Nga Islam Spahiu/Nuk mund ta shfaqësh madhështinë tënde duke qenë në njërin ekstremitet, por veçse duke i prekur që të dy në të njëjtën kohë./Paskal/
Në datën 22 gusht nje e përditdshme mediatike ka botuar një polemikë mes z. Shaqir Vukaj dhe z. Hamza Kazazit me rastin e 73-vjetorit të Luftës së Reçit. Me këtë rast, i pari mbron tezën e komunistëve shqiptarë, ndërsa i dyti të kundërtën e saj. Do të ishte shumë i dobishëm për historiografinë shqiptare një debat i tillë kur kemi parasysh që rrahja e mendimeve çon në përfundime të drejta, por kur sheh që secila palë shikon vetëm njërën anë të çështjes, atëherë këtu kemi të bëjmë me atë dukuri që me shprehjen popullore quhet “njëri i bie thumbit, tjetri patkoit”. Për të shmangur këtë mosmarrëveshje, jam i mendimit që në këtë debat të marrin pjesë të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë okularë në ngjarjet historike, dhe që kanë argumente dhe fakte që vënë pikën mbi “i”. “Asnjë dëshmitar nuk është më i mirë se sytë e tu” thotë një fjalë e urtë e, nën këtë prizëm, do të përpiqem të jap kontributin tim modest në zbardhjen e së vërtetës. Nuk do desha të ndalem te Lufta e Reçit; atë do t’ua lija zotërinjve të lartpërmendur të polemikës së rastit, veç para se të hymë në temën që kam zgjedhur, nuk po më rrihet pa bërë një vërejtje si lexues i thjeshtë, mbi qëndrimin e ashpër, akuzues të z. Vukaj dhe në atë të z. Hamza Kazazit gati të përulur e shfajësues, si t’ ishte i pandehur para gjyqit. E them këtë sepse, ndërsa z. Vukaj e akuzon të atin e Kazazit si “kolaboracionist”, ky i fundit shkruan tekstualisht: “Jupi i ka pas thënë të shoqes dhe të afërmve se, i vetmi gabim në jetë ishte se pranoi post në periudhën e fashizmit dhe se, sa të qetësohej situata, me mbarim të luftës, do të kërkonte vetë të dilte në gjyq e pikërisht pse komunistët flisnin”. – Me këtë deklaratë, z. Vukaj del fitues i një beteje, por unë do të thosha, jo i gjithë luftës; kjo pse ne do të vazhdojmë t’i shohim dy anët e medaljes dhe duke i shkuar çështjes gjer në fund, pa u trembur nga e vërteta, pse, siç ka thënë Shekspiri “Duhet thënë shpesh e vërteta sepse shpesh përsëritet dhe gënjeshtra”. – Po marrim çështjet më kryesore:
1.LANÇ: LUFTË ÇLIRIMTARE APO CIVILE?
Para së gjithash, duhet t’i kujtojmë z. Vukaj se ai harron që në fillim se ç’bazë ka pasur e ashtuquajtura “Luftë Nacional-Çlirimtare”. Besoj se ai e di mirë që komunistët shqiptarë nuk e kanë kundërshtuar pushtimin italian të 7 prillit 1939. Në atë kohë ishte në fuqi pakti gjermano-sovjetik. Polonia e pushtuar u nda përgjysmë mes tyre; në sheshin e Varshavës u bë paradë e përbashkët e dy ushtrive. KOMINTERN-i që nga Moska lëshoi thirrjen për gjithë komunistët e botës: Mos kundërshtoni luftën e drejtë të fashizmit kundër kapitalizmit botëror. Unë në atë kohë isha 10 vjeç dhe kam lexuar me sytë e mi këngë fashiste pa ndonjë ndryshim nga këngët partizane. E kështu, në këtë kohë nuk ka pasur partizanë në Shqipëri. Vetëm nacionalistët e bënë gjestin e rezistencës (nuk kish mundësi më tepër) por duhet ditur që nga gjestet e vogla bëhen beteja të mëdha. Prandaj duhet ditur gjithashtu që Mujo Ulqinaku nuk qe komunist siç deshët ta bëni ju; ai ish-nënoficer me siglën (Zogu i I-rë) në kapelë. E ndërsa nacionalistët internoheshin në Ventotene, komunistët shqiptarë fërkonin duart me entuziazëm për “sukseset” e “Luftës rrufe” të Hitlerit, e veç atëherë kur Gjermania hitleriane sulmoi Bashkimin Sovjetik, atdheun e tyre ideologjik, vetëm atëherë ata rrokën armët, – ofshe! Për një vend të huaj jo për të vetin! – E si është e mundur që z. Vukaj, që mbahet si njohës i historisë, e injoron këtë fakt të pamohueshëm? Zotëria e tij nuk e përmend fare PKSH dhe kush e organizoi atë. A nuk qe vallë malazezi Miladin Popoviç që e organizoi dhe e udhëhoqi PKSH deri në fund të luftës? Nga e merrte drejtimin LANÇ-i? Ky emërtim u mor nga AVNOJ, i përkthyer nga serbishtja. Atëherë lind pyetja: Kundër kujt u drejtua pushka e partizanit shqiptar, kundër të huajit apo kundër vëllait të vet? Një statistikë shkencore do të nxirrte në dritë një bilanc të tmerrshëm, “UNÇL”, nën udhëheqjen e PKSH, e cila nga ana e saj udhëhiqej nga ajo jugosllave, luftonte nën sloganin “kundër armiqve të brendshëm” apo “reaksionarëve” e pastaj lahej goja “kundër okupatorit”. Humbjet njerëzore gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore në Shqipëri, në përqindjen më të madhe janë shqiptarë të vëllavrarë; shembujt janë të ditura nga familje viktimash që i përkujtojnë të vetët sot e kësaj dite. Në qoftë se LANÇ do të ishte me të vërtetë çlirimtare, ç’donte Brig. I e Mehmet Shehut në një fshat të Peqinit ku u masakruan 67 fshatarë të pafajshëm? “Okupatorë” qenë ata? Për këtë krim krenoheshin komunistët: “vranë kaq ballista…”, po brigada e V “Sulmuese” ç’deshi në Lumën e largët, duke u hedhur nga Jugu në Veri?, pse i vranë dy arsimtarët 20-vjeçarë, posa kishin kryer Normalen e Elbasanit? A nuk pati të drejtë pastaj fshati i tyre, Lusna, që u ngrit në këmbë, me të madh e më të vogël dhe i ra asaj brigade gjakatare? A nuk ishin shqiptarë fshatarët e pafajshëm të Buzmadhes, ku u pushkatuan 21 vetë, në mes të cilëve një 19-vjeçar? Kjo ndodhi me 26 shtator 1944. Po në këtë vit u pushkatuan 4 burra në fshatin Novosej. A nuk mjaftojnë vallë këto kulme tmerri që të vërtetojnë se ajo luftë nuk qe aspak “çlirimtare” por mirëfilli vëllavrasëse? Të shohim më poshtë çështje tjera.
2.KOLABORACIONIZMI NË SHQIPËRI 1939-1944
Duke pasur parasysh sa thamë më lart, le ta analizojmë me kujdes këtë term që përbën akuzën e komunistëve shqiptarë ndaj nacionalistëve gjatë okupacionit, akuzë kjo që sot e kësaj dite ata e përdorin si kalë beteje. Sipas fjalorëve të gjuhëve të ndryshme evropiane, termi kolaboracion shpjegohet, pos të tjerave, edhe me fjalën kompromis. Njihen kompromiset historike. Le ta shqyrtojmë pak, pa u ngutur, për t’i shkuar çështjes gjer në fund.
Nuk ka popull në historinë e njerëzimit, as ata më të mëdhenjtë, që e kanë siguruar ekzistencën e vet, – në një mënyrë a në një tjetër – pa mbështetje a bashkëpunim me ndonjë tjetër. Nëse është kështu, pse do të bënte përjashtim një popull i vogël si ky i yni, aq më tepër kur dihet që historikisht ka qenë objekt përbuzjeje e dhunimi për Fuqitë e Mëdha? Ishte Traktati i Londrës ai që e ktheu Shqipërinë në një shesh lufte mes fuqive ndërluftuese gjatë Luftës I Botërore. Një zëdhënës i qeverisë angleze, i pyetur se cilët ishin miqtë e përhershëm të vendit të tij, u përgjigj: Britania e Madhe nuk ka miq të përhershëm por interesa të përhershme. Kurse në vigjiljen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kryeministri konservator anglez, Çamberlajn, i pyetur se çfarë qëndrimi do të mbante qeveria e tij ndaj ndonjë sulmi eventual të Italisë ndaj Shqipërisë, u përgjigj me gojën plot: Britania e madhe nuk ka interesa në Shqipëri. – Nuk do të mjaftonte me kaq, po mos të dinim një fakt tjetër kuptimplotë, që vërteton edhe më tepër se ç’rëndësi kishte Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Të gjithë e dinë se gjatë Luftës II Botërore, të gjithë mbretërit e vendeve të pushtuara emigruan e, shumica e tyre kërkoi strehë në Angli, te “nëna e mbretërive botërore”, siç mund të thuhet në këtë rast. Kështu ndodhi edhe me mbretin tonë, Zogun I, mbret i Shqiptarëve; por këtu u bë një përjashtim: mbretëria tradicionale britanike nuk denjoi ta njohë këtë mbret të “vetëshpallur”, siç e quanin armiqtë e tij. Ia refuzuan, gjithashtu, edhe kërkesën për t’u takuar me ndonjë titullar të mbretërisë dhe e lanë si emigrant të thjeshtë në një hotel privat. E, natyrisht, mbreti shqiptar, i zhgënjyer, u largua që andej e, pas peripecirash, ndërroi jetë në një klinikë private në rrethinat e Parisit. Por e kundërta ndodhi me mbretin Konstandin të Greqisë. Ai u vendos në një vilë të posaçme në mes të Londrës, i ruajtur me gardë mbretërore.
Edhe sikur të jenë pak këto që u thanë më lart, a nuk del i qartë fakti që Fuqitë e Mëdha e kanë denigruar historikisht Shqipërinë, është për t’u mbajtur mend rasti kur Konferenca e Londrës vendosi kufijtë e 1913 që linin jashtë vende e troje thjesht shqiptare. Atëherë Fishta ynë i madh shfryu:
“Uh! Evropë ti kurva e motit / Qi i rae mohit besës Zotit! / Po a ky â shêji i qytetnisë / Me da tokat e Shqypnisë / Për me mbajtë klysht e Rusisë?”.
Atëherë, ç’qëndrim do të mbanin patriotët tanë përballë një armiqësie të tillë, e cila synonte asgjësimin e kombit e të Atdheut? Le të japim përgjigjen e duhur si realistë e jo si ëndërrues. Përgjigjja më e saktë mendojmë se është sakrifica që ata bënë nën moton “Atdheu mbi të gjitha”. Jo më kot këtu do të kujtojmë shprehjen e poetit të madh hungarez, Petöf: “Për dashurinë jap jetën, por për lirinë jap dashurinë”. – E, pa dyshim, do të thoshim që patriotët tanë pranuan një sakrificë ende më të madhe; madje sublime: me gjestin e tyre ata thanë: “Për nderin japim jetën, por për Atdheun japim edhe nderin”, dhe e bënë; pranuan nofkën mallkuese “kolaboracionist” dhe nuk iu trembën as vdekjes për këtë. Duke e shqyrtuar pa paragjykim këtë dukuri, do të arrimë në përfundimin e drejtë që ky term, në këtë vend e kohë, e humbet hijen e keqe dhe merr shkëlqimin e së mirës; kthehet në të kundërtën: ata marrin hirin e heroizmit; shkrinë gjithçka për idealin më të shenjtë: Atdheun. “Qëllimi shenjtëron mjetet” është një nga parimet e urdhrit jezuit. Kështu, patjetër mallkimi kthehet në respekt. Një dukuri e tillë njihet në vende dhe epoka të ndryshme, e nga persona të veçantë. Për shembull:
KONTESHA VALEVSKA
Polonia fatkeqe kishte pësuar një ndarje të dhimbshme midis Prusisë, Rusisë dhe Austrisë në vitin 1795. Popullsia aty do ta priste si shpëtimtar Napoleon Bonapartin. Ky, gjithashtu, kishte interes të krijonte një shtet aleat në qendër të Evropës, kur perandori frëng hyri me ushtrinë e tij në Varshavë (1807), aristokracia polake i bëri një pritje madhështore; mes tyre ishte edhe kontesha Valevska. Me perandorin ajo pati një bashkëbisedim; për Napoleonin ai qe një “flirt”. Zonja e hekurt nuk deshi të dorëzohej; nuk donte të tradhtojë bashkëshortin e saj plak. Porse – duket e çuditshme – jo vetëm parësia e vendit por vetë i shoqi, bënë çmos ta bindnin zonjën e lartë polake që t’i jepej perandorit frëng; e kjo në emër të shpëtimit të atdheut, pas një hezitimi ajo, më në fund pranoi. Dha pra nderin personal për atë që ishte më e shtrenjtë për kombin: Tani një kuriozitet sipas biografëve seriozë, nga Atdheu ato pak femra që u lidhën me Bonapartin, e vetmja që i ka qëndruar besnike deri në fund, ishte kontesha Maria Valevska. Emil Ludvig, në veprën e tij madhore Napoleon, veç tjerash, ka shkruar edhe për disa anekdota nga jeta e Bonapartit. Pas abdikimit të parë, siç dihet, Fuqitë e Mëdha ia njohën këtij sovranitetin mbi ishullin Elba (1814-1815). Duke përshkruar banesën e sovranit, ai tërheq vëmendjen: “…në kopshtin e vilës së Bonapartit, shihej duke luajtur një fëmijë 10 vjeç me kostum polak”. Ky qe biri natyror i Napoleonit I dhe i konteshës Maria Valevska. Ky mori titullin “Konti Kolona” që më vonë u bë figurë politike. Nën sundimin e Napoleonit III qe ministër i Punëve të Jashtme (1855) pastaj arriti të kryesojë Kongresin e Parisit (1856).
WINSTON ÇËRÇILL
Le të vijmë këtu në kohën e Luftës Dytë Botërore (1939-1945). Evropa u trondit nga shpallja e “Luftës rrufe” të Hitlerit. Objektivi kryesor ishte Anglia. Pas një përshkallëzimi të luftës, Londra u bombardua dhe u dëmtua mjaft; tmerri tashmë e kishte pushtuar popullin. Në vitin 1942, qeveria e kryeministrit konservator, Çërçill, bëri aleancë me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Në qarqet politike, mbase edhe në popull, ky akt u quajt skandal. Në Parlamentin britanik, Dhoma e lordëve këta të fundit u ngritën të alarmuar dhe të indinjuar dhe protestuan. Pyetjes se si është e mundur që një vend si Anglia, një mbretëri tradicionalisht e njohur si simbol autoriteti dhe qytetërimi, të katandisej në një aleancë me vendin më barbar e obskurantist me një regjim totalitar komunist, Çërçilli, me gjakftohtësinë proverbiale angleze, u përgjigj: “Në qoftë se Hitleri do të invadojë ferrin, ne do të luftojmë krah për krah me djallin”. – Kjo shprehje, besojmë se nuk ka nevojë për koment.
MARESHALI PETAIN
- – Meqenëse termi Kolaboracionizëm lindi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e pikërisht si përcaktim i dukurisë së bashkëpunimit me okupatorin nazist gjerman, le t’i hedhim një sy Francës së kësaj kohe e cila është tipike në këtë drejtim. Në këtë kohë e në këtë vend, kemi dy anët e një medalje: e para është rezistenca e paepur e popullit francez kundër pushtuesit nën udhëheqjen e gjeneralit De Gol, dhe tjetra është e bashkëpunëtorëve (kolaboracionistë) me okupatorin, me qëllimin për të shpëtuar atdheun; të kryesuar nga mareshali Petain. Për të parën nuk kemi asnjë koment sepse është e kuptueshme nga kushdo, kurse e dyta anë e medaljes paraqitet enigmatike dhe kërkon shumë durim e kurajë që të zbërthehet gjer në fund. Atëherë le të merremi me të dytën. Protagonisti kryesor i kësaj historie në Francë, pa dyshim qe mareshali Petain. Ky, pas një karriere të lavdishme në shërbim të atdheut, e sakrifikoi famën e nderin kur Franca qe përballë një rreziku asgjësues. E ja se si:
Ai qe ambasador në Madrid kur Gjermania sulmoi Francën (1939). U thërrit në qeveri dhe u emërua kryetar i Këshillit Ministrave. Menjëherë pas kësaj, ai kërkoi armëpushim me Gjermaninë. I veshur me të drejta fuqiplote nga Asambleja Kombëtare, më 10 korrik 1940 ai, 84-vjeçar, u njoh si kryetar shteti në Vishi. Për politikë të brendshme ai shpalli “Revolucionin Kombëtar, ndërsa për atë të jashtmen zgjodhi rrugën e “kolaboracionizmit”. I ndodhur tashmë në postin e tij në këtë zonë të lirë, në nëntor të 1942, ai qe gjithnjë e më tepër i varur nga gjermanët, të cilët e morën me vete gjatë tërheqjes në gusht të 1944. I transferuar në Singmaringen bashkë me qeverinë e tij, u kthye në Francë ku pas një viti (1945) u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë, porse për hir të shërbimeve të larta dhe lavdisë që i dha atdheut në të kaluarën, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm të cilin vuajti në ishullin Yen, në bregdetin e Oqeanit Atlantik – fortesa është dhe sot – Mos të harrojmë që, godina ku u zhvillua gjyqi i tij, qe e rrethuar nga një kompani ushtarë, në roje nga turmat e revoltuara të popullit që brohorisnin për Petainin hero dhe kërkonin lirimin e tij. Sidoqoftë, ai e arriti qëllimin: Po të ishte bërë një luftë mes Francës e Gjermanisë, përveç humbjeve njerëzore të paparashikueshme, Franca do të ishte shkatërruar. Dihet se si ushtria hitleriane i linte vendet e braktisura. Mjafton vetëm një shembull: Varshava u shndërrua në gërmadhë, kurse në Parisin kolosal, me urdhrin direkt të Hitlerit, nuk u prek asnjë tjegull.
KËSHILLI I LARTË I REGJENCËS NË SHQIPËRI (1943-1944) ishte organ i lartë i pushtetit i organizuar nga nacionalistët shqiptarë pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943). Kuvendi Kombëtar zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga 4 veta, që duhet të kryesonin me radhë për 3 muaj secili, Këshilli i Lartë ishte kryetar i shtetit, kishte komandën e përgjithshme të forcave të armatosura, emëronte nëpunësit e lartë, nxirrte dekretet dhe rregulloret e nevojshme për zbatimin e ligjeve. Të gjitha atributet e tjera që, sipas statusit zogist të vitit 1928 i takonin mbretit, ushtroheshin nga Këshilli i Lartë përveç atyre që nuk pajtoheshin me karakterin e këtij institucioni. Ky këshill u kryesua gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tij, nga Mehdi Frashëri. Ishte pra shtet shqiptar i pavarur. Komandanti i ushtrive gjermane, me anë të një proklamate shpalli botërisht: “Mbi ardhmërinë politike dhe shtetërore të vendit do të vendosë vetë populli shqiptar. Gjermania nuk do kurrgjë nga Shqipëria!”. E më tej: “Ne gjermanët jemi miqtë tuaj më të mirë e më të sinqertë. Mos na merrni edhe ne për italianë! Kujtoni se zmadhimin e Shqipërisë suaj me krahinat më pjellore e keni fituar në vitin 1941 me anën e armëve tona”. E si përfundim: “Na nga Atdheu juaj do largohemi kryekëput me të përfunduar lufta me triumfin tonë”. – Besojmë që nuk ka fakt më të qartë që vërteton se ushtria gjermane nuk ishte pushtuese në Shqipëri; prezenca e saj në vendin tonë ishte për qëllime taktike e strategjike që karakterizonin Luftën e Dytë Botërore: Duhej ndaluar rreziku i zbarkimit të Aleatëve në bregdetin Adriatik. Ja e gjitha…
“LIMBO” APO “SHKOLLA E ATHINËS” SHQIPTARE.
Një fotografi shumë interesante që botonte gazeta “Dita” e datës 23 gusht, na frymëzon e na jep rastin t’i nxjerrim në pah e t’i shqyrtojmë figurat kryesore të Regjencës (1943) që paraqiten aty. Duke e parë atë fotografi – madhështore do ta quaja unë – më shkoi mendja te LIMBO e “Komedisë Hyjnore”, ku Dante paraqet njerëzit më të mëdhenj të lashtësisë duke i përshkruar një nga një sipas emrave të lavdishëm të tyre. Dhe, analogjikisht me këtë sikur më doli parasysh tabloja e famshme e piktorit gjenial të Rilindjes Italiane, Rafaelos, ku gjithashtu janë paraqitur figurat më të lavdishme të lashtësisë, kuadër ky i titulluar SHKOLLA E ATHINËS. Sigurisht nuk mund të ndalemi këtu në një analizë të hollësishme, sepse është një temë më vete që kërkon vend e kohë tjetër. Por neve na shërben ky shembull për të shtjelluar shqyrtimin e figurave të veçanta të kombit tonë të cilat, për nga rëndësia historike, nuk ua lënë dalë figurave të mëdha të lashtësisë që janë paraqitur në LIMBON e Dantes apo në SHKOLLËN e ATHINËS së Rafaelos. Pra, le të jemi kurajozë e të marrim nismën për të hedhur dritën e së vërtetës mbi një realitet të anatemuar. Le t’i nxjerrim në dritë ata burra që shkëlqyen për një kohë të shkurtër, si qiriu i cili para se të shkrihet krejtësisht, për një çast lëshon një shkrepje flake më të madhe e pastaj fiket. T’ua bëjmë pra një nderim këtyre heronjve; atyre që shkrinë veten për hir të Atdheut. E, duke e mbajtur para fotografinë madhështore ku radhiten këta kreshnikë të denjë për epikën tonë, le t’i marrim me radhë, nga e majta në të djathtë:
- Fuat Dibra
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi. Më 1909 F.D. ishte organizator i Kuvendit të Dibrës, më 1919 kontribuoi për shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes – Paris për 17 muaj. Ndërkohë, vetë ishte përfaqësues i Kolonisë Shqiptare të Stambollit në atë Konferencë. Më 5 prill 1920, së bashku me P. Evangjelin ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes të emëruar nga Këshilli Kombëtar. Pas pushtimit italian të Shqipërisë u emërua ministër i Ekonomisë Shqiptare, më 3 dhjetor 1941, por ai dha dorëheqjen me 12 janar 1942. Më 18 prill 1942 u emërua anëtar i Këshillit t’Epërm Fashist Korporativ, por edhe atë post F.D. nuk e pranoi dhe nuk e bëri betimin ritual, çka solli shkarkimin e tij më 9 qershor 1942. Në nëntor po të këtij viti ai ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. Më 25 tetor 1943, u mblodh Kuvendi Kombëtar ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Për shkak të sëmundjes, ai nuk e ushtroi thuajse fare atë detyrë. Vdiq në Tiranë në muajin shkurt 1944 dhe u varros me nderime të posaçme.
- Mihal Zallari
Lindi në Frashër të Kolonjës 1894 në familjen e Zallarëve. Kreu në Stamboll liceun gjerman; më vonë kreu studimet në Grac. Ndërkohë, familja e prindërve të tij, në vitet 1920-1924 mbajti qëndrimin politik në krah të Fan Nolit. Pas kthimit nga studimet, ai ushtroi kapacitetin e tij dhe energjitë në punë të ndryshme shoqërore ose zyrtare. Veç tjerash, ai u emërua në Shkollën Mbretërore të oficerëve ku jepte lëndën e historisë së artit. Në shkollat e tjera ka dhënë lëndën e matematikës. U dha edhe pas publicistikës shkroi me nivel të lartë në gazetat “Demokracia”, “Besa” etj. Vazhdoi në vitet 1939-1944 duke shkruar në gazetat “Kombi”, “Bashkimi” etj… Pas kapitullimit të Italisë (1943) Mihali u thërrit në Komitetin Provizor që kishte atributet e qeverisë dhe, më pas, në zgjedhjen e Asamblesë që kishte funksionet e Parlamentit, ku u zgjodh kryetar i saj. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në tetorin e 1944 dhe,ai kur forcat gjermane po largoheshin nga Shqipëria, i ofruan mundësinë për ta çuar në Gjermani, por nuk pranoi. Me ardhjen e komunistëve në fuqi, Mihali qe ndër ata personalitete të cilët u nxorën para Gjyqit Special si armik i popullit. U dënua me 30 vjet burg pas një gjyqi konfuz. U lirua me 28 prill 1962 pasi kishte kryer shumicën e dënimit në burgun e Burrelit. U vendos në Tiranë ku punoi për ca kohë në ndërmarrjen botuese të kryeqytetit. Vdiq më 17 mars 1976.
- – Mehdi Frashëri (1872-1963)
Kryeministër i Shqipërisë (1935-1936), funksionar i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, kurse në shtetin shqiptar veprimtar politik. Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Durrësit (1918), deputet në parlamentin e parë shqiptar (1921-1923), ministër i Punëve Botore (1921), ministër i Bujqësisë (1930). Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1934-1937). Kryetar i Këshillit të Shtetit (1929), kryeministër (1935-1936). Në këtë kohë qeveria e tij arriti të kapërcejë krizën në marrëdhëniet italo-shqiptare. Dënoi botërisht pushtimin italian të vendit tonë. Fashistët e internuan në Romë. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët u kthyen në atdhe dhe në tetor të 1943 u caktua në krye të Regjencës. Në atë post qëndroi deri në fund, megjithëse drejtimi i Regjencës parashikohej me rotacion. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u largua nga Shqipëria. Ka shkruar një varg studimesh me karakter historik e politik të botuara në organe të ndryshme të shtypit. Vepra më e rëndësishme është Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vdiq në Romë më 1963.
- Patër Anton Harapi (1888-1946)
Klerik dhe veprimtar politik. Lindi në Shirokë të Shkodrës. Studioi në Hungari për teologji dhe filozofi. Më 1910, mësues në kolegjin e fretërve (Shkodër), më pas shërbeu në Malësinë e Madhe si famullitar (1918-1919). Më 1925 botoi librin e parë nga fusha e pedagogjisë, me titull: Edukata ose mirërritja e fëmijëve, një përshtatje e parimeve të pedagogjisë botërore për fëmijët shqiptarë. Në vitet 1921-1924 mori pjesë në veprimtari politike. Ishte një nga drejtuesit e organizatës “Ora e Maleve” dhe drejtor i gazetës me të njëjtin emër. Bënte pjesë në krahun e opozitës demokratike (1923-1944); u arrestua dhe u burgos disa herë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u bë anëtar i Asamblesë Kushtetuese (1939). Në vitet 1941-1943, mori drejtimin e Kuvendit Françeskan, në periudhën e sundimit gjerman (1943-1944) u zgjodh anëtar i Këshillit të Regjencës. Pas çlirimit u arrestua dhe u dënua me vdekje nga një “gjyq special” si bashkëpunëtor i fashizmit dhe u pushkatua. Varri i tij, si i të gjithë tjerëve si ai, nuk ekziston.
- Rexhep Mitrovica (1888-1967)
Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi, intelektual, kryeministër në periudhën e okupimit gjerman. Lindi në Mitrovicë. Kreu shkollën e mesme Idadie në Shkup (1916-1920), dhe ndoqi studimet për shkencat pedagogjike në Vjenë. Bashkëpunoi për mbajtjen e Kongresit të Manastirit dhe për jetësimin e alfabetit latin të tij. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin e Vlorës që shpalli pavarësinë më 1912 dhe ishte njëri nga firmëtarët e deklaratës së pavarësisë. Ishte një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (Durrës 1914); anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës; ministër Arsimi në Shqipëri (24.12.1921-25.02.1924). R.M. punoi për kombëtarizimin dhe demokratizimin e sistemit arsimor shqiptar për ngritjen e nivelit profesional të shkollës shqipe dhe ndihmoi arsimin shqip ilegal në Kosovë. Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924; pas shtypjes së tij u largua nga vendi. Kryesonte Grupin e Parisit të mërgimtarëve shqiptarë antizogistë. Gjatë Luftës 2-të Botërore ishte anëtar i Këshillit të shtetit shqiptar (1941-1943) dhe komandant i forcave vullnetare shqiptare në Kosovë (1942-1943). U arrestua dhe u burgos nga italianët (1943). Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u zgjodh kryetar i saj. Qe kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1943-1944. Në prag të ardhjes komunistëve në fuqi u largua nga Atdheu. Vdiq në Stamboll (1960).
- – Vehbi Frashëri
Me 5 nëntor 1943 u krijua qeveria me kryeministër Rexhep Mitrovicën. Posti i Ministrit të Punëve të Jashtme iu ngarkua z. Mehmet Konica ndërsa ai i nënministrit të kësaj ministrie, iu ngarkua z. Vehbi Frashëri. Z. Mehmet Konica nuk mori pjesë në betimin e kabinetit të ri qeveritar dhe nuk e ushtroi këtë detyrë deri më 1944 kur ministër i Punëve të Jashtme emërohet z. Bahri Omari. Gjatë kësaj kohe z. Rexhep Mitrovica, kryetar i kabinetit qeveritar, pat ushtruar edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Me 17 korrik posti i ministrit të P. Jashtme i kaloi z. Ekrem Vlora.
EPILOG
Duke besuar që me analizën e mësipërme del qartë e vërteta e madhe e historisë sonë moderne, do të nxjerrim edhe përfundimin. Si realistë, pa iluzione, ne dimë që mjerisht e vërteta është e pabesueshme; ndërsa gënjeshtra po. Arsyeja është sepse e vërteta nuk e përfill dëshirën, në një kohë që gënjeshtra ndërtohet pikërisht duke u bazuar tek ajo. Veç kjo dukuri është e përkohshme: “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. E mbi të gjitha del që, nuk kanë vlerë fjalët por veprat. “Ne jemi: veprat tona” (J.P. Sartre). E në qoftë se është kështu, personalitetet që shqyrtuam më lart, me vepra e jo me fjalë, treguan se ç’qenë, se ç’ishte sakrifica për Atdheun. Të tillë nuk qenë vetëm ata që paraqitëm në Limbo apo në “Shkollën e Athinës shqiptare”. Pati kolosë të tjerë si ata; vetëm emri është lavdia e tyre. Këtu kemi të bëjmë p.sh. me një vigan të letrave shqipe, Ernest Koliqin, pa rival në gjininë e novelës shqiptare; pra, një kulm që nuk e arritën dot ata shkrimtarë “oborri” që sot pretendojnë çmimin Nobel. E ky apogje patriotizmi dhe kulture, shfrytëzoi talentin bashkuar me fuqinë shtetërore evropiane, për të çuar, si i thonë, ujin në mullirin kombëtar; e ia arriti shkëlqyeshëm. Koliqi. Si ministër Arsimi, ai dërgoi 200 arsimtarët më të kualifikuar në trojet e Shqipërisë së liruar. Kosova e sotme i detyrohet shumë; ai e bëri atë të “flasë shqip”. “Dhe ai më i bukuri pallac i ka të fshehur në tokë gurët, mbi të cilët u mbështet e u rrit” (Konica). Mjerisht, në përgjithësi, kosovarët e sotëm ende nuk e dinë këtë; është e trishtueshme t’i shohësh të vinë e të vënë kurora lulesh në varrin e diktatorit Hoxha, pikërisht t’ atij që përjetësoi sundimin e huaj mbi ta. Por, ne gjithnjë besojmë se do të vijë dita kur ata t’i njohin shpëtimtarët e tyre të vërtetë. Ata do t’u ngrenë monumente e shtatore, do t’u vënë emrat e tyre shesheve e rrugëve më të bukura që ka. Krahas me Koliqin kemi një tjetër vigan: kryeministrin “kuisling” Mustafa Kruja. Edhe ky bashkonte në vetvete talentin e madh kulturor si gjuhëtar i pashoq me atdhedashurinë më të flaktë. Ai pati kurajën të heqë nga flamuri ynë kombëtar “fashot e liktorit” të vëna nga pushtuesit. Kjo gjë nuk ndodhi në flamurin italian; Musolini nuk reagoi fare. Një tjetër rast i përket albanologut të famshëm me origjinë hebreje, Norbert Jokl. Regjimi nazist, në një nga pikat kryesore të programit kishte shfarosjen e çifutëve. Me këtë rast Jokli ishte arrestuar dhe do të deportohej në kampet e përqendrimit. Sapo mori vesh lajmin, kryeministri Kruja i drejtohet personalisht me radiogram Adolf Hitlerit duke i kërkuar faljen e Joklit për hir të popullit shqiptar, të cilit i ka shërbyer aq shumë. Për habinë e të gjithëve, Hitleri dha urdhër të lirohet, po mjerisht ai kish ndërruar jetë (u hodh nga treni) pak minuta më parë. Ka dhe tjera figura të mëdha që nuk i kanë munguar Shqipërisë, të cilat nuk mjafton t’i përmendësh, siç po bëjmë këtu; duhen monografi nga penda dinjitoze. E kështu, për të përfunduar, Limbos dhe Shkollës Athinës shqiptare do t’u shtohen hapësira të tjera gjersa të ndërtohet e të ngrihet Panteoni Kombëtar që u ka borxh Atdheu.