• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INTERVISTË ME HISTORIANIN E MIRENJOHUR DR. ATHANAS GEGAJ

April 21, 2015 by dgreca

NGA VOICE OF AMERICA/*
(Me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë u transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)/
Përgatiti : Gjekë Gjonlekaj/
Zoti Gegaj,kur Fan Noli shkroi librin e tij mbi Skëndërbeun më 1949, ai tha se vepra juaj frëngjisht mbi Skenderbenë ishte më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare.Përsa kohë punuat per këtë vepër dhe kur e mbaruat?
Gegaj : I mbetem mirënjohës Peshkop Nolit për lavdërimin që shprehi për veprën time “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’ ose “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të “At Noli ka qenë një njeri me kulturë të gjerë dhe ishte po në të njëjtën kohë një ekspert i çështjeve të historisë meskohore të Shqipërise. At Noli gjeti në këtë vepër gjëra që i interesuan si studioz kompetent të jetës dhe të veprave të Skënderbeut, prandaj si shqiptar i madh që ishte, ai çmonte në kulm çdo gjë që ka te bëjë me historinë e popullit shqiptar dhe me lartësimin e tij si komb.
Për sa i përket veprës time “Shqipëria dhe invazioni turk në të XV-tin shekull” kam punuar dëndur dy vjetë. Kërkimet e para i bëra në vitin 1935 dhe vazhdova në kërkime dhe në përgatitje të librit gjatë vitit 1936. Në dhjetor të këtij viti libri ishte gati për shtyp, por duke qenë thezë doktorale ,m’u desht ta mbroj publikisht në një nga Aulat e Universitetit të Louvain,ku kisha kryer studimet e mia.
Libri u gjet interesnat dhe autoritetet e Universitetit aprovuan bitimin e tij. Libri në fjalë u botua më 1937 në Louvain-Paris dhe një Shtëpi Botuese e Parisit u ngarkua për shpërndarjen dhe shitjen e tij.
Ku i bëtë kërkimet dhe, në qoftë se i mbani mënt nën cilët profesorë?
Gegaj : Kërkimet e mia filluan në Paris për ca muaj, ku veçanarishtë në “Biblitheque Nacionale”të qytetit gjeta shumë materiale të dorës së parë. Kurijoziteti im u ngjallë veçanarishtë kur për kombinacion,më ra në dorë një botim i të mirënjohurit profesorit rumun, Constantin Marinesco, i shkruar në frengjisht:”Alfonsi i V,mbreti i Aragonës e i Napolit dhe Shqipëria e Skënderbeut”,botuar në formë broshure nga Shkolla Rumune në Paris më 1923.Libër i vogël po por një zbulesë për sa i përket historisë së Skënderbeut e relacioneve me Shqipërisë dhe mbretërisë së Aragonës e të Napolit.
Nga Parisi kalova në Napoli, në Romë, në Firenze dhe në Venedik,duke u ndalua për ca kohë dhe në Milan. Në arshivat dhe në biblotekat e këtyre qyteteve gjeta materiale të shumtë dhe fillova të përpiloi librin. Profesori im i mirënjohur,që e mbikqyri të tërë materialin më dha aprvovimin e tij për botim,ky ishte Adoph De Mayer i Universitetit të Louvain.
Si filluat të interesoheni për të shkruar një libër mbi Skënderbenë?
Gegaj : Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Aj është heroj i kombit tonë dhe një figurë ndërkombëtare, që mbizotëron në historinë e Europës në të XV shekull. Për më tepër Skënderbeu është një personalitet që ka nderuar dhe nderon në çdo kohë popullin shqiptar.
Po interesimi im për historinë ë Skënderbeut fillon atëherë kur isha student në Shkodër, dhe veçanarishtë kur arriti nga Amerika “Historia e Skenderbeut” botua në Boston nga At Noli me 1921 me anën e Organizatës Vatra. Ky libër enthuziazmoi të tërë moshën e re shqiptare,sepse kishte meritën që jo vetëm se kishte shkrojtur në një gjuhë të bukur,por nga ana tjetër paraqiste heroin tonë në një dritë të re. Leximi i këtij libri më ka shoqëruar për shumë vjetë e më në fund më shtyti të kërkoi gjëra të reja për rreth heroit tonë,për t’i paraqitur, edhe botës së jashtëme Skënderbeun sipas nevojave të kritikës historike,duke ndarë në atë se sa ishte e mundur figura e tij gjigante në legjendat e historisë.
Ç’ishin disa nga problemet që përballuat gjatë shkrimit të kësaj vepre?.
Gegaj : Problemet që m’u paraqitën në përgatitjen e kësaj vepre qenë të shumta. Më së pari duhej që unë t’u çveshja nga çdo simpathi e ndenjeë personale. Historia në këtë rast lipsej të ishte një histori kritike, e bazuar mbi dokumente të kohës, mbi botime, me vlerë kritike që në çdo kohë janë bërë mbi Skenderbeun. Ky qe një problem i rënde, sepse Skenderbeu, si ishte në çdo zemër shqiptare, ashtu edhe tek mua, mbetej përherë heroj i kombit, që asgjësend nuk mund t’a shëndrrojë ftytyrën e tij!
Nga ana tjetër kërkova me çdo mjet të konfrontoj historinë e vertetë me botime të panumrta mbi Skenderbeun. Këtu m’u desht të luftoj për të paraqitur një Skenderbe sipas thënjeve historike, po në të njëjtën kohë kërkova ,me çdo kusht dhe me çdo mjet,që Skenderbeu të mbetej ai, që na e paraqet legjenda ose më mirë kronika e kohës. Për këtë gjë luftova,por kërkova të mbetem objektiv në çdo rast.
Cilat janë disa nga gjërat e reja, që nuk diheshin më parë, dhe që i vutë në dukje ju në librin tuaj?
Gegaj: Në përgjithësi nuk ekzistonte një vepër kritike mbi Skenderbeun. Botimet kritike ishin marrë me ca probleme të historisë së Skenderebeut, dhe ato që u paraqiteshin si histori kritike,kishin mungesa te shumta nga çdo pikëpamje. Merita modeste e veprës time është koordinimi i të gjitha këtyre botimeve,duke i konfrontuar me dokumenta të kohës. Merita e kësaj vepre prandaj mbetet në ndamjen e legjendës nga historia dhe në udhëzimin e ri të një studimi kritik të jetës dhe të veprave te Skenderebeut. Për këtë gjë burimet e arshivave dhe aktetet zyrtare të kohës më udhëzuan të ndaj legjendën nga historia e vertetë e Skenderebeut.
Ç’është rëndësia e këtyre zbulimve?
Gegaj : Rëndësia këtyre zbulimve për reth historisë se Skenderebeut është kryesorja në methodën e re e kritkike që përdora për të paraqitur Skenderebeun në dritën e vërtetë të jetës se tij dhe të veprave të tija. Duke punuar në këtë mënyrë kërkova që Skenderebeu të mbetej ai që është. Dhe më vjen mirë të ju them se historia e Skenderbeut sa më kritike të jetë, aq më gjigante na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër,por historia e kritika,gjë që kërkova të realizoj me çdo mënyrë,nuk e vogëlsojnë figurën e tij si luftar, si strateg,si hero i një kohe dhe i një kombi.
Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohën e sotme?
Gegaj : Jeta e veprat e Skenderbeut janë nje shëmbull i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftrat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujëve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.
Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara,ashtu edhe sot,jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim te gjithe shqiptarëve,mbi lirinë e vendit nga i huaji,mbi të drejtat e barabarta te çdo qytetari,mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare.
Për më tepër Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend per t’i ardhur në ndihmë nje shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashkët shqiptar,ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve,ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dinjitet e në bashkim,ashtu siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve.Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrficë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdes shqiptari për liri, pa u bër skllav i huaj, pa u perulur në karakterin burrëror të popullit shqiptar.
Cili është shkaku që Skenderbeu vonoi të kthehet në Shqipëri për të rrëmbyer Krujën dhe principatën e tij nga duart e Turqëve?
Gegaj : Shkaku kryesor që Skenderbeu vonoi të marrë në dorë drejtimin e rezistencës shqiptare,qytetin e Krujës dhe principatën e atit të tij është njohuria e thellë e fuqisë Ottomane. Për më tepër ai, nuk shihte një fuqi tjetër në Evropë,që te ishte gati të përballej me ushtritë e sulltanëve,që po marshonin ngadhenjyese në të gjitha anët.
Shqipëria ishte ndarë në principata,pothuajse të gjitha nën influencen e huaj, Turke ose Veneciane. Kishte për më tepër parasysh historinë e atit të tij,që nuk pati perkrahje, dhe sa herë ngriti krye,qe përulë nga ushtritë e sulltanëve. Me gjithë këto Skenderbeu ishte në kontakt me princat shqiptarë dhe ëndërronte të kthej sa më parë në Shqipëri për të drejtuar rezistencën shqiptare. Kur pa se nje fuqi e re,Hungaria po luftonte në brigje të Danubit,atëherë Skenderbeu gjeti kohën e volittëshme, dhe ,u kthye në Shqipëri dhe organizoi vendin për të përballuar fuqinë Ottomane.
Vendimi i Skenderebeut të kthehet në Shqipëri dhe të organizojë vendin kundër fuqisë ottomane është një nga vendimet më me pergjegjësi të historisë. Vetëm një Skëndërbe mund të merrte një vendim të atillë!E për këtë gjë,ai është i madh dhe i pavdekshëm në historinë e popujve.
Cilët kanë qënë faktorët që Skenderbeu, me një fuqi të vogël mundi të bëjë ballë forcave të mëdha e të armatosura gjer në dhëmbë të sulltanëvë të Turqisë?
Gegaj : Faktorët kryesorë që Skenderbeu me një ushtëri të vogël mund t’u bëjë ballë forcave të armatosura të Sulltanëve të Turqisë,sipas mendimit tim,janë këto:Skenderbeu ishte strateg i përsosur,një komandant, që nuk dinte çka është frika,një njohës i vendit dhe i zakoneve shqiptare; dhe për më tepër Skëndërbeu nuk e la kurrë armikun që t’i imponojë në planet e tija në luftë. Fuqitë shqiptare Skenderbeu i ndante sipas nevojave të rasteve; ku linte përherë një reservë dhe shtegun të hapur,që te mos rrethohej nga armiku. Për më tepër Skëndërbeu qe ai që e sulmonte armikun duke i dhënë ushtrisë së tij një shembull që ka mbetur një traditë burrërie shqiptare. Aj perballonte vdekjen si një ushtar i thjeshtë. Ku ishte rreziku më i madh aty ishte Skëndërbeu. E nuk kishte ushtar shqiptar që të mos kerkonte të bëjë atë gjë që bënte Skëndërbeu!
Më në fund Skëndërbeu dhe kapetanët e ushtarët e tij luftonin për liri. Ai dhe ushtarët e tij e dinin se nuk u mbetej tjetër veçse vdekjes ose lirisë . Për këtë gjë Skëndërbeu e trimat shqiptarë shkruan epopenë shqiptare të Shekullit të XV. Kjo është epopeia më e bukur e çdo kohe.
Skëndërbeu bashkë me mbrojtjen e Shqipërisë mbrojti edhe Krishtërimin dhe qytetërimin e Evropës nga sulmet e Turqëve. Pra përse disa vende të Evopës,sidomos Venediku nuk i dhanë përkrahjen e duhur?
Gegaj : Nuk ka dyshim se Skëndërbeu mbrojti qytetërimin Europian dhe ua thej hovin fuqive ottomane që ishin gati të marrshojnë në Itali dhe në Europën qëndrore.Skëndërbeu pati ndihma nga Alfonsi i V i Aragonës dhe i Napolit,si dhe nga papët e Romës që e kishin kuptuar mirë rrezikun ottoman. Sa për Venedikun, sadoqë ishte një fuqi e madhe detare kjo për shkaqe tregëtare kërkonte të mbante marrëdhënie të mira me Turqinë;dhe ishte rivale e mbretit të Aragonës e të Napolit. Më vonë më 1463 e kuptoi rrezikun dhe përkrahi Skenderbeun,por qe tepër vonë.
Pas “Lidhjes së Kapedanëve”që u bë në Lezhë, e cila e vuri në krye Skëndërbenë, ç’farë forma administrative u shtuan asi kohe në Shqipëri?
Gegaj : Sipas Lidhjes së Lezhës,Skëndërbeu mbetej kryekomandant i forcave shqiptare. Dalë nga dalë ai arriti të gjithë të i bashkoi për rreth vehtes së tij, duke u lënë liri në administrimin e principatave të tyre. Këto principata ishin shumë të kifizuara e shpesh të okupuara nga Turqit ose nga Venediku. Secila principatë i jepte Skëndërbeut përkrahjen me ushtarë,por shpenzimet e luftës i përballote Skenderbeu, shpesh herë i ndihmuar nga Mbreti Alfons,papët e Romës, nga Raguza dhe nga të ardhurat e kripës.Më vonë pati përkrahje dhe nga Venediku.Forma administrative në Shqipëri në këtë kohë ishte ajo që zotëronte në Europë,duke mos harruar se deri tek qyteti i Krujës ishte qytet i lirë,prandaj forma administrative u mbështet në ligjet e vendit.
Sipas mendimit tuaj,ç’farë drejtimi do të kishte marrë fati i Shqipërise sikur Skëndërbeu të kishte jetuar më gjatë?
Gegaj : Po të kishte jetuar më gjatë Skëndërbeu ,sadoqë ishte i shtytur në moshë, fatet e Shqipërise do të ndryshonin. Ai me 1463 bëri një marrëveshje me Republikën e Venedikut, i suguroi Shqipërisë përkrahjen e saj dhe ai vetë qe emëruar komandant suprem i ushtrive Shqiptare – Veneciane. Për më tepër Skëndërbeu do të kishte kohë të udhëzojë djalin e tij Gjonin,kështu që rezistenca shqiptare e përkrahur nga tjera fuqi europiane,do të mund t’i siguronte Shqipërise lirinë dhe indipendencën, këtë gjë e meritonte dhe ca fuqi të kohës kishin filluar ta kuptojnë rëndësinë strategjike të Shqipërisë.
Dhe qysh prej kohës që është botuar vepra juaj dhe ajo e Fan Nolit mbi Skëndërbeun , a kanë dalë në shesh dokumenta të tjera që nuk diheshin më parë rreth jetës dhe luftërave të Skëndërbeut?
Gegaj : Studimet përmbi jetën dhe veprat e Skëndërbeut nga koha e botimit të veprës time e pastaj kanë vazhduar. Më së pari është vazhdimi i botimit të Acta Albania dhe Acta Albanie Veneta, këto të fundit përgatitur nga Qendra e Studimeve Shqiptare të Italisë.Dhe At Valentini është duke botuar “Studi Veneti” te”Fondazionit Cini”,që kanë të bëjnë me historinë shqiptare gjatë shekujëve XIV-XV. 500-vjetori i vdekjes së Skenderebut nga shume pikëpamje shpresoj të jetë decisive përsa i përket epokës së Fatosit tonë Kombëtar./FUND/
Shënojmë se 500-vjetori i vdekjes së Skëndërbeut u kujtua me nderime të mëdha në Kosovë dhe në të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi. Në këtë pervjetor historik në Prishtinë u organizua një simpozium ndërkombëtar për jetën dhe veprën e heroit tonë kombëtar, ku u shquan historianët nga Shqipëria ne krye me Profesor Aleks Buda.Ky akademik i përmendur në kumtesën e tij për Skëndërbeun citoi vazhdimisht Barletin, Nolin dhe Gegaj. Kjo ishte ngjarja më e madhe kulturore që kishte përjetuar Kosova deri atëherë. Profesorët nga Shqipëria sollën ne Prishtinë filmin “Skenderbeu” dhe disa relike te tij.Një natë para se të fillonte simpoziumi në teatrin e Prishtinës u dha një shfaqje teatrale per Skëndërbeun. Rolin e heroit tonë kombëtar e luajti për mrekulli Hasan Salaj. Në oborrin e fakultetit bashkë me disa studentë tjerë biseduam me profesorët nga Shqipëria. Ishin shumë të përzëmërt, sidomos Aleks Buda. Vlen për t’u shënuar se itervista e Dr. Athanas Gegaj dhënë Zërit të Amerikës u dëgjua me shumë vemendje sidomos nga familjaret e tij në Malësi të Madhe në Mal të Zi. Trieshi që është edhe vendlindja e Dr.Athanas Gegaj e nderoi heroin tonë kombëtar në mënyrë të posaçme me rastin e 500-vjetorit të vdekjes,duke i dhënë shkollës tetevjeçare emerin Gjergj Kastriot-Skenderbeu që e mban me guxim e respekt për gati një gjysme shekulli,pavarësisht kërcënimeve të mundshme. Kështu veproi edhe Ostrosi i Krajës në Mal të Zi ,mbasi edhe ata para një gjysmë shekulli e pagezuan shkollen e tyre Gjergj Kastriot-Skenderebu. 500-vjetori i vdekjes së Kastriotit solli një ringjallje të vërtetë kombetare në trojet e tyre pushtuara nga sllavët e Ballkanit.(Përgatiti : Gjekë Gjonlekaj)
* Athanas Gegaj ishte Editor i gazetes DIELLI nga viti 1963 deri ne tetor 1971/

Filed Under: Interviste Tagged With: DR. ATHANAS GEGAJ, E MIRENJOHUR, Interviste, ME HISTORIANIN

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT