Nga Petrit DERRAJ, professor i gjuhës dhe letërsisë shqipe*/Lepenica është një fshat i Labërisë, që shtrihet rrëzë malit hije rëndë të Quramëngës, në anën e majtë të lumit të Vlorës, ku shtëpitë e reja të ndërtuara me kujdes e shije prej banorëve vendas ngjajnë nga larg si një qëndisëm e blertë. Ky vendbanim i lashtë, i vendosur rrëzë malit, nga larg të duket si një fole shqiponjash.Përpara fshatit, shtrihen fushat e gjera, që përshkohen mes për mes nga lumi i Vlorës, që duket si një fjango e kaltër e cila rrjedh vrullshëm e me rrëmbim në dimër dhe që i lodhur bie në qetësi në pranverë e verë, përmes kodrave të buta.
Në këtë fshat të vogël por me tradita të mëdha patriotike ka lindur në vitin 1872, Ahmet Canaj, ai që në histori do të hynte me emrin Ahmet Lepenica, patriot dhe luftëtar deri në frymën e fundit për liri e Pavarësi Kombëtare.Mësimet e para i mori në plotoren e Vlorës dhe më pas ushtar i Perandorisë Osmane, ku kreu në Stamboll edhe një kurs dy vjeçar me rezultate të shkëlqyera dhe u gradua oficer. Në luftë në tokat e gjera të Perandorisë, për vleftë trimërie u gradua jasht radhe dhe arriti shumë shpejt gradën kapiten i parë.Atje, në tokat e Perandorisë, u lidh me Ismail Qemalin dhe rrethet patriotike dhe filloi të mendojë për lirinë e atdheut të tij.Sapo u shpall Pavarësia Kombëtare u arratis prej trupave turke dhe shërbeu në shtetin shqiptar deri sa dorëzoi shpirtin e tij të bardhë më 1941.
* * *
Këto të vërteta të vështira, jetën dhe veprën heroike të Ahmet Lepenicës, ka marrë përsipër të na i tregoi, bazuar mbi dokumenta e burime arkivore të shumta, Enver Memishaj – Lepenica me veprën voluminoze “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës 1920”, botuar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.Historiani, publicisti dhe studiuesi Enver Memishaj – Lepenica, me këtë libër kushtuar këtij patrioti të shquar të historisë sonë, ka hedhur dritë mbi këtë figurë të madhe të Labërisë, e lënë në harresë jo pa qëllim nga regjimi që lamë pas.Autori përshkruan me një gjuhë tërheqëse, veprimtarinë e kapiten Ahmet Lepenicës në qeverinë e Ismail Qemalit, si patriot e ushtarak i talentur punoi pa u lodhur për ngritjen e ushtrisë dhe xhandarmëtrisë dhe për mbrojtjen e shtetit të ri, i kërcënuar nga jashtë dhe prej çakejve të brendshëm.
Në vitin 1914, kur bandat greke, dogjën e shkretuan Jugun e Shqipërisë, vlonjatët u hapën vëllezërve të tyre të shpërngulur andej, dyert e shtëpisë dhe të zemrave. Gratë me plaçka ngarkuar, me fëmi në duar e me shpirt ndër dhëmbë ecnin të lemerisuar pa ditur se ku shkonin.
Janë këto skena çnjerzore që ua ndezën edhe më shumë zemrat vlonjatëve, që ua shtuan urrejtjen dhe i ngritën në këmbë për të mbrojtur tokat e tyre dhe vëllezërit e tyre Kurveleshas. Autori librit ka treguar, bazuar në fakte dhe dokumenta të shumta se në krye dhe në udhëheqie të forcave shqiptare për mbrojtjen e tokave të Jugut u vu Ahmet Lepenica që i udhëhoqi ato forca me trimëri aftësi dhe i çliroi krahinat jugore të Shqipërisë. Nën komandën e tij luftuan edhe 400 ushtarët e Isa Boletinit.
Kapiten Ahmet Lepenica iu gjend atdheut të tij edhe në katrahurën e vitit 1914, pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit, kur rebelët e Haxhi Qamilit me flamurin turk përpara e mbytën Shqipërinë në gjak dhe lot. Trimi dhe patrioti Ahmet Lepenica u dolli përpara në Vjosë dhe i theu rebelët anti shqiptar. Kaq e vlerësuar kjo fitore sa qeveria e Turhan Pashë Përmetit e gradoi për vleftë trimërie me urdhër ekstra me gradën major, gradë të cilën e mbajti me nder gjithë jetën e tij.
Deri këtu major Ahmet Lepenica ka luftuar për mbrojtjen e shtetit shqiptar nga lakmitë e fqinjëve dhe tradhëtarët e vendit.
* * *
Autori e ka dhënë veprimtarinë e major Ahmet Lepenicës, sipas kritereve historike, kronologjikisht, tashmë nga viti 1915, atij do t`i duhej të luftonte kundër një pushtuesi të huaj, Italisë që kishte zbarkuar në Vlorë me trupa të shumtë më 24 dhjetor 1914.
Merita e autorit qëndron në faktin se e ka dhënë veprën e majorit të pa shkëputur nga kuadri historik: vrasja e Sali Nivicës më 11 janar 1920, kryeredaktor i gazetës “Populli”, vrasja e Abdyl bej Ypit po në janar 1920, vrasja e Shuko Dalipit etj., vepra frikësimi nga agjentë të qeverisë së Durrësit nën nxitjen e pushtuesit italian, për të penguar Kongresin shpëtimtar të Lushnjës.
Patriot si Ahmet Lepenica nuk u trembën dhe nuk u tërhoqën përpara rrezikut, ai vrapon në Lushnje dhe së bashku me shumë patriot të tjerë e mbrojtën me armë atë kongres që ishte shpresa e vetme e shqiptarëve për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi.
Pra, autori e ka dhënë figurën e Ahmet Lepenicës si dorë e fortë që ishte gati dhe iu gjend atdheut në momentet më të vështira.
Me ngjyra të gjalla dhe mbështetur në dokumenta të shumta, ka dhënë autori lavdinë e major Ahmet Lepenicës: aktiviteti për organizimin dhe udhëheqien e Luftës së Vlorës më 1920.
Në Lepenicë në shtëpinë e tij u mblodh paria e fshatarve të Lumit të Vlorës, atje ata pritën edhe një mik të nderuar të Ahmet Lepenicës, kryeministrin patriot Sulejman Delvinën, që kishte ardhur fshehtas për të bërë thirrje për luftë kundër Italisë, për të shpëtuar Vlorën.
Me një përshkrim të bukur dhe emocionues por real është dhënë nga autori Kuvendi Barçallasë i mbajtur më 29 maj 1920. Kuvend burrash që bëri thirrje për luftë.
Autori na ka dhënë me hollësi organizimin e forcave vullnetare fshatare për luftë me një perandori të madhe siç ishte Italia, që kishte dalë edhe fitimtare nga Lufta e Parë Botërore.
Në libër përshkruhet me hollësi edhe ngritja e organeve të luftës:
Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare” me 12 burra në krye të të cilëve qëndronte Osmën Haxhiu dhe shtabi u luftës në krye të të cilit u emrua major Ahmet Lepenica dhe në malin e Beunit më 4 qershor 1920, ai u emërua edhe Komandat i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare, një detyrë siç shkruhej në urdhërin e emërimit “ e rëndë dhe e shenjtë”
Në këtë faqe të lavdishme të jetës së këtij patrioti të shquar autori librit është ndalur më gjatë pasi këtë detyrë të major Ahmet Lepenicës e quan me të drejtë: lavdia e tij.
Autori na tregon pas këtyre përgatitjeve, zhvillimin e luftës, me dokumenta, me emra fshatrash dhe njerëzish, me emocione të veçanta pasi luftohej për jetë a vdekje.
Autori është ndalur në faktin që ngre lart shqiptarët: trimat vlonjatë, kishin të drejtë të sulmonin pabesisht sepse edhe ashtu edhe ishin pushtuar, por ata nuk i lejonte besa, burrëria dhe veç kësaj ata donin që lufta të merrej vesh e të njihej edhe nga bota e jashtme dhe për këtë ata i dërguan Komandës italiane ultimatum me një trim nga të Labërisë, Mehmet Selim Mallkeqin.
Pasi nga Komanda italiane nuk erdhi ndonjë përgjigje, forcat e dragojve shqiptarë u hodhën në sulm më 5 qershor 1920. Ishin vetëm një grusht trimash, të pa veshur, të pa armatosur mirë, kishte edhe luftëtar me një shkop apo me një kosor, këta trima ishin hedhur në luftë kundër një fuqie të madhe të armatosur deri në dhëmbë.
Këto pamje rrënqethëse autori na i ka dhënë me detaje me një gjuhë të bukur por edhe me vërtetësi sa që lexohen me një fryme, e të bëjnë krenar për emrin shqiptar, se me të vërtetë e kemi fituar lirinë me gjak.
Në këtë luftë vlonjatët, tepelenasit, dhe pas datës 10 qershor 1920, shqiptarët shkruan një faqe të lavdishme, më të lavdishmen pas luftarve të Skënderbeut thotë Ago Agaj.
Autori librit, qëndron pastaj të analizojë, duke iu referuar shumë historianëve dhe studiusve të historisë se Lufta e Vlorës e vitit 1920, vulosi me gjakun e 400 dëshmorëve vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë, të harruar e të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, pasi Shqipëri ishte ndarë ndërmjet fqinjëve më 15 prill 1915.
Pikërisht në rëndësinë e kësaj lufte qëndron edhe pesha dhe rëndësia e veprës së major Ahmet Lepenicës të cilën autori ka ditur ta paraqes me mjeshtëri, trimerinë e tij, aftësinë si strateg e ushtarak, patriotizmin, sakrificën, në çdo fazë të luftës deri sa vijmë ne fitoren e sajë me 2 gusht 1920, e që festimi u bë më 3 shtator 1920.
Edhe pas Luftës së Vlorës major Ahmet Lepenica iu gjend atdheut, atje ku ishte rreziku më i madh: ai luftoi dhe çliroi krahinat e Veriut nga pushtuesi serb nën komandën e kolonel Ahmet Zogut, si Qarkkomandant i Gjirokastrës, si udhëheqës i revolucionit të qershorit të vitit 1924, kur edhe i dha fund kariekës tij ushtarake dhe u tërhoq në vendlindjen e tij ne Lepenicë. Ai vdiq i nderuar më 14 janar të vitit 1941, zemërdjegur sepse vendin e la prapë nën pushtimin e Italisë.
* * *
Autori librit Enver Memishaj, ka meritën sepse për herë të parë na ka përshkruar me detaje zhvillimin e Luftës heroike të vitit 1920, analizon imtësisht rrethanat, ngjarjet, dhe nëpërmjet tyre vë në dukje dhe zbulon aftësitë dhe cilësitë e çmuara dhe talentin e një strategu që shfaqi Komandanti i Përgjithshëm i kësaj luftë major Ahmet Lepenica.
Autori me durim ka gjurmuar e zbuluar gjithë problematikat që iu shfaqën major Ahmet Lepenicës në udhën e vështirë për të mbrojtur lirinë dhe për të bërë shtetin dhe aftësitë e zotsinë e tij për t`i kapërxyer vështirësitë dhe për t`u orjentuar drejt udhës së drejtë dhe të ndershme.
Rëndësia e kësaj vepre qëndron në faktin se autori u ka dhënë lexuesve nje vepër historike, duke afirmuar veten si një studiues serioz që shikon larg e thellë në çdo situatë dhe me të drejtë kjo vepër u vlerësua nga profesorati historisë dhe u promovua nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes.
Autori ka meritën e madhe sepse ka trajtuar një fakt historik determinues në fatin e Shqipërisë, të pa përmëndur qëllimisht nga historianët komunistë, por të nënvleftësuar edhe në ditët tona, se ata që bënë Luftën e Vlorës: Osmën Haxhiu, Duro Shaska, Alem Mehmeti, Ali Beqiri, Ahmet Lepenica etj., e bënë luftën me mallin e gjënë e tyre, me pasurinë e tyre dhe ky fakt duhet thënë se pa atë pasuri ajo luftë nuk bëhej e Shqipëria do të ishte coptuar ndërmjet fqinjëve.
Autori me fakte, prova e dokumenta ka hyrë në polemikë dhe ka hedhur poshte mendimet e disa autorë edhe të njohur si Gjergj Fushta etj., të cilët janë munduar ta zbehin Luftën heroike të Vlorës
Figura e major Ahmet Lepenicës është parë e plotë, nga ana njerzore, ushtarake, atdhetare, folkorike, me këngë të shumta nga folklori dedikuar atij, si një shembull për brezat e ardhëshëm.
Enver Memishaj – Lepenica i cili ka botuar vetëm gjatë viteve të demokracisë sepse më parë nuk i lejohej ( !? ), është shquar për nxjerrjen në dritë të shumë figurave të shquara dhe qëllimisht të mbuluara me harresë, me vlera kombëtare edhe kësaj radhe ai i dha lexuesit një figurë të ndritur të historisë sonë atë major Ahmet Lepenicës.
*Mendime Rreth veprës së Enver Memishaj – Lepenica “Major Ahmet Lepenica … “, Tiranë 2012.Vepër e vlerësuar nga profesorati historisë dhe e promovuar nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Mbrojtjes.