Nga Faton Bislimi*/
Sot në orët e herëshme të mëngjesit, mediat ndërkombëtare e kanë dhënë lajmin e ditës mbi vendimin e Dhomës së Përfaqësuesëve të SHBA-ve për t’i aprovuar “Nenet e Akuzës” apo “Articles of Impeachment” ndaj Presidentit Trump. Ajo që të bën më shumë përshtypje ështëë një korelacion jo i drejtë mbi këtë veprim të Dhomës së Përfaqësusëve të Kongresit të SHBA-ve dhe vendimit për shkarkim të Presidentit amerikan.
“Impeachment” është një proces kushtetues në SHBA që i mundëson Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit që të akuzojnë në mënyrë zyrtare cilindo nga zyrtarët e lartë shtetëror duke përfshirë këtu edhe vet Presidentin e SHBA-ve, për krime te larta duke përfshirë tradhëtinë dhe korrupsionin (ryshfetin). Kushtetuta e SHBA-ve, për të mos lënë në duar të jurisë apo gjyqeve të rregullta akuzën, gjykimin, dhe dënimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë të zgjedhur apo emëruar, ia ka dhënë të drejtën e “impeachment” vetëm Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit. Realisht, ajo që ka ndodhë dje mbrëma në SHBA, është e barasvlefshme me atë që në zhargonin tone të jurispodencës do të njihej si “konfirmim i aktakuzës” ndaj presidentit Trump. Kjo nënkupton se pas disa muajsh hetimesh të zhvilluara nga Komisioni Legjislativ i Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit të SHBA-ve, të kryesuar nga Kongresisti dhe Kryetari i këtij Komisioni Jerry Nadler, dje mbrëma nën udhëheqjen e Kryetarë së Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi, kongresistët krejtësisht të ndarë në vija partiake votuan për të “konfirmuar aktakuzën” ndaj Presidentit Trump. Për t’u bërë i plotëfuqishëm akti i “impeachment” apo konfirmimi i aktakuzës, nevojitet vota e shumicës së thjeshtë të Dhomës së Përfaqësuesëve dhe këtë democratët e kanë, andaj edhe aktakuza u konfirmua në të dyja nenet e veta – neni një që akuzon Presidentin për keqpërdorim të pushtetit të tij (apo detyres zyrtare) dhe neni dy që akuzon Presidentin për pengim të punës së Kongresit.
Sipas procedures kushtetuese amerikane, fakti që dje mbrëma i është konfirmuar aktakuza Presidentit Trump në asnjë mënyrë nuk nënkupton as shkarkim nga detyra e as ndonjë kufizim tjetër të ushtrimit të detyrës së tij. Realisht, të qenurit “impeached” apo me aktakuzë të konfirmuar, mund të cojë në shkarkim nga detyra zyrtare edhe Presidentin, por vetëm atëherë kur pas një gjykimi, ai do gjendej fajtor sipas aktakuzës në fjalë.
Tani, pasi që Dhoma e Përfaqësuesëve në të cilën democratët kanë shumicën (232 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesëve janë demokratë, 198 janë republikanë, 1 është i pavarur, dhe 4 karriga janë vakante, nga 435 anëtarë gjithësej sa ka Dhoma e Përfaqësuesëve), e ka konfirmuar aktakuzën në dy nenet e lartëcekura, sipas procedures kushtetuese amerikane, rasti përcillet në Senat.
Senati është i obliguar që të gjykojë secilin rast të “impeachment” pra secilin zyrtar të lartë shtetëror ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesëve ka vendosur të konfirmojë aktakuzë për ndonjërin nga krimet e parashikuara me procedurën e “impeachment” sic janë krimet e larta ndaj shtetit, tradhëtia, apo marrja e ryshfetit. Nëse i akuzuari në fjalë është Presidenti apo Zëvendës Presidenti i SHBA-ve, atëherë gjykimi në Senat udhëhiqet nga Kryesuesi i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, jo nga Kryetari i Senatit sic do ndodhte per cilido zyrtar tjetër. Aktakuza e konfirmuar nga Dhoma e Përfaqësuesëve ndaj Presidentit Trump thirret në “abuzim të pushtetit” dhe “pengim të Kongresit” të cilësuara si krime të larta në kuadër të procedures se “impeachment.”
Andaj, në momentin që aktakuza e konfirmuar i dërgohet Senatit të SHBA-ve, ata e kanë për obligim ligjor e kushtetues që nën udhëheqjen e Kryesuesit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve (gjykatës më të lartë në vend), të gjykojnë rastin në fjalë dhe të shpallin verdiktin, pra të vendosin nëse i akuzuari, ne këtë rast Presidenti Trump është fajtor apo jo.
Për të dhënë verdikt të fajsisë, pra për të gjetur fajtor Presidentin Trump sipas aktakuzës në fjalë, dy-të-tretat e Senatit duhet të votojnë “për” apo “pro” verdiktit të fajsisë. Senati ka 100 anëtarë, dhe në këtë legjislaturë, nga këta 100 anëtarë, 53 janë republikanë, 45 demokratë, dhe 2 të pavarur. Pra, për të gjetur fajtor Presidentin Trump, jo vetëm se do duhej të votonin të gjithë demokratët dhe të pavarurit, por të paktën edhe 20 republikanë ashtu që të arrihej shumica e kërkuara e dy-të-tretave, pra të arrihej numri i 67 votave të domosdoshme për të shpallur aktgjykim fajsues për Presidentin Trump. E, në rast se kjo do të ndodhte, pra dy-të-tretat e Senatit do të votonin për një verdikt fajsues ndaj Presidentit Trump, atëherë ai do të largohej nga posti i Presidentit.
Sidqofotë, kur dihen ndarjet e thukta në këtë temë sipas vijave partiake, dhe kur kihet parasysh fakti se në Senat, republikanët kanë shumicën e anëtarëve, duket realisht krejtësisht e pamundur që një verdikt fajsues për Trumpin do të arrihet.
Andaj, të gjithë ata që me nguti e shpallën aktin e konfirmimit të aktakuzës ndaj Presidentit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesëve të Kongresit si “shkarkim” ose “procedure për shkarkim” duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të kuptojnë drejtë këtë procedure. Në fund të fundit, dihet postulati kryesor i drejtësisë “të gjithë janë të pafajshëm deri sa të mos jenë gjetur fajtor me verdikt gjylues.” E në rastin e Presidentit Trump, mundësia që të arrihet një verdikt gjykues që atë e gjenë fajtor është pothuajse zero.
*Faton Bislimi është anëtar bordi dhe coordinator për politika në Ballkan i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe anëtar i Këshillit për Diplomaci Qytetare të German Marshall Fund of the US në Washington, DC.