• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa: Çështja e murit në Mitrovicë

February 5, 2017 by dgreca

1 Mustafa Muri-Mustafa: Çështja e murit në Mitrovicë u zgjidh në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën/

-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa: Krejt ajo çfarë kemi bërë është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike/

-Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli: Rrëzimi i murit në Mitrovicë është qëndrim yni se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj/

-Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç: Të martën e ndërtojmë strukturën e re të fortë betonike në zonën e këmbësorëve/

PRISHTINË, 5 Shkurt 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Çështja e murit në Mitrovicën e Veriut u zgjidh në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, tha sot kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë shtypi në Prishtinë, në ambientet e qeverisë së bashku me ministrin e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Kreu i qeverisë së Kosovës fillimisht përkujtoi se, të shtunën në orët e para të mëngjesit, pas shumë bisedave mjaft të gjata është arritur pajtimi për largimin e murit në veri të Mitrovicës dhe rehabilitimin e hapësirës së atjeshme në përputhje me ligjet, me planet hapësinore dhe me nevojat e qytetarëve dhe të vetë komunës.

“Si kryeministër, gjatë muajit janar, kam takuar disa herë kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, dhe kemi biseduar për mundësitë që vet komuna të merr masa për mënjanimin e murit dhe ndërtimin e shëtitores në harmoni me ligjin”, tha Mustafa.

Ai shtoi se, që nga koha kur është kuptuar ndërtimi i këtij muri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar nga organet komunale mënjanimin e murit si një objekt i jashtëligjshëm.

“Pas shumë bisedave, në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe vullnetin e dy palëve, dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me ambasadorin Delawie si dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shefes së saj Apostolova, është arritur pajtimi për detajet e këtij procesi”, tha Mustafa.

Sipas marrëveshjes, vijoi ai, muri sot është rrënuar, ndërsa ajo pjesë e sheshit do të rehabilitohet në përputhje edhe me projektin e Bashkimit Evropian të aprovuar nga Kuvendit i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe në përputhje me të gjitha ligjet e Kosovës dhe kriteret që ne i zbatojmë për ndërtime të tilla.

“Krejt ajo çfarë kemi bërë është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike”, theksoi Mustafa.

Ai vlerësoi se, komuna e Mitrovicës së Veriut dje dhe sot ka vepruar plotësisht sipas marrëveshjes së arritur dhe potencoi se është hera e parë që gjithë këshilltarët e kësaj komune në mënyrë unanime kanë votuar për një vendim.

Dje është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, ku është prezantuar e miratuar edhe marrëveshja lidhur me murin që ishte arritur mes Ministrisë së Ambientit e Planifikimit Hapësinor të Kosovës dhe autoriteteve lokale, e nënshkruar e njoftuar dy orë pas mesnate.

Në Mitrovicën e Veriut sot në mesditë nisën punët për largimin e murit të ngritur afër urës, i cili u rrënua me dy eskavatorë.

Në 29 dhjetor 2016 Kuvendi i Kosovës ka miratuar  një rezolutë të harmonizuar nga subjekte të maxhorancës e opozitës, ku kërkohej rrënimi brenda muajit janar të vitit 2017 i murit ilegal të ngritur në dhjetor 2016 nga serbët në veri të qytetit të Mitrovicës, afër urës mbi lumin Ibër.

VESELI: RRËZIMI I MURIT NË MITROVICË ËSHTË QËNDRIM YNI SE KOSOVA ËSHTË E TË GJITHË QYTETARËVE TË SAJ

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, pas rrëzimit të murit në pjesën veriore të Mitrovicës deklaroi:Rrëzimi i murit në Mitrovicë është qëndrim yni se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj.Ky nuk ishte një veprim për politika ditore, por një përkushtim i palëkundur se Kosova është një dhe si e tillë ofron mundësi për të gjithë qytetarët, pa dallim.Muret i takojnë të së kaluarës, ndërsa Kosova është e drejtuar kah e ardhmja.Qëndrimi im, që nga dita e parë, ka qenë se s’do ta shfrytëzojmë murin për retorika nacionaliste, por se ai do të largohet për shkak të qytetarëve tanë në jug dhe në veri.Rrënimi i murit, në mënyrë krejtësisht të qetë, tregon sa i rëndësishëm është dialogu i brendshëm. Për këtë, jam i lumtur dhe kërkoj nga të gjithë qytetarët dhe faktori politik që të mos bien pre e asnjë provokimi e as nxitjeje.

KRYETARI I MITROVICËS VERIORE, RAKIÇ: TË MARTËN E NDËRTOJMË STRUKTURËN E RE TË FORTË BETONIKE NË ZONËN E KËMBËSORËVE

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, ka paralajmëruar sot se të martën, në 7 shkurt, do të fillojë ndërtimi i, siç ka thënë, “një strukture betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash”, që sipas tij, do të “garantojë sigurinë për qytetarët e komunës së Mitrovicës së Veriut”.“Struktura e re mbështetëse do të përputhet shumë mirë edhe në aspektin mjedisor edhe estetik me projektin e ndërtimit të zonës së këmbësorëve në rrugën Mbreti Petër”, ka deklaruar Rakiç, duke e ‘falënderuar siç është shprehur, kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiç për mbështetjen që ka çuar, siç ka thënë ai, drejt pajtimit edhe të përfaqësuesve relevantë ndërkombëtarë’, citon Radio Evropa e Lirë.

***

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencën për media

Jemi sot së bashku me ministrin Shala, për t’ju prezantuar qëndrimet e Qeverisë së Kosovë si dhe dikastereve kompetente lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me çështjen e murit në veri të Mitrovicës.

Siç jeni të informuar, të shtunën në orët e para të mëngjesit, pas shumë bisedave mjaft të gjata është arritur pajtimi për largimin e murit në veri të Mitrovicës dhe rehabilitimin e hapësirës së atjeshme në përputhje me ligjet, në përputhje me planet hapësinore dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të vetë Komunës së Mitrovicës së veriut.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, që është së bashku me mua sot këtu, së bashku me sekretarin Çitaku, me z. Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe me anëtarë të tjerë të kabinetit kanë zhvilluar biseda disa orëshe dhe disa ditore me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit tjerë politikë të komunitetit serb, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Si kryeministër, gjatë muajit janar, kam takuar disa herë kryetarin e Mitrovicës së Veriut, z.Rakiq, dhe kemi biseduar për mundësitë që vet Komuna të merr masa për mënjanimin e murit dhe ndërtimin e shëtitores në harmoni me ligjin.

Kemi pasur takime më të gjera me përfaqësues ndërkombëtarë, me ata të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe përfaqësues tjerë të komunitetit serb, edhe gjatë tërë vikendit të kaluar dhe ato takime kanë vazhduar pastaj nën drejtimin e ministrit Ferati.

Që nga koha kur është kuptuar ndërtimi i këtij muri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar nga organet komunale mënjanimin e murit si një objekt i jashtëligjshëm.

Pas shumë bisedave, në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe vullnetin e dy palëve, dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Ambasadorin Delawie si dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe zonjës Apostolova, është arritur pajtimi për detajet e këtij procesi.

Sipas marrëveshjes, për të cilën më gjerësisht do të flasë ministri Shala, muri është paraparë që të rrënohet dhe muri sot është rrënuar, ndërkaq ajo pjesë e sheshit do të rehabilitohet në përputhje edhe me projektin e Bashkimit Evropian të aprovuar nga Kuvendit i Komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe në përputhje me të gjitha ligjet e Kosovës dhe kriteret që ne i zbatojmë për ndërtime të tilla.

Gjatë gjithë këtij procesi, që nga fillimi e deri më tani së bashku me ministrin Shala kemi zhvilluar konsultime të vazhdueshme dhe po ashtu kemi pasur një koordinim të vazhdueshëm dhe konsultime të vazhdueshme me Presidentin, z. Thaçi dhe me Kryetarin e Kuvendit, z. Veseli, të cilët kanë qenë aktivisht të kyçur në këtë proces.

Pra, përshkrimi i asaj që ka ndodhur është se:

Përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në dy nivelet e pushtetit, për një çështje shqetësuese janë ulur së bashku, me praninë e miqve ndërkombëtarë, e kanë zgjidhur këtë problem në përputhje me ligjet, në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe në shërbim të mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha komuniteteve, të integrimit të përgjithshëm,  të paqes dhe stabilitetit në vendin tonë.

Pra, krejt ajo çfarë kemi bërë, është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.

Nuk kemi pasur asnjë garë force, nuk kemi manifestuar popullizëm dhe as folklorizëm, mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuar metodat dhe mënyrë më të mira demokratike.

Komuna e Mitrovicës së Veriut dje dhe sot ka vepruar plotësisht sipas marrëveshjes së arritur. Është hera e parë që gjithë këshilltarët e kësaj Komune në mënyrë unanime kanë votuar për një vendim shumë të rëndësishëm të kësaj Komune dhe po ashtu edhe dy ministritë tona, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i kanë kryer saktësisht të gjitha obligimet edhe dje edhe sot edhe gjatë gjithë kësaj periudhe sa jemi ballafaquar me këtë problem pa marrë parasysh se e ka qenë ditë vikendi, apo ditë pune.

Prandaj, unë falënderoj sot dy ministritë, edhe ministrin Shala edhe zëvendësministrin Geci, që është me ne sot, edhe sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, z.Çitaku. Falënderoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës, z. Rakiq, falënderoj edhe qytetarët atje, qytetarët që janë me shumicë serbe në veri të Mitrovicës dhe ata shqiptarë që janë në Jug të Mitrovicës për sjelljen e tyre dinjitoze, në zbatim të ligjit dhe po ashtu t’ju siguroj se do të bëjmë përpjekje maksimale si Qeveri që të gjitha çështjet dhe të gjitha problemet t’i zgjidhim në mënyrë të urtë, t’i zgjidhim duke zbatuar Kushtetutën, ligjet dhe duke u siguruar gjithë qytetarëve tanë garancion të plotë për jetë të tyre të rehatshme në vend dhe për zbatim të ligjit dhe Kushtetutës.

Fjala e ministrit Shala në konferencë për medie

Më lejoni që në fillim të falënderoj kryeministrin  e Republikës së Kosovës me tërë ekipin dhe kabinetin që gjatë tërë këtij procesi disa ditore na ka mbështetur dhe përkrahur deri në ditët e sotme. Po ashtu një falënderim të veçantë për presidentin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit, që ishin pjesë aktive e konsultimeve dhe ndihmës në këtë proces.Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në konsultim dhe në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin, ekipet tona të ekspertëve, administratën dhe të gjitha nivelet tjera profesionale kemi qenë në koherencë të vazhdueshme për të plotësuar atë që është ligjore.Sot, ne kemi një realitet tjerë, një realitet konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, konform legjislacionit të aplikueshëm sot në Republikën e Kosovës.Marrëveshja e arritur që tashmë është e njohur për opinionin, sot mund të konfirmojmë se mbi 90 për qind është zbatuar brenda 48 orëve dhe po fillon implementimi dhe zbatimi i saj në përpikëri.

Një falënderim tjetër i veçantë për partnerët tanë ndërkombëtarë, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ambasadorin dhe ekipin e tij, për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për znj. Apostolova dhe ekipin e saj dhe gjithë faktorët tjerë ndikues, gjithsesi një përshëndetje për z. Rakiq dhe gjithë ekipin që e kanë shoqëruar në këto negociata.

Ne sot kemi një situatë të një normaliteti të plotë, një zbatueshmëri të ligjit të plotë dhe po vazhdojmë implementimin e marrëveshjes dhe legjislacionit që është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe e Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal që në këtë rast e ka përfaqësuar denjësisht zëvendësministri Gecaj.

Edhe njëherë faleminderit juve për përkrahjen dhe prezantimin transparent. Gjithçka është duke shkuar sipas marrëveshjes dhe asaj që është e nevojshme për qytetarët e Republikës së Kosovës, për mitrovicasit në të dy anët e Lumit Ibër dhe shpresojmë dhe besojmë se kjo temë tashmë ka marrë rrugën ligjore, ka marrë rrugën Kushtetuese, ka marrë rrugën civilizuese ka marrë rrugën e një normaliteti për të cilën ne jemi thellë të bindur se nuk do të kemi me raste tilla, barrikada, mure apo diçka tjetër që janë në kundërshtim me legjislacionin.

Ju faleminderit dhe urime edhe juve për këtë rezultat të përbashkët.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul JashariMustafa: Çështja, e murit në Mitrovicë, Kushtetuta

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT