Intervistoi Drita Ramadani /
Beqir Sina ndër gazetarët dhe veprimtarët e shquar të komunitetit në SHBA , ka bërë që me pubiliket e tij të informojë pothuajse të gjithë publikun tone për aktivitetet e diasporës shqiptarë në Amerikë -I nderuar z. Sina, ju jeni ndër gazetarët më të njohur dhe më të dashur të komunitetit shqiptar në Amerikë. Çfarë do të thotë ky fakt per ju?
Gazetaria, është një profesion i lajmit, pra merret me gjetjen dhe shpërndarjen e informacionit për një audiencë të caktuar, dhe në fakt është audienca ajo që të beson ose jo të bësh punën e gazetarit. Mënyra se si e bën ti lajmin dhe se si komunikon, të bën më pak ose më shumë të pranueshëm për njerëzit. Besoj se kam ditur të gjej mënyrën time për të komunikuar me audiencën, që në këtë rast është kryesisht komuniteti shqiptar i Amerikës, pra t’u gjendem atyre në vendin dhe në kohën e duhur me lajmin, duke ia bërë të njohura arritjet e tyre edhe publikut në Shqipëri, Kosovë, dhe kudo në viset shqiptare.
Natyrisht, lajmi, informacioni, komenti ose analiza jo gjithmonë i kënaq të gjithë, por, për mua mjafton të jem korrekt dhe profesional në raportimin e lajmit, në pasqyrimin e ngjarjeve. Për këtë më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre dy dekadave edhe vetë komuniteti shqiptar në SHBA, i cili është rritur mjaft në numër. Më ka ndihmuar edhe teknologjia e re dixhitale, sepse tani e kam të lehtë t’i publikoj lajmet e mia në internet, facebook dhe tweeter. Kjo më ka ndihmuar të bëj më shumë miq, dhe të jem më i afërt me të gjithë komunitetin shqiptarë në Amerikë.
Një arsye për lexueshmërinë e madhe të lajmeve që unë publikoj mund të jetë edhe fakti se unë bazohem në informata të verifikueshme, të mbledhura nga burime të pavarura dhe të besueshme të mediave amerikane, të cilat u përmbahen standardeve më të larta të gazetarisë në botë. Kjo më shërben të qëndroj afër komunitetit shqiptar në Amerikë dhe të lexohem prej tij, por edhe tek lexuesit e mi jo të paktë në Shqipëri, Kosovë, e viset shqiptare, duke i “furnizuar” ata çdo ditë me lajme dhe informacione nga komuniteti ynë.
Këtu do të theksoja se disa qeveri të majta e të djathta, demokratike apo socialiste, në Shqipëri, e Kosovë, kanë ndrruar vend gjatë këtyre 24 vjetëve që unë punoj si gazetar. Edhe në SHBA në krye të pushtetit kan ardhur republikanë e demokratë. E megjithatë, unë jam ai që aty ku e fillova gazetarinë, aty jam edhe sot – me bindjet dhe qëndrimet e mia. E vetmja gjë që ka ndryshuar tek unë, është rritja e nivelit si gazetar, e thënë më shqip “duke punuar dhe mësuar”.
Ju pyetët se çfarë do të thotë ky fakt per mua. Për mua është nder, por kjo më bën më të përgjegjshëm dhe më kërkues ndaj vetes dhe lajmit, në kuptimin që të mos lejoj kurrë të më përdorë dikush nga media – gazetë ose radio televizion, të mos e përdorë lajmin ose informacionin tim për interesa partiake, politike apo personale. Unë nuk ndryshoj sipas interesave partiake, apo politikëbërse të kohës, as kundrejt parasë. Kurrë nuk joshem që sipas këtyre interesave të ndryshoj lajmin ose informacionin tim, ose që mediat ta shtrëmbërojnë atë. Sepse është shumë e veshtirë të bësh emër në gazetari apo gjetkë, por është edhe më vështirë ta mbash atë emër.
-Me shkrimet që bëni për komunitetin shqiptar ia keni arritur të informoni anekënd botës shqiptarët. Sa është e vështirë kjo për ju?
Nuk është e lehtë. Ashtu siç mund të thuhet për gazetarët e tjerë. Sepse roli i gazetarit, së bashku me atë të medias jo vetëm në komunitetin shqiptar, këtu në SHBA, por edhe në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, sot, fatkeqësisht, përballet me vështirësi, duke filluar nga ajo që është primarja, për çdo njerin nga ne – paga, jetesa. Pra, ajo që është stimuluese në punën tonë të përditëshme. Gazetarë si unë dhe shumë gazetarë të tjerë, në Shqipëri, Kosovë, viset shqiptare dhe diasporë, megjithëse u duhet të punojnë shumë, paguhen keq, ose fare pak, madje në të shumtën e rasteve nuk paguhen fare. Por, edhe sikur të mos ishte kjo që përmenda, unë dhe të tjerë gazetarë shqiptarë apo media kemi shumë vështërsi të tjera, edhe të anës politike dhe pronësisë së mjeteve të informimit, konkurrenca jo të ndershme dhe vështirërsi të natyrave të tjera. Teknologjia e sotme, ka bërë të vetën. Gjatë dy dekadave të fundit media ka pësuar ndryshime të thella me ardhjen e teknologjisë dixhitale dhe publikimin e lajmeve në internet, facebook dhe tweeter. Drejtori ekzekutiv i kompanisë teknologjike Google, Eric Schmidt në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, deklaroi se interneti së shpejti do të hyjë në çdo pore të jetës njerëzore – do të bëhet i rëndësishëm si uji apo oksigjeni”. Kjo ka sjellë një ndryshim të madh në konsumin e lajmeve dhe informacioneve në kanale televizive, radio dhe media të shtypura. Njerëzit gjithnjë e më shumë po e gjejnë dhe po e konsumojnë lajmin, në internet, facebook, tweeter, smartphone, IPod, tablet, dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat janë sfiduese si për mua dhe të tjerët, gazetarë shqiptarë dhe të huaj – pra për të gjetur lajmin dhe për ta përgatitur në kohë. Duhet t’a njohësh mirë çdo lloj teknologji të re që del dhe si gazetar i përkushtuar duhet “të çohesh nga gjumi me lajmin dhe të biesh në gjumë me lajmin”. Lajmi – mbas dy a tre ditëve, jo vetëm që nuk ka më vlerë, por audiencës i duket i “përvjedhur” ose “demode”-
-Jeta e një gazetari shqiptar në New York, si është kjo për ju, çfarë ju ka mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve që të merreni me një profesion të tillë me kaq përkushtim?
Në radhë të parë i faleminderit nga zemra familjes sime të mrekullueshme: gruas, Altinës, djalit Avenir dhe vajzës Neda, të cilët, edhe kanë sakrifikuar, që të më ndihmojnë për të vazhduar me përkushtim pasionin tim të zjarrtë të gazetarit. Por një falenderim shkon me këtë rast edhe ndaj miqve, dashamirëve dhe shokëve, dhe gjithë komunitetit, të cilët, shepesh herë më kanë sponsorizuar ose ndihmuar në punën time. Megjithëse, me këtë rast më duhet të pranoj se ndonëse me shumë vështirësi, unë me gazetari “jetoj”, e kam punën time, prej se kam ardhur në Amerikë, pra në këtë 25 vjetor nga kontakti i parë me median e lirë – në botën e lirë. Mbasi, këtu ka një komunitetet mjaft të integruar dhe që e vlerëson dhe e respekton jashtëzakonisht median dhe masmedian – Në shikimin tim në rradhë të parë është lajmi – natyrisht, por, është edhe komuniteti ai që në të shumtën e rasteve e ka lajmin, dhe që më bën mua të jemi i pasionuar dhe i përkushtuar ndaj çdo aktiviteti dhe veprimtarie në komunitet. Në përkushtimin tim, gjithashtu ka ndikuar shumë edhe tradita e gazetarisë shqiptare në komunitet. E cila, daton qysh nga themelimi i Shoqërisë së parë shqiptare në mërgim, respektivisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, VATRA, e cila është themeluar në vitin 1912, kolosët e saj që ishin politikanë, gazetarë e shkrimtarë, dhe gazeta më e vjetër shqiptare (106 vjet) Dielli.
-A mund të na tregoni, si ishin fillimet tuaja në Amerikë?
Këtu me duhet të kujtojë se nga Shqipëria kam dalë më 20 Dhjetor 1990. Dhe, ikja ime me familjen time (nënën, gruan dhe dy fëmijët), ishte një dramë e vërtetë, e cila i përket së kaluarës komuniste. E thënë më shqip ishte pjesë e vujatjeve dhe presekutimit të pafund të popullit shqiptar, si nën sundimin komunist në Shqipëri, për më shumë se 45 vjet, por, edhe atë të shumë shqiptarëve në Kosovë, dhe, trojet etnike, nën sundimin e egër sllavo-komunist. Kur u arratis im atë me dy vëllëzërit e tij, nëna ime e re në atë kohë ishte shtatëzanë shtatë muajshe me mua. Siç më tregonte nëna për kushtet e asaj kohe, ishte një mision i pa mundur, “që ajo me dy fëmijë dhe një në bark që isha unë, së bashku me vjehrrën e saj, që ishte aso kohe maft e thyer në moshë”, të arratisej.
Kjo, natyrisht ju rrezikonte të gjithëve në atë kohë?
Po! Kështu të privuar nga çdo e drejtë do të duhej të vinin ato vite kur ndodhën ato që ndodhën dhe komunizmi ra, Shqipëria, më në fund dhe e fundit si gjithmonë u hap në mënyrë që edhe unë të vija në SHBA – dhe të takohem për herë të parë mbas 33 vjetëve me babanë. Im atë, krahas punës së përditëshme, për 20 vjet, punoi si drejtor i Radios Zëri i Atdheut, së bashku me patriotin Hysen Mulosmani, i cili ishte editor dhe kryeredaktor, duke udhëhëqur kështu njërën prej radio programeve më të dëgjuar dhe më të njohur në SHBA në gjuhën shqip. Zëri i Atdheut ishte zëri i vërtetë i Mbretërisë shqiptare në Diasporë, dhe nga të vetmet dritare të lirisë e demokracisë, së bashku me Zërin e Amerikës, e cila ishte pjesë e Departamentit të Shtetit dhe promovonte kudo në botë pikpamjet dhe vlerat e lirisë së popujve të shtypur nga komunizimi. Babai im me të ardhur në Amerikë, më “aktivizoi” në radio programin e tij, duke me dhënë rolin e editorialistit. Editoriali i parë më kujtohet si sot, ishte: “Çfarë kërkojnë shqiptarët që po ikin masavisht?” shkurt 1992.
Pra, këtu nisin fillimet e para në Amerikë, lidhja ime me median dhe masmedian. Ato nisnin nga viti 1992 deri në vitin 1994 me radion “Zëri i Atdheut”. Nga 1998 deri në vitin 2003 kam qenë korrespondent i rregullt i Radio Kontaktit në Tiranë. Ndërsa, që prej vitit 1998 punoj pa ndërprerje, edhe si korrespondent me gazetën kombëtare Bota Sot,në 2003 nisa të punojë edhe me agjensinë e lajmeve Illyria News Agency INA dhe të bashkëpunoj me gazetën shqiptaro-amerikane Illyria dhe gazetën Dielli, gazetën 55, dhe kam një emision në televizionin Albanian Culture të Adem Belliut. Bashkëpunoj githashtu me Televizionin e Gani Vilës (Televizionin Shqiptar të Michiganit) dhe televizionin AANTV këtu në Amerikë – Skënder Pali. Gjithashtu, jam anëtar i shoqatës së gazetarëve amerikanë (freelance) dhe jam i akredituar si gazetar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
-Përpos që jeni gazetar, ju jeni edhe veprimtar i komunitetit shqiptar, si ia arrini te krijoni balancën e duhur në mes të këtyre dy gjërave?
Për këtë natyrisht që më ndihmon shumë ajo se këtu në Amerikë kemi një komunitet mjaft të madh shqiptarësh (mendohet se janë gjysmë milioni); këtu më duhet të sqaroj se nuk janë shifra zyrtare, por, janë të bazuara simbas të dhënave të marra prej shoqatave dhe organizatave nga Xhamia e Kisha shqiptare në SHBA, pra, kemi një “Shqipëri të vogël në Amerikë”, siç e kam quajtur unë shpesh herë në shkrimet e mia.
-Gjatë veprimtarisë suaj, cila ka qenë koha më e vështirë kur ju është dashur të shkruani?
Kësaj, unë do t’i shtoja edhe këtë pyetje : cila ka qënë momenti më i bukur ose aktiviteti dhe veprimtaria më e bukur që ke mbuluar? Mbasi, iu jam “borxhlli” dhe nuk mundem të lë pa permendur këtu rolin dhe kontributin historik, të shqiptarëve të Amerikës. Sidomos, në demokratizimin e Shqipërisë, pra hapjen e saj dhe rrëzimin e komunizimit. Dhjetra e ndoshta qindra demostrata, të zhvilluara në Nju Jork, Uashington, Cikago, Detroit, Dajton, Ohio. Sa e sa demonstrata, peticione, takime, deri me presidentët e SHBA, senatorë e kongresmenë, Sekretar Shteti dhe ambasador të OKB-së, për të drejtat e shqiptarëve, nën sundimin sllavo serb. Luftën për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Krijimin e Batalionit “Atlantiku”, në New York, e cila përfshinte luftëtarët e lirisë, që luftuan në kuadër të UÇK-së për çlirimin e Kosovës, tre dëshmorët e lirisë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi. Mbulimin e sa e sa aktiviteteve të qindra shqiptaro-amerikanëve në mbarë Amerikën, të cilët dhanë një kontribut historik, për çlirimin e Kosovës duke iu bashkëngjitë luftës heroike së UÇK-së dhe NATO-s, kundër regjimit pushtues serb – për të ndaluar që populli shqiptar të vazhdonte të ishte viktimë e genocidit të Milosheviqit. Do të permend Ish kongresitin Xhozef DioGuardi, presidentin e LQSHA dhe bashkëshorten e tij Shirly Cloyes DioGuardi, dhe shumë të tjerë. Do të duhej një listë e gjatë, dhe një libër i veçantë, për secilin prej tyre.
Mirëpo, vijmë tek përgjigjja e pyetes suaj të parë, dua të them se ka qënë periudha e ngjarjeve tragjike në Shqipëri – revolucioni bolshevik – sllavo – komunist, me ngjarjet tragjike të 97′, të cilat sollën shkatërrimin e vendit dhe rënien e shtetit në Shqipëri, efekti dhe pasojat e saj në Diasporë. Të cilat, duheshin të përcilleshin me korrektësi dhe profesionalizëm në mënyrën se si po i përcillnin dhe po i përjetonin shqiptarët e Amerikës ato ngjarje. Cili ishte reagimi rreth këtyre ngjarjeve nga komuniteti shqiptar në SHBA, dhe si i shihte Uashingtoni këto ngjarje? Kjo ishte shumë e vështirë, dhe moment delikat – mbasi në atë kohë këtu vepronte ende një ndarje e madhe në diasporë mes të djathtës dhe të majtës, e cila kishte ardhur në pushtet në Shqipëri me anë të këtij revolucioni, ndërsa, këtu në SHBA – me anë të diplomatëve në Misionin Shqiptar në OKB kërkonte, ta mbronte dhe ta mbante pushtetin me forcë.
-Profesioni i gazetarit do përkushtim dhe angazhim maksimal. Gjithashtu, duke u bazuar në kodet etike të gazetarisë duhet të paraqisësh lajmin në kohe dhe me saktësi pa anuar asnjëherë. Si e keni bërë ju një gjë të tille për gjatë viteve?
Përgjigjen e kësaj pyetje besojë se e ezaurova më lart – por nuk mundem ta kaloj pa e theksuar edhe një herë rolin dhe kontributin e madh dhe të pazvëndësueshëm të këtij komuniteti, por, dhe vazhdimisht në punën time, duke mësuar dhe përfituar nga media dhe masmedia amerikane, kam ngritur edhe karjerën time”. Gjithmonë, do të thoja me këtë rast duke qenë kërkues, i palodhur dhe i kudo gjendur. Kam pasur lidhje të mira dhe kam komunikuar, me kolegë dhe miq të mi, gjatë këtyre viteve, si në Europë, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, dhe Diasporë, me gazetarët dhe njerëz të media dhe masmedias, nga më të mirat shqiptare, nga ata gazetarë që unë do t’i quaja yjet e gazetarisë shqiptare. Dhe, sot kur i kujtoj, që nga fllimet e para në këtë 25 vjetor – them se e kam për nder, që kam qënë afër tyre, i nderuar dhe i respektuar, prej tyre, dhe që kam mësuar shumë prej këshillave të tyre, editimit dhe redaktimit, kurajos dhe besimit. Ndaj, gjej rastin sot t’u shpreh secilit prej tyre edhe një herë mirënjohjen, time për gjithçka – se nuk ka qenë aspak e lehtë si për ata por edhe për mua.
-Në Amerikë ka gazetarë të shumtë, por sa i përmbahen ata parimeve të gazetarisë?
Shumë pak! Dhe, është me të vërtet për të ardhur keq – se ka shumë mediokritet dhe një pjesë e tyre janë profanë. Megjithëse, duhet të sqaroj diçka këtu në këtë përgjigje, sepse, në Amerikë, flas kështu se i njoh pothuajse të gjithë gazetarët shqiptarë, (me disa komunikoj, disa të tjerëve ua lexoj shkrimet apo i shoh në median vizive) dhe e ndejk pothuajse punën e të gjithëve, në fushën e gazetarisë. Dëshirojë të them se ka gazetarë shumë profesionistë, mjaft të kompletuar në të gjitha drejtimet.
Ka nga ata që për mendimin tim – janë me të vërtetë gazetar, jo thjesht se merren me gazetari aktive dhe profesionale, me media prestiogjoze në gjuhën shqipe këtu në komunitet, si Radio France International, Rojters, AP, apo dhe media të tilla si, VOA, Illyria, Bota sot, Dielli. Mendoj se në këta emra hyjnë: Ruben Avxhiu, Kryeredaktori i IIlyrias, Dalip Greca editor i Diellit, Frank Shkreli, Gjek Gjonlekaj, Ilir Ikonomi dhe Astrit Lulushi i VOA, etj…
Por, edhe nga ata që janë edhe sot, edhe në median më prestigjoze, shqiptare si “Klara Buda, ish kryeredaktore e Radio France Internacional, e cila ka themeluar së fundi në New York, TV show “Shqipëri/Kosovë të Dua” që përmes figurave të spikatura analizon modernitetin e të qenit shqiptar në SHBA. Ndërsa, gazeta e saj shumëgjuhëshe botimi online klarabudapost është një nismë novatore që promovon globalisht gazetarinë etike në shërbim të publikut. Nga media prestigjoze amerikane si shembull po marr Lidia Ujka në Fox News. Por, fatkeqësisht, ka edhe nga ata që i thonë vetes “gazetar”, vetëm duke përfituar nga interneti dhe bota e kompjuterit, të cilët, janë pa etikë dhe niveli i tyre profesional është shumë i varfër, aq sa ata nuk arrijnë ta kuptojnë, se nuk i përmbahen aspak parimeve të gazetarisë .
Ata dinë vetëm të vet-mburren dhe vet-lavderohen, shpërndajnë lajmet ose shkrimet e tyre në internet, edhe tek ata që nuk ua lexojnë. Gazetari nuk është shpërndarës lajmesh apo informacionesh, të mburret e vet-lavdërohet, ose të lavderojnë e mburrin njëri tjetrin.
-Cila do te ishte porosia juaj për gazetarët e rinj që sot veprojnë në komunitet?
Shumë faleminderit për këtë pyetje. Meqenëse, e fillova intervistën me gazetarinë shqiptare, po përpiqem të jap edhe porosinë time si gazetar. Ne gazetarët duhet të shikojmë jo vetëm nëse na paguajnë, sa na paguajnë dhe kush na paguan. Por, duhet të shikojmë realitetin dhe ngjarjen ashtu siç është, pavarësisht se dikujt i pëlqen apo jo, se dikush preket, apo nuk preket. Mendoj se këtu nuk ka asnjë pengesë të pakalueshme. Gazetari nuk duhet të varet nga interesi i partisë në pushtet dhe ky është parimi i parë. Përndryshe ai do të bëhet rob i autocensurës. Ai duhet të ndjekë parimin e lirisë së fjalës dhe të shprehjes, që janë thelbësore për gazetarinë në mbarë botën. Nuk ka gazetari dhe gazetar të lirë në demokraci nëse lajmin e bën nga njëra anë, duke shikuar nga qeveria dhe nga ana tjetër duke parë nga “paraja”. Liria, është kuptimi i demokracisë, dhe kjo është demokracia: Amendamenti i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon me ligj censurën, mbron me ligj lirinë e fjalës, të shtypit, të fesë e të tjera dhe është parimi nga mund të mësohet në rast se dëshiron të jesh gazetar i mirë.