*Rreth 6 mijë pjesmarrës iu bashkuan Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolikë Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Ditën e Traditave Shqiptare/
* Më shumë se 100 valltarë të moshave nga 5 deri në 21 vjeç, nën drejtimin e koreografes Angjelina Nikaj, kërcyen valle tradicionale nga të gjitha krahinat e Shqipërisë/
NGA DALIP GRECA/
…E diela e 1 Qershorit 2014 do të mbetet në kujtesën e shqiptaro-amerikanëve të Nju Jorkut dhe shteteve përreth për shumë kohë; -një ditë e bukur me diell, që u shkoi aq shumë për shtat organizatorëve të Ditës së Traditave Shqiptare (Albanian Heritage Day), ditë që dhuroi aq shumë emocione e hare.Ishte një ditë e mbushur plot mbresa, ku u shpalos kultura dhe tradita shqiptare.
Kur ua propozova familjarëve të mi, që t’i bashkoheshim kësaj dite e pranuan menjëherë,edhe pse nuk u dhashë shumë detaje. Veçanërisht nipërit e pritën me kureshtje. Ideja se do të vraponin e do të luanin nëpër lëndina e pyje përbënte më shumë se kureshtje për ata. Dhe nuk u zhgënjyen. U nisëm me dy makina. Rruga kalon mes pyjesh dhe pamja që shfaqej, të shlodhte. Parku ndodhet rreth 24 km në veri të Nju Jorkut, 5 km larg qytetit Ëhite Plains.
Edhe pse kishim shkuar më shpejt se orari i njoftuar, kur mbërritëm atje, gjetëm shumë të tjerë që kishin ardhë para nesh. Disa ishin ulur nëpër hijet e pemëve, disa të tjerë në tavolinat statike që qëndrojnë përherë aty, një pjesë shëtisnin apo bisedonin, ndërsa fëmijët kishin nisë lojërat, ndërkohë që ekipet e futbollit dhe volejbollit, kishin nisë parapërgatitjet stërvitore. Fran Çotaj, lëvizte sa tek një grupim tek tjetri duke u ndanë detyrat përgjegjësve sipas llojit të sporteve. Lek Përlleshi po merrej me këndin e fushave të ping-pongut dhe të shahut, Fran Shala me skuadrat e volejbollit. Në tendat provizore ishin të prezantuara zyra e ansambelmenit Mark Gjonaj, zyra e County Executive dhe kandidati Republikan për Governator të New York State, z. Rob Astorino, si dhe biznese të ndryshme. Piktori i njohur Ramiz Llapatinca ka ekspozuar pikturat e tij me fryëmzim e motive Kombëtare, shitësit ambulantë kanë sjellë veshje me simbole kombëtare, ndërkohë që nuk mungojnë as flamujtë kombëtar. Në një varg tendash serviren ushqime të freskëta që gatuhen aty për aty. E gjithë lugina është e veshur me flamujë amerikanë dhe shqiptarë, të cilët i ka sponsorizuar ansambleisti i shtetit të Nju Jork-ut, bashkadhetari Mark Gjonaj.
Tek e vështron nga lartësia e bazenit të ujëmbledhësit gjigand pamjen, lugina ku është vendosur kampingu i shqiptarëve, të shfaq një panoramë magjepse- të jep pamjen e një qyteze plot ngjyra, jo vetëm nga flamujt shqiptarë dhe amerikan, por edhe nga veshjet kombëtare, veçanërisht e hijeshojnë atë, veshjet e fëmijëve dhe të rinjëve, ku mbizotëron flamuri kombëtar, por edhe veshjet me kostume kombëtare të krahinave të vendit, të fëmijëve dhe të rinjëve të Ansamblit Rozofati të Kishës Katolike Zoja e Shkodrës, që kanë nisë kërcimet tradicionale, parafillimit të ceremonisë. Tek sheh vajza e vogla të veshura me xhubleta, apo djem të veshur me kostume kombëtare nga veriu apo jugu i Shqipërisë, provon në shpirt një ndjesi të ngrohtë dhe të rrok nostalgjia e veçantë për vendlindjen. Duke përcjellë traditat, kulturën, gjuhën, tek këta fëmijë të vegjël apo tek të rejat dhe të rinjët e lindur në mërgim, i bëhet një shërbim i çmuar Kombit.
Janë pikërisht këta organizatorë të këtij manifestimi dhe të veprimtarive të tjera tradicionale, kulturore dhe artistike këtu në mërgim që meritojnë përgëzime e përhirime Kombëtare. Natyrisht që nuk mund ta mbajë traditën gjallë vetëm një ditë e piknikut tradicional, por për këtë ditë punohet në vazhdimësi gjatë të gjithë vitit.Po t’i shtojmë kësaj dite të mbingarkuar me veprimtari kulturore, artistike e sportive, edhe Festivalin Shqiptar të përvitshëm, ku qindra fëmijë të lindur në Amerikë, këndojnë e kërcejnë shqip nën krenarinë e veshjeve kombëtare, atëherë e kupton se nuk është vetëm një ditë që i mbanë gjallë këto tradita.
TRADITA 11 VJEÇARE E” ALBANIAN HERITAGE DAY”
Dita e Traditës Shqiptare ka 11 vjet që ka nisë nën kujdesin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe shqiptarët ia kanë ndjerë kënaqësinë. Nga vit në vit organizatorët po e bëjnë më interesant dhe më të larmishëm programin e veprimtarive. Pyetjes që i drejtuam z. Mark Shkreli, drejtor i Qendrës Kulturore “Nëna Terezë” pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”: Se çfarë qëllimi ka organizimi i një dite të tillë, ai iu përgjigj: “Shqiptarët kanë qendrat e veta fetare që i bashkojnë. Përveç riteve fetare organizojnë edhe aktivitete shoqërore, por nuk egziston asnjë qender apo vend bashkimi për të gjithë shqiptarët pa dallim besimi.Pra mungon një qendër kulturore e përbashkët. Prandaj, Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, përmes Qendres “Nëna Tereze” organizon, kohë pas kohe, aktivitete apo manifestime të ndryshme kulturo-artistike dhe shoqërore me qëllim afrimin e të gjithë shqiptarëve.Përmes manifestimit Dita e Traditës Shqiptare (Albanian Heritage Day) synojmë t’ia arrijmë këtij qëllimi dhe, mendoj se kemi pasur sukses gjithëherë, veçanërisht gjatë këtij të fundit të organizuar me 1 qershor, ku pjesmarrja iu afrua shifrës 6 mijë”.
Duke kujtuar organizimin e parë të këtij aktiviteti, njëmbëdhjetë vite të shkuara, z. Shkreli tregon se kjo traditë nisi më 27 qershor 2004, në Tibbets Park, në Yonkers, New York. Tani jemi të dashuruar në këtë park madhështor, në Kensico Dam Plaza, një park i madh natyror në Valhalla të Westchester County , New York, nga që ka shumë avantazhe; ka kushte të shkëlqyera për argëtim, për sporte, për kërcime, natyrisht edhe për ceremoninë zyrtare që organizohet me këtë rast, ku vijnë personalitete të politikës amerikane, por dhe udhëheqës të organizatave të komunitetit e përfaqësues të diplomacisë .Në manifestimin e sivjetshëm të 1 qershorit, nderuan me pjesmarrjen e tyre: Konsulli i Republikës së Kosovës në Neë York, z. Korab Mushkolaj, z. Rob Astorino, Westchester County Executive dhe kandidati Republikan për Governator të New York State. Westchester Countyu Department of Parks Commissioner zonja Kathy O’Conner, Assemblyman Mark Gjonaj, Dom Dritan Ndoci nga Shkodra dhe në krye, si gjithëmonë, Famulliatri i Kishës “Zoja e Shkodrës”, i përndershmi Dom Pjetër Popaj.
Në këtë ditë ksuhtuar traditave Kombëtare, veçanërisht të kulturës tonë tradicionale, pjesmarrja është masive. Veçanërisht ky vit shënoi rekord duke e rritur numrin e pjesmarrësve në rreth gjashtë mijë veta.Pjesmarrësit ishin nga të gjitha trevat etnike, pa dallime fetare.Të gjithë bashkë manifestuan traditat dhe kulturën shqiptare.
CEREMONIA TRADICIONALE
Rreth orës 2 pm në tribunën e ngritur nën shpatullat e digës së ujëmbledhësit ngjiten personalitetet që kanë ardhë që të përshëndesin shqiptarët në ditën e traditave Kombëtare dhe nisi kështu ceremonia tradicionale. Fran Çotaj ka hapë takimin. Ai i ka falenderuar pjesmarrësit e shumtë në këtë ditë të traditave kombëtare. Çotaj, u duartrokit, kur e cilësoi famullitarin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja Shkodrës”, dom Pjetër Popajn, si arkitektin e veprimtarive të tilla, ku grumbullohen mijëra shqiptarë dhe manifestojnë kulturën Kombëtare.
Dom Pjetër Popaj tha se duartrokitjet u takonin organizatorëve, Fran Çotës me komisionin organizues. Duke folur për manifestimin në Ditën e Traditave Shqiptare, Dom Pjetër Popaj tha se ne jemi krenarë për Kulturën tonë Kombëtare, kulturë e një populli të lashtë në trojet e veta, kulturë që na lanë trashëgim të parët tanë. Këtë kulturë ne duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë edhe këtu në vendin e bekuar në Amerikë.Ai i përgëzoi të gjithë për këtë pjesmarrje kaq të madhe.
Zoti Rob Astorino,Westchester County Executive dhe kandidati Republikan për Governator të New York State, fitoi duartrokitjet e shqiptarëve tek i përgëzoi për këtë manifestim të shkëlqyer dhe për kontributin që japin shqiptarët në Westchester County.
Konsulli i Kosovës, Korab Mushkolaj, tha se ndjehej tepër i gëzuar që ishte pjesë e këtij manifestimi madhështor të shqiptarëve të bashkuar. Ju jepni një shembull të shkëlqyer, tha ai tek shpalosni kulturën tonë kombëtare në këtë vend të bekuar, që është miku më i madh i shqiptarëve. Ai i përshëndeti pjesmarrësit dhe falenderoi Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës për kontributin e jashtzakonshëm që jep në ruajtjen e kulturës, gjuhës shqipe dhe traditave kombëtare.
Ansmbleisti Mark Gjonaj, duke i përshëndetur të pjesmarërsit e shumtë që kishin mbushë sheshin, u duartrokit tek shtroi pyetjen: A jemi krenarë se jemi shqiptar?
Një” pooo” e zgjatur dhe duartrokitjet e vlerësuan fjalën e shkurtër të shqiptarit më të sukseshëm në New York, që ka arritë të zgjidhet në Ansamblenë e Shtetit të nju Jorkut, edhe nga përkrahja e shqiptarëve, dhe ne ndjehemi krenarë që kemi një zë tonin në parlamentin e shtetit të New Yorkut.
Fran Çotaj i ka përgëzuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në mbarëvajtjen e këtij manifestimi kulturor e tradicional. Ai veçoi disa nga emrat e shumtë, që me kontributin e tyre siguruan mbarëvajtjen e manifestimit, që nisi në orët e para të mëngjesit dhe vazhdoi deri në mesnatë me argëtimin e të rinjëve në sallën e Qendrës Nënë Tereza të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës.”
Cilët ishin ata ? Dom Pjetër Popaj, Mark Berisha, Mark Shkreli, Alex zadrima, Gjelosh Narkaj, Gjergj Vushaj, Nue Hysaj, Lazer Bujaj, Vjeko Çotaj, Ulli Tinaj, Sokol Smajlaj, Gjon Gojçaj, Pjetër Çotaj, Gjina Çotaj, Marijana Gjushi, Prena Berisha, Groshe Rukaj, Mark Gjonaj, Lek Përlleshi, Fran Shala, Fran Pllumaj e të tjerë.
NËN RITMET E VALLEVE DHE TINGUJT E MUZIKËS SHQIPTARE
Shqipëria, nga jugu në veri ishte e pranishme në koncertin e ditës së traditave. Gjatë të gjithë kohës që zgjati manifestimi kulturor i së dielës së 1 qershorit, që nga ora 12 e mesditës e deri në përfundim, Grupi Muzikor Toska me këngëtaret Alberije Hadërgjonaj dhe Valentina Ajdari nuk u ndalën. Ata shpalosën një program të pasur muzikor dhe ia shtuan emocionet manifestimit. Nga veriu në Jug, nga Kosova, Malesia e deri në Çamëri, këngët shqiptare ushtonin përgjatë luginës dhe përcilleshin tutje kodrave.
Emocionet u shtuan ku sheshi u mbush nga valltarët e Grupit Rozafa, të veshur me kostume kombëtare, nga të gjitha trevat,ata dhanë një program, të pasur me valle të traditës, të përgatitur nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika. Edhe fëmijë pesë vjeçarë kërcenin plot siguri, si të ishin valltarë profesionistë. Valltaret treguan profesionalizëm dhe pavarësisht diellit përvëlues, ia arritën që t’ia dilnin mbarë.Ata kërcyen nën ritmin e duartrokitjeve.
Në fillim valltarët e Rozafatit,plot finesë, kërcyen vallen e luleve. Më pas një valle me motive përmetare dhe e pastaj i erdhi radha valles festive të përpunuar,”Festë të madhe ka Shqipëria”. Koreografja Angjelina Nikaj, tha se janë 160 valltare e valltarë, nga mosha 5 vjeç e deri në 21 vjeç, që janë pjesë e këtij ansambi.Pasionin për vallet e traditës shqiptare ata e kultivojnë që në moshë të vogël. Angjelina me pasionin e saj ka arritur që të sigurojë vazhdimësinë e brazave në këtë ansambël që tashmë është bërë i njohur jo vetëm në SHBA, por edhe në Atdhe. Ishte ky ansambël që me ratsin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte i ftuar në veprimatritë kushtuar festës Kombëtare.
VEPRIMTARITË SPORTIVE
Për të rinjët dhe të rriturit,sporti në këtë ditë të manifestimit, merr përparësi. Lëndinat ku luhej futboll kishin më shumë shikues. Njëkohësisht zhvilloheshin disa ndeshje futbolli. Drejtuesit kishin zgjedhur sistemin e eliminimit zinxhir derisa të dilnin dy skuadrat finaliste që do të përcaktonin edhe fitusen e titullit të kampionit 2014. Në këtë garë sportive, që ishte më masivja, u përfshinë rreth 200 sportistë të veshur me uniforma të rregullta. Morën pjesë në garat eleminatore 22 ekipe.
Në finale dolën dy skuadrat më të mira, rivale për njera-tjetrën; skuadrat “Vukel” me “F.C. Brooklyn”. Takimi ishte i fortë dhe me rivalitet, por skuadrat i kushtuam më shumë vëmendje mbrojtjes se sa sulmit. Asnjëra skuadër nuk shënoi në kohën e rregullt kështu që takimi u mbyll i bardhë, zero me zero. U desh që fituesja të përcaktohej nga gjuajtja e penalltive. Skuadra e Vuklit u tregua më e saktë dhe fitorja u buzqeshi pikërisht djmëve të Vuklit, që u shpallën kampion të vitit 2014.
Edhe ndeshjet e volejbollit apo takimet e pingpongut dhe të shahut, patën bukurinë dhe shpirtin e garës dhe ia shtuan emocionet kësaj dite.
PËR KURESHTARËT
Fshati Kensico u emërtua në vitin 1849. Dita e Traditave Shqiptare organizohet nën digën madhështore të ujëmbledhsit të madh që furnizon një pjesë të Nju Yorkut me ujë, rreth 2 për qind. Është një ujëmbledhës gjigand që kur e sheh nga lart hapësira ujore të duket e pafund. Diga ka një gjatësi prej 556 metra.Është në gjendje që të mbajë rreth 306 00000000 gallons ujë, ose 116.000.000 metër kub ujë. Tipi i ndërtimit të murit të digës është ai i ndërtimit të disa prej piramidave të Egjiptit.Inxhinieri Frank E. Ëisnor ishte i ngarkuar për ndërtimin e digës. Për ndërtimin e digës u gërmua deri në 110 metra thellsi për të arritur shtresat e ngurta. Gjatë ndërtimit pat edhe aksidente fatale. Ujësjelli përfundoi më 1913. Fluksi i madh i punëtorëve për ndërtimin e digës dhe ujësjellsit, diktoi edhe ndërtimet përreth zonës si shtëpi, dyqane, hotele, restorante dhe lokale të tjera për plotësimin e nevojave të punëtorëve, ç’ka e gjallëroi shumë zonën.
Në vitin 2005 Departamenti i mbrojtjes së Mjedisit i New York City realizoi një projekt për rehabilitimin e Kensico Dam. Projekti kishte kosto prej $ 31.400.000 dhe përmbante riparime në skajet e digës, pastrim dhe riparimin e të gjithë sipërfaqes së muraturës së gurtë të digës, rindërtimin e pavioneve më të ulta, rindërtimin e taracës në drejtim të rrymës, riparimin e tyneleve të shkarkimit, pastramin e tubave të shkarkimit, pastrimit të galerive të brendshme, instalimin e ndriçimit dhe dyerve, rikonstruksionin e portës së sipërme etj. Ujëmbledhësi i Kensico-s ofron mundësi peshkimi dhe shëtitje me varkë. Çdo vit ujëmbledhësit i futet një llojë trofte kafe 8,5- 9,5 inch. Sipas Departamentit të Ruajtjes së mjedisit në prillin e vitit të shkuar rezervuari u pasurua me 8440 trofta kafe.
MONUMENTI I TË RËNËVE TË 11 SHTATORIT 2001
Për vizitorët që vinë për të parën herë , në Kensico Dam Plaza , u bie në sy Memoriali madhështor i të rënëve nën rrënojat e Kullave binjake me 11 shtator 2001 nga aktet terroriste. Ishin të shumtë vizitorët që merrni fotografi gjatë kësaj dite pran këtij monumenti, që u ndërtua me 11 shtator 2005. Janë përjetësuar aty emrat e 109 të rënëve, që i përkasin Westchester Caunty. Është aty edhe emri i një shqiptari, Simon Dedvukaj, nga Malësia e Ded Gjo Lulit, që u shua nën rrënoja me 11 shtator 2001, në një moshë fare të re. Bashkë me të ranë edhe bashkadhetarët Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj.Komuniteti shqiptar i nderon bijtë e vet dhe i ka përjetësuar në kujtesë.
Në këtë shesh në dhjetëditëshin e fundit të muajit prill shqiptarët përkujtojnë dhe atë që ka mbetur në kujtesën kombëtare si heroi i demonstratave antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës, Nick Mernaçaj, i biri i Marash dhe Mri Mernaçaj, që humbi jetën në moshën e rinisë, me 22 Prill 1990. Ishte vetëm 31 vjeç. Pikërisht këtu ngrihet në mënyrë cermoniale Flamuri Kuq e zi i kombit Shqiptar, për të nderuar aktin trimëror të të riut Mernaçaj.