• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fan Stilian Noli, 6 JANAR-DITA E LINDJES

January 6, 2020 by dgreca

Me rastin e Dites se Lindjes- 6 janar të vitit 1882-2020/

Fan S. Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar, kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare.

Ai ishte njeriu i alternativave, kontradiktave, tensioneve të brendshme, të cilat i kapërceu me përkushtimin e një burri të vërtetë shteti.

Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijimtarisë poetike shqiptare.

Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit“Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.

Në këto vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të.

Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27 vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.

Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston.

Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve greke te shqiptarët me besim ortodoks.

Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1913 Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në këte vend në prani të princit Vilhelm Vid.

Noli erdhi në Shqipëri në vitet 1913 dhe 1920 . Ai u bë figurë udheheqëse në luftën për vendosjen e rendit demokratik. Me fitoren e Revolucionit të Qershorit, më 17 qershor 1924 Fan Noli u vu në krye të qeverisë së Shqipërisë.

Gjatë gjashtë muajve ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua me mish e me shpirt të përballonte problemet politike dhe ekonomike të shtetit të ri shqiptar, të cilat ishin mjaft të rënduara.

Por programi i tij për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, doli se qe tepër i nxituar në një vend pa tradita parlamentare. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat zogiste Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar.

Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene. Fan Noli kërkonte që bashkatdhetarët e vet të mbështeteshin në “krahët… trimerinë…dhe kordhën e tyre…”.

Si përkrahës i luftës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me arme kundër sundimit osman. Pas shpalljes së Pavarësisë u vu në shërbim të qeverisë shqiptare të Vlorës.

Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.

Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.

Një pjesë të mirë të forcave të tij ai ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike.

Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim. Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit.

Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Njeri me interesa të gjera krijuese ai u mor edhe me muzikologji ; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në gjuhën angleze, u çmuan lart nga specialistë dhe personalitete të shquara. Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj.

Noli vdiq në Florida. SHBA,në 13 mars të vitit 1965 në moshën 83 vjeçare. Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret.

Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.

KRONIKE, JETA PERMES DATAVE

Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njeh Faik Konicën[3] Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.

Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: Fan S Noli-6 Janar-Dita e Lindjes

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT