-Në Gjonaj nis edicioni i 28-të i festivalit të folklorit burimor “Hasi Jehon 2017”/
-Festivali “Hasi Jehon” i ka fillet në 8 mars të vitit 1975, kur nga mësuesit e fshatit u themelua shoqëria kulturore-artistike “Malësori” dhe nëpër vite u shndërrua në një nga ngjarjet më të organizuara dhe më të suksesshme kulturore në Kosovë/
Gjonaj i Hasit-Prizren, 5 Maj 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në fshatin Gjonaj të Hasit, në rajonin e Prizrenit afër kufirit me Shqipërinë, nisi të enjten në mbrëmje edicioni i 28 i festivalit mbarëkombëtar të folklorit burimor “Hasi Jehon 2017”, i cili zhvillohet gjatë tre ditëve.
Në skenë së pari parakaloi mikpritësi, shoqëria kulturore artistike “Malësori”, duke shpalosur para të pranishmëve karakteristikat e veshjeve më kolorit të pasur të Hasit. Vallet tradicionale të ruajtura ndër shekuj me origjinalitetin e paraqitjes në skenë, edhe njëherë dëshmuan një thesar të ruajtjes dhe kultivimit të traditës së pasur hasjane.
Në programin e hapjes u paraqitën edhe këngëtarët Shyhrete Osmanollaj, Përparim Brati dhe Florim Çoçaj.
Në natën e parë u prezantuan edhe pesë shoqëri tjera kulturore-artistike. Grupi “Pjetër Bogdani” nga Kruma e Hasit të Shqipërisë u paraqit me vallen e vajzave, vallen festive dhe me disa këngë të folklorit burimor. Grupi i shqiptarëve “Boras” nga Suedia u paraqit me vallen e Burimit të Sharrit dhe të Pavarësisë. ShKA “Shotë Galica” e Drenasit me Ansamblin e të rinjve u paraqit me një valle instrumentale dhe me disa këngë të folklorit burimor. “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe u prezantua me valle me motive kosovare, një valle instrumentale dhe me dy këngë të folklorit burimor. Natën e parë e mbylli ShKA “Bresana” me disa valle dhe këngë të traditës së Opojës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në ceremoninë e hapjes u shpreh se Festivali “Hasi Jehon” është shumë i veçantë sepse mbledh shoqëritë kuturoroe-artistike mbarëkombëtare dhe folklorin që është një pjesë shumë e rëndësishme e identitetit tonë, ndërsa theksoi masivitetin e pjesëmarrjes.
“Masiviteti vjen si rezultat i një historie 28 vjeçare të këtij aktiviteti. Pas vitit 1999, në Kosovën e lirë, ky aktivitet ka marrë përmasa të mëdha sepse është edhe festival i lirisë që fton për të marrë pjesë në Hasin e bukur këdo që është shqiptar”, tha ai.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, në hapje të edicionit të 28 tha se festivali “Hasi Jehon” është një ngjarje madhështore e folkorit tonë kombatër.
“Ky është një festival i folklorit tonë kombëtar të gjitha rajonave të trojeve etnike shqipatre, që dëshmon se jemi komb i lashtë e i njohur ne Evropë me këto begati” , u shpreh ai.
Festivali “Hasi Jehon” i ka fillet në 8 mars të vitit 1975, kur nga mësuesit e fshatit u themelua shoqëria kulturore-artistike “Malësori” dhe nëpër vite u shndërrua në një nga ngjarjet më të organizuara dhe më të suksesshme kulturore në Kosovë.