– Emërtimi i PD-së, “Xhamia Blu” më çoi në retrospektivë duke e lidhur të shkuarën me shqetësimet e miqve të mi në të tashmen. Gjithashtu më solli në mendje vizitën time të parë në Stamboll… Pasi vizitova Hagia Sofia, kërkova të shihja dhe Xhaminë Blu, përballë të parës./
– I përkas besimit të krishterë. Pasi kam studiuar Biblën dhe Kuranin, kam arritur në përfundimin se (shumë e shumë vite më parë dhe e kam përsëritur disa herë dhe në takime të ndryshme), Librat e Shenjtë janë Gjysh dhe Stërnip ose Bijtë e Bijat që vijnë nga i njëjti trung dhe që kanë një baba: Abraham. Së fundi, bindjen time e vërtetoi dhe Ati i Shenjtë, Papa Francis, në dokumentarin kushtuar jetës së Tij, “Pope Francis: A Man of His Word”, me Drejtor të Dokumentarit, Wim Wenders dhe në vizitën e Tij në Emiratet e Bashkuara./
–Tani hipokritët flasin për një takim të dytë të Diasporës?! ………..Takimi aktual i lidershipit socialist për diasporën është vetëm një përpjekje mjerane për elektorat majtist! Takimet për Diasporën asnjëherë nuk do jenë efikase dhe të plota derisa pozitë dhe opozitë nuk do kenë aprovuar një paketë strategjike ligjesh që të mërguarit të mos shkojnë në atdhe si delet pas dashit Kokëministër, por të shkojnë si fëmijët tek nëna, tek toka ku kanë lindur, tek dheu i të parëve. E drejta e tyre të jetë për të zgjedhur dhe të zgjidhen. /
NGA ALFONS GRISHAJ/
Ne Foto: Alfons Grishaj me ish Kreun e OSBE-se ne Tirane, Daan EVERTS/
1-Biseda telefonike
Para pak ditësh një miku im patriot që merret me media më bëri një telefonatë… jo si telefonatat që i kemi të shpeshta. Ai shprehu indinjatën që Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kreu i saj Basha, kishin zgjedhur në Këshillin Drejtues dhe Kryesinë e PD-së, 99% të besimit musliman dhe 1% të besimit të krishterë. Miku im, i cili për nga origjina i përket besimit Bektashian, pranon se për të, të dy besimet janë njësoj, por ky veprim e kish lënë pagojë: “Për vete, e para jam shqiptar, pastaj jam besimtar, po kjo nuk kalohet lehtë. Origjina e besimit shqiptar është e krishterë. Është ky besim që ka mbajtur të gjallë kandilin e diturisë dhe zhvillimit. Tani e tutje … unë nuk do e quaj më Parti Demokratike, por Xhamia Blu! Më beso, një gabim i tillë do të ketë pasoja për PD-në, por dhe për kulturën demokratike dhe mirëbesimin reciprok.”
Biseda telefonike me mikun tim patriot, më solli në mendje vuajtjet, dhimbjet, atentatet, vështirësitë që jetuam për të krijuar foltoren e lirisë, kështjellën e Partisë Demokratike. Atëherë nuk dinim kush ish i krishterë apo musliman,të gjithë ishim vëllezër dhe motra. Lojrat e tanishme nuk ekzistonin, sepse nuk dinim a do ta gdhinim të nesërmen. Eksperimentet nuk zinin hapësirë alibie se krijonin labirinthe pa dalje.
2- Duke kujtuar të shkuarën e hidhur, por duke mos humbur në të shkuarën që të humbasim shansin e të ardhmes.
Aktualisht nuk ekziston morali dhe ideali i hapave të para. Pazaret e sotme janë amorale deri në atë pikë sa kur i dëgjon apo i lexon të vjen ndot prej vetes. Çdo gjë del pazarit, biles dhe të mbathurat me lajle e lule, sepse kodi i burrërisë, i unitetit të brendshëm shkelet nga udhëheqësit e rremë. Në ndihmë i vjen dhe kritika ekstremiste që turbullon ujërat duke i çuar në mullirin e kundërshtarit… Padija nxit mekanizmin e fantazisë duke prodhuar hamendjen, dhe kjo e fundit merr shtrirje gjeografike të tejskajshme, sa dhe disa nga ne fillojmë ta besojmë nonsensin e shpikur se PD qenkësh produkt i Ramiz Alisë! Nuk e di se si logjika e sprovuar mund të degjenerojë në delirium tremens?! Mendoj se, kur gjuha i paraprin mendjes dhe diskuri nuk ka ftohtësinë e arsyes, pështjellimi është i pashmangshëm.
Më vjen shumë keq kur i lexoj apo i dëgjoj këto “pohime”, sidomos kur akuza del nga pena apo goja e ndonjë personi serioz. More… more njerëz! Kush i plagosi dhe vrau bijat dhe bijtë e nënave me 2 Prill në vitit 1991, dhe nuk ishin pak, 4 të vrarë dhe i pesti vdiq pas 15 ditësh, pa harruar se u identifikuan 120 të plagosur me armë zjarri dhe mjete të forta. Shumica anëtarë dhe udhëheqës të PD-së, përfshi Arben Broci, antar i Kryesisë PD, dhe Nazmi Kryeziu, që ishte kryetar seksioni. Kush i vrau Artan Lenjen, Pëllumb Pëllumbin, Olsi Lorjen, Josif Budën? Kush e vrau Senahi Gjekën, antar i PD-së, plagosur me 2 Prill 1991, dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”? Fundërrinat e komunizmit e ekzekutuan para derës së shtëpisë, dhe më pas vrasjen u justifikuan sikur ai qe një kontrabandist. Veç të shihje vrimat e plumbave përreth shtëpisë së Senahiut, sikur të ishte në Irak apo Kandahar. Komunistët, me këto lloj pisllëqesh u munduan ta mbulonin dhe vrasjen e heroit legjendar, Azem Hajdari.
Helmi i propagandës komuniste shqiptare deportoi përkohësisht dhe në OSCE, organizatën më të fuqishme botërore që ishte krijuar enkas kundër komunizmit lindor. Ndërruesit e xhaketave të kuqe punuan pandërprerë ditë e natë duke akuzuar PD si minuese të demokracisë, si vrastare. Bash vrastarët hiqeshin si të moderuar, duke u paraqitur si shpëtimtarët e demokracisë, kur mbi shpinë kishin një mal ekzekutimesh e internimesh. Po si mund t’u besohej atyre njerëzve?!
Propaganda e kuqe është si uji që porsa gjen një plasë… merr mbarë gjithë godinën dhe po të mos ndeshë në pritë… merr oborrin, lagjen dhe më gjerë.
Kjo na bëri që të ballafaqoheshim në zyrën e OSCE ( OSBE), ku kemi debatuar me fakte, emra, data për vrasjet e aktivistëve të opozitës. Në emër të Unionit Anti-komunist Shqiptar, i dorëzova kreut të OSCE, listën e vrasjeve, burgosjeve dhe shkarkimeve nga puna (detyra) të aktivistëve të opozitës të kryera nga shteti, duke e pyetur z. Everts: “Unë ju solla gjithë këto fakte, ju lutem më jepni një fakt të vetëm që antikomunistët dhe PD të kenë vrarë apo keqtrajtuar komunistët gjatë trazirave në Shkodër (Shkodrën “roccaforte” (bastion) i demokracisë, siç quhej nga Euronews dhe shtypi europian gjatë viteve 97-99), Tiranë etj…? Kryetari i radhës së OSCE. Daan Everts, më shikoi drejtë në sy dhe serioz u çua në këmbë “Today… God, I’m speechless! I am sorry! May I shake your hand Mr. Chairman?” Pas këtij takimi, z. Everts më shkroi një letër që dënonte dhunën e qeverisë së kallashnikovëve, letër që u botua me lejen e tij në gazetat RD-së dhe 55. Kryetari i radhës i OSCE Daan Everts, u bë miku më i mirë i UASH. Si diplomat me shumë përvojë, ai i la porosi dhe pasuesit të tij, Geert Hinrich Ahrens, që t’i referohej Unionit Antikomunist në rastin e turbullirave dhe paqes.
Kur logjika manipulohet prej urrejtjes, nuk ka forcën e arsyes për të bindur askënd, sepse furia e denoncimit korruptohet rrugës nga urrejtja. Por, sapo e vërteta shpërthen energjinë pozitive, manipulimi i urrejtjes vdes dhe triumfon realiteti.
Asnjëherë nuk jam munduar të justifikoj gabimet e PD-së dhe Sali Berishës, gabime që vinin nga papërvoja rrugëtimit përmes shtigjeve të panjohura të demokracisë. Dua të kujtoj dy momente të vështira që i kushtuan PD-së: Nxjerrjen e Partisë Komuniste jashtë ligjit dhe Piramidat. Nxjerrja e PK-së jashtë ligjit xhindosi Europën kurvë e cila e denoncoi këtë akt si shkelje e të drejtave themelore të njeriut, biles ndonjë komunist italian shkoi më tutje duke thënë se rendi ri në Shqipëri është fashist. Kjo i kushtoi shumë PD-së dhe Berishës, sa u deturuan ta pranonin sërish Partinë Komuniste që u rikrijua nga Hysni Milloshi… Kthesa e të Majtës Europiane me disa “demokratë” amerikanë “futën derrat e djegur” nën themelet e kështjellës së demokracisë, ashtu siç bëri Gjeneral Selauhdin për të rrëzuar muret e kështjellës së shenjtë në Izrael. Piramidat qenë një formë kamuflazhi social-komunist si e vetmja formë për të ardhur në pushtet. Ringjallja e kastës së rrënuar të diktaturës punoi ditë e natë për të frymëzuar psikologjinë e pasurimit të lehtë, fitim aforfajt pa djersë nga një popull i varfër deri në kockë, i cili vinte pas një regjimi absurd, ku paga e punëtorëve shkonte 4 – 5 dollarë në muaj, dhe ajo e kuadrove, 7 – 11 dollarë. Gjatë pushtetit demokratik paga u rrit 120-150 dollarë, një rritje e ndjeshme, por e pamjaftueshme në raport më tregun e lirë.
Strategjia e menduar mirë nga të majtët nxiti revoltën më agresive në historinë e popullit shqiptar. U dogjën institucionet, u plaçkitën bankat, ushtria u vetërrënua sipas planit, sepse brenda ishin dhe vepronin akoma detashmentet e të kuqve. Në këtë katrahurë humbën jetën mbi 3700 vetë. Për paratë e “vjedhura”, gijotina ra pafaj mbi qeverinë demokrate. Populli shqiptar i gënjyer nga propaganda e djallit gaboi rëndë duke ngatërruar piramidat e kuqe me demokracinë e brishtë. Në demokraci duhet punuar e djersitur fort për të shijuar frytet e lirisë, por siç duket, Shqipëria nuk ishte përgatitur akoma për këtë ndryshim. Pas traumës së tejskajshme të varfërisë në komunizëm, njerëzit menduan se erdhi koha të pasuroheshin lehtë, pa punuar. Po a ekziston ky irealizëm ndokund?! Vetëm në komunizmin e gënjeshtërt. Qeveria e PD u gjet e papërgatitur për hilen e radhës dhe bëri gabimin më fatal që nuk i arrestoi me kohë të gjithë fajdexhinjtë, të denonconte dhe të gjithë emrat e sportelistëve e arkëtarëve të piramidave, përfshi këtu dhe drejtorët e tyre, të cilët shpesh ishin ish oficerë dhe anëtarë të PP-së! Sikur të bëhej atëherë, populli do sqarohej, por dhe tani nuk është vonë. Piramidat e fajdeve ishin një strategji e të majtës europiane që i dinte mirë pasojat.
Tragjedisë së viteve të diktaturës iu shtua dhe një dhimbje, humbja e shtëpive dhe atyre pak të hollave që shqiptarët kishin kursyer me sakrificë të madhe. Populli që ishte mësuar, sipas propagandës komuniste, ta shihte shtetin si faktorin garantues të çdo aktmarrëveshjeje private të ligjshme e të paligjshme, fajësoi qeverinë, gjithnjë sipas së njëjtës optikë se shteti duhej të ishte dhe zgjidhësi i këtij problemi, ndaj dhe u gënjye lehtë kur Nano u premtoi rikthimin e plotë të parave, premtim që u shkel me cinizëm, sepse i tillë kishte qenë që në artikulimin e parë.
Sot, udhëkryqi i të kaluarës sjell një pyetje therëse në të sotmen: a duhet të rrimë gjithë jetën duke qarë me kokë prapa nga e shkuara, kur shohim të sotmen e shëmtuar dhe zhgënyese, të nesëmen e pasigurtë e pashpresë nga një qeveri që zvarrit popullin në kufinjtë e vetëmohimit?
Pa asnjë mëdyshje theksoj se atyre që mendojnë të rrimë me kokë prapa duke i rënë njëri-tjetrit dhe forcave opozitare, PD-së, Bashës me shokë, duke dyshuar në të ardhmen, rinovimin e PD, më duhet t’u kujtoj një thënie të Jul Çezarit, kur iu ankuan se u dogj Biblioteka e Aleksandrisë e bashkë me të, e shkuara, Qezari iu përgjigj : “Unë nuk merrem me të shkuarën por ndërtoj të ardhmen!” Dhe nëse Basha ka për bazë përmbajtjen filozofike të thënies Çezarit, i qoftë e mbarë udha e nisur, se u bëmë invalidë duke ndenjur me kokën pas. Të gjithë na duken të pabesë, të gjithë komunistë, të gjithë maskarenj, të gjithë tradhëtarë, të gjithë hajdutë!
E kam thënë me qindra herë se ka pasur krim shtetëror komunist… orgji-politike dhe zhurmë bretkosash. Ka kleptokratë dhe oligarkë, por populli shqiptar (një popull prej 15 milionësh) me gjithë mangësitë e veta është një ndër popujt më të mrekullueshëm në botë që ka fuqi të ndryshojë historinë dhe fatin e vet, dhe tani është koha që të krijojmë bazën e standarteve civilizuese perëndimore, t’i shtrimë dorën e paqes njëri-tjetrit drejt një të ardhmeje të sigurtë. Kjo paqe duhet bërë, për hir të aspiratave të hershme, për hir të Shqipërisë për të cilën luftoi Skënderbeu dhe që ëndërruan rilindasit. Për Shqipërinë që deshi dhe do Vatra. Për atë Shqipëri që u përpoq Ismail Begu e Gurakuqi me shokë. Atë Shqipëri që sanksionoi Kuvendi i Lushnjës.
3- E dua Xhaminë Blu
Emërtimi i PD-së, “Xhamia Blu” më çoi në retrospektivë duke e lidhur të shkuarën me shqetësimet e miqve të mi në të tashmen. Gjithashtu më solli në mendje vizitën time të parë në Stamboll… Pasi vizitova Hagia Sofia, kërkova të shihja dhe Xhaminë Blu, përballë të parës. Turku që na shoqëronte u habit nga kërkesa ime. Ai iu kthye Erolit (Shqiptaro-boshnjak biznesmen që jetonte dhe punonte ne Turqi. Asokohe, Qeveria Turke, kishte një ligj që nuk i taksonte për pesë vite biznesmenët boshnjakë, prandaj dhe boshnjakët e ndjenin veten si në shtëpinë e tyre): “Mos e humbisni kohën kot me Xhaminë Blu. Aty hynë vetëm pleq dhe të lodhur në krye.”. Fjalët i shoqëroi me gjestikulacion (karakteristikë e ballkanasve), duke vënë gishtin në kokë. Eroli më tregoi çfarë foli stambollasi, të cilit nuk ia kujtoi dot emrin tani. U ktheva nga Turku, duke i vënë dorën në sup: “Unë i përkas atyre të lodhurve në krye”. Hoqa këpucët dhe hyra në xhami…, brenda gjeta besimtarë që i luteshin Zotit!
I përkas besimit të krishterë. Pasi kam studiuar Biblën dhe Kuranin, kam arritur në përfundimin se (shumë e shumë vite më parë dhe e kam përsëritur disa herë dhe në takime të ndryshme), Librat e Shenjtë janë Gjysh dhe Stërnip ose Bijtë e Bijat që vijnë nga i njëjti trung dhe që kanë një baba: Abraham. Së fundi, bindjen time e vërtetoi dhe Ati i Shenjtë, Papa Francis, në dokumentarin kushtuar jetës së Tij, “Pope Francis: A Man of His Word”, me Drejtor të Dokumentarit, Wim Wenders dhe në vizitën e Tij në Emiratet e Bashkuara.
Sigurisht, ne nuk mund t’i ndalim djajtë e fshehur nën petkun e besimeve që mund të thonë: “Ky Papë është i marrë!”, ose këto që thotë Alfonsi janë gjepura. Po Zoti është i madh dhe Ai është gjykatësi dhe fituesi absolut, kurse ne… ne, jemi gjithnjë të humburit.
Populli duhet të qëndrojë larg degjenerimit dhe urisë së udhëheqësve regresivë… qoftë shpirtërorë apo politikë. Populli shqiptar ka një rregullator brilant midis besimeve që askush tjetër në botë nuk e ka,sa kur prishet ky rregull… quhet gabim. Prandaj dhe miku im në Michigan dhe miq të tjerë në botë e Shqipëri u çuditën me veprimin e lidershipit të PD-së.
Më shumë se dy dekada, udhëheqësit e PD-së, e ruajtën raportin e besimeve me fantatizëm, ashtu siç e ruajti populli shqiptar gjatë dy shekujve të fundit. Po a mund të jetë ky raport tabu në shekullin XXI? Tradicioni i mirë duhet ruajtur dhe përçohet si kulturë kombëtare dhe jo si tabu. Nëse do të cilësohet tabu, ju siguroj se 90% të tabuve janë rrëzuar në botë.
Shqetësimi i elektoratit të djathë nuk qëndron vetëm tek besimet, por dhe në humbjen e kontributeve të paraardhësve të PD-së, për disa figura që kanë kontribuar fuqishëm në PD dhe që njihen si lidera të sinqertë, të cilët sakrifikuan shumë më tëpër nga vetja për demokraci se sa fituan. Largimi i tyre nga të rinjtë e ardhur në PD është një gabim me pasoja, sepse duke menduar se korrigjohet një e shkuar, gabohet për të ardhmen. Atëherë çfarë ndodh? Të rinjtë që vinë për t’u bërë udhëheqës duhet të kalojnë po aq humbje dhe peripeci për t’u pasuruar me përvojën e të larguarve, d.m.th. shkelet mbi një sprovë që të mësohet përmes një prove të kaluar. Kështu vazhdon saga ku nuk ka gota e jo më shampanjë. Kjo pakujdesi zvogëlon elektoratin përditë dhe artificialisht ndihmon kundërshtarët.
Megjithatë, mangësitë që përmenda më lart mund të rregullohen me zgjuarsi, durim e largpamësi. E përsëris, shpresoj se rinia dhe lidershpi i PD-së kanë çfarë të mësojnë nga sëmundja e gjatë e tranzicionit por dhe nga përvoja tashmë e konsiderueshme nga pikëpamja historike e opozitës. Shpresoj që ata të jenë idealistë dhe vizionarë që PD të fitojë, dhe nëse fiton PD, fiton Shqipëria. Kam besim gjithashtu tek rinia e “Rilindjes ” se do të vijë një ditë që ajo rini do të gjejë rrugën e distancimit nga oligarkët dhe tradita e shëmtuar e të bërit karshillëk mbi gjakun e vëllaut të vet. Korigjimet njerëzore ngjallin shpresën për të ndërtuar të ardhmen, të ardhmen e Shqipërisë së bashkuar me opozitarë, por jo armiq! Në qoftë se kjo rini politike ëndërron të bëhet e pasur pa menduar detyrën e shenjtë ndaj atdheut, katastrofa politike do të bëhet stafetë. Regresi do mbretërojë e kthehet në kancer! Mos harroni çfarë thotë St. Francis, i cili dinte dhe gjuhën e kafshëve dhe të zogjve: “Kujtoni, kur të ikni nga kjo botë asgjë nuk do merrni me vete… vetëm çfarë u është dhënë”. Në qoftë se kjo thënie perlë e Shenjtit më të madh që ka pasur njerëzimi, nuk do kihet parasysh, në Shqipëri, banditët do të bëhen ministra, kryministra dhe presidentë. Pjesa tjetër do mbesin pleq, të cilëve do u largohen fëmijët jashtë atdheut, në perëndim për një jetë më të sigurtë. Shqipëria do vuajë nga hemoragjia Biblike, ku Diaspora do të arrijë në 18 apo 20 milionë. Shteti shqiptar do bashkojë trojet, por kurrë më popullin e vet. Shpirtërat e shqiptarëve të mërguar nuk do gjejnë kurrë qetësi duke u shuar një e nga një nëpër kontinente pa u rënë kockat në paqe.
Tani hipokritët flasin për një takim të dytë të Diasporës?!
Takimi aktual i lidershipit socialist për diasporën është vetëm një përpjekje mjerane për elektorat majtist! Takimet për Diasporën asnjëherë nuk do jenë efikase dhe të plota derisa pozitë dhe opozitë nuk do kenë aprovuar një paketë strategjike ligjesh që të mërguarit të mos shkojnë në atdhe si delet pas dashit Kokëministër, por të shkojnë si fëmijët tek nëna, tek toka ku kanë lindur, tek dheu i të parëve. E drejta e tyre të jetë për të zgjedhur dhe të zgjidhen.
Nuk janë borxhli emigrantët, por qeveritë amorfe shqiptare që nuk janë në gjendje të kalkulojnë matematikisht dhe filozofikisht bashkimin e forcës dhe shpirtit vital të emigrantëve. Hipokrizia e qeverisë majtiste arrin kulmin kur përpiqet për të bashkuar Diasporën pa ndalur hemoragjinë e pjesës vitale shqiptare, rininë, që largohet përditë. Të zgjedhurit e ambasadave social-komuniste zgjedhin aminxhinjtë e diallit për t’i vënë gjyslykë qorrash diasporës. PO SI NUK DOLI NJË BURRË NËNE QË T’I THOTË HIPOKRITËVE QEVERITARË: “More, përse na ftoni neve këtu, derisa ju nuk jeni në gjendje të mbani popullin që keni brenda kufinjve, t’u siguroni nevojat minimale rinisë, të cilët marrin përditë arratinë sikur t’i ketë rënë kolera Shqipërisë?! Po “delegatët” zgërdhihen si Urjah Hipët, duke dalë nëpër foto me kasapët e hemoragjisë, të cilët për mendimin tim, duhen rrëzuar me çdo lloj mjeti demokratik, e jo më të marrësh pjesë në takimet e tyre. Çdo pjesëmarrje në samitet e qeverisë së krimit, automatikisht është bashkëpunim në krim.
Jam i kënaqur që kam mbetur klasik pa u shkëputur asnjë çast nga Partia Demokratike e Shqipërisë, e cila është një vlerë e paçmuar, rregullator kombëtar që sjell përparim e mirëqënie. Falë nënvetëdijes, pavarësisht se kush do vijë dhe shkojë… PD ka për të shkëlqyer, sepse ka kontributet e familjeve më në zë në Shqipëri (ka pasur dhe spiunë të Ramizit, por ata kur janë diktuar janë nxjerrur jashtë), ka kontributet e një rinie idealiste brilante përfshi këtu shumë bija e bij që dolën kundër kauzës së humbur të prindërve të tyre, që nuk menduan asnjëherë për zyra, ofiqe e grada, por vetëm të sillnin ndryshimin e madh historik. Unë kam mbetur atje me ata idealistë dhe idealiste që e deshën dhe e duan Shqipërinë si nënë të madhe, si komb! Jam i sigurtë se forcat përparimtare do e gjejnë veten, dhe pse miqtë e mi të acaruar nga një proces votimi (besoj jo i qëllimshëm), e quajnë PD-në: “Xhamia Blu”! U them të gjithë atyre… dashamirësve, dhe kundërshtarëve të PD-së: E dua “Xhaminë Blu”, vepër e një rinie të papërsëritshme,vepër e gjakut të shokëve të mi Arben Broci, Azem Hajdari dhe heronjve të tjerë që sakrifikuan jetën. Vepër e një anëtarësie të ndershme që djersiti dhe sakrifikoi gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.