

Intervistoi: Sokol Paja/
1. Cila është platforma elektorale e Elda Ratës? Pse duhet të të votojë elektorati?
Platforma ime elektorale bazohet në tre shtylla kryesore: siguria publike, zhvillimi ekonomik strategjik dhe mbështetja për bizneset e vogla lokale dhe familjet. Keller është një qytet i jashtëzakonshëm dhe synimi im është të ruajmë atë që e bën këtë komunitet të veçantë: vlerat dhe komunitetin, ndërkohë që menaxhojmë dhe kontribuojmë në rritjen dhe zhvillimin e tij. Unë besoj në zhvillim ekonomik strategjik, transparencë në vendimmarrje dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin.
Si juriste dhe sipërmarrëse me eksperiencë në sektorin publik dhe privat, unë sjell një perspektivë profesionale unike. Elektorati duhet të më votojë sepse unë besoj në shërbimin ndaj komunitetit, besoj në iniciativat e reja për zhvillimin ekonomik duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat dhe traditat e komunitetit dhe transmetimin dhe kultivimin e këtyre vlerave te brezi i ri, dhe sepse jam e përkushtuar të punoj çdo ditë për interesin e qytetarëve të Keller.
2. Angazhimi politik në Texas dhe distriktin ku kandidon, fokusi, pozicionimi, nismat, partia politike dhe një thirrje për shqiptarët.
Unë jetoj dhe kam investuar në Keller, Texas, dhe kam qenë shumë aktive në komunitet dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit. Përmes biznesit tim dhe angazhimit në organizata lokale, kam ndërtuar marrëdhënie të forta me qytetarët dhe liderët lokalë.
Fokusi im është:
mbështetja për forcat e zbatimit të ligjit, policinë dhe zjarrfikësit
stabiliteti në zhvillimin ekonomik
mbrojtja e cilësisë së jetës në Keller
transparenca dhe informimi në qeverisjen lokale
Unë kam vënë re që komuniteti shqiptar në SHBA jo vetëm është një komunitet shumë punëtor dhe i respektuar, por po rritet dita-ditës dhe po tregon që aderon të bëhet pjesë e strukturave politike vendore dhe qendrore. Për mua është një nder i madh që jam pjesë e idealeve dhe qëllimeve të këtij komuniteti. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do t’ia arrijmë që të ngrejmë zërin tonë dhe të bëhemi faktorë.
Ndaj besoj shumë në mbështetjen e gjithë komunitetit shqiptar në rrugëtimin tim që kam ndërmarrë për të përfaqësuar shqiptarët në institucionet amerikane, sepse çdo sukses i çdo shqiptari është sukses për komunitetin tonë në të gjithë Amerikën.
3. Kandidimi politik dhe rëndësia e këtij pozicioni. Ku e mbështet suksesin e garës sate?
Pozicioni i Këshilltarit Bashkiak është shumë i rëndësishëm sepse vendimet që merren në këtë nivel ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve: sigurinë, zhvillimin urban, ekonominë lokale dhe shërbimet publike.
Suksesi i garës sime elektorale mbështetet në:
besimin e komunitetit
punën e palodhur dhe prezencën në terren
angazhimin proaktiv në evenimentet e qytetit
influencën që kam ndërtuar përmes kontributit në komunitet dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit
të qenit emigrante dhe grua e suksesshme
Unë besoj se kur njerëzit shohin punën, përkushtimin dhe integritetin e dikujt, ata e kuptojnë që kandidatura është serioze dhe e sinqertë.
4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm – çfarë ndjeshmërie keni?
Për mua është një moment shumë i veçantë dhe emocional. Si shqiptare që kam ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe kam ndërtuar jetën dhe familjen këtu, unë e ndjej shumë fort përgjegjësinë për të përfaqësuar vlerat tona: punën e ndershme, familjen, respektin dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Historia e shqiptarëve është një histori rezistence dhe suksesi. Kandidimi im është edhe një mënyrë për të treguar që Ëndrra Amerikane është ende gjallë, që shqiptarët kontribuojnë fuqishëm në shoqërinë amerikane dhe janë pjesë aktive e demokracisë.
5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores?
Fushata po ecën shumë mirë dhe po marr një mbështetje të madhe nga komuniteti. Strategjia ime është shumë e thjeshtë: të jem pranë njerëzve dhe të dëgjoj shqetësimet e tyre. Unë bashkë me ekipin strategjik të fushatës po zhvillojmë takime me qytetarët, po marr pjesë në aktivitete të komunitetit dhe po komunikojmë vazhdimisht me votuesit. Qëllimi është të ndërtojmë një marrëdhënie besimi dhe transparence. Për elektoratin gri, mesazhi im është i qartë: ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme politike, por të gjithë duam një Keller të sigurt, të zhvilluar ekonomikisht dhe më shumë mundësi për familjet tona.
6. Kush është Elda Rata?
Unë jam juriste, sipërmarrëse dhe nënë. Kam një formim akademik ndërkombëtar me diplomë në fushën juridike, kam kryer master në Shqipëri dhe në Nju Jork në Pace Law School. Karriera ime përfshin eksperiencë në sektorin publik dhe privat, në fushën e agjencive të forcave të zbatimit të ligjit dhe në aspektin ligjor të krijimit dhe zhvillimit të biznesit në SHBA.
Sot punoj për një kompani që ofron shërbime ligjore për korporatat e ndryshme amerikane në të gjitha shtetet e Amerikës, ku mbikëqyr Departamentin e Shërbimeve Ligjore. Gjithashtu jam bashkëpronare e dy restoranteve italiane “Acquario Italian Restaurant” and “Acquario Pizza Pasta Bar” të dyja në Keller së bashku me bashkëshortin tim. Për bizneset tona unë mbuloj marrëdhëniet me publikun dhe zbatimin ligjor të rregulloreve të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë kulinare.
Bashkë me bashkëshortin jemi shumë të përkushtuar ndaj komunitetit ku jetojmë, besojmë shumë në vlerat e familjes dhe edukimit dhe mundohemi t’i transmetojmë edhe te tre fëmijët tanë. Në kohën e lirë më pëlqen shumë të kaloj kohë me familjen time dhe t’u gjendem në ndihmë njerëzve në nevojë.
7. Prejardhja familjare dhe historia e emigrimit në SHBA
Kam lindur dhe jam rritur në Kukës, në veri të Shqipërisë. Ne jemi me origjinë nga Hasi i Shqipërisë. Unë vij nga një familje që gjithmonë ka besuar në rëndësinë e edukatës së mbarë dhe të shkollimit.
Babai im ka qenë drejtues në arsim, biokimist dhe si hobi ka pasur bletërritjen, ndërsa nëna ka punuar në shëndetësi. Unë jam rritur duke i parë të dy ata duke i shërbyer komunitetit, njëri si mësues dhe tjetri duke shërbyer në çdo kohë të ditës dhe natës në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe vajzave. Prindërit e mi, përveç shërbimit ndaj komunitetit, nuk lanë kurrë mënjanë detyrën e tyre prindërore në rritjen dhe edukimin tim, të vëllait dhe motrës.
Historia ime është historia e shumë emigrantëve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Edhe unë erdha për më shumë siguri dhe mundësi për vete dhe për djalin tim. Amerika është një vend mundësish dhe unë jam shumë mirënjohëse për mundësitë që kam pasur këtu për të ndërtuar jetën dhe karrierën time si nënë e vetme.
Në fillimet e mia, përpos pengesave dhe vështirësive që kalon çdo emigrant i sapoardhur, unë iu futa edhe studimeve në fushën juridike për të rikonfirmuar vlerat e mia si intelektuale e ardhur nga Shqipëria. Falë eksperiencës dhe përkushtimit tim arrita të pranohem në Pace University’s Haub Law School në Nju Jork. Në kulmin e arritjeve të mia profesionale si individ, si femër dhe si nënë e vetme, Zoti më shpërbleu me një shans të dytë edhe në jetën time sentimentale.
Tashmë unë pata fatin dhe mundësinë për të krijuar një familje të re, e cila u kurorëzua me ardhjen në jetë të vajzës time, e cila përmbush zemrat tona si prindër, por edhe të të dy vëllezërve të saj. Unë jam falënderuese Zotit çdo ditë për gjithçka që më ka dhuruar deri tani. Sot jetoj në Keller, Texas, me familjen time të re dhe jam krenare që kontribuoj në komunitetin ku jetojmë.