-Deklaratat e Tom Doshit se dy krerët e mazhorancës kanë paguar për vrasjen e tij, reagon kryetari i PD, Lulzim Basha/
-Basha: S’ka shqiptarë që të pranojë për kryeministër dikë që akuzohet për organizim në vrasje/
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot pas akuzave të deputetit Tom Doshi ndaj dy krerëve të mazhorancës, Edi Rama dhe Ilir Meta. Përmes një dalje për mediat nga selia e PD, Basha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kreut të Kuvendit, Ilir Meta duke thënë se ai është i inkriminuar direkt i kësaj akuze. Po ashtu Basha i ka bërë thirrje prokurorisë që të zbardhë çdo akuzë që bëhet për këtë rast. “Akuza tronditëse kur deputeti i mazhorancës deklaron se e ka vënë në dijeni kryeministrin për planin e kreut të Kuvendit për të vrarë 2 deputetë. Askush nuk mund t’i njohë Ramën edhe Metën njëri nën akuzën e organizatorit dhe tjetri nën akuzën e njeriut që hesht. Ata dhe klani i tyre janë një grusht njerëzish me pushtet por tartabiqe përpara njerëzve”, tha Basha. Lideri demokrat tha se kjo është një çështje që u përket të gjithëve dhe se ai mbështet qëndrimet e partnerëve pasi askush nuk mund ta pranojë që të ketë në krye të Kuvendit një person të akuzuar për vrasje. “Çdo minutë që kalon, vetëm e përkeqëson situatën e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. PD është e vendosur të mos e lërë Shqipërinë peng të serialëve të vrasjeve. Ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve”.