– KRYETARI I VATRËS Z. ELMI BERISHA PRITI KRYETARIN E DEGËS SË RE TË VATRËS NË NEW JERSEY, Z. ADEM MANELLARI-/
Ditën e shtunë, 25 Janar në mesditë, Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha priti kryetarin e degës së re të Vatrës në New Jersey, z. Adem Malellari, i cili shoqërohej nga financieri i degës z. Stefan Isallari. Në prani të editorit të gazetës dhe ish anëtarit të kryesisë së Vatrës Besim Malota, z. Manellari informoi kryetarin Berisha për nismën e krijimit të degës së Vatrës në NJ me ndërmjetësinë e ish nënkryetarit të Vatrës Adriatik Spahiu.
Nismëtarët u mblodhën me 12 Janar për krijimin e degës dhe anëtarësimi po vazhon ende. Z. Malellari solli fletët e regjistrimit, pagesat e anëtarësive si dhe një informacion me shkrim rreth ecurisë së mbledhjes formuse, shkruar nga Aurela Velillari, që u depozitua së bashku me fletët e regjistrimit dhe procesverbalin. Ai u pajis me blok-regjistrin dhe udhëzimet për ecurinë e degës.
Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i falenderoi zotërinjtë për krijimin e degës dhe u uroi mirëseardhjen në Vatër dhe nga ky moment dega figuron e regjistruar në Federatë. Z. Berisha i njohu me frymën e Kuvendit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, organizuar në Detroit në Teqenë Baba Rexhebi dhe marrjen unanime të votbesimit për ta drejtuar Vatrën.
Kryetari Berisha tha se ai do të ruaj frymën kombëtare të Vatrës dhe se me platformën e tij do t’i prijë Vatrës për të kryer obligimet kombëtare dhe ato në komunitet.