NGA QAZIM SHEHU/
Enver Memishaj i njohur për lexuesin me studimet e veta serioze,pasi ka shkruar përmes hulumtimit të thellë një varg librash duke shpluhurosur historinë e anatemuar nga regjimi komunist, vjen së fundi ,me librin interesant:”Kryetarët e bashkisë së Vlorës-një histori e shkurtër e Vlorës”,një libër reprezantativ me një vështrim shterues për historinë e Vlorës dhe të drejtuesve të saj, që kur në Vlorë u ngrit flamuri e më pas.Memishaj ka pasur si pikë referenciale historinë e gërshetuar me protagonistët e saj më të shquar,duke e vijëzuar përmes arsyetimit faktologjik gjithë atë rrjedhë ngjarjesh herë të qeta e herë të vrullshme dhe dramatike,ku spikatin personalitete të ndryshme ,të cilët ,qëllimin kryesor të jetës së tyre patën idealin kombëtar,mbrothësimin dhe shpëtimin ,jo vetëm të qytetit, por edhe të kombit, nga kthesat e papritura përmes konjukturave të brendshme, po edhe të jashtme, ashtu siç i sillte koha ,apo ,ato, vetiu paraqiteshin dhe ndërlikoheshin edhe për rrethana objektive.Si studiues skrupuloz ai i ka dhënë vendin secilit duke paraqitur një historik të shkurtër për çdo kryebashkiak, po lexuesi i vëmendshëm ndalet tek disa figura të larta që u rritën dhe u madhëruan përmes kulturës së gjërë dhe idealizmës kombëtare.Kujtesa dhe vëmendja, vetiu i shkëput këta nga radha kohore e të tjerëve dhe vetiu na i sjell edhe sot të gjallë e të madhërishëm duke na krijuar kështu modelin e kryebashkiakut që ende nuk po arrihet nga ata që erdhën më pas dhe në ditët e sotme.KËTA FIGURA JANË:Nuredin bej Vlora,Qazim Kokoshi,Ali Asllani, Osmën Haxhiu.”Duke qenë se Bashkia e Vlorës nuk ua ngriti monumentin këtyre njerëzve të shquar, më mbetet, thotë autori ,tu ngre një monument këtyre njerëzve përmes një libri…”Dhe nuk ka monument më të bukur se sa njohja e jetës së tyre, sepse ne shpesh kemi nevojë t`u rikthehemi njerëzve të ndritur të cilët vunë në shërbim të atdheut edhe pasurinë e tyre ,ndryshe nga shumë zyrtarë të tjerë të rëndomtë që vunë atdheun në shërbim të pasurisë së tyre.Ky kontrast i thellë reflektohet me një shtresë nëntekstuale dhe veçohet duke u përqasur me realitetet e ditëve të sotme, realitete gri e me bëma kryebashkiakësh dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilat i lexojmë nëpër faqet e shtypit të përditshëm,ku historitë e tyre fillojnë me një gong të fuqishëm dhe përfundojnë si telenovelat e sheqerosura, deri sa humbasin për të kaluar në një ngjarje tjetër që përbën dhe sjell çudinë e radhës.
Në fillim të librit autori bën një përshkrim të detajuar të historisë së Vlorës ,të gjeografisë dhe etnografisë së saj,duke e parë Vlorën si pikën e vlimit të revoltës kombëtare për liri ,po edhe si pjesë integrale e domosdoshme e qëndresës kombëtare.Kjo qasje e kujdesshme që bën autori na sjell një falktologji të gjallë koherente dhe konkrete brenda skrupolozitetit të një studiuesi ;të ekonomisë,lëvizjeve popullore,kulturës, etnogjenezës dhe fillesave të muzgut të ngjizjes krijuese të historisë,çfarë e artikulon dhe krijohet një tablo mbresëlënse e gjithë atij spektri kohor në pak faqe.Autori nuk i ik faktit, po edhe kërkon ta sjellë atë në një sistemim sintetizues ku vertikaliteti kohor mbushet dhe krijohet me gjërat më të domosdoshme duke e qëruar nga tepritë dhe analogjitë lëndore.Për të njohur historinë e Vlorës mbase do duheshin volume, por autori merr majanë e ngjarjeve dhe fakteve duke krijuar një tablo shekujsh jetese dhe mbijetese në këtë vis të begatë të kombit tonë dhe këtë tablo e lidh në afeksionin moral të qëndresës dhe luftës së pareshtur për të ruajtur etninë dhe ato vlera të larta kulturore, dalluese për historinë e kësaj zone të bukur.Të dhëna që sjell autori për resurset natyrore ,apo për zhvillimet bujqësore dhe ekonomike industrial, vijnë paralelisht me të dhënat historike për luftrat me ushtritë e huaja dhe lëvizjet e panumërta kombëtare që ka bërë kjo zonë.Pastaj me një gjallëri stili autori përshkruan familjen që ka qeverisur Vlorën ,familjen Vlora, me origjinë nga Kanina e që për 350 vjet ka mbajtur ofiqin e sanxhakbeut të Vlorës.Pa qenë nevoja t`i përmendim këtu ,sepse nuk e mbajnë kufijtë e një shkrimi ,autori i merr me radhë figurat e kësaj familje , për të arritur tek figura e ndritur e kombit tonë, Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit.Vihet re se kjo Derë e Madhe edhe pse gëzonte ofiqe pushteti, asnjëherë nuk e harroi detyrën ndaj kombit,për të ardhë pastaj tek fëmijtë e Ismail Qemalit, të clët u harruan dhe u injoruan nga regjimi komunist,gjë e cila nuk duhej të ndodhte .Është fakt i trishtueshëm të ndjekësh kronologjinë e jetës së Qazim Vlorës,Qamilit,Mevedetit,etj.Autori thekson se ende mbetet një detyrë e studiuesve për të hulumtuar dhe sjellë të dhëna për familjen Vlora.
Një ide e rëndësishme në libër vjen si rëndësi e posaçme ,kur kumtohet përmes një materiali shtjellues se është shumë e rëndësishme të dihet historiku i administratës qeverisëse shqiptare, format e organizimit të jetës sociale e politike qoftë nën pushtime të ndryshme ,qoftë me kohë më të qeta;kjo edhe për të pasuar atë kundëride acaruese të ndonjë antishiptari se gjoja ne nuk kemi traditë qeverisëse ose të ndonjë skeptiku snobist.Zoti Memishaj këtu sjell patjetër një kontribut të shquar dhe shpresojmë se këtë nismë dhe ide do e shtjellojë edhe në libra të tjerë, sepse projektet e tij studimore nuk ndalen vetëm në këtë libër.Informacione të pafundme sjell ai me data, vite, emërtime termash ,persona realë që vepruan në beledijen osmane.Jo vetëm kaq,por edhe shifra të përcaktuara të numrit të popullsisë, ndarjeve krahinore etj ej.Studimi i tij i thellon njohuritë në një flkuks ideshë të pakontestueshme edhe në aspektin e riformulimeve juridike dhe parimeve të ndryshme të jurispundencës që patën dhe me të cilat funksionuan këto njësi administrative nëpër kohra.Pra, vështrimi i studiuesit është tërësor dhe synon shterrimin praqitës të asaj çka merret në konsideratë duke e lypur dhe kërkuar informacionin në funksion të realizimit të tablove paraqitëse dhe të besueshme.Duhet thënë se autori i rri konkretësisë dhe pasurimit të faktit gjithnjë në aspektin kohor ,për ta përsjellë dhe prurë sa më realisht diçka.
Kryebashkiaku i parë i Vlorës është Abaz Mezini nga fisi i shquar: Mezini i Vlorës,i cili jetën e tij ia kushtoi çështjes së qytetit, po edhe çështjes kombëtare duke luftuar kundër rebelëve dhe të huajve për shtetësinë dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së vendit.Ai jo vetëm që është i pari po edhe renditet ndër figurat e rralla të atyre administratorëve patriotë që bënë çfarë mundën në shtetndërtimin e vendit…Vijmë pastaj tek figura e Osmën Haxhiut,krybashkiakut dhe luftëtarit të devotshmëm ,njeriut që punoi dhe veproi në një kohë trazirash të mëdha dhe asnjëherë nuk i ndali dhe nuk i pa të ndara idealet e veta kombëtare me ato qeverisëse dhe demokratike.Figura e tij ridimensionohet fuqishëm në një radhua të gjërë veprimtarishë duke gërshetuar tiparet e humanistit, bamirësit dhe njeriut që gëzon të drejtën e përfaqësimit popullor në evente të rëndësishme kombëtare ,siç është Kongresi i Lushnjës.Kur vijmë tek figura e Ali Asllanit ndalemi pak edhe me një ndjenjë tjetër ,sepse na duhet të flasim për një nga lirikët e fuqishëm të poezisë kombëtare,autorin e himnit: Vlora,Vlora,të poezisë: Hakërrim dhe të poemës së famshme :Hanko Halla e të sa lirikave brilante që shkëlqejnë si valët e Jonit në mëngjesin bregdetar.Por Ali Asllani nuk është vetëm i këtij formati.Figura e tij dimensionohet në shumë kënde shikimi dhe çdo kënd është i mjaftueshëm për të kuptuar madhështinë e këtij patrioti të shkëlqyer.Historia e letërsisë njeh mjaft poetë të mëdhenj si: Pablo Neruda ,që kanë qenë edhe diplomatë, që kanë shërbyer në shërbimet diplomatike të vendit të tyre dhe kanë krijuar emër të madh.Autori e sjell Ali Asllanin përmes një kronike shkëlqimtare të jetës së tij,koha kalon dhe sa më tepër zhytemi në të ,aq më tepër na dalin përpara hijet e këtyre njerëzve të mëdhenj,të cilat ruajnë të freskët lavdinë e tyre dhe jep vetiu mësim për të ardhmen.Punërat e tij në shërbim të çështjes kombëtare së bashku me Qazim Kokoshin ,kur presin të dërguarin e presidentit Uillson, çmohen vetëm përmes ndjenjës së një repekti dhe përulje të thellë.Është meritë e Memishajt që ka ditur ta japë personalitetin e këtij shtetari- poet në konfigurimin e një kohe aktive dhe plot ngjarje të mëdha, po njëherit të na tregojë edhe sjelljen e sistemit komunist me Ali Asllanin,sjellje aspak e denjë dhe denigruese përmes heshtjes dhe varfërisë ku e lanë këtë personalitet.Ishte koha kur diktatura ngrinte idolet e rreme dhe thurte fanfara për personalitetet e dyshimta që i shërbenin asaj me zellin e tam tamit komunist.Ali Asllani ka bërë punë të lavdërushme si bashkiak i Vlorës që me themelimin e bibliotekës së qytetit, apo vepra të tjera publike , duke sjellë gjithnjë erën e ndryshimit që vjen nga një kryebashkiak i ditur dhe patriot.I këtij formati , I rri pranë edhe Qazim Kokoshi.Bashkë me dhëndrrin e vet Ali Asllanin,ata ndikojnë tek Haveni,konsulli amerikan ,i dërguari i Uillsonit ;ai është në krye të luftës për çlirimin e Vlorës,deputet i parlamentit shqiptar, botues shtypi dhe kryebashkiak i suksesshëm që shndrron qendrën e qytetit të Vlorës;edhe në emigracionin politik nuk i ndërpret kurrë idealet demokratike.Dënohet mizorisht nga regijimi komunist dhe i persekutohet familja.Një yll tjetër i nacionalizmit shqiptar, Nuredin bej Vlora, vjen në penën e Memishajt si një vazhdues i denjë i asaj tradite të burrave të mëdhenj.Është një nga ato figura tëndritura që jep kontribut të madh në konferencën e Paqes në Paris, më 1919.Ndihmon finaciarisht anëtarët e delegacionit shqiptar që përbëhej nga ajka e patriotëve dhe njerëzve të ditur dhe, nuk duhet harruar se në veprimtarinë e tij të lartë u gjend edhe bashkëshortja amerikane Karolinë Borden.Si kryebashkiak ai inicion e themelon arsimin në Vlorë,institucione të tij,gjithashtu bëri një punë konceptuale në infrastrukturë ,etj.Nuredin bej Vlorën do ta zevendësojë Zyhdi Karagjozi.Po kështu Abedin Nepravishta do kujtohet si një bashkiak i devotshëm e që me sjelljen e eshtrave të Ismail Qemalit nga Kanina në Vlorë kreu një akt fisnik në nderimin e Atit të Pavarësisë.Në libër do të gjejmë edhe emrat e kryetarëve të bashkisë gjatë pushtimit nazist, apo peridhën e regjimit komunist,e më pas sistemin e demokracisë.Mendojmë se autori,Enver Memishaj e ka konceptuar dhe shtjelluar këtë libër në disa rrafshe: në rrafshin historik ,duke e parë historinë shqiptare të ndërlidhur me skenat dramatike botërore,atëhere kur ,pikërisht ,duheshin gjetur dhe u gjetën protagonistë të denjë të kuptonin situatat dhe të çmontonin rrethanat e disfavorshme me luftë,diplomaci, duke marrë edhe armën në dorë ,apo duke vënë edhe pasurinë e tyre në shërbime të kombit,në rrafshin e një vertikaliteti kohor, kur na duhet të kuptojmë dhe të mbartim ato pika nga fillon e ngjizet historia e familjeve të mëdha;në aspektin e nxjerrjes nga harresa dhe për t`i sjellë në tribunën e duhur të vlerësimit disa figura që u anatemuan dhe u lanë në heshtje për shkak të ideologjive të mëvonshme,dhe në aspektin e një vërshmi historik tronditës në etapa kohore që konsolidoheshin me një ritëm të shpejtë për të na sjellë modele burrash të mëdhenj ,të cilët, më shkollimin perëndimor dhe traditën familjare, ditën të japin kontribute të mëdha e të na sjellin sot ,jo vetëm një pasuri shtetformuese dhe qeverisëse ,po edhe një trashëgimi kulturore dhe historike.Në libër ka vend për sejcilin nga kryetarët e bashkive që qeverisën Vlorën që nga themelimi i shtetit shqiptar,ndaj ky libër ka vlera jo vetëm njohëse, po edhe ballafaquese, thelluese ,ruan mirë ritmin e leximit të një proze shkencore ku argumenti dhe fakti herë herë ia ndërrojnë pozicionin njëri tjetrit, po kurrë nuk largohen.Me librin e ri,Enver Memishaj sjell një ndihmesë të shquar jo vetëm në njohjen e administratës shqiptare,çka e bën këtë libër unikal, po edhe të historisë duke u bërë një homazh përkujtues shumë figurave emblematike të kohës që mbeten shembull frymëzimi edhe për sot dhe, me kohë ,kanë hyrë në panteonin e kujtesës kombëtare…