Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes. Hedhja mbi koka të krushqëve grurë dhe sheqerka simbolizon pjellërinë – vazhdimin e jetës. Edhe kulaçi i nusës simbolizon pjellërinë, sikurse edhe vënia mbi kokë tre plisave nusës. Rrethi i Grave në Zym – gjinekologji e kohës/
NGA Frrok KRISTAJ/
Për botëkuptimet popullore martesa ka për qëllim kryesor shtimin e njerëzimit, përkatësisht sjelljen në jetë të fëmijëve. Ndërkaq, ardhja në jetë e fëmijëve paraqet ngjarje me rëndësi, gëzim të qiftit bashkëshortor, të familjes dhe farefisit më të gjerë (Drita Statovci “Elemente mitologjike dhe demonologjike në doke e zakone të lindjes”, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr. 18, viti 1988, faqe 173-191).
Nga dëshira e madhe për t’u përtërirë jeta, përkatësisht për të pasur pasardhës, populli (pa dallim nacionaliteti, besimi, race apo vendi) ka krijuar doke e zakone të llojllojta, të cilat jetësohen në raste të caktuara të ngjarjes së lindjes. Dukuritë e këtilla janë dëshmi e një vetdije shoqërore, gjegjësisht është dëshmi e një shkalle të zhvillimit njerëzor.
Te tradita shqiptare, pra edhe në Zym të Hasit, ardhja në jetë e fëmijës paraqet gëzim në familje. Lindja – shtimi i familjes, shihet si pasuri e shtëpisë, përkatësisht shihet si vazhdimësi e jetës së familjes.
Dëshira për të pasur pjellëri – fëmijë, në fakt shfaqet që në ditën e martesës – në ditën e dasmës, kur nusja hynë në oborr me ç’rast i hidhet mbi kokë grurë e sheqerka (A. Dojaka “Ceremoniali i dasmës shqiptare”, Tiranë, Etnografia shqiptare, nr. IX, viti 1978, faqe 132).
Zakoni i lindjeve edhe sot është i ruajtur mirë si në fshatrat shqiptare e po ashtu edhe nëpër qytete. Bile, ky zakon ushtrohet si në shtëpinë e vajzës, sidomos kur kumbara i dhëndërrit që ka ardhur me krushq, hynë te nusja (në shtëpi të vajzës) dhe asaj i derdhë mbi kokë para të metalta, e po ashtu edhe kur vjen nusja në shtëpi të burrit (dhëndërit), në hyrje të oborrit një plakë u hedhë mbi koka të krushqëve, por edhe të nusës, grurë dhe sheqerka (të përziera). Pra, elementet e këtilla simbolizojnë pjellërinë – vazhdimin e jetës.
Kulaçi i nusës
Te shtëpia e dhëndërrit dasma fillon në mesnatë (në mes të ditës së merkurë dhe ditës së enjte) kur i zoti i shtëpisë shtin me armë, që është simbol i pastërtisë dhe virgjërisë, sinjalizon fillimin e sitjes së miellit nga një djalë, e pastaj tri vajza (që kanë prindër, vëllezër e motra, përkatësisht – me zemra plotë) fillojnë të gatuajnë kulaçin e nusës. Në fakt, kulaçi është simbol i pjellërisë, por edhe prania e djalit paraqet dëshirën që nusja për të cilën po gatuhet kulaçi të lind djemë (Anton N. Berisha “Grishja dhe këngët e grishtarit në Zym”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Gjurmime albanologjike – folklor dhe etnologji, viti 1975, faqe 143-156); Rr. Berisha “Kontribut rreth zakonit të këngëve të “kulaçit të nusës”, Instituti Albanologjik i Prishtinës – folklor dhe etnologji, nr. III, viti 1975, faqe 119-121). Natyrisht se këto rite e zakone përcjellen edhe me këngë e def.
Djali nën duvak
Po ashtu, doket dhe zakonet popullore dëshmojnë se për të lindur nusja djem, nga shtëpia e dhëndërit dikur kur niseshin krushqit për ta marrë nusen patjetër e merrnin një djalë të vogël. Ndërkaq tash kur dasmat bëhen me makina, krushqit në makinë të nuses i marrin dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), që do të thotë se kur nusja hyn në makinë ajo ua puthë duart që të dy fëmijëve, mirëpo kur nusja vjen në shtëpi të dhëndërit familjarët e dhëndërit e marrin një djalë tjetër dhe e fusin në makinë, të cilin nusja e ulë në preher dhe më pastaj e përcjell kah dera tjetër, ku e prit një person, i cili djalin e merr dhe e hip mbi makinë nga e merr personi i mëparshëm dhe përsëri atë e ulë nusja në prehë dhe kështu ky rit përsëritet tri herë për çka edhe nusja e dhuron me diçka atë djalë. Në fakt, më herët kur nuk kishte makina, nusja vinte me kali të bardhë dhe e mbuluar me duvak të kuq. Adhe atëherë veprohej kështu – një djalë e fusnin në duvakun e nusës për çka nusja e dhuronte me ndonjë dhuratë e pastaj e sjellnin tri herë mbi kali e nën kali.
Kumbara ia vënë nuses tre plisa
Po ashtu, kumbara i shtëpisë së dhëndërit, që në dasmat e Zymit ka shumë rëndësi, pasi të vendosen krushqit në shtëpi të dhëndërit pas sjelljes së nusës, ua merr tre krushqve tre plisa dhe shkon te nusja dhe para se t’ia heq duvakun ia vënë plisat tri herë në kokë e pastaj ia heq duvakun. Do përmendur se gjatë kësaj kohe nusja duhet të qëndroj mbi një umi të përmendës, apo të ndonjë metali tjetër, të mbështjellë me një thes gruri.
Ky pra është një rit me simbolikë të pjellërisë së dyfisht. Themi kështu sepse umi i përmendës është i lidhur me tokën, që jep ushqime – pjellëri, që do të thotë se barazohet edhe me pjellërinë e nusës, përkatësisht se pjellëria e tokës bartet edhe te ajo e nusës. Në anën tjetër, umi e ka edhe funksionin mbrojtës nga demonët e këqinj, pasi që ata (demonët) i frikësohen hekurit (metalit).
Rrethi i grave – gjinekologji e kohës
Në afërsi të Zymit të Hasit, përkatësisht afër Kroit të Laskavecit, aty afër 100 metra në anën e djathtë nga drejtimi Gjonaj-Zym, gjendet Rrethi i Grave. Quhet Rrethi i Grave sepse siç pohojnë pleqtë e këtij vendbanimi, dikur ishte turp të lindnin gratë në shtëpi, ndaj plakat e shtëpisë i dërgonin shtatëzënat në atë vend për të lindur. Aty afër ishte edhe burimi i ujit (Kroi i Laskavecit), por kishte edhe drunjë për ta ndez zjarrin për ta nxerë ujin për nevoja të lindjes. Pra, Rrethi i Grave në njëfarë mënyre paraqiste një lloj gjinekologji të vendbanimit.
Pas lindjes gratë ktheheshin në shtëpi dhe varësisht nga stina – gjatë pranverës, verës e vjeshtës së hershme thonin se fëmiun e solli lejleku apo shqiponja, përkatësisht në vjeshtën e vonë dhe dimërit thonin se fëmiun e kanë gjetur në grazhdë të ahurit të bagëtive.
Do përmendur se edhe pas interesimit tonë se a ka ndokund në trevat shqiptare diçka të tillë si Rrethi i Grave në Zym, nuk kam dëgjuar e as nuk kam lexuar, që do të thotë se Rrethi i Grave në Zym të Hasit është unikat.
Ritet për lehtësim të lindjes
Natyrisht se për shtëzënat në mënyrë të veçantë janë kujdesur plakat e familjes, në mënyrë që akti i lindjes të jetë sa më i lehtë. Për t’iu lehtësuar lindja janë bërë edhe disa rite si puthja e katër mureve të dhomës duke e formuar kryqin në dhomë. Pra, elementet më të paraqitura padyshim se ka qenë ai i kryqit, pastaj i ujit i përhershëm që ecën (si te Rrethi i Grave që ekziston burimi – Kroi i Laskavecit). Këto rite të tjera përkojnë edhe me disa simbole ilire (Aleksander Stipçeviq “Amuletet ndër ilirë në kohën parahistorike”, Gjurmime aIbanologjike – seria historike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, nr VIII, viti 1978, faqe 29: i njëjti, “Simbolet e kultit te ilirët”, IAP, 1984, faqe 21).
Në fakt, kryqi si simbol solar, përkatësisht i diellit, do të thotë se simbolizon jetën dhe shëndetin. Në anën tjetër, uji që rrjedhë simbolizon plleshmërinë, vdekjen dhe përtëritjen, por që ka edhe aftësinë e pastrimit si mjet i të liruarit.
Ruajtja e fëmiës nga mësyeshi (amuletja)
Në ditët e para të lindjes si lehonat e po ashtu edhe fëmijtë i ruajnë nga gjërat e pakëndshme, si nga demonët e këqinj, nga terri, nga vetmia, nga “syri i keq” e kështu me radhë. Bie fjala, për ta ruajtur lehonën, ajo duhet që në shokë (brez) të mbanë hudhëra. Në anën tjetër, fëmija duhet që ta ketë fytyrën e mbuluar, apo që në djep të ketë edhe hudhëra, apo në shokë me të cilën lidhet për djepi, përkatësisht mund të ketë edhe këmbë të iriqit, lëkurë të gjarpërit e kështu me radhë, në mënyrë që të mbrohej nga “syri i keq” (mësyeshi) – amuletja, demonët e këqinj, e të tjerë.