në grupin amator të valleve të pallatit të kulturës “Ali Kelmendi” nën drejtimin e koreografit, Isuf Kullolli. Pa kaluar në jetën e tij si valltar profesionist gjatë periudhës që punoi në fabrikën “Misto Mame” u aktivizua edhe si futbollist me skuadrën e kësaj fabrike që në vjeshtën e parë të vitit 1952 doli kampione e Tiranës në kampionatin lokal të qytetit. Ky ekip nga e cila ka dalë mjeshtri i madh, Refik Resmja, përbëhej nga këta futbollistë: në portë Rexhep Demetja, mbrojtësa, Shaban Tresa, Met Laska, Shyqyri Neli; në mesfushë Llambi Sabriu, Nuri
Murthi, Tahir Tresa dhe Fahri Rema; sulmin e përbënin Ferit Gjenia, i cili më vonë u bë titular i skuadrës “Puna” të Tiranës, Petrit Agalliu, Fadil Boja, Tofik Kazazi dhe Ferdinand Gjilaga.
Si hyre në grupin e valleve të Filarmonisë Shqiptare?
Pasi u largova nga fabrika “Misto Mame” në nëntor 1952, fillimisht emërohem në
grupin e valleve të Filarmonisë Shqiptare dhe më vonë, 1952-1976, plot 25 vjet si artist i skenës në fushën e koreografisë në trupën e teatrit të Operës dhe Baletit.
Gjatë kësaj kohe jam aktivizuar në të gjithë premierat, si në ato nacionale ashtu dhe të
repertorit klasik botëror duke filluar me baletin kombëtar “Halili dhe Hajrija” (1963) me muzikë të kompozitorit Tish Daija dhe vënë në skenë nga mjeshtri i madh dhe babai i koreografisë shqiptare, Artisti i Popullit, Panajot Kanaçi. Në baletin “Delina” në premierën e madhe “Mbrëmje baleti”, “Flamuri i paqes”, “Vëllazërimi
i popujve”, këtë të fundit maestro Kanaçi e realizoi edhe me ndihmën dhe bashkëpunimin e baletmaestrit rus George Perkun që kishte ardhur në vendin tonë për të ndihmuar në zhvillimin e koreografisë shqiptare si dhe në përzgjedhjen e disa talenteve të reja që do të dërgoheshin me studime në Bashkimin Sovjetik, pranë Shkollës së Baletit “Balshoj Teatër” në Moskë. Këta të përzgjedhur ishin, Agron Aliaj, Zoica Haxho, Melushe Bebeziqi, Ganimet Vendresha, Petrit Vorpsi dhe Xhemil Simixhiu të cilët u kthyen në atdhe pas gjashtë vjet studimesh. Me përjashtim të Melushe Bebeziqit e cila ishte martuar në Moskë me baletmaestrin rus, George Perkun. Më vonë unë kërceva në baletin “Cuca e maleve” vënë në skenë nga mjeshtri i madh, koreografi, Agron Aliaj. Suksesi i këtij baleti ishte shumë i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në turneun tre mujor në Kinë në vitin 1972. Sikurse edhe “Halili dhe Hajrija” në Itali, Greqi, Kosovë etj. Më vonë aktivizohem në baletin “Bijtë e peshkatarit” vënë në skenë nga mjeshtri Panajot Kanaçi. Kam marë pjesë aktive në repertorin e baleteve klasike botërore, si “Romeo dhe Zhulieta” vënë në skenë nga Agron Aliaj, “Esmeralda dhe Shatrivani
i Bahçisarajt” vënë në skenë nga baletmaestri rus, George Perkun, në vitet 1951-1952. Gjithashtu, kam kërcyer në baletet e repertorit klasik botëror “Zhurale”, “Fadeda”, “Paganini”, “Laurencia” si dhe në operat “Traviata”, “Peshkatarët e perlave”, “Karmen”, “Skënderbeu”, “Rusalka”, “Ivan Suzani”, “Nusja e shitur”, etj. Vazhdoj të luaj si kërcimtar solist në valle në baletin “Lola” vënë në skenë nga baletmaestri sovjetik Marat Gazajev në maj të vitit 1958, i cili duke parë aftësitë e mija profesionale si valltar i karakterit më jep dorën duke më caktuar solist (duet me partneren time Myzejen Kryekurti) në vallen “Bolero e parë” e cila hap shfaqjen e këtij baleti. Pastaj maestro rus Gazajev, duke parë se e realizova këtë duet më beson duetin tjetër në aktin e dytë të baletit “Lola” së bashku me kolegun Fadil Voci. Por nuk mbaron këtu
aktivizimi im si solist në valle duke u aktivizuar edhe në aktin e tretë të këtij baleti në trion e
ushtarëve francezë që kërcejnë në kampin e ushtrisë franceze me gotat e birrës ndër duar
për fitoren që kishin arritur kundër ushtrisë spanjolle. Në këtë trio përveç meje marrin pjesë edhe kolegët e mij, Faruk Koka dhe Abdulla Cara. Por, kulmin e suksesit tim si valltar profesionist do ta arrij në premierën e baletit “Partizani” (1967) të kompozitorit Kozma Lara dhe vënë në skenë nga Kanaçi dhe Aliaj ku pata nderin të luaj si solist i parë në rolin e Hamza Beut duke dubluar Artistin e Popullit, Agron Aliaj.
Pranë Ansamblit “Kufitari”
Periudha 25 vjeçare, 1952-1976, përfshin edhe vitet e ushtrisë (1954-1957) i inkuadruar si valltar pranë Ansamblit “Kufitari” ku bënin pjesë artiste të mëdhenj si, humoristi Skënder Sallaku, Skënder Plasari, Muharrem Piri, Qani Biraçi, orkestrantët e talentuar Agim Krajka, Gramos Omari, Lulzim Hima, Ymer Qosja, Henrik Paci, Rasim Këllezi, Myslim Lela, etj. Gjithashtu ky ansambël artistic kishte në gjirin e tij këngëtarë profesionistë si, Safete Toska, më vonë soliste e Ansamblit Shtetëror Popullor, Myzejen Mullaj, më vonë këngëtare lirike në teatrin e Operas dhe Baletit, Agim Konçi dhe Latif Hoxha këngëtarë solistë të Ansamblit shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në gjirin e këtij ansambli artistik bënin pjesë
valltar profesionist, Besim Zekthi, Fatos Zajmi, Ramiz Herri, Eqerem Muça, Zyhdi Mançi, Demir Kërçishtja, Eqerem Arbana, etj., që pas lirimit nga shërbimi ushtarak u renditën në trupat
profesioniste të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky ansambël ishte i
vendosur apo i atashuar pranë Drejtorisë së Kufirit, në Tiranë, gjatë tre vjetëve të ekzistencës
së tij, 1954-1957 nën kujdesin e vazhdueshëm të njeriut të urtë dhe të mençur kolonel, Llambi
Premtit dhe kapitenit të parë Nevzat Vigani të cilët u përkushtuan për mbarëvajtjen e këtij
ansambli nga fillimi deri në suprimimin e këtij ansambli artistik. Detyra e këtij grupi artistik
gjatë tre vjetëve ishte jo vetëm argëtimi i forcave të kufirit ku u dhanë mbi 300 shfaqje në postat
kufitare por edhe fshatrat e thella malore të Shqipërisë duke argëtuar masën e popullit me
një repertor të bukur humoristik dhe muzikor. Gjithashtu ky grup artistik dha me dhjetra shfaqje
në të gjitha qytetet e Shqipërisë nga Jugu në Veri duke bërë një jehonë të madhe në popull i cili
argëtohej dhe kënaqej me humorin e bukur të Skënder Sallakut dhe lojën me profesionalizëm
të këngëtarëve dhe valltarëve.
Koreograf në qytetin e Burrelit
Mbas 25 vjetëve punë si valltar profesionist, në vitin 1976 më dërgojnë si koreograf në qytetin
e Burrelit gjoja duke më futur në listën e të qarkulluarve por me një prapaskenë të turpshme
të drejtorisë së Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të organizatës bazë të partisë të këtij institucioni të cilët në këtë valë qarkullimesh organizuan një mbledhje partie prej 14 orësh nga ora 15.00 deri në 5.00 të mëngjesit të ditës së nesërme. Në këtë mbledhje asistonte edhe sekretari i
Komitetit të Partisë së Tiranës, Manush Myftiu. I deleguar ishte edhe gazetari Agim Shehu (në atë kohë edhe instruktor i Komitetit të Partisë). Kjo mbledhje maratonë kundër personit tim me
akuza të trilluara që nuk kishin ndodhur kishin për qëllim largimin tim nga Teatri i Operas dhe
Baletit. Në përfundim kjo mbledhje doli me dy propozime. E para, përjashtim nga Partia, e dyta, ulje në kandidat partie për dy vjet dhe largimin nga Tirana bashkë me familjen. Pasi u hodh në vote votimi i parë, numërimi dha këtë rezultat: 34 për përjashtim dhe nga totali 67 mbetën 33 për variantin për propozimin e variantit të dytë. Nga ky rezultat unë duhej të përjashtohesha nga Partia por ndërkohë ngrihet ish grimiori i operas, Pertef Veleshnja, i cili i drejtohet panelit të drejtimit të mbledhjes duke sqaruar se votimi nuk ishte kryer në rregull pasi kishte votuar edhe vetë Rexhep Demetja. Pra, unë isha dakord me përjashtimin nga rradhët e Partisë. Në këtë moment Manush Myftiu më pyet: – Keni votuar ju për përjashtimin tuaj?
Unë i përgjigjem: PO! Atëherë ai propozon që të përsëritet votimi. Përsëritja dha rezultat
tjetër pasi unë nuk kisha të drejtë vote. Pra, vendimi përfundimtar ishte që të zbatohej
variant i dytë. Pas disa ditësh unë isha i detyruar që të zbatoja këtë vendim pa të drejtë apeli duke u larguar në qytetin e Burrelit ndërkohë që më kishin prerë edhe pagën mujore.
Masa ndëshkimore ndaj meje nuk ishte vetëm grindja që unë kisha me udhëheqjen e kësaj
organizate partie të cilët ishin në pozita më të forta se unë, duke më shtuar edhe një akuzë
tjetër. Kjo ishte mungesa e sinqeritet ndaj partisë për biografinë e gruas time së cilës i
kishin pushkatuar xhaxhanë, Zenel Rika I implikuar padrejtësisht në incidentin e hedhjes
së bombës në Ambasadën Sovjetike, shpifje e sigurimit të shtetit komunist.
Ky vendim u shoqërua me një karakteristikë të dobët dashkeqëse të organizatës bazë dhe
të drejtorisë së organizatës së Operas me tekstin: “Kalon në kandidat partie dhe largohet
bashkë me familjen nga Tirana, si ferrë e bezdishme e Partisë së Punës”. Pas dy vjetë punëve si koreograf në qytetin e Burrelit, unë ngrita një grup vallesh si dhe përgatita dy kuadro koreografë që do të më zevëndësonin pas largimit tim në Tiranë. Këta ishin, Gëzim Radani dhe Aleks Zgjuni të cilët jo vetëm e merituan besimin tim por dëshmuan se ishin vërtetë krijues artistik. Karakteristika nga Burreli për t’u kthyer në Tiranë më erdhi shumë e mirë. Jo për tu kthyer si më parë valltar por edhe me ndonjë post drejtues.
Kthimi në Tiranë dhe Çesk Zadeja
Me të ardhur pranë familjes fillova punë si valltar pranë Trupës së Teatrit të Operas dhe
Baletit. Kaluan plot tre muaj dhe unë nuk po paguhesha për punën që po bëja. Në këtë kohë
i drejtohem drejtorit të përkohshëm të këtij institucioni, Çesk Zadeja duke i shprehur
shqetësimin e mos pagimit për punën e kryer. Zadeja më përgjigjet: “Demetja! Me keqardhje
të njoftoj se dokumentat e tua nuk kanë ardhur nga Burreli!”. Atëhere i drejtohem zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës, Anastas Kondos, i cili më priti me këmbët e para: “Kthehu edhe një here në Burrel sepse nuk ke ardhur me dokumenta të rregullta por si kaçak!”.
I papunë i drejtohem me një letër Enver Hoxhës.
I mbetur në mes të katër rrugëve, një prind me dy fëmijë dhe bashkëshorten, i papunë i
drejtohem me një letër Enver Hoxhës. Atë ia jap një mikut tim, Petrit Shijakut, i cili punonte në
sektorin e letrave. Letra ime iu dha dorazi udheheqësit kryesor të Partisë. Në këtë interval
kohe duke pritur përgjigjen e kësaj letre shkoj në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës për të
gërmuar dhe gjetur dokumentat e mija që fshiheshin prej tre muajve. Këtë informacion ma dha zyra e Kuadrit të Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Burrelit me numër protokolli. Me këtë numër unë kërkova ballafaqim me punonjësen e kuadrit të komitetit Ekzekutiv të Tiranës, e cila hapi sirtarin dhe në fund gjeti dosjen time që kishte tre muaj që kishte ardhur nga Burreli.
Qetësor Kaltanji, më qorton përse ke shqetësuar Enver Hoxhën
Pas një muaji, sekretari i Enver Hoxhës, Qetësor Kaltanji, më thërret në Komitetin Qëndror ku kishte zyrën e tij duke më qortuar përse ke shqetësuar udhëheqjen dhe nuk ndoqe shkallën hierarkike të zgjidhjes së problemit duke ardhur fillimisht tek ne. Unë iu përgjigja që e kam respektuar këtë shkallë, por u detyrova të bëj këtë letër për Udhëheqësin pasi nuk mora asnjë përgjigje pozitive. Pas një muaji paraqitem te kryetari Bashkimeve Profesionale, Gëzim Laska, i cili më thotë se njoftimin e kemi marrë për emërimin tuaj në punë pranë këtij institucioni por do të presësh edhe një muaj deri sa Plenumi I Komitetit të Partisë të mblidhet dhe të bëjë
kalimin tënd pranë këtij institucioni sepse je kuadër i Plenumit të Komitetit të Partisë.
Mbas një muaji erdhi vendimi dhe unë fillova punën. Deri në vitin 1986 nga ku dola pension
në moshën 50 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe 35 vjeçare kam kontribuar si koreograf jo vetëm në kryeqytet por edhe në mjaft rrethe të Shqipërisë me afate tre mujore si, Elbasan, Fier, Berat, Pogradec, Laç, Patos, Skrapar, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhë në vitet 1970-1990, kam kontribuar në Koncertet e Majit si koreograf me krijimtarinë time pranë ansambleve amatore të rrethit të fshatrave të Tiranës, pranë grupit të valleve Shengjergj, Shënmëri, grupit të valleve të Uzinës së Traktorëve, të Kombinatit të Ndërtimit “Josif Pashko”, Ndërmarrjes së Prodhimit të Veshjeve (NPV), NB “Gjergj Dimitrov”, të cilët ishin pjesëmarrës të përhershëm në të gjitha
Koncertet e majit që organizoheshin çdo vit. Gjatë këtyre viteve kam marrë pjesë edhe në
filmat artistike si, “Skënderbeu” në vitin 1953, në të tri vallet e këtij filmi si atë të realizuar në
Kamëz, në martesën e Skënderbeut, në Manastirin e Beratit në festën e bashkimit të
princave shqiptarë si dhe në vallen e luftëtarëve të lirisë në Kakariq të Shkodrës.
Si valltar në filmin artistik te filmi “Gjeneral i ushtrisë së vdekur
Kam mare pjesë si valltar në filmin artistik te filmi “Gjeneral i ushtrisë së vdekur” duke kërcyer
përkrah artistëve të mëdhenj, Aleksandër Prosi dhe Pjetër Gjoka që luanin rolet kryesore në këtë film të vitit 1974 me regjizor Piro Manin. Gjithashtu kam kërcyer edhe gjatë xhirimit të
filmit artistik “Furtuna”. Në vitin 1962-1964 aktivizohem dhe kontribuoj në orkestrën
amatore të Pallatit të kulturës “Ali Kelmendi” si firzamonikë e dytë me dirigjent kompozitorin
Agim Prodani. Edhe me këtë orkestër kam kontribuar me koncerte brenda Tiranës dhe
jashtë saj tashmë jo si valltar por si muzikant.
Kursi 6 mujor për gjyqëtar futbolli, nën drejtimin e profesor Sami Kotherja
Në kapitullin e parë, theksova se në nëntor të vitit 1952, do të mbyllej aktiviteti im si
futbollist për t’u rihapur sërish pas 10 vjetësh pikërisht në vitin 1963. E përjavshmja sportive
“Sporti popullor” kishte nxjerrë një lajmërim për hapjen e një kursi 6 mujor për gjyqëtar
futbolli. Në këtë lajmërim viheshin edhe kushtet se kush mund të regjistrohej në këto kurse si:
arsimi i mesëm (mundësisht i lartë), mosha nën 30 vjeç dhe lartësia 1.70 cm e sipër, por që për
fat të keq këto kushte nuk u respektuan nga organizatorët dhe konkretisht nga Komiteti i
Fiskulturës i asaj kohe. Sapo mora lajmërimin pranë këtij komiteti u rregjistrova në kursin 6
mujor për gjyqëtar futbolli. Kursi filloi në fund të vitit 1963 pranë gjimnazit “Sami Frashëri”
nën drejtimin e profesor Sami Kotherja atë kohë edhe gjyqëtar ndërkombëtar i FIFA-s. Pas 6
muajsh, kursi mbaroi duke na dhënë dëshmi të gjithëve si gjyqëtar i Kategorisë Tretë. Fillimisht
me këtë kategori u aktivizova në ekipet zinxhir të të rinjve të Kategorisë së Dytë dhe të Tretë.
Më vonë në vitin 1970, pas 6 viteve mua më jepet Kategoria e I-rë, fillimisht si anësor dhe
më vonë si kryesor. Në vitin 1971, Federata Shqiptare e Futbollit organizon në Elbasan një
seminar me të gjithë gjyqëtarët e Shqipërisë, për ngritjen më lartë të cilësisë së gjykimeve
dhe përsosmërinë e figurës profesioniste dhe morale të gjyqtarit të futbollit.
Mes gjyqtarëve më të mirë, Arsen Hoxha djali me barseta
Në përfundim të këtij seminari që drejtohej nga Azis Tahiri, atëherë zëvendëskryetar i
Komitetit Ekzekutiv të Sporteve pranë Ministrisë së Arsimit, u lexua lista e 15
gjyqëtarëve të kategorisë ndërkombëtare dhe të parë nga e gjithë Shqipëria që do të gjykoni
si kryesor në kategorinë e parë. Në këtë listë krahas gjyqëtarëve ndërkombëtar
dhe të kategorisë së parë u lexua edhe emri im, si i ri në atë kohë. Si: Sami Kotherja,
Ramazan Kuka, Ramiz Pregja, Met Myshku, Shefqet Caslli, Xhavit Fagu, Agim Nikshiqi,
Mihallaq Minga (Vlore), Fidai Pupa (Korçë), Hasan Turdiu, Sefer Saraçi (Tiranë), Tahir Kalaci
(Shkodër) etj. Ky lajm më gëzoi shumë por më vuri edhe në pozitë përgjegjësie, se të gjykoje
si kryesor në kategorinë e parë ishte jo vetëm nder, besim, por edhe një përgjegjësi e madhe.
Në këtë seminar Azis Tahiri i tërhoqi vëmendjen një djalosh i ri rreth të njëzetave që
mbante flokë të gjata dhe barseta që për atë kohë ishin të ndaluara nga ideologjia komuniste.
Ndërkohë Azisi e pyeti, ju atje nga fundi duke ja bërë me dorë personit që kërkonte i kujt rrethi
jeni dhe si ju quajnë? Djaloshi i ndrojtur i tha vij nga Fieri dhe quhem Arsen Hoxha.
Drejtuesi i seminarit si person me partishmëri i tha shkurt dhe prerazi që nesër
mos të shoh më me ato flokë të gjata. Djaloshi prerazi u përgjigj si urdhëron dhe ashtu veproi.
Ky episod i vogël do të bënte më vonë këtë person gjyqtar të dëgjuar me titulli
ndërkombëtar i FIFA dhe i preferuar i F.SH.F pavarësisht se gaboi disa herë në ndeshje
deçizive por përsëri preferohej, kështu ishte atëherë kush bënte gabime që të nesërmen
ngjallnin diskutime në opinion bëheshin protagonist të famshëm dhe me emër fat që nuk
e kishin ato gjyqëtarë që në karrierën e tyre si gjyqëtar kryesor të kategorisë së parë, kishin
gjykuar me kompetencë, paanshmëri por që nuk ishin bërë debat diskutimesh në mediat
televizive dhe të shkruara.
Protesta e Besës, bilbili i një tifozi dhe mbrojtësi me topin në duar
Gjyqtar kryesor më 1972 në Shkodër ndërmjet Vllaznisë dhe Besës së Kavajës
Kështu pasi mora kategorinë e parë dhe besimin e Komisionit
Tekniko-Gjykues caktohem në ndeshjen e parë si kryesor më 1972 në Shkodër ndërmjet
Vllaznisë dhe Besës së Kavajës. Ndeshja po zhvillohej korrekte dhe e bukur drejt rezultatit
1-1, por këtë rezultat do ta përmbyste minuta e 83′ kur një mbrojtës i Besës i mashtruar nga
një bilbil që vjen nga shkallët e stadiumit, kap topin me dorë duke menduar se i kisha rënë
unë bilbilit, megjithëse në atë moment nuk kishte arsye që të ndërpritej ndeshja. Duke
zbatuar rregulloren teknike të futbollit unë akordoj penallti në favor të ekipit të Vllaznisë e
cila kthehet në gol duke mbyllur edhe krejt takimin 2-1 për Vllazninë. Ky moment nuk kaloj
pa kundërshtime nga ana e lojtarëve të Besës, por që në fund, pasi shpjegova rregulloren ju
nënshtruan fatit të viktimës. Në mbarim të ndeshjes ndjeva një keqardhje për rezultatin e ndeshjes që u shkaktua aksidentalisht nga një tifoz nga shkallët e stadiumit dhe jo nga zbatimi i rregullores teknike nga ana ime. Episodi i dytë apo kurioziteti për lexuesit e
këtij libri do të ndodhë në fushën e Çorovodës të Skraparit për ndeshjet e Kupës së Republikës
për çerekfinalet 1/8 ndërmjet ekipit vendas dhe atij të Besës së Kavajës (1973-1974).
Konkretisht në pjesën e dytë në një terren të rënduar nga shiu që binte, portieri i Skraparit
pasi mbërthen topin e përplas atë në tokë dy a tri herë por që në këtë të fundit topi nuk i
kthehet në dorë, duke marrë fjaskë (duke rrëshqitur afër këmbëve të lojtarit të Besës
Mullaliut i cili me meçuri dhe gjakëftohtësi e dërgon atë në rrjetë duke shënuar një gol të
rregullt. Konform rregullores unë akordoj gol pasi topi që i rrëshqiti nga duart portierit
kundërshtar ishte në lojë dhe se ndërhyrja e sulmuesit të Besës ishte e rregullt dhe pa faull.
Si zakonisht në këto raste futbollistët tanë protestojnë, duke kërkuar nga unë që të anulloja
golin, por kjo nuk mund të ndodhte pasi unë isha i ndërgjegjshëm se kisha zbatuar
rregulloren teknike pikë për pikë.
Protesta e Besës, portiere përplas topin në tokë, por topi shkon tek kundërshtari
Ndërkohë që protesta po merrte përmasa në rritje, trajneri I Skraparit i ndjeri Ibrahimi një njeri dhe kuadër i aftë dhe i ndershëm ndërhyri në fushë duke qetësuar gjendjen duke pranuar golin si të rregullt, kështu u mbyll dhe kjo ndeshje me të vetmin gol 0-1 për Besën që u kualifikua në ¼ e Kupës së Republikës. Episodi i tretë ka ndodhur në Tiranë në stadiumin “Qemal Stafa” ndërmjet ekipeve Partizani dhe Flamurtari i Vlorës, sezoni 1974-1975. Ku në një aksion personal të ikonës së futbollit shqiptar, Panajot Pano nga mezi i fushës pasi triblon dy lojtarë kundërshtar pranë zones së rreptësisë e lëshon topin përpara më shumë seç duhej dhe në pa mundësi për ta kapur me dinakëri i afrohet mbrojtësit të Flamurtarit duke
u rrëzuar nga ky kontakt fizik, pasi ngrihet nga toka më thërret me emër Xhepo jepe të shkretën
pa fyerje por me veprime gjestikulacionesh e përsërit këtë pasthirmë. Atëherë unë nuk hezitoj
e thërras, dhe ndërkohë që futa dorën në xhep me nxjerr kartonin e verdhë për protestë, më
afrohet e më thotë Xhepo jam unë vëllai jot, e tha këtë shprehje në konfidencë mbasi me
Panon kemi ndenjur e luanim futboll në fëmijëri në rrugën e Fortuzit ku shkoja shpesh pranë
gjyshes time. Pano nuk e zgjati pasi ai ishte një futbollist i madh, korrekt dhe shumë popullor
me ne.
Gjygjtar në një ndeshje ndërkombëtare në Hungari, midis Hungarisë dhe Zvicrës
. Ky lajm nuk përbënte ndonjë sekret sepse ishte shtruar për aprovim edhe në kolegjumin e gjyqëtarëve në Tiranë (vija e masave). Në këtë kohë duke menduar se ky propozim do të gjente miratimin e U.E.F.A-s, Federata e Futbollit më cakton për të gjykuar një ndeshje ndërkombëtare në Hungari, midis Hungarisë dhe Zvicrës e vlefshme për 1/8 e kampionatit europian të futbollit për ekipet Shpresa. Por, para se të dërgohesha për të gjykuar jashtë
shtetit kisha arbitruar shtatë ndeshje ndërkombëtare miqësore në Shqiperi si: 1) 1971.
Shkëndija-Universiteti i Rumanisë. 2) 1972. Flamurtari i Vlorës, Buduçnost i Pejës. 3) 1973.
Shqipëri Algjeri ekipet Shpresa 4) 17 Nëntori Zhunguldad e Turqisë 5) Ylli Kuq i Pogradecit-
Sloga e Maqedonisë. Ekipi jonë ishte përforcuar me lojtarë të ekipit kombëtar si Ajazi në portë,
Seiti në sulm, Ballço në mesfushë etj. 6) Labinoti Petrolul i Ploeshtit të Rumanisë dhe Labinoti
Olimpik i Pireut të Greqisë. Pra të gjitha këto aktivizime në takimet ndërkombëtare krijonin
premisat dhe kushtet që unë të isha në listën e kandidatëve ndërkombëtarë.
Çaslli, Arsen Hoxha, Lulëzim Konçi fitojnë me short të drejtën e gjykimit ndërkombëtar
Por çudia ndodhi më vonë dhe që pritej për shkak të kritereve të tarafit e miqësisë dhe jo meritave nga U.E.F.A
aprovohet për ndërkombëtar vetëm tre persona: 1) Sh. Çaslli, 2) Arsen Hoxha, 3) Lulëzim Konçi. I katërti sipas numrit rendor isha unë R. Demetja, dhe sipas kritereve të U.E.F.A. kur vjen puna për kufizimin e numrit i heq vizën numrit të fundit. Pra, llotaria e heqjes më ra mua që isha i katërti në listën e federatës sepse U.E.F.A i miratoi Shqipërisë tre ndërkombëtarë. Pasi
mora vesh lajmin që jam hequr për shkak të numrit rendor i drejtohem Mehdi Bushatit, si
kryetar i Komitetit Shtetëror i Sporteve të Shqipërisë në ato vite.
Në Korfuz, sin ë botën e ccudirave pas një oferte në “Hotel “Tirana”
Më 28 gusht 1991, rastësisht kaloj pranë hotel International Tirana (15 katëshi) papritmas lexoj një tabelë, në fasadën e këtij hoteli ku shkruhej: “Hotel “Tirana” organizon më datën 16 shtator 1991, një udhëtim turistik një ditor në ishullin e Korfuzit, ku dreka, udhëtimi dhe viza kushtojnë 25 dollarë”. Më 16 shtator pasi mora pasaportën me vizë greke, u nisëm për në qytetin e Sarandës prej ku do të shkonim drejt ishullit të Korfuzit. Pas një udhëtimi prej dy orësh mbërrijmë në ishullin piktoresk. Organet doganore të shtetit grek na kontrolluan për dokumentacionin. Ishim 80 turistë nga Tirana. Shoqëruesja jonë, Hajrija, na drejtoi në një nga restorantet më në zë të ishullit për të drekuar. Mbas përfunduam drekën, e pyes zonjën a mund të largohem nga Korfuzi në drejtim të Athinës? Ajo më përgjigjet:
– Ke dhrahmi me vete? – Po!- i përgjigjem. Atëhere mund të shkosh në Athinë dhe mund të lëvizësh lirshëm në të gjithë Greqinë pasi vizën greke e ke një mujore. U befasova. Nxora nga xhepi pasaportën dhe i thashë që kemi ardhur për një ditë këtu… Nuk më besohet! Ajo mu përgjigj: Shikoje edhe një herë pasaportën. Me të vertetë ajo shënonte “Ena mina”. Pra, një mujore. Atëherë u largova prej zonjës duke e falenderuar për sqarimin dhe iu drejtova portit detar për të marë një biletë për në Patra.
–
– Nga Korfuzi drejt Athinës, nisja e një aventure të re
– Mbas dhjetë orësh udhëtim me një traget modern arrij në Patra, rreth ores shtatë të mëngjesit. Menjëherë iu drejtova stacionit të autobuzave për në Athinë, pasi preva biletën prej 2 mijë dhrahmish. Nisem kështu drejt kryeqytetit grek…
Drejt Pireut me një turist gjerman
Sapo mbërrita në këtë qytet shkoj në stacionin e taksive për të udhëtuar drejt Pireut
ku unë do të takohesha me një mikun tim, Kristaq Papa. Në këtë moment më afrohet një
turist gjerman, një djalë i ri rreth të njëzetave dhe më pyet: Cila taksi të çon në Pire? Unë
thashë ja me këtë që jam edhe unë dhe e ftova të hynte në taksi. Pasi e pyeta shoferin grek për
çmimin iu drejtova edhe gjermanit në gjuhën e tij të cilën e zotëroj në pjesërisht, se bileta
kushton kaq. Ai ra dakord. Pas pak minutash u nisëm. Sapo mbërritëm pas 25 minutash zbritëm dhe i afroj tre mijë dhrahmi shoferit. Kjo shumë ishte për të dy. Ndërkohë gjermani më pyet: Vas kosten? Unë I përgjigjem: Draj! Ai nxjerr paratë dhe jep tre mijë dhrahmi. Unë e falenderoj dhe ia jap pagesën shoferit duke mos e futur dorën në xhepin tim. Gjermani pasi më falenderoj në
gjermanisht: Fil tanke! U largua duke më thënë: Ofiterzen! (Mirëupafshim). Ndërkohë i them
shoferit grek ku ndodhet lokali kafe i shqiptarëve. Ai më fut krahun dhe pas dy minutash mbërrijmë afër shinave të trenit. Ndërkohë më tregon duke më këshilluar që të
eci anës shinave. Pas një ore udhëtim, më tha, se do të dalë përpara një kioskë ku 100 m prapa
saj ndodhet klubi i shqiptarve. E falenderova për këtë ndihmesë dhe nisa udhën… Me të
vërtetë pas një orë ecje dallova kioskën. Eca 100 metra pas saj dhe lexoj: Lokal-kafe. Futem
brenda dhe ulem pranë një tryeze që ishte bosh. Ndërkohë më vjen kamarieri grek dhe më thotë
çfarë dëshiron. Porosis një birrë.
Mes shqipatrëve të arratisur në Athinë, ata më shihnin si UFO
Duke pirë më afrohen disa shqiptarë dhe më pyesin në gjuhën shqipe. Ulen bashkë me mua dhe fillojnë të pyesin për Shqipërinë sepse atakishin mbi dy vjet që ishin larguar nga Atdheu. Unë u dhashë lajme kryesisht për Tiranën dhe
pastaj kërkova prej tyre të më ndihmonin për të gjetur mikun tim, Kristaq Papa. Njëri prej tyre
më sqaroi se Kristaqin nuk e njoh, por Marko Papën e njoh dhe prite se na momenti në
moment mund të vijë këtu. Për fatin tim të madh, pa mbaruar birën hyri një djalë simpatik
dhe shtatëlart. Ky ishte Marko Papa. Dy shoqëruesit tim në tryezë ia bënë me dorë që
të afrohej në tavolinën tonë. Ai u afrua dhe ul së bashku me ne. U prezantova dhe i bëra të
ditur se isha i interesuar të takoja vëllanë e tij, Kristaqin. Marko, në shenjë respekti u ngrit më
këmbë, më dha dorën dhe më përqafoi sepse e kishte dëgjuar emrin tim nga vëllai. Pasi ndejtëm
pak më tha se çfarë dëshironi të pini diçka tjetër. Ndërkohë më shumë se sa për të pirë kisha
nevojë për të pushuar. Ai u përgjigj se nuk diskutohet që sot ti je mik i familjes time. Dhe
ashtu bëmë. U ngritëm dhe i hipëm motorit të tij. Pas dhjetë minutash mbërrijmë në shtëpinë e tij.