Nga Fuat Memelli/
Në qytetin Belmont afër Bostonit,po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit Artistik Ndëkombëtar, me temë :” Sekrete dhe gënjeshtra”. Është një temë pak e veçantë kjo e sivjetmja , por organizatorët thonë se këto janë pikat e përbashkëta që i bashkojnë këta filma. Në këtë festival, i cili është i 14-ti vit që organizohet , marrin pjesë 18 shtete, si Gjermania, Franca, Kanadaja, Italia, Turqia,Japonia, etj. Për herë të parë në këtë festival ,mer pjesë edhe Kosova, me filmin” Tre dritare dhe një varje”.
Drejtorja ekzekutive e festivalit, Ellen Gitelman, thotë se ne bsashkëpunojmë me distributorë ndërkombëtarë për të zgjedhur filmat. Shumica e tyre kanë fituar çmime në festivale prestigjoze ndëkombëtare të filmit artistik ose janë filma përfaqësues nga shtetet përkatëse, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, pranë Academy Awards( Çmimet e Akademisë). Filmi i Kosovës, “Tre dritare dhe një varje” ishte filmi i vetëm prezantues në gjuhë të huaj , për Oscarin e këtij viti dhe ne ishim shumë kureshtarë për ta parë. Pasi u pa në mënyrë anonime, u vendos se është film shumë i mirë për t’u shfaqur në këtë festival. Ky është filmi i parë kosovar që shfaqet në këtë festival, thotë zonja Ellen.
Autorë të filmit kosovar janë: skenari Zymber Kelmendi, regjisor Isa Qosja ndërsa në rolet kryesore interpretojne: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja ,etj. Filmi trajton një temë delikate, atë të dhunimit seksualisht të grave e vajzave gjateë luftës në Kosovë. Gjatë kësaj lufte, mendohet se janë dhunuar seksualisht 20 mijë gra e vajza. Në qendër të filmit është Lushja, një mësuese fshati. E shtyrë nga ndërgjegja dhe nevoja e kthimit të dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra të tjeta të fshatit, janë viktima të dhunimit nga forcat sërbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Nga ky deklarim , nis edhe një tragjedi e dytë për këtë mësuese: shikimi shtrembër dhe përçmimi nga fshatarët. Përçmimi arrin deri aty sa fshatarët ndërhyjnë te fëmijët e tyre që mos shkojnë në shkollën ku jep mësim kjo mësuese. Skenat ndërthuren edhe pas kthimit të të shoqit në shtëpi, ku Lushja gjen kurajon e ja tregon edhe të shoqit këtë ngjarje. Filmi mbaron pa ndonjë zgjidhje konkrete, pasi i tillë është problemi. Duhen kuptuar normat, traditat e zakonet që janë në Kosovë. Filmi është një apel për këtë dramë të grave e vajzave kosovare të dhunuara seksualisht gjatë luftës. Është një apel për drejtësi, një apel për ndërgjegjësimin e njerëzve që këto gra e vajza të mbahen pranë, që ato ta kalojnë këtë traumë, pasi nuk është faji i tyre për çka që u ka ndodhur. Disa nga pjesëmarrësit e quajtën atë një film rrënqethës.
Në mbarim të shfaqjes, foli drejtorja e festivalit, Ellen Gitelman, ndër të tjera theksoi se ky është një film që tregon dramën e grave dhe vajzave kosovare të dhunuara gjatë luftës, por tani gjërat në Kosovë, kanë ndryshuar. Kosova është shteti më i ri në Europë. Ajo ka një presidente femër dhe se nuk është çdo gjë bardh e zi në shoqërinë kosovare. Kosovarja Rita Saliu, e cila jeton në Amerikë por ka qënë vetë në Kosovë gjatë viteve të luftës dhe ka ndihmuar mjaft çështjen e Kosovës, tha se unë kam njohur nga afër gra e vajza të dhunuara. Me nismën e presidentes së Kosovë, Atifete Jahjaga, është krijuar një fondacion i veçantë për këto gra e vajza.
Ashtu si në veprimtari të tjera të shqiptarëve të Bostonit, edhe këtë herë shqiptaro- amerikania Shpresa Theodhosi, foli plot pasion për padrejtësitë që i janë bërë popullit të Kosovës nga makina ushtarake sërbe. Amerika dhe Bashkimi Europian e ndihmuan Kosovën për të fituar lirinë, por Kosova ka mjaft probleme. Për zgjidhjen e tyre, nuk duhet pritur çdo gjë nga të huajt. Vetë shqiptarët duhet ta ngrenë zërin e tyre dhe të bëhen ata promotorë të zgjidhjes së problemeve që kanë.
Një fjalë të veçantë në mbarim të filmit , mbajti e reja , Shengjyl Osmani, e lindur dhe rritur në Manastir. (Ajo ka mbaruar studimet në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe ka jetuar gjashtë vjet në Kosovë. Nga këto tre vjet ka punuar si gazetare tek rjeti ballkanik për gazetari hulumtuese. Tani është në përfundim të Masterit në zgjidhjen e konflikteve, në një universitet të Bostonit.) Në fjalën e saj, Shegylja tha për pjesëmarrësit, ato që si të thuash nuk i tha filmi.- Ka 16 vjet që ka mbaruar lufta në Kosovë, por çështja e dhunimit të grave e vajzave ka filluar të përmendët në shoqëri, këto dy vitet e fundit. Kosova ka formuar institucion për mbrojtjen e këtyre viktimave, i quajtur Këshilli Kombëtar për për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, institucion i formuar nga presidentja Atifete Jahjaga. Edhe shoqëria civile ka themeluar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e po përpiqen t’ua lehtësojnë jetën këtyre grave e vajzave. Siç paraqitet në film, kjo dhunë e përjetuar gjatë luftës për gratë e Kosovës, ka vazhduar në një formë tjetër edhe pas luftës. Ngurimi dhe frika nga mos përkrahja e paragjykimi nga familja, i ka detyruar këto gra e vajza të mbyllen në vetvete e të mos flasin për këtë krim të ushtruar ndaj tyre nga trupat e armatës sërbe. Është e rëndësishme që përkrahja të fillojë së pari tek familjet e viktimave , te komuniteti ku jetojnë e më pas te shoqëria e gjerë. Shpresoj të mos duhen edhe 10 -15 vjet të tjerë për të treguar progres e përkrahje për këto viktima dhe familjet e tyre, ka përfunduar fjalën e saj, shqiptarja nga Maqedonia,Shengjyl Osmani, njohëse e mirë e situatës në Kosovë, si të ishte një bijë Kosove. Dhe pjesëmarrësit e “shpërblyen”, duke i dhuruar duartrokitjet e tyre.