-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË ZVICËR
Dr. Vaxhid Sejdiu mësues dhe veprimtar shumëvjeçar i L.A.P.Sh.-së në Zvicër dhe koordinator i Shkollave Shqipe në Zvicër, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Dr. Vaxhid Sejdiu është mësuesi që e ngriti lart flamurin e shkollës shqipe në Zvicër. Gjithmonë dëshmoi se me punë dhe angazhim klasat e shkollave shqipe janë plot me nxënës, sepse gjuha shqipe është ajo, e cila ruan identitetin kombëtar. Ai dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në organizimin e aktiviteteve me bashkatdhetarë. Për nga numri i klasave edhe nxënësve me të cilat punoi dhe punon më se dy dekada, mund të merret si model i mësuesisë në mërgatën shqiptare. Me Dr. Vaxhid Sejdiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
ORGANIZIMI I MËSIMIT NË “SHKOLLAT SHQIPE” NË ZVICËR
Gjatë vitit shkollor 2019/20 nga pamundësia për t`i hap shkollat shqipe në kuadër të LAPSh-së (sepse Kryesia e tanishme nuk na lejonte t`i hapim këto shkolla) vendosëm t`i hapim si shkolla shqipe të pavarura. Nga angazhimi dhe puna e përditshme me veprimtarët, mësuesit dhe prindërit arritëm të hapim nga gusht 2019- deri në fillim të pandemisë mars 2020, tridhjetë e tri (33) shkolla. Edhe sivjet kemi filluar me të njëjtin intensitet, kemi hapur dhjetëra shkolla dhe vazhdojmë t`i hapim njëra pas tjetrës, edhe shkollat tjera, të cilat, sot përbëjnë rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër. Në këtë rrugëtim vlen të përmendet se kemi një ndihmesë të madhe nga Ambasadat e dy shteteve tona Shqipëri dhe Kosovë, por veçanërisht një ndihmesë të vazhdueshme nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë.
QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE KURRIKULA MËSIMORE
Tani, shkollat shqipe në Zvicër kanë filluar të hapen që nga viti 1990 dhe deri në ditët e sotme. Ato, funksionojnë diku më mirë dhe diku kanë pushuar së ekzistuari. Aty, ku ka veprimtarë, prindër dhe mësues të cilët punojnë dhe veprojnë edhe shkolla shqipe funksionon më mirë dhe në mënyrë më të rregullt. Shkollat shqipe funksionojnë më mirë në kantonin e Cyrihut, të St. Gallenit, të Argaut, por në shumë kantone nuk kemi asnjë klasë. Kemi punuar dhe punojmë me tekste shkollore, të cilat na kanë ardhur në ndihmë nga Ministria e Arsimit të R. së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit të R. së Shqipërisë. Kohëve të fundit na kanë ardhur tekste shkollore dhe veçanërisht tekste plotësuese nga QBD-ë , nga Tirana, të cilat tekste janë më të përshtatshme, nga ato që kemi marrë deri më tani. Punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë. Siç thashë tani, aty ku punohet ka edhe klasa të reja, ka edhe nxënës të rijë, angazhohen edhe më shumë mësues dhe në këtë mënyrë sensibilizohen më shumë prindërit shqiptarë për rëndësinë e gjuhës amtare dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Aty ku veprimtarët apo mësuesit kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme nuk kemi asnjë klasë.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR
Jo, njëherë, por mijëra herë e kam thënë dhe e them se gjuha është elementi i parë që dëshmon identitetin kombëtar. Nuk mjafton të thuash “jam shqiptar” dhe të fillosh të flasësh në një gjuhë tjetër. Pastaj edhe pse larg atdheut të mos e ruash gjuhën amtare – gjuhën e nënës nuk është në rregull. Emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë: Kastrioti, Gëzimi, Dardani, Teuta, Agroni, Ilirida, Shqiprina, Shqipe, Besa, Fitore, Albulena, Valmira, Saranda,
ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ZVICËR
Shqiptarët janë të vlerësuar si komunitet në shoqërinë zvicerane. Por, ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, ne duhet të vazhdojmë dhe më tutje sepse në shoqërinë zvicerane mundësit janë shumë të mëdha veçanërisht për të rinjtë. Ne, si mësues vazhdimisht i informojmë nxënësit e shkollave shqipe, posaçërisht ata të ciklit të lartë, që të kenë kujdes, të vazhdojnë shkollimin e tyre, t`i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë sepse e ardhmja është në përpjekjet e tyre. Shkollimi është ai, i cili iu jep një vend më të lartë në shoqëri.
SI PRITET NË ZVICËR MËSIMI I GJUHËS SHQIPE, SI REAGON SHOQËRIA ATJE
Varësisht nga aktiviteti ynë. Në momentin që bashkëbisedojmë me prindërit, ua sqarojmë organizimin e shkollës shqipe, mundësitë dhe përparësitë që ofron mësimi në gjuhën amtare suksesi nuk mungon. Por thjeshtë nevojitet më shumë punë, më shumë angazhim me prindërit, veçanërisht me prindërit e gjeneratës së dytë apo të gjeneratës së tretë. Në anën tjetër institucionet zvicerane na ndihmojnë shumë veçanërisht në shfrytëzimin e klasave. Pra mësimi zhvillohet pasditeve nëpër klasat e mësimit të rregullt të shkollave zvicerane.
MESAZHI PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Mërgata shqiptare është njëjtë. Qoftë në ShBA, në Zvicër, në Gjermani… Shqiptarët janë pothuajse ata, të cilët kanë qenë dhe janë në vendlindje. Ata e duan shumë atdheun pavarësisht se nga vinë dhe ku janë vendosur, ata kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë shumë për atdheun. Tani është koha që të investojnë më shumë për fëmijët e tyre. Prandaj unë kam këtë mesazh për të gjithë mërgimtarët, që para se të jetë mesazh patriotik është mesazh njerëzor. Gjuha është shenjë e identitetit kombëtar. Pa njohjen e gjuhës amtare nipat dhe mbesat, që po lindin dhe po rritën larg atdheut nuk munden të merren vesh në gjuhën e nënës me Atdheun. A ka më keq si një shqiptar të mos mundet me u marrë vesh në gjuhën amtare me gjyshin, me gjyshen apo me farë e fisin. Dikur gjuhën shqipe e ruanim para syve të armikut, tani nuk kemi kurrfarë arsye për ta humbur. Kjo plagë, e cila po përhapet me shpejtësi nga dita – ditës është shumë e rëndë. Ata të cilët humbin gjuhën amtare, e pranuam sot apo e pranojmë nesër do ta harrojnë edhe atdheun. Dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sepse ne që jetojmë në shtetet demokratike si në ShBA apo në Zvicër i kemi të gjitha mundësitë për ta ruajtur dhe mësuar gjuhën e nënës- gjuhën shqipe.
VAXHID SEJDIU DHE KONTRIBUTI I TIJ PATRIOTIK PËR HAPJEN E SHKOLLAVE SHQIPE NË ZVICËR
Nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim. Që nga ditët e para të formimit të shkollave të para shqipe jam munduar të jap ndihmesën time. Por, më konkretisht, më 1999 u zgjodha kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Që nga viti 2003 dhe deri me sot jam kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Kam punuar më se dy dekada në shkollat shqipe të Buchs-it, Sevelen-it, Unterterzen-it, Mels-it, Flumsit, Ëalenstadt-it, në pikat shkollore të kantonit të Glarusit: në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe Glarus, dhe në pikat shkollore të Birr-it, Neuenhof-it dhe të Spreitenbach-ut të kantonit të Argaut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 kam punuar dhe punoj në pikat shkollore në Flums, Neuenhof, Spreitenbach, si dhe në Uster,në Regensdorf, në Volketsëil dhe në Rüti, të Kantonit të Cyrihut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 dhe po me këtë intensitet edhe në këtë vit shkollor 2020/21, së bashku me mësuesit dhe veprimtarët e Shkollës Shqipe arritëm të hapim dhjetëra shkolla me mësim në gjuhën shqipe, në kantonin e Cyrihut, Luzernit, Schaffhausen-it etj., duke themeluar një rrjet të suksesshëm të shkollave shqipe në Zvicër.